Të Drejtat e Njeriut në të Drejtën Penale

ABSTRAKT

Valbona NDREPEPAJ

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë

Të Drejtat e Njeriut në të Drejtën Penale            Nga një vështrim krahasimor me të drejtën penale ndërkombetare, me të drejtën  penale europiane, dhe atë amerikane të së drejtës tonë penale vëmë re se termi të drejtat e njeriut në të drejtën penale tek ne është konceptuar në mënyre të ngushtuar, si vetëm të drejtat e autorit të veprës penale, duke lënë në hije një aspekt të rëndësishëm të këtij termi të drejtat e viktimës në të drejtën penale. Dhe mëqenëse për të drejtat e autorit të veprës penale(i ashtëquajturi proces i rregullt ligjor) është investuar shumë legjislacioni, jurisprudenca  e doktrina, qëllimi i këtij punimi është të studiohet aspekti tjetër i të drejtave të njeriut në të drejtën penale: të drejtat e viktimës .Të kuptohet se çfarë është viktima, cilat janë të drejtat e saj  dhe në çfarë niveli mbrohet ajo nga e drejta jonë  penale, sepse siç thoshtë Kennard : ”Në çdo krim të kryer ka të paktën dy viktima: Shoqëria vuan si pasojë e shkeljes së rregullave të saj, ndërsa viktima aktuale vuan dëmin aktual ndaj personalitetit ose pronës së tij” .                                                                                                                                      

            Për të realizuar qëllimin e këtij punimi është përdorur metoda hermeneutikë, metodat interpretative si ajo krahasimore, gjuhësore dhe logjike; punimi është konceptuar në tetë pjesë. Fillon më hyrjen ku shpjegohet motivi, qëllimi i punimit dhe arsyeja se pse në Shqipëri të drejtat e njeriut në të drejtën penale përkthehen si të drejtat e autorit të veprës penale, më pas në pjesën e dytë bëhet një analizë juridike e ligjit penal në vend ku konkludohet ajo që cituam supra. Pjesa e tretë na njeh më rolin që viktima ka pasur në të drejtën penale gjatë etapave të ndryshme historike. Për të ardhur te pjesa e katërt, pestë dhe e gjashtë ku respektivisht trajtohet roli i viktimës në të drejtën penale ndërkombëtare, në të drejtën penale europiane dhe në atë amerikane, ku më një vështrim krahasimor konkludohet që në te tre këto sisteme juridiko-penale termi viktimë konceptohet njësoj dhe gëzon pak a shumë të njëjtat të drejta . Në pjesën e shtatë trajtohet sesi dhe në të drejtën tonë penale mund të impelentohen këto të drejta, ku unë  favorizoj implementimin më anë të një lex specialis. Në fund përfundohet me konkluzione ku përveç konkluzioneve të tjera konkludojmë se të drejtat e viktimës në të drejtën penale janë zhvilluar relativisht vonë, janë tendenca e së drejtës penale ndërkombëtare  sot dhe çfarë është më e rëndësishmja ka ardhur koha që edhe e drejta jonë penale t’i  bashkëngjitet kësaj tendencë bashkëkohore. Sepse në këtë mënyrë realizohet më së miri qëllimi i Drejtësisë Penale.

Fjalët Kyçe :  historiku , implementimi , kompensimi , lex specialis , të drejtat e njeriut në të drejtën penale, të drejtat e viktimës, viktima.

 

1. Hyrje

        Dukë marrë në konsideratë legjislacionin penal në Shqipëri, jurisprudencën dhe doktrinën shohim se koncepti të drejtat e njeriut në të drejtën penale shihet ngushtësisht lidhur më të ashtëquajturin proces i rregullt ligjor, që përkthehet se sa herë flasim për këto të drejta në fokusin tonë është autori i kryerjës së veprës penale dhe përpjekja jonë për t’i ofruar atij mbrojtjen më të mirë kur përballet më forcën ndëshkuese të shtetit.                                                                                                                                

        Për pesëdhjetë vjet më rradhë tek ne ka ekzistuar një e drejtë penale që në qendër të saj kishte shtetin e jo individin1, një e drejtë proçedurale penale që nuk e njihte procesin e rregullt ligjor2; si rezultat i këtyre dhe në përpjekje për t’u  korrigjuar, për t’i dhënë të drejtës penale statusin e garancisë3, legjislatori ynë në vitin 1995 në hartimet e kodeve materiale e proçedurale penale u përqëndrua kryesisht tek të drejtat e autorit të veprës penale, duke anashkaluar një kategori të rëndësishme të të drejtave të njeriut në të drejtën penale, të drejtat e viktimave. Pikërisht qëllimi i këtij punimi është të sjellë në fokus këto të drejta, duke marrë në lato sensu të drejtat e njeriut në të drejtën penale.


