STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Kreu II Njoftimet

Neni  132
Organet dhe  format e njoftimeve

1. Njoftimet e  akteve bëhen nga  ftuesi gjyqësor  ose nëpërmjet shërbimit postar.
2.  Gjyqtari,  kur  e  çmon  të  nevojshme,  mund  të  urdhërojë  që  njoftimet  të  bëhen  nga  policia gjyqësore. 3.  Kur  kopja  e  aktit  i  dorëzohet  të  interesuarit  nga  ana  e  sekretarisë  së    gjykatës,  ajo  ka  vlerën  e njoftimit. Në këtë rast sekretari i gjykatës  bën shënim në aktin origjinal për dorëzimin dhe  për datën.
4. Njoftimet që  u bëhen nga  gjykata të interesuarve  në  praninë  e  tyre shënohen në procesverbal.

Neni  133
Njoftimet urgjente me telefon, telegraf dhe faks

1.  Gjykata  në  raste  të  ngutshme  mund  të  urdhërojë  që  personat  e  kërkuar  nga  palët,  përveç  të pandehurit,  të  lajmërohen  me  telefon  nga  sekretaria e  gjykatës  ose  nga  policia  gjyqësore.  Në  origjinalin  e lajmërimit  shënohet  numri  i  telefonit  të    kërkuar,  emri  dhe  detyra  që  kryen  personi  që  merr  njoftimin, marrëdhëniet e tij me  atë  që  njoftohet,data dhe  ora  e telefonatës.
2.  Njoftimi  me  telefon  ka  vlerë  nga  çasti  kur  është  bërë,  por  gjithnjë  kur  është  marrë  edhe konfirmimi i marrësit  me  anë  telegrami.
3. Njoftimi mund të bëhet edhe  nëpërmjet telegramit dhe faksit.
4.  Gjykata,  në  rrethana  të  veçanta,  mund  të  disponojë,  me  urdhër  të  arsyetuar  në  fund  të  aktit,  që njoftimi  i  një  personi,  përveç  të  pandehurit,  të    bëhet  duke  përdorur  mjete  teknike  të  përshtatshme  që garantojnë  njoftimin.

Neni  134
Njoftimi i akteve  të prokurorit

1.  Njoftimi  i  akteve  të  prokurorit,  gjatë  hetimeve  paraprake,  bëhet  nga  policia  gjyqësore  ose nëpërmjet shërbimit postar, në  format  e  parashikuara nga  neni  133.
2.  Dorëzimi  i  kopjes  së  aktit  të  interesuarit  nga  ana  e  sekretarisë  ka  vlerën  e  njoftimit.  Dorëzuesi shënon në  origjinalin e  aktit faktin e  dorëzimit dhe datën.
3.  Lajmërimet  e  bëra  verbalisht  nga  prokurori  zëvendësojnë  njoftimet,  me  kusht  që  ky  fakt  të shënohet në  procesverbal.

Neni  135
Njoftimet nga palët private

1.  Njoftimet  nga  palët  mund  të  bëhen  edhe  me  dërgimin  e  kopjes  së  aktit  nga    përfaqësuesit  e  tyre nëpërmjet letrës rekomande  me lajmërim marrje.

Neni  136
Njoftimet për  prokurorin

1.  Njoftimet  për  prokurorin  bëhen  edhe  drejtpërsëdrejti  nga  palët,  mbrojtësit  ose  përfaqësuesit  e tyre nëpërmjet dorëzimit të kopjes  së aktit në sekretari. Ai që  e  merr  në dorëzim shënon në  origjinal dhe në  kopjen e  aktit gjeneralitetet e atij që ka   bërë  dorëzimin dhe  datën.

Neni  137
Njoftimet për  palët  private

1.  Njoftimet  për  personin  e  dëmtuar  nga  vepra  penale  bëhen  njëlloj  si  për  rastet  kur  njoftohet  për herë  të  parë  i  pandehuri  i  lirë.  Kur  nuk  dihen  vendet  e  treguara  në  nenin  140,  njoftimi  bëhet  me depozitimin  e  aktit  në  sekretari.  Kur  nga  aktet  del  se    vendbanimi  ose  vendqëndrimi  i  tij  ndodhen  jashtë shtetit,  ai  ftohet  me  anën e  letrës  rekomande  me  lajmërim  marrje,  me  të cilën  të  deklarojë  ose  të  zgjedhë banesën  në    territorin  e  shtetit  shqiptar.  Kur  pas  njëzet  ditëve  nga  marrja  e  letrës  rekomande  nuk    bëhet deklarimi ose zgjedhja  e  banesës, njoftimi bëhet me  anën e depozitimit  të aktit  në sekretari.
2.  Njoftimi  i  thirrjes  së  parë  për  të  paditurin  civil  bëhet  në  format  e  caktuara  për  njoftimin  e  parë të të pandehurit të lirë.
3. Njoftimet për paditësin civil  dhe të  paditurin civil  bëhen pranë  përfaqësuesve  të  tyre.

