Kreu I Aktet

Seksioni I Rregulla të përgjithshme

Neni  98
Gjuha e akteve

1. Aktet procedurale  penale bëhen në gjuhën shqipe.
2.  Personi  që  nuk  flet  gjuhën  shqipe  pyetet  në  gjuhën  amëtare  dhe  procesverbali  mbahet  edhe  në këtë gjuhë.  Në të  njëjtën gjuhë  përkthehen aktet procedurale  që i  jepen me kërkesën  e tij.
3. Shkelja  e këtyre rregullave  sjell pavlefshmërinë  e  aktit.

Neni  99
Nënshkrimi i akteve

1.  Kur  kërkohet  nënshkrimi  i  një  akti,  në  qoftë  se  ligji  nuk  disponon  ndryshe,  mjafton  shkrimi  me dorë në  fund të aktit i emrit  dhe mbiemrit të atij që  duhet të nënshkruajë.
2.  Është  i  pavlefshëm  nënshkrimi  i  vënë  me  mjete  mekanike  ose  me  shenja  të  ndryshme  nga shkrimi.
3.  Kur  personi  nuk  është  në  gjendje  të  nënshkruajë,  nëpunësi  para  të  cilit  paraqitet  akti  i  shkruar ose  që  regjistron  aktin  e  bërë  me  gojë  sigurohet  për  identitetin  e  personit  dhe  e  pasqyron  këtë  fakt  në fund të aktit, në praninë  e  një  personi të tretë.

Neni  100
Data e akteve

1.  Kur  ligji  kërkon  datën  e  një  akti,  në  akt  tregohen  dita,  muaji,  viti  dhe  vendi  ku  bëhet  akti. Tregimi i orës  është i  domosdoshëm vetëm kur  parashikohet shprehimisht.
2.  Kur  parashikohet  pavlefshmëria  e  aktit  për  shkak  se  nuk  është  treguar  data,  ky  rregull  ka  vlerë vetëm në  rastin kur  data nuk  mund të saktësohet me  siguri në bazë  të elementeve  që përmbahen në  vetë aktin ose në  aktet që  lidhen me të.

Neni  101
Zëvendësimi i akteve  origjinale

1.  Kur  origjinali  i  një  akti  procedural  është  prishur,  ka  humbur  ose  është  zhdukur  dhe  për  arsye  të ndryshme  nuk  gjendet,  kopja  autentike  e  verifikuar  ka  vlerën  e  origjinalit  dhe  vihet  në  vendin  ku ndodhej origjinali.
2.  Për  këtë  qëllim,  gjykata  edhe  kryesisht,  me  vendim,  urdhëron  personin  që  mban  kopjen  ta dorëzojë  atë në sekretari.

Neni  102
Ribërja e akteve

1.  Kur  nuk  mund  të  bëhet  zëvendësimi  i  aktit,  gjykata  edhe  kryesisht  verifikon  përmbajtjen  e  aktit që  mungon dhe  urdhëron nëse dhe  në ç’mënyrë ai duhet të ribëhet.
2.  Kur  ekziston  koncepti  i  aktit  që  mungon,  ky  ribëhet  në  bazë  të  konceptit,  por  me  kusht  që  një nga  gjyqtarët që e  kanë  nënshkruar vërteton se ai ka  qenë  i njëjtë me konceptin.

Neni  103
Ndalimi i  publikimit  të  aktit

1.  Ndalohet  publikimi,  qoftë  edhe  i  pjesshëm,  i  akteve  sekrete  që  lidhen  me  çështjen  ose  dhe vetëm i përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv.
2.  Ndalohet  publikimi,  qoftë  edhe  i  pjesshëm,  i  akteve  josekrete  deri  në  përfundimin  e  hetimeve paraprake.
3.  Ndalohet  publikimi,  qoftë  edhe  i  pjesshëm,  i  akteve  të  shqyrtimit  gjyqësor  kur  gjykimi  bëhet  me dyer  të  mbyllura.  Ndalimi  i  publikimit  hiqet  kur  plotësohen  afatet  e  caktuara  me  ligj  për  arkivat  e  shtetit ose  kur  ka  kaluar  afati  prej  dhjetë  vjetësh  nga  data  që  vendimi  ka  marrë  formën  e  prerë,  por  me  kusht që  publikimi të jetë autorizuar nga  Ministri i Drejtësisë.
4.  Ndalohet  publikimi  i  gjeneraliteteve  dhe  i  fotografive  të  të  pandehurve  dhe  të  dëshmitarëve  të mitur,  të  akuzuar  ose  të  dëmtuar  nga  vepra  penale.  Gjykata  mund  të  lejojë  publikimin  vetëm  kur  e kërkojnë interesat e të miturit ose kur  i mituri ka  mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Neni  104
Shkelja e  ndalimit  të publikimit

