Kreu I Gjykata

Seksioni I Funksiont dhe përbërja e gjykatave

Neni  11 Funksionet  e gjykatës

  1. Gjykata  është organi që  realizon dhënien  e drejtësisë
  2. Askush  nuk  mund  të  deklarohet  fajtor  dhe  të  dënohet  për  kryerjen  e  një  vepre  penale  pa vendim të gjykatës.

Neni  12 Gjykatat  penale

Drejtësia  penale  jepet nga:

  1. gjykatat penale të  shkallës së parë;
  2. gjykatat e  apelit;
  3. Gjykata  e Lartë.

Neni  13 Gjykatat  penale të shkallës së parë dhe përbërja  e tyre

(Ndryshuar me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002) (Ndryshuar me ligjin  nr.9276, datë 16.9.2004) (Ndryshuar me ligjin  nr.9911, datë 5.5.2008)

1.  Veprat  penale  gjykohen  në  shkallë  të  parë  nga  gjykatat  e  rretheve  gjyqësore,  gjykatat  për  krime  të rënda  dhe Gjykata  e  Lartë, sipas  rregullave  dhe përgjegjësive  të  caktuara  në këtë Kod.

2. Në  gjykatat e shkallës së parë gjykohen nga  një gjyqtar:

  1. kërkesat e palëve gjatë  hetimeve  paraprake;
  2. kërkesat për ekzekutimin e vendimeve;
  3. kërkesat për marrëdhëniet juridiksionale  me autoritetet e  huaja.

3.  Gjykatat  e  rretheve  gjyqësore  gjykojnë  me  një    gjyqtar  veprat  penale,  për  të  cilat  parashikohet dënim  me  gjobë  ose  me  burgim  në  maksimum  jo  më  shumë  se  7  vjet.  Veprat  e  tjera  penale  gjykohen me trup gjykues  të përbërë nga  tre gjyqtarë. Gjykatat  për  krimet  e  rënda  gjykojnë  me  trup  gjykues  të  përbërë  nga  pesë  gjyqtarë,  me  përjashtim të kërkesave  të parashikuara në  pikën 2 të këtij  neni,  që shqyrtohen nga  një   gjyqtar.

4.  Gjykimi  i  të  miturve  bëhet  nga  seksionet  përkatëse,  të  krijuara  në  gjykatat  e  rretheve  gjyqësore, të përcaktuara  me dekret të Presidentit.

Neni  14 Gjykatat  e apelit  dhe përbërja e tyre

(Ndryshuar me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002) (Ndryshuar pika  3  me ligjin  nr.9085,  datë 19.6.2003 (Ndryshuar pika  3  me ligjin  nr.9276,  datë 16.9.2004) (Shfuqizuar pika  2 me ligjin  nr.9911,  datë 5.5.2008)

  1. Gjykatat  e  apelit  shqyrtojnë  në  shkallë  të  dytë,  me  trup  gjykues  të  përbërë  nga  tre  gjyqtarë, çështjet e gjykuara nga  gjykatat e rretheve  gjyqësore.
  2. Shfuqizuar.
  3. Gjykata  e  apelit  për  krimet  e  rënda  shqyrton  në  shkallë  të  dytë,  me  trup  gjykues  të  përbërë  nga pesë  gjyqtarë,  çështjet  e  gjykuara  nga  gjykata  për  krimet  e  rënda.  Gjykimet  për  kërkesat  e  parashikuara në  pikën 2 të nenit 13 shqyrtohen me trup gjykues  të përbërë nga  tre gjyqtarë.

Neni  14/a Gjykata e Lartë dhe përbërja e saj

(Shtuar me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Gjykata  e  Lartë  gjykon  në  kolegje  me  trup  gjykues  të  përbërë  nga  5  gjyqtarë  dhe  në  kolegje  të bashkuara. 