2. Të drejtat e viktimave në Shqipëri

2.1  Roli i Viktimës në Kodin Penal

        Përpara se të kalojmë në një analizë te të drejtave të viktimave në vendin tonë, duhet të dimë më parë se çfarë është viktima. Në Kriminologji dhe në të Drejtë Penale, viktimë e krimit është një person i identifikueshëm, i cili është dëmtuar individualisht dhe drejtpërdrejt(dhe jo vetëm)4 nga autori i veprës penale.

Në nenin një,paragrafi i parë i Kodit Penal thuhet:

“Ligji penal përcakton veprat penale,dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve të tyre.”

Neni një/b vazhdon me detyrat e legjislacionit penal ku thuhet se:

”Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë territoriale të tij, dinjitetin e njeriut, të drejtat e liritë e tij, rendin kushtetues, pronën, mjedisin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat kombëtare, si dhe bashkëjetesën fetare nga veprat penale, si dhe parandalimin e tyre .”

        Nga një lexim i kombinuar i këtyrë dy dispozitave dhe një interpretim logjik e historik i tyre, referuar dhe doktrinës përkatëse, si dhe faktin se në asnjë moment nuk përmendet fjala viktimë, në to, na bën të mendojmë se togëfjalëshi … dinjitetin e njeriut , të drejtat e liritë e tij5 ( shih supra) kuptohet në strictu sensu pra i referohet autorit të veprës penale .E gjithë kjo na bën të mendojmë se Kodi ynë penal nuk e ka viktimën në fokus6,ky mendim përforcohet dhe po të mbajmë parasysh pjesën e posaçmë të Kodit, ku rezulton se termi viktimë7 përmendet rrallë, pra siç e shohim Kodi ynë Penal është orientuar nga autori i veprës penale dhe qëllimi i tij është luftimi, parandalimi i veprave penale si dhe ndeshkimi, riedukimi i autorit të krimit; duke e menjanuar viktimën(që do të thotë se viktima nuk paraqet një subjekt8 të veçantë dhe të pavarur të të drejtës tonë  penale) dhe rikthimin e saj në gjendjen e mëparshme për sa është e mundur.

 

2.2  Roli i Viktimës në Kodin e Proçedurës penale

        Por këtë situatë e ka zbutur disi legjislatori me parashikimet e bëra në Kodin e Proçedurës Penale në kreun e tij të gjashtë, ku përsëri nuk përmendet fjala viktimë, por i dëmtuari, që në raport më të parën është term më i ngushtë, dhe këtë e konkludojmë nga një lexim e interpretim i kombinuar  i neneve 58 dhe 284 të Kodit Proçedural Penal, si dhe nenit 59 ku i dëmtuari shfaqet më një rol tjetër si akuzues. Pra sipas Kodit të Proçedurës Penale viktima /i dëmtuari(dhe për disa vepra të lehta si akuzues) ka një vend minimal dhe të kufizuar vetëm për veprat që thuhen në mënyrë të shprehur në Kod në proçesin penal, që përkthehet në katër të drejta :                                                                       

1. të kërkojë proçedimin e fajtorit(për një numër taksativ veprash penale që relativisht nuk mund t’i konsiderojmë si vepra tepër të rrezikshme; përballë veprave të tjera të parashikuara në Kodin Penal e që nuk përmendën në nenet 59 dhe 284 të KPP, viktima është pa mbrojtje në kuptimin që nuk mund të kërkojë fillimin e hetimit ,i cili varet nga vullneti i prokurorisë ,ky dy standart i Kodit tonë proçedural penal shkel dhe parimin kushtetues të barazisë(në situatën hipotetikë një viktimë e marrëdhënieve seksuale dukë shpërdoruar detyrën i kërkon prokurorisë të fillojë hetimin,madje hetimi fillon vetëm më kërkesë të saj,por një viktimë e marrëdhënieve më persona të pazotë për t’u mbrojtur se ka këtë të drejtë) .

2. të kërkojë shpërblimin e dëmit(ku këtu bazë ligjore është neni 625 i Kodit Civil, pra për shpërblimin e dëmit mungon baza ligjore penale(sepse dëmi vjen nga një vepër penale ), por më shqetesues është fakti se kemi një kolizion të këtij neni më nenin 58 të KPP, ku këtu thuhet se shpërblimin e dëmit mund ta kërkojnë dhe trashgimtarët ndërsa në nenin 625 thuhet se kjo e drejtë është e patrashgueshme, atëherë si do të mund të vepronim në një situatë hipotetike? Atëherë jam e mendimit se duke u nisur nga ratio e këtij parashikimi në KPP dhe nga parimi lex specialis(KPP në rastin konkret) derogat lex generalis(këtë rol e luan KC në këtë rast)  mund të pranojmë karakterin e trashgueshëm të kësaj të drejtë kur dëmi vjen nga një vepër penale sigurisht,por ka nevojë për rregullim ligjor. Problematik është dhe fakti sesi do të veprohet nëse autori i veprës penale është në paaftësi paguese, në një situatë të tillë duhet të ndërhyjë shteti, i cili në të ardhmën duhet të krijojë një fond për këtë qëllim; veçanërisht për viktimat e krimeve të parashikuara në nenin 75/a të KPP.