1.  Shkelja  e  ndalimit  të  publikimit  e  bërë  nga  nëpunësi  i  shtetit  ose  i  një  enti  publik,  kur  nuk përbën  vepër  penale,  është  shkelje  disiplinore.  Në  këtë  rast  prokurori  njofton  organin  që  ka  të  drejtë  të marrë masa  disiplinore.

Neni 105
Marrja e kopjeve, ekstrakteve  dhe vërtetimeve

1.  Gjatë  procedimit  dhe  pas  përfundimit  të  tij,  cilido  që  ka  interes  mund  të  marrë,  me  shpenzimet e veta, kopje,  ekstrakte ose vërtetime të akteve të  veçanta.
2.  Kërkesa  shqyrtohet  nga  prokurori,  për  aktet  e  hetimit  paraprak,  ose  nga  gjykata  që  ka  dhënë vendimin për ato të shqyrtimit gjyqësor.
3. Lëshimi i kopjeve, ekstrakteve ose vërtetimeve  nuk e  heq ndalimin  e publikimit.

Neni  106
Kërkesa  e prokurorit për  kopje të akteve  dhe për  informacione

1.  Prokurori  ka  të  drejtë,  kur  është  e  nevojshme  të  kryhen  hetime,  të  kërkojë  nga  gjykata,  edhe  në rastet  e  detyrimit  të  sekretit,  kopje  të  akteve  që  kanë  lidhje  me  çështje  të  tjera  penale  që  ai  ndjek,  si  dhe informacione  me shkrim mbi përmbajtjen e  tyre.
2. Brenda  pesë ditëve,  gjykata i  përgjigjet kërkesës ose e  refuzon atë me  vendim të arsyetuar.
3.  Dispozitat  e  paragrafëve  1  dhe  2  zbatohen  edhe  për  kërkesat  e  bëra  nga  Ministri  i  Rendit  Publik dhe  kryetari  i  Shërbimit  Informativ,  kur  kopje  të  akteve  dhe  informacionet  u  duhen  atyre  për parandalimin e  veprave  penale.

Neni  107
Pjesëmarrja e shurdhit,  memecit dhe e shurdhmemecit në bërjen e akteve  procedurale

1.  Kur  shurdhi,  memeci  apo  shurdhmemeci  dëshirojnë  ose  duhet  të  japin  shpjegime,  veprohet  në këtë mënyrë:
  1. shurdhit  i paraqiten pyetjet dhe  paralajmërimi me  shkrim dhe ai përgjigjet me gojë;
  2. memecit i bëhen pyetjet dhe  paralajmërimi me  gojë  dhe ai përgjigjet me  shkrim;
  3. shurdhmemecit i paraqiten pyetjet dhe paralajmërimi me shkrim dhe  ai përgjigjet me shkrim.
2.  Në  qoftë  se  shurdhi,  memeci  ose  shurdhmemeci  nuk  dinë  të  lexojnë  ose  të  shkruajnë,  autoriteti procedues  cakton  një  ose  më  shumë  interpretë  të  zgjedhur  ndërmjet  atyre  personave  që  janë  të  mësuar të merren vesh me ta.

Neni  108
Dëshmitarët në aktet procedurale

1. Nuk mund të jenë  dëshmitarë për të vërtetuar përmbajtjen e  një  akti procedural:
  1. të  miturit  deri  katërmbëdhjetë  vjeç  dhe  personat  që  kanë  sëmundje  të  dukshme  mendore  ose  që janë  në gjendje të  rëndë dehjeje ose  intoksikimi  me lëndë  narkotike  e  psikotrope;
  2. personat ndaj të  cilëve  janë  marrë masa  sigurimi.