Seksioni II Rastet e papajtueshmërisë me funksionimin e gjyqtarit në gjykim

Neni  15 Papajtueshmëria për  shkak të pjesëmarrjes  në procedim

1.  Gjyqtari  që  ka  dhënë  ose  që  ka  marrë  pjesë  në  dhënien  e  vendimit  në  një  shkallë  të  procedimit nuk  mund  të  ushtrojë  funksionet  e  gjyqtarit  në  shkallët  e  tjera,  as  të  marrë  pjesë  në  rigjykim  pas  prishjes së vendimit.
2.  Nuk  mund  të  marrë  pjesë  në  gjykim  gjyqtari  që  ka  vleftësuar  masën  e  sigurimit  ose  çdo  kërkesë tjetër të prokurorit të paraqitur  gjatë hetimit  paraprak në  të njëjtin procedim.
3.  Nuk  mund  të  ushtrojë  në  të  njëjtin  procedim  detyrën  e  gjyqtarit  ai  që  ka  qenë  prokuror  ose  që ka  kryer  veprime  të  policisë  gjyqësore  ose  që  ka  qenë  mbrojtës,  përfaqësues  i  një  pale  ose  dëshmitar, ekspert  ose  që  ka  paraqitur  një  kallëzim,  ankim,  kërkesë  për  procedim  ose  që  ka  dhënë  apo  ka  marrë pjesë në  dhënien  e vendimit për autorizimin e  procedimit.

Neni  16 Papajtueshmëria për  arsye lidhjeje familjare, gjinie ose  krushqie

1.  Në  të  njëjtin  procedim  nuk    mund  të  marrin  pjesë  si  gjyqtarë  personat  që  janë  ndërmjet  tyre  ose me  pjesëmarrësit  në  gjykim,  bashkëshortë,  gjini  e  afërt  (të  paralindur,  të  paslindur,  vëllezër,  motra, ungjër,  emta,  nipër,  mbesa,  fëmijë  të  vëllezërve  dhe  të  motrave)  ose  krushqi  e  afërt  (vjehërr,  vjehrrë, dhëndër, nuse,  kunatë, thjeshtri, thjeshtra, njerku  e njerka).

Neni  17 Heqja dorë

1.  Gjyqtari  ka  për  detyrë  të  heqë  dorë  nga  gjykimi  i  çështjes  konkrete:

a)    kur  ka  interes  në  procedim  ose  kur  një  nga  palët  private  ose  një  mbrojtës  është  debitor  a  kreditor  i tij,  i  bashkëshortit  ose  i  fëmijëve  të  tij;
b)    kur  është  kujdestar,  përfaqësues  apo  punëdhënës  i  të  pandehurit  ose  i  njërës  nga  palët  private  ose kur  mbrojtësi  a  përfaqësuesi  i  njërës  prej  këtyre  palëve  është  gjini  e  afërt  e  tij  ose  e  bashkëshortit  të  tij;
c)  kur  ka  dhënë  këshilla  ose  kur  ka  shfaqur  mendim  mbi  objektin  e  procedimit;
ç)  kur  ekzistojnë  mosmarrëveshje  ndërmjet  tij,  bashkëshortit  ose  ndonjë  të  afërmi  të  tij  me  të pandehurin  ose  njërën  prej  palëve  private;
d)  kur  ndonjë  prej  të  afërmve  të  tij  ose  të  bashkëshortit  është  cenuar  ose  dëmtuar  nga  vepra  penale;
dh)  kur  një  i  afërm  i  tij  ose  i  bashkëshortit  kryen  ose  ka  kryer  funksionet  e  prokurorit  në  të  njëjtin procedim;
e)  kur  ndodhet  në  një  nga  kushtet  e  papajtueshmërisë  të  parashikuara  nga  nenet  15  dhe  16;
ë  )  kur  ekzistojnë  shkaqe  të  tjera  të  rëndësishme  njëanshmërie.

2.  Deklarimi  i  heqjes  dorë  i  paraqitet  kryetarit  të  gjykatës  përkatëse.

Neni  18 Përjashtimi  i gjyqtarit

1. Palët mund të kërkojnë  përjashtimin e gjyqtarit:

a) në rastet e  parashikuara  nga  nenet 15,  16 dhe  17;
b)  kur  gjatë  ushtrimit  të  funksioneve  dhe  para  se  të  jetë  dhënë  vendimi  ai  ka  shfaqur  mendimin  e tij mbi faktet ose rrethanat objekt procedimi.

2.  Gjyqtari  nuk  mund  të  japë  ose  të  marrë  pjesë  në  dhënien  e  vendimit  derisa  të  jepet  vendimi  që  e deklaron të papranueshme  ose që  e  rrëzon kërkesën  e përjashtimit.