Neni  138
Njoftimet nëpërmjet shpalljes  publike për  personat e dëmtuar

1.  Kur  njoftimi  i  personave  të  dëmtuar  është  i  vështirë  për  shkak  të  numrit  të    tyre  ose pamundësisë  së  identifikimit  të  disave  prej  tyre,  gjykata  mund  të  urdhërojë  që    ai  të  bëhet  nëpërmjet shpalljes  publike.
2.  Njoftimi  quhet  i  bërë  kur  ftuesi  i  gjykatës  depoziton  në  sekretari  një  kopje  të  aktit  bashkë  me dokumentet që vërtetojnë  shpalljen  publike.

Neni  139
Njoftimi i të pandehurit  të burgosur

1. Njoftimi për të pandehurin e  burgosur  bëhet në vendin e  burgimit duke i   dorëzuar atij aktin.
2.  Kur  i  pandehuri  refuzon  të  marrë  kopjen  e  aktit  ose  kur  ai  mungon  për  shkaqe  të  justifikuara, akti  i  dorëzohet  përgjegjësit  të  institucionit, i  cili  për  rastin  e  fundit  njofton  të  interesuarin  me  mjetin  më të shpejtë.
3.  Dispozitat  e  mësipërme  zbatohen edhe  kur  i  pandehuri  është  i  paraburgosur  për  një  akuzë  tjetër ose është duke  vuajtur  dënimin me  burgim.
4.  Kur  i  burgosuri  lirohet  për  shkak  të  ndryshimit  të  masës  së  sigurimit,  ai  detyrohet  të  deklarojë ose  të  zgjedhë  banesën.  Kjo  gjë  shënohet  në  aktin  e  lirimit  dhe i njoftohet  autoritetit  procedues.  Kur njoftimi në  banesën e  deklaruar ose të  zgjedhur  nuk  mund të bëhet, atëherë akti i dorëzohet mbrojtësit.

Neni  140
Njoftimi i të pandehurit  të lirë

1.  Njoftimi  i  të  pandehurit  në  gjendje  të  lirë  bëhet  duke  i  dorëzuar  atij  kopjen  e    aktit.  Kur  nuk mund  t’i  dorëzohet  personalisht,  njoftimi  bëhet  në  banesën  e  tij  ose  në    vendin  e  punës,  duke  ia dorëzuar aktin një  personi  që bashkëjeton me të  ose  një  fqinji, ose një personi që  punon me të.
2.  Kur  vendet  e  treguara  në  paragrafin  1  nuk  dihen,  njoftimi  bëhet  në  vendin  ku i pandehuri  ka banimin  e  përkohshëm  ose  vendin  ku  qëndron  më  shpesh,  duke  ia   dorëzuar atë  njërit  prej  personave  të treguar në paragrafin 1.
3.  Kopja  e  njoftimit  nuk  mund  t’i  dorëzohet  një  të  mituri  nën  14  vjeç  ose  një    personi  me  paaftësi të dukshme intelektuale.
4. Kur personat e treguar  në  paragrafin 1 mungojnë  ose nuk  janë  të përshtatshëm,  ose refuzojnë  të marrin  aktin  atëherë  procedohet  me  kërkimin  e  të   pandehurit  në  vende  të  tjera.  Në  rast  se  edhe  në  këtë mënyrë  nuk  mund  të  bëhet  njoftimi,  akti  depozitohet  në  qendrën  administrative  të  lagjes  ose  të  fshatit ku  i  pandehuri  banon  ose  punon.  Lajmërimi  i  depozitimit  afishohet  në  portën  e  shtëpisë  së  të pandehurit  ose  të  vendit  ku  punon.  Ftuesi  gjyqësor  e  lajmëron  atë  për  depozitimin  me  letër  rekomande me lajmërim marrje. Efektet e  njoftimit  rrjedhin që  nga  marrja  e  rekomandesë.
5.  Njoftimi  i  të  pandehurit  që  kryen  shërbimin  ushtarak  bëhet  duke  i  dorëzuar  aktin  atij  vetë  dhe kur  nuk  mund  të  bëhet  dorëzimi,  akti  i  njoftohet  komandës  e  cila  detyrohet  të  lajmërojë  menjëherë  të interesuarin.
6.  I  pandehur  është  i  detyruar  të  njoftojë  autoritetin  procedues  për  çdo  ndryshim  të  banesës  të deklaruar ose të  zgjedhur me telegram ose me  letër rekomande.