Neni  109
Prokura për  akte procedurale të caktuara

1.  Kur  ligji  lejon  që  akti  të  bëhet  me  anën  e  një  përfaqësuesi  të  posaçëm,  prokura  jepet  me  akt noterial  ose  me  shkresë  private  të  vërtetuar  nga  organet  kompetente,  ndryshe  nuk  pranohet  dhe  duhet të  përmbajë,  përveç  të  dhënave  që  kërkon  posaçërisht  ligji,  përcaktimin  e  objektit  për  të  cilin  ajo  është dhënë  dhe të  fakteve që  u  referohet. Prokura  i bashkohet  akteve.
2.  Prokura  e  lëshuar  nga  organet  shtetërore  duhet  të  ketë  nënshkrimin  e  drejtuesit  dhe  vulën  e organit.

Neni  110
Memoriet  dhe kërkesat e palëve

1.  Palët  dhe  përfaqësuesit  e  tyre  kanë  të  drejtë,  në  çdo  gjendje  dhe  shkallë  të  procedimit,  të paraqesin memorie  dhe kërkesa  me shkrim.
2. Organi procedues shprehet me vendim brenda  pesëmbëdhjetë ditëve.

Neni  111
Deklaratat  dhe kërkesat e personave  të izoluar

1.  I  pandehuri  i  izoluar  me  masë  sigurimi  ka  të  drejtë  të  paraqesë  ankesa,  kërkesa  dhe  deklarata nëpërmjet  drejtorit  të  institucionit,  i  cili  lëshon  dokument  për  marrjen  në  dorëzim  të  tyre.  Ato regjistrohen  në  një  libër  të  veçantë,  i  komunikohen  menjëherë  organit  kompetent  dhe  kanë  efekt  njëlloj sikur të ishin pranuar drejtpërdrejt nga  ai organ.
2.  I  pandehuri  që  është  në  gjendje  arresti  në  shtëpi  ose  që  mbahet  në  ruajtje  në  një  vend  kurimi, ka të  drejtë  të  paraqesë  ankesa,  kërkesa  dhe  deklarata  tek  oficeri  i  policisë  gjyqësore,  i  cili  vërteton  marrjen në  dorëzim të tyre dhe  kujdeset për dërgimin menjëherë tek autoriteti kompetent.
3.  Po  këto  rregulla  zbatohen  edhe  për  kallëzimet,  ankesat,  kërkesat  dhe  deklaratat  që  paraqiten  nga palët private ose nga  i dëmtuari.

Seksioni II Aktet e gjykatës

Neni  112
Format  e disponimit  të  gjykatës
(Ndryshuar pika  2  me ligjin  nr.8813,datë 13.6.2002)

1. Gjykata disponon me vendim dhe me  urdhër.
2. Vendimi jepet në  emër  të Republikës.
3. Vendimi dhe  urdhri arsyetohen, ndryshe  janë të  pavlefshëm.
4. Vendimi merret në  dhomën e  këshillimit, pa  praninë  e  sekretarit dhe të palëve.
5.  Kur  një  anëtar  i  trupit  gjykues  nuk  ka  votuar  për  atë  që  është  vendosur,  me  kërkesën  e  tij përpilohet  një  procesverbal  përmbledhës  ku  pasqyrohen  motivet  e  kundërshtimit.  Procesverbali nënshkruhet nga  të gjithë  anëtarët dhe  vendoset në një  zarf  të vulosur  pranë  sekretarisë.
6.  Urdhrat  merren  pa  u  respektuar  formalitete  të  veçanta  dhe  kur  nuk  parashikohet  ndryshe,  jepen edhe  me gojë.

Neni  113
Depozitimi i akteve të gjykatës

1.  Origjinalet  e  akteve  të  gjykatës  depozitohen  në  sekretari  brenda  pesë  ditëve  nga  bërja  e  tyre.  Për aktet e ankueshme njoftohen prokurori dhe  personat që me ligj  i njihet e drejta të bëjnë  ankim.