Neni  19 Afatet dhe format e kërkimit  të përjashtimit

1. Kërkesa  për përjashtimin e gjyqtarit bëhet në seancë  menjëherë pas  legjitimimit të palëve.
2.  Kur  shkaku  i  përjashtimit  lind  ose  zbulohet  pas  mbarimit  të  momentit  të  legjitimimit  të  palëve, kërkesa  duhet  të  bëhet  brenda  tri  ditëve  nga  konstatimi.  Kur  shkaku  ka  lindur  ose  është  zbuluar  gjatë seancës kërkesa  e  përjashtimit  duhet të bëhet para  mbarimit të seancës.
3.  Kërkesa  përmban  shkaqet  e  provat  dhe  parashtrohet  me  akt  të  shkruar.  Ajo  paraqitet,  bashkë  me dokumentet,  në  sekretarinë  e  gjykatës  kompetente.  Një  kopje  e  kërkesës  i  jepet  gjyqtarit  për  të  cilin  kërkohet përjashtimi.
4. Kur nuk bëhet personalisht  nga  palët, kërkesa  mund të paraqitet me anën e  mbrojtësit ose të  një përfaqësuesi  të  posaçëm.  Në  prokurë  duhet  të  tregohen  shkaqet  për  të  cilat  kërkohet  përjashtimi, ndryshe  ajo nuk pranohet.

Neni  20 Konkurrimi i heqjes  dorë dhe i përjashtimit

1.  Kërkesa  e  përjashtimit  konsiderohet  se  nuk  është  bërë,  kur  gjyqtari  edhe  pas  bërjes  së  saj, deklaron se heq dorë dhe  ajo është pranuar.

Neni  21 Kompetencat për  të vendosur  përjashtimin

 (Ndryshuar paragrafi I me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Kërkesa  për  përjashtimin  e  gjyqtarëve  shqyrtohet  në  seancë  nga  një  gjyqtar  tjetër  i  së  njëjtës gjykatë.  Ndaj  vendimit  për  pranimin  ose  rrëzimin  e  kërkesës  për  përjashtim  lejohet  ankim  së  bashku  me vendimin përfundimtar të çështjes.
2.  Për  kërkesën  e  përjashtimit  të  një  gjyqtari  të  Gjykatës  së  Lartë  vendos  një  kolegj  i  kësaj  gjykate,  i ndryshëm nga  ai të cilit i përket gjyqtari që  kërkohet  të përjashtohet. Vendimi është i formës  së prerë.
3.  Nuk  pranohet  kërkesa  për  përjashtimin  e  gjyqtarëve  të  caktuar  për  të  vendosur  mbi përjashtimin.

Neni  22 Vendimi mbi  kërkesën  e përjashtimit

1.  Kur  kërkesa  e  përjashtimit  është  bërë  nga  ai  që  nuk  e  ka  patur  këtë  të  drejtë    ose  duke  mos respektuar  afatet  ose  format  e  parashikuara  nga  neni  19  ose  kur  shkaqet  e  paraqitura  janë  të  bazuara  në ligj, gjykata që  shqyrton ankimin e  shpall  atë të papranueshëm me vendim.
2.  Gjykata  mund  të  pezullojë  përkohësisht  çdo  veprimtari  procedurale  ose  ta  kufizojë  atë  në kryerjen e  veprimeve të  ngutshme.
3. Gjykata,  pasi merr  të dhënat e nevojshme,  vendos për kërkesën e  përjashtimit.
4.  Vendimi  i  dhënë  në  bazë  të  paragrafëve  të  sipërm  i  njoftohet  gjyqtarit,  për  të  cilin  është  kërkuar përjashtimi,  prokurorit,  të  pandehurit  dhe  palëve  private.  Kundër  tij  mund  të  bëhet  rekurs  në  Gjykatën e Lartë.

Neni  23 Disponimet kur  pranohet deklarimi i  heqjes  dorë dhe kërkesa  e përjashtimit

1.  Kur  deklarimi  i  heqjes  dorë  ose  kërkesa  e  përjashtimit  pranohen,  gjyqtari  nuk  mund  të  kryejë asnjë  veprim procedimi.
2.  Akti  që  pranon  deklarimin  e  heqjes  dorë  ose  kërkesën  e  përjashtimit  cakton  nëse  dhe  në  ç’pjesë kanë vlerë veprimet e kryera më  parë nga  gjyqtari që  ka  hequr dorë ose që  është kërkuar të përjashtohet.
3.  Dispozitat  për  heqjen  dorë  dhe  përjashtimin  e  gjyqtarit  zbatohen  edhe  për  sekretarin  e  seancës dhe  personat  e  ngarkuar  për  të  bërë  transkriptime  ose  riprodhim  fonografik  apo  audioviziv.  Për  heqjen dorë ose përjashtimin e tyre vendos gjykata që shqyrton çështjen.

 
  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!