3. të kërkojë marrjën e provave ,                                                                                                                    

4. t’i  drejtohet një gjykate më të lartë.

        Të drejta këto  që  nuk i përgjigjen plotësisht  kërkesave për respektimin e dinjitetit9 të njeriut(viktimës), mbi të cilin ngrihet Kushtetuta jonë dhe nuk kontribojnë në kthimin e saj në gjendjen e mëparshme. Realisht më problematik na duket fakti se edhe Kushtetuta (dhe pse më e vonë ) ka ecur në këtë drejtim dhe nuk përmend termin viktimë dhe si njeh asaj shprehimisht ndonjë të drejtë, ndërsa të pandehurit i ka kushtuar një pjesë të konsiderueshme të saj 10. Pra në proçesin penal në Shqipëri viktima ka një rol minimal, periferik e të kufizuar që shpesh herë abuzohet më të.                                                                                                      

        Siç e citova dhe supra nga një kërkim i bërë nuk rezulton që dhe doktrina11 e jurisprudenca shqiptare ta kenë trajtuar këtë problem. Kështu që viktimat në Shqipëri janë dy herë të cënuara; një herë  nga autori i veprës penale e më pas nga shteti që nuk ju ofron plotësisht kushtet për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme. Kështu që për sa i përket mbrojtjes së viktimave nga e drejta jonë penale, sigurisht duke e krahasuar më të drejta penale të zhvilluara (shiko infra) , mund të themi se kemi një të drejtë të mangët dhe që ska ndërmend t’i  bashkangjitet tendencës bashkëkohore të drejtësisë penale në botë12. Pra për të realizuar qëllimin e këtij punimi, se cilat janë të drejtat e viktimës, më duhet t’i drejtohem doktrinës dhe legjislacionit të huaj sepse legjislacioni shqiptar në këtë drejtim është i mangët .

 

3. Historiku i të drejtave të viktimave

3.1  Roli i Viktimës para shekullit të XIX

        Instituti i të drejtave të viktimave në  të drejtën penale në fakt është një institut  i ri  dhe një nga tendencat e të drejtës ndërkombëtare penale sot, por gjithsesi kjo nuk e justifikon mangësinë e Shqipërisë në këtë drejtim(atë që parashikon legjislacioni ynë penal sot për viktimat parashikonte legjislacioni penal amerikan në vitin 1982). Në fakt kjo mos vëmendje ndaj të drejtave të viktimave në të drejtën penale më parë  dhe kthimin e tyre në tendencën bashkëkohore të saj sot lidhet dhe më realitetin historiko-juridik që ka ekzistuar deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Sipas autorëve të ndryshëm13 kohë më parë, vetë viktima kishte të drejtën dhe  përgjegjësinë të  ndjekë  personin që i ka shkaktuar dëm dhe  deri vonë e ka mbajtur barrën e provës së fajësisë së autorit të krimit.

3.2  Roli i Viktimës pas shekullit të XIX

        Ky realitet ishte evident gjithkund deri në fillimet e mesjetës kur sistemi inkuizitorial gjeti shprehje. Nga kjo kohë, realiteti në fjalë vazhdoi të ekzistonte në vendet me sistem anglosakson ku viktimës i sigurohej një rol mjaft aktiv në proçedurën penale duke e shndërruar në këtë mënyrë ndjekjen e një krimi në një “raport kryesisht privat mes viktimës dhe autorit të veprës penale”. Në shekullin XIX paraqitet një doktrinë e re sipas të cilës vepra penale  nuk mund të trajtohet si çështje private mes viktimës dhe autorit pasi ajo prek dhe  dëmton thellësisht interesin publik të shtetit. Kjo doktrinë ishte evidente në shtetet me sistem juridik kontinental që në fillimet e sistemit inkuizitorial. Por në shekullin XIX kjo doktrinë fitoi përkrahje edhe në vendet me sistem juridik anglo-sakson, duke e vendosur kështu viktimën në një pozitë sekondare. Pozita sekondare e viktimës u forcua dhe si rezultat i paraqitjes së shkollës antropologjike-pozitiviste të Lombrozos, autori i veprës penale u ngrit në njërin ndër subjektet primare dhe më të rëndësishme për t’u studiuar në të drejtën penale dhe në kriminologji, duke i ridrejtuar në këtë mënyrë përpjekjet e shtetit drejt dy qëllimeve kryesore:

në ruajtjen e interesit publik, dhe në trajtimin e  autorit me qëllim të risocializimit  dhe riedukimit të tij. Kjo doktrinë harroi faktin se : Në çdo krim të kryer ka të paktën dy viktima: Shoqëria vuan si pasojë e shkeljes së rregullave  të saj, ndërsa viktima vuan dëmin aktual ndaj personalitetit ose pronës së tij.