Neni  114
Ndreqja e gabimeve  materiale

1.  Ndreqja  e  vendimeve  dhe  e  urdhrave  me  gabime  materiale  bëhet  edhe    kryesisht  nga  gjykata  që ka  nxjerrë  aktin.  Kur  ndaj këtij  akti  bëhet  ankim,  i cili  pranohet,  ndreqja  bëhet  me  vendim  të  gjykatës  që shqyrton ankimin, në  bazë  të të  cilit bëhet shënim në origjinalin e  aktit.

Seksioni III Dokumentimi i veprimeve

Neni  115
Procesverbali

1. Dokumentimi i veprimeve  bëhet me procesverbal.
2.  Procesverbali  përpilohet  nga  sekretari  i  gjykatës,  në  formë  të  plotë  ose  të  përmbledhur,  me stenotipi, me  mjet tjetër teknik  dhe,  kur mungojnë  këto mjete, me   dorëshkrim.
3.  Kur  procesverbali  përpilohet  në  formë  të  përmbledhur  duhet  të  bëhet  edhe    riprodhimi fonografik dhe, po të jenë  kushtet, edhe riprodhimi audioviziv kur është i  domosdoshëm.

Neni  116
Përmbajtja e procesverbalit

1.  Procesverbali  përmban  tregimin  e  vendit,  të  vitit,  të  muajit,  të  ditës  dhe  kur  është  e  nevojshme, edhe  të  orës,  në  të  cilat  ka  filluar  dhe  është  përfunduar,  gjeneralitetet  e  personave  që  kanë  marrë  pjesë, tregimin  e  shkaqeve,  kur  dihen,  mungesën  e  personave  që  duhet  të  marrin  pjesë  dhe  kërkesat  e paraqitura  nga  palët.

Neni  117
Nënshkrimi i procesverbalit

  1. Procesverbali,  me  përjashtim  të  atij  që  mbahet  në  seancën  gjyqësore,  pasi  lexohet,  nënshkruhet në  fund të çdo flete nga  ai  që e  ka  përpiluar, nga  ai që procedon  dhe nga  personat që kanë  marrë pjesë.
  2. Kur  njëri  nga  pjesëmarrësit  nuk  do  ose  nuk  është  në  gjendje  të  nënshkruajë,  bëhet  vërejtje  ku tregohet edhe shkaku.

Neni  118
Transkriptimi i procesverbalit  të redaktuar  me mjete stenotipie

1.  Shiritat  e  shtypur  me  shenja  stenotipie  transkriptohen  me  shkronja  të    zakonshme  jo  më  vonë se pesë ditë nga  data  kur janë  formuar dhe  lidhen me aktet bashkë  me transkriptimin.
2. Kur për personin që  ka  shtypur  shiritat ka  ndalime për të bërë transkriptim,  gjykata urdhëron që transkriptimi t’i besohet një personi të përshtatshëm,  qoftë edhe jashtë administratës  shtetërore.

Neni  119
Riprodhimi fonografik  ose audioviziv

1. Riprodhimi  fonografik  ose  audioviziv  bëhet  nga  persona  teknikë,  qoftë  edhe  jashtë administratës  shtetërore nën drejtimin e  sekretarit të  gjykatës.
2.  Kur  bëhet  riprodhimi  fonografik,  në  procesverbal  tregohet  çasti  i  fillimit  dhe  i  mbarimit  të veprimeve të  riprodhimit.
3.  Kur  riprodhimi  fonografik  nuk  kuptohet,  si  provë  shërben  procesverbali  i  përpiluar  në  formë  të përmbledhur.
4. Regjistrimet fonografike  ose audiovizive u bashkohen akteve.

Neni  120
Format  e dokumentimit  në raste të veçanta

1.  Gjykata  vendos  të  bëhet  përpilimi  i  procesverbalit  në  formë  të  përmbledhur  kur  veprimet  që duhet  të  pasqyrohen  kanë  përmbajtje  të  thjeshtë  ose  kur  mungojnë  mjetet  mekanike  të  riprodhimit  ose ndihmësit teknikë.
2.  Kur  përpilohet  procesverbali  në  formë  të  përmbledhur,  gjykata  kujdeset  që  të    shënohen  pjesët thelbësore të  deklarimeve  dhe rrethanat në të cilat janë  bërë.

