Dispozita të përgjithshme

Neni  1 Detyrat e legjislacionit  procedural penal

1.  Legjislacioni  procedural  penal  ka  për  detyrë  të  sigurojë  një  procedim  të  drejtë,  të  barabartë  e  të rregullt ligjor, të mbrojë  liritë personale  dhe të  drejtat e interesat e ligjshme të  shtetasve, të ndihmojë  për forcimin e  rendit juridik  dhe zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve  të shtetit.

Neni  2 Respektimi i normave  procedurale

1.  Dispozitat  procedurale  caktojnë  rregullat  për  mënyrën  e  ushtrimit  të  ndjekjes  penale,  të  hetimit dhe  gjykimit  të  veprave  penale,  si  dhe  të  ekzekutimit  të  vendimeve  gjyqësore.  Këto  rregulla  janë  të detyrueshme për subjektet e procedimit penal, për organet shtetërore,  personat juridikë dhe  shtetasit. 

Neni  3 Pavarësia e gjykatës 

  1.  Gjykata  është e  pavarur  dhe vendos në bazë të  ligjit. 
  2.  Gjykata jep vendim në  bazë  të provave që  shqyrtohen e  verifikohen në seancë gjyqësore. 

Neni  4 Prezumimi i pafajësisë 

1.  I  pandehuri  prezumohet  i  pafajshëm  gjersa  nuk  vërtetohet  fajësia  e  tij  me  vendim  gjyqësor  të formës  së prerë. Çdo dyshim për akuzën çmohet në  favor të të  pandehurit. 

Neni  5 Kufizimet e lirisë  së personit

  1. Liria  e  personit  mund  të  kufizohet  me  masa  sigurimi  vetëm  në  rastet  dhe  mënyrat  e  përcaktuara me ligj.
  2. Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit poshtërues. 
  3. Të dënuarve me burgim  u sigurohet trajtimi njerëzor dhe  rehabilitimi moral. 

Neni  6 Sigurimi i mbrojtjes

  1. I  pandehuri  ka  të  drejtë  të  mbrohet  vetë  ose  me  ndihmën  e  mbrojtësit.  Kur  nuk  ka  mjete  të mjaftueshme i sigurohet mbrojtja  falas  me avokat.
  2. Mbrojtësi ndihmon të pandehurin që  t’i garantohen të  drejtat procedurale  dhe t’i ruhen interesat e tij  ligjore.

Neni  7 Ndalimi  i gjykimit  dy herë për  të njëjtën  vepër

1.  Askush  nuk    mund  të  gjykohet  rishtas  për  të  njëjtën  vepër  penale,  për  të  cilën  është  gjykuar  me vendim  të  formë  së  prerë,  me  përjashtim  të  rasteve  kur  është  vendosur  rigjykimi  i  çështjes  nga  gjykata kompetente.

Neni  8 Përdorimi i gjuhës  shqipe

  1. Në  të gjithë fazat e procedimit përdoret gjuha  shqipe.
  2. Personat  që  nuk  dinë  shqip  përdorin  gjuhën  e  tyre  dhe,  me  anën  e  përkthyesit,  kanë  të  drejtë  të flasin e  të marrin dijeni  për provat e aktet, si dhe  për  zhvillimin e  procedimit.

Neni 9  Rivendosja  e të drejtave

1.  Personave  që  procedohen  në  kundërshtim  me  ligjin  ose  dënohen  pa  të  drejtë  u  kthehen  të drejtat dhe  shpërblehen për dëmin e  pësuar.

Neni  10 Zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

1. Marrëdhëniet  me  autoritetet  e  huaja  në  fushën  penale  rregullohen  nga  marrëveshjet ndërkombëtare,  të  pranuara  nga  shteti  shqiptar,  nga  parimet  dhe  normat  përgjithësisht  të  pranuara  të  së drejtës  ndërkombëtare, si dhe  dispozitat e këtij  Kodi. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!