Neni  141
Njoftimi i të pandehurit  kur  nuk gjendet

1.  Kur  njoftimi  nuk  mund  të  bëhet  sipas  rregullave  të  caktuara  për  njoftimin  e  të  pandehurit  të lirë,  autoriteti  procedues  urdhëron  kërkimin  e  të  pandehurit.  Në  qoftë  se  kërkimi  nuk  jep  rezultat pozitiv,  atëherë  nxirret  vendimi  i  mosgjetjes,  me  të    cilin,  pasi  i  caktohet  një  mbrojtës  të  pandehurit, urdhërohet  që  njoftimi  të  bëhet  duke  i    dorëzuar  një  kopje  mbrojtësit.  I  pagjeturi  përfaqësohet  nga mbrojtësi.
2.  Vendimi  i  mosgjetjes  i  pushon  efektet  kur  përfundojnë  hetimet  paraprake  ose    me  dhënien  e vendimit nga  gjykata.
3.  Njoftimi  për  të  pandehurin  e  fshehur  ose  të  arratisur  bëhet  nëpërmjet  dorëzimit  të  kopjes  së aktit  mbrojtësit  dhe  kur  ai  nuk  ka  mbrojtës  autoriteti  procedues  cakton  një  mbrojtës  kryesisht,  i  cili  e përfaqëson të pandehurin.

Neni  142
Njoftimi i të pandehurit  jashtë shtetit

1.  Kur  vendbanimi  ose  qëndrimi  i  të  pandehurit  jashtë  shtetit  është  i  njohur,  autoriteti  procedues  i dërgon  atij  letër  rekomande  me  lajmërim  marrje,  me  të  cilën  e    njofton  për  veprën  penale  që  akuzohet dhe  i  kërkon  të  deklarojë  ose  të  zgjedhë  banesën  në  territorin  shqiptar.  Në  qoftë  se  pas  tri  ditëve  nga marrja  e  letrës  rekomande  nuk  bëhet  deklarimi  ose  zgjedhja  e  banesës  ose  kur  kjo  nuk  lajmërohet, njoftimi bëhet nëpërmjet  dorëzimit te mbrojtësi.
2.  Kur  del  se  nuk  ka  të  dhëna  të  mjaftueshme  për  të  vepruar  sipas  paragrafit  1,  autoriteti procedues,  para  se  të  nxjerrë  vendimin  e  mosgjetjes,  urdhëron  të  bëhen  kërkime  edhe  jashtë  territorit  të shtetit sipas  rregullave  të caktuara  në marrëveshjet ndërkombëtare.

Neni  143
Pavlefshmëria e njoftimeve

1. Njoftimi  është i  pavlefshëm:

a) kur  akti është njoftuar jo i plotë, me përjashtim të  rasteve  kur ligji  lejon  njoftimin me ekstrakt;
b) kur  në kopjen e aktit të  njoftuar mungon nënshkrimi i atij që ka  bërë  njoftimin;
c) kur janë  shkelur dispozitat e veçanta mbi  personin të cilit duhet t’i dorëzohet  kopja;
ç) kur nuk është bërë afishimi i njoftimit  për të pandehurin në  gjendje  të lirë;
d)  kur  në  origjinalin  e  aktit  të  njoftuar  mungon  nënshkrimi  i  personit  që  ka  marrë  përsipër njoftimin, sipas nenit 140 paragrafi  1;
dh)    kur  nuk  janë  respektuar  format  për  njoftimin  me  mjete  teknike  të  veçanta  dhe    që  për  këtë shkak ai që  duhej njoftuar  nuk ka  ardhur  në dijeni të  aktit.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!