Neni  121
Deklarimet gojore të palëve

1.  Kur  ligji  nuk  kërkon  formën  e  shkruar  të  dokumentit,  palët  mund  të  bëjnë,  vetë  ose  me  anë  të përfaqësuesve  të  posaçëm,  kërkesa  ose  deklarime  me  gojë.  Në  këtë  rast  sekretari  i  gjykatës  përpilon procesverbalin  dhe  regjistron  deklarimet.  Procesverbalit  i  bashkohet,  kur  është  rasti,  prokura  e posaçme.
2.    Palës  që  e  kërkon,  i  lëshohet  me  shpenzimet  e  veta  një  vërtetim  ose  kopja  e    deklarimeve  të bëra.

Neni  122
Pavlefshmëria e procesverbalit

1.  Procesverbali  është  i  pavlefshëm  kur  ka  dyshime  rreth  personave  që  kanë  marrë  pjesë  ose  kur mungon nënshkrimi i nëpunësit  që e  ka  përpiluar.

Seksioni IV Përkthimi i akteve

Neni  123
Caktimi i përkthyesit

1.  I  pandehuri  që  nuk  njeh  gjuhën  shqipe  ka  të  drejtë  të  ndihmohet  falas  nga  një    përkthyes  për  të kuptuar  akuzën  dhe  për  të  ndjekur  veprimet  ku  merr  pjesë.  Nëpërmjet  përkthyesit  ai  është  i  detyruar  të bëjë  një  deklaratë me shkrim që  nuk e  njeh gjuhën shqipe.
2.  Autoriteti  procedues  cakton,  gjithashtu,  një  përkthyes  kur  duhet  të    përkthehet  një  shkrim  në gjuhë  të huaj.
3.  Përkthyesi  caktohet  edhe  kur  gjykata,  prokurori  ose  oficeri  i  policisë  gjyqësore  e  njohin  gjuhën që  duhet të përkthehet.

Neni  124
Pazotësia dhe papajtueshmëria e përkthyesit

1. Nuk mund të kryej  detyrën e  përkthyesit:

a)  i  mituri,  ai  që  është  ndaluar  për  të  përkthyer,  ai  të  cilit  i  është  hequr  zotësia  juridike  për  të vepruar,  personi  i  sëmurë  mendërisht,  ai  të  cilit  i  është  ndaluar  apo    pezulluar  ushtrimi  i  detyrave publike dhe  i profesionit;
b) personi  ndaj të cilit janë marrë masa  sigurimi;
c)  personi,  i  cili  nuk  mund  të  pyetet  si  dëshmitar,  ai  që  është  thirrur  si  dëshmitar  dhe  si  ekspert  në të  njëjtin  proces  ose  në  një  proces  që  lidhet  me  këtë.  Megjithatë,  në  rastin  kur  pyetet  një  shurdh,  një memec ose një shurdhmemec,  interpreti mund të   merret nga  të afërmit e tyre.

Neni  125
Kërkesa  për  përjashtimin dhe për  heqjen dorë të përkthyesit

1. Palët kanë  të drejtë të kërkojnë  përjashtimin e përkthyesit për shkaqet e  treguara në  nenin 124.
2.  Kur  ka  shkak  për  të  kërkuar  përjashtimin  ose  heqjen  dorë,  përkthyesi  është  i    detyruar  ta deklarojë atë.
3.  Kërkesa  për  përjashtimin  ose  heqjen  dorë  mund  të  paraqitet  para  caktimit  të  detyrës  dhe,  për shkaqet e njohura më  vonë,  para se përkthyesi të ketë  mbaruar  detyrën e  tij.
4. Për kërkesën e  përjashtimit ose të  heqjes dorë organi procedues merr vendim.

Neni  126
Caktimi i detyrës  së përkthyesit

1.  Autoriteti  procedues  vërteton  identitetin  e  përkthyesit  dhe  e  pyet  nëse  ka  shkaqe  për përjashtimin e tij.
2.  Përkthyesi  paralajmërohet  për  detyrimin  që  ka  për  të  bërë  përkthim  të  saktë  dhe  për  të  mbajtur sekretin për veprimet që  kryhen  në prani të tij. Pas  kësaj  ai ftohet të kryejë detyrën.

