I dëmtuari, paditësi dhe i padituri civil
Neni 58 Të drejtat e personit të dëmtuar nga vepra penale
(Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Personi i dëmtuar nga veprat penale ose trashëgimtarët e tij, kanë të drejtë të kërkojnë procedimin e fajtorit dhe shpërblimin e dëmit.
2. Personi i dëmtuar që nuk ka zotësi juridike për të vepruar i ushtron të drejtat që i janë njohur me ligj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të tij.
3. I dëmtuari ka të drejtë të parashtrojë kërkesa në organin procedues dhe të kërkojë marrjen e provave. Kur kërkesa e tij nuk pranohet nga prokurori, ai ka të drejtë të ankohet në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.
Neni 59 I dëmtuari akuzues
(Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002; shtesë në pikën 1 me ligjin nr.10 054, datë 29.12.2008)
1. Ai që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119,119/b, 120, 121, 122, 125, 127, 148, 149 dhe 254 të Kodit Penal ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.
2. Prokurori merr pjesë në gjykimin e këtyre çështjeve dhe, sipas rastit, kërkon dënimin e të pandehurit ose pafajësinë e tij.
3. Nëse i dëmtuari akuzues ose mbrojtësi i caktuar prej tij nuk paraqitet në seancë pa shkaqe të arsyeshme, gjykata vendos pushimin e gjykimit.
Neni 60 Kërkesa e të dëmtuarit akuzues
1. Kërkesa për gjykim e të dëmtuarit akuzues depozitohet në sekretarinë e gjykatës. Ajo është e pavlefshme në qoftë se nuk përmban:
a) gjeneralitetet e të dëmtuarit akuzues;
b) gjeneralitetet e personit që akuzohet;
c) emrin dhe mbiemrin e përfaqësuesit dhe prokurën;
ç) parashtrimin e arsyeve që përligjin kërkesën;
d) nënshkrimin e të dëmtuarit akuzues ose të përfaqësuesit të tij.
2. Kërkesa duhet t’i bëhet e njohur personit që i atribuohet vepra penale.
Neni 61 Padia civile në procesin penal
1. Ai që ka pësuar dëm material nga vepra penale ose trashëgimtarët e tij mund të ngrejnë padi civile në procesin penal kundër të pandehurit ose të paditurit civil, për të kërkuar kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmit.
Neni 62 Afati për legjitimimin e paditësit civil
(Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Legjitimimi i paditësit civil mund të bëhet nga organi procedues, derisa të mos ketë filluar shqyrtimi gjyqësor.
2. Afati i parashikuar nga paragrafi 1 nuk mund të zgjatet.
3. Me kërkesën e palëve ose kryesisht, gjykata mund të vendosë veçimin e padisë civile dhe dërgimin e saj në gjykatën civile nëse gjykimi i saj vështirëson ose zvarrit procesin penal.
Neni 63 Sigurimi i padisë civile
1. Për të siguruar kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmit, me kërkesën e paditësit civil, organi procedues mund të vendosë sekuestrimin e pasurisë së të pandehurit ose të të paditurit civil. Kjo masë qëndron deri në përfundimin e çështjes.
Neni 64 Heqja dorë nga gjykimi i padisë civile
1. Heqja dorë nga gjykimi i padisë civile mund të bëhet në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit me një deklaratë të bërë personalisht nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij në seancë ose me akt të shkruar e të depozituar në sekretarinë e gjykatës dhe të njoftuar palëve të tjera.
2. Në qoftë se paditësi civil nuk paraqet konkluzionet në diskutimin përfundimtar ose kur ngre padi përpara gjykatës civile, quhet se ka hequr dorë nga gjykimi i padisë civile.
3. Kur hiqet dorë nga gjykimi i padisë sipas paragrafëve 1 dhe 2, gjykata penale nuk mund të njohë shpenzimet dhe dëmet e shkaktuara të pandehurit dhe të paditurit nga ndërhyrja e paditësit civil. Padia për kërkimin e tyre mund të ngrihet para gjykatës civile.
4. Heqja dorë nuk pengon ngritjen e padisë në gjykatën civile.
Neni 65 Thirrja e të paditurit civil
1. Ai që përgjigjet civilisht për veprën e kryer nga i pandehuri mund të thirret në procesin penal me kërkesën e paditësit civil. I pandehuri që ka marrë pafajësinë ose ndaj të cilit është pushuar çështja, mund të thirret si i paditur civil për veprat e bashkëtëpandehurve të tjerë.
2. Kërkesa për thirrjen e të paditurit civil duhet të bëhet para fillimit të shqyrtimit gjyqësor.
3. Thirrja urdhërohet me vendim të gjykatës.
Neni 66 Ndërhyrja e të paditurit civil me vullnetin e tij
1. Kur bëhet legjitimimi i paditësit civil, i padituri civil mund të ndërhyjë me vullnetin e tij në procedim derisa të mos ketë filluar shqyrtimi gjyqësor, duke bërë kërkesë me shkrim. Gjykata vendos për kërkesën pasi dëgjon palët.
2. Afati i parashikuar nga paragrafi i parë nuk mund të zgjatet.
3. Ndërhyrja e të paditurit civil i humbet efektet kur hiqet dorë nga gjykimi i padisë civile.
Neni 67 Përfaqësuesi i palëve private
1. I dëmtuari akuzues, paditësi civil dhe i padituri civil kanë të drejtë të përfaqësohen në procedim nëpërmjet përfaqësuesit ligjor ose një përfaqësuesi të pajisur me prokurë.
2. Adresa e të dëmtuarit akuzues, paditësit dhe të paditurit civil nënkuptohet, për çdo efekt procedural, pranë atij që e përfaqëson.
3. Përfaqësuesi, në rastin e pengesës dhe për aq kohë sa zgjat ajo, me pëlqimin e të përfaqësuarit, mund të caktojë një zëvendësues.
Neni 68 Disponimet për padinë civile
1. Gjykata, sipas rastit, pranon tërësisht ose pjesërisht padinë civile ose e rrëzon atë.
2. Kur jepet vendim pafajësie, për shkak se fakti nuk parashikohet si vepër penale ose kur vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile lihet e pashqyrtuar.
3. Kur rrëzohet padia civile në procesin penal, nuk lejohet ngritja e saj përsëri në gjykatën civile.
Shto një koment