Kreu III Afatet

Neni  144
Rregulla të përgjithshme

1. Afatet procedurale  caktohen në  orë, në  ditë,  në muaj ose në  vite.
2. Afatet llogariten sipas  kalendarit  të zakonshëm.
3.  Afati  i  caktuar  në  ditë,  kur  ai  mbaron  në  ditë  pushimi  ose  feste,  shtyhet  deri  në  ditën  pasardhëse të punës  ose jofestive.
4.  Me  përjashtim  të  rasteve  kur  ligji  disponon  ndryshe,  në  afatin  e  caktuar  nuk    llogaritet  ora  ose dita  në të  cilën fillon të ecë afati. Llogariten ora  e fundit ose dita e   fundit.
5.  Afati  për  bërjen  e  deklaratave,  depozitimin  e  dokumenteve  ose  për  kryerjen  e  veprimeve  të  tjera në  gjykatë konsiderohet i  mbaruar në momentin kur, sipas  rregullit, zyrat mbyllen për publikun.

Neni  145
Afatet që nuk mund  të zgjaten

1.  Afatet  që  nuk  mund  të  zgjaten  janë  ato  që  parashikohen  nga  ligji  për  raste  të  caktuara.  Këto afate mund të zgjaten vetëm kur  me ligj  disponohet ndryshe.
2.  Pala,  në  favor  të  së  cilës  është  caktuar  një  afat,  mund  të  kërkojë  ose  të  lejojë   shkurtimin  e  tij  me deklaratë të dorëzuar në sekretarinë e  autoritetit procedues.

Neni  146
Zgjatja e afatit  të paraqitjes

1.  Kur  vendbanimi  i  të  pandehurit,  që  rezulton  nga  aktet,  ose  banesa  e    deklaruar  a  e  zgjedhur, është  jashtë  rrethit  ku  ka  selinë  organi  procedues,  afati  për    paraqitje  zgjatet  për  aq  ditë  sa  duhen  për udhëtim.  Në  çdo  rast,  zgjatja  e  afatit  nuk mund  të  jetë  më  shumë  se  tri  ditë.  Për  të  pandehurin  me banim  jashtë  shtetit  zgjatja  e  afatit  caktohet  nga  autoriteti  procedues,  duke  mbajtur  parasysh  largësinë dhe mjetet e komunikacionit që përdoren.
2.  Këto  rregulla  zbatohen  edhe  për  afatin  e  caktuar  për  paraqitjen  e  çdo  personi  tjetër,  për  të  cilin autoriteti procedues ka  lëshuar urdhër ose ftesë.

Neni  147
Rivendosja  në afat
(Shfuqizuar shprehja  në pikën  6 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.31,  datë 17.5.2012)

1. Prokurori, i  pandehuri, palët private dhe  mbrojtësit rivendosen  në  afatin e  caktuar kur provojnë se nuk  kanë  patur  mundësi ta  respektojnë  afatin për  shkak të rastit  fator  ose të  forcës  madhore.
2.  Në  qoftë  se  është  dhënë  vendimi  në  mungesë,  i  pandehuri  mund  të  kërkojë    rivendosjen  në  afat për të bërë ankim kur provon se nuk  ka  marrë dijeni për vendimin.
3.  Kërkesa  për  rivendosjen  në  afat  paraqitet  brenda  dhjetë  ditëve  nga  zhdukja  e  faktit  që  përbënte rast  ose  forcë  madhore,  kurse  në  rastet  e  parashikuara  në    paragrafin  2,  nga  dita  kur  i  pandehuri  ka marrë  dijeni  efektivisht  për  aktin.  Rivendosja  në  afat  nuk  lejohet  më  shumë  se  një  herë  për  secilën  palë për çdo shkallë  të procedimit.
4. Për kërkesën vendos organi që  procedon në kohën e paraqitjes  së saj.
5. Vendimi që  lejon rivendosjen në afat për bërjen  e ankimit  mund të ankimohet vetëm bashkë  me vendimin përfundimtar.
6. Kundër vendimit që  refuzon kërkesën për rivendosje  në afat mund të bëhet ankim.

Neni  148
Efektet e rivendosjes në afat

1.  Gjykata  që  ka  vendosur  rivendosjen  në  afat,  me  kërkesën  e  palës  dhe  për  aq  sa  është  e  mundur, urdhëron përsëritjen e veprimeve  në të  cilat pala  kishte të drejtë të  merrte pjesë.
2.  Kur  rivendosja  në  afat  bëhet  nga  Gjykata  e  Lartë,  përsëritja  e    veprimeve  vendoset  nga  gjykata që  është kompetente për shqyrtimin në themel.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!