Neni  127
Afati për  përkthimet  me  shkrim. Zëvendësimi  i  përkthyesit

1.  Autoriteti  procedues  i  cakton  përkthyesit  një  afat  kur  për  përkthimin  e  shkrimeve  kërkohet  një punë  e  zgjatur.  Përkthyesi  mund  të  zëvendësohet  kur  nuk  e  paraqet  përkthimin  me  shkrim  brenda afatit.
2.  Përkthyesi  i  zëvendësuar,  pasi  thirret  për  të  paraqitur  arsyet  e  mosplotësimit  të  detyrës,  mund  të dënohet nga  gjykata me gjobë deri dhjetë mijë  lekë.

Seksioni V Pavlefshmëria e akteve

Neni  128
Pavlefshmëria absolute

1. Aktet procedurale  janë  absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që  lidhen  me:
  1. kushtet  për  të  qenë  gjyqtar  në  çështjen  konkrete  dhe  numrin  e  gjyqtarëve  që  janë  të domosdoshëm për formimin e  kolegjeve të  caktuara  në këtë  Kod;
  2. të drejtën e  prokurorit për ushtrimin e  ndjekjes  penale  dhe pjesëmarrjen e tij në  procedim;
  3. thirrjen e të  pandehurit  ose praninë  e  mbrojtësit kur  ajo është e  detyrueshme.

2. Një  akt i cilësuar me ligj  si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm.

Neni  129
Pavlefshmëria relative

1.  Pavlefshmëritë  e  ndryshme  nga  ato  të  parashikuara  nga  neni  128,  mund  të  deklarohen  mbi kërkesën e  palëve.
2. Pavlefshmëria  lidhur me aktet e hetimeve  paraprake  dhe me  ato të kryera  për sigurimin e  provës duhet të kundërshtohet para se të  fillojë  shqyrtimi gjyqësor.
3.  Pavlefshmëria  e  vërtetuar  në  gjykim  mund  të  kundërshtohet  bashkë  me  ankimin  kundër vendimit përfundimtar.
4. Afatet për të ngritur  ose për të kundërshtuar pavlefshmërinë  nuk mund të zgjaten.
5.  Kur  pala  është  e  pranishme,  pavlefshmëria  e  një  akti  duhet  të  kundërshtohet  para  se  ai  të  bëhet ose,  kur kjo nuk është e  mundur, menjëherë pasi është bërë.

Neni  130
Çmuarja e pavlefshmërisë

1. Me përjashtim të rasteve  të parashikuara ndryshe  me ligj, pavlefshmëria  nuk merret parasysh:
  1. kur  pala  e  interesuar  ka  hequr  dorë  shprehimisht  nga  kundërshtimi  i  saj  ose  ka  pranuar  pasojat e aktit;
  2. kur  pala  ka  përfituar  nga  e  drejta  për  ushtrimin  e  së  cilës  akti  i  pavlefshëm  është  urdhëruar  më parë.

2.  Pavlefshmëria  e  lajmërimeve,  komunikimeve  dhe  njoftimeve  nuk  merret  parasysh  në  qoftë  se pala  e interesuar është paraqitur  ose ka  refuzuar të paraqitet.

3.  Pala  që  deklaron  se  është  paraqitur  vetëm  për  të  ngritur  parregullsinë  e  aktit  ka  të  drejtën  e  një afati, jo më  pak se tri ditë,  për t’u mbrojtur.
4. Gjatë hetimeve paraprake  çmuarja  e pavlefshmërisë bëhet nga  prokurori.

Neni  131
Pasojat  e deklarimit të  pavlefshmërisë

1.  Pavlefshmëria  e  një  akti  i  bën  të  pavlefshme  aktet  e  mëpasme  që  varen  nga    ai  që  është deklaruar i pavlefshëm.
2.  Gjykata  që  deklaron  pavleshmërinë  e  një  akti  urdhëron  përsëritjen  e  tij,  kur  është  e  nevojshme dhe  e  mundshme,  duke  ia  ngarkuar  shpenzimet  atij  që  ka  shkaktuar  pavlefshmërinë  me  dashje  ose  nga pakujdesia  e  rëndë.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!