        Për më tepër se një shekull viktima paraqitet si “një palë pasive, roli i së cilës kufizohet vetëm në vuajtjen e dëmit”. Duke qenë gati tërësisht e përjashtuar nga  proçedura penale, viktima zakonisht bëhet subjekt i viktimizimit sekondar që rezulton me mos-raportimin e krimeve. Megjithëse  është e qartë që reagimi i shtetit ndaj autorit të një vepre penale inspirohet fillimisht nga padrejtësia që i është shkaktuar viktimës, por  sërish, qëllim kryesor i drejtësisë penale mbetet shpagimi dhe parandalimi i krimit.

        Sa i përket të drejtës ndërkombëtare penale dhe rolit të viktimës në të gjëja e parë që duhet të qartësohet është se kjo paraqet një disiplinë të re dhe në zhvillim, ku kombinohen parimet anglo-saksone dhe kontinentale.Njohja e viktimës nga e drejta ndërkombëtare penale padyshim që u inspirua nga zhvillimet që u bënë në vëndë të ndryshmë ,ku një rol të rëndësishëm zë jurisprudenca dhe legjislacioni amerikan  ,por veçanerisht në këtë drejtim kanë ndikuar luftërat e ndryshme civile të zhvilluara kudo në botë apo sulmet e shumta terroriste që lanë pas viktima të shumta.Si rezultat i kësaj lindi nevoja që dhe një herë e drejta penale të kthejë vëmendjën nga viktima.


4.Të drejtat e viktimave në të drejtën ndërkombëtare penale

 4.1  Parashikime të përgjithshme

        Pasi pamë një panoramë të rolit të viktimës në të drejtën penale gjatë etapave të ndryshmë kohore padiskutim mund të themi se situata sot në botë është përmirësuar ndjeshem dhe tashmë kur flitet për të drejtat e njeriut në të drejtën penale, e marrim në lato sensu, të drejtat e autorit të veprës penale dhe të viktimës së saj.

        Dokumenti i parë ndërkombëtar dhe universal që ka të bëjë në mënyrë specifike me të drejtat e viktimave dhe proçedurën e kompensimit të dëmit ndaj tyre është Deklarata e Parimeve Themelore të Drejtësisë për Viktimat e Krimeve dhe të Abuzimit të Pushtetit (1985) e adoptuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të  Bashkuara. Përkrah përkufizimit të termit “viktimë” ky dokument promovon edhe disa të drejta të tyre si:

1. Shkuarja deri te organet e drejtësisë dhe trajtim të drejtë ndaj tyre (që mes tjerash nënkupton ndihmën juridike dhe njoftimin në kohë për të gjitha aspektet procedurale),

2. Restituim (rikthimi i pronës, kompensimi i dëmit, restorimi i të drejtave, etj.),

3. Kompensim (i siguruar nga shteti kur mjetet financiare të autorit janë të pamjaftueshme

për këtë gjë)

4. Ndihmë (materiale, mjekësore, psikologjike dhe sociale).                                                  

Gjithsesi kuptohet që ky makanizëm nuk qe tepër efiçent për vetë formën e tij,deklaratë,dhe nuk krijonte një mekanizëm monitorues për lëndën e saj, e mbi të gjitha nuk ishte i detyrueshem implementimi i tij nga shtetet .

       Në anën tjetër, statutet e dy tribunalëve ndërkombëtare penale ad hoc (Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë dhe ai për Ruandën) si dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale promovojnë në dokumentet e tyre themelore juridike një numër të madh të të drejtave të rëndësishme për viktimën, duke kërkuar në këtë mënyrë për shembull, realizimin e parimit për gjykim të drejtë përmes respektimit të plotë të të drejtave të të akuzuarit dhe në kontekst me mbrojtjen e viktimës.Kjo tendencë për sigurimin e një balance mes të drejtave të viktimës dhe atyre të të akuzuarit duhet parë si një karakteristikë mjaft e rëndësishme dhe unike e gjykatave penale ndërkombëtare që për dallim nga praktika e deritanishme e të drejtave të njeriut për promovimin e zakonshëm vetëm të të drejtave të autorit për gjykim të drejtë duke e  anashkaluar faktin që një gjykim i tillë nuk mund të jetë i drejtë duke i respektuar vetëm të drejtat e njërës palë.

      Edhe pse eksperiencat e Tribunalit për ish-Jugosllavinë dhe atij për Ruandën janë karakterizuar shpesh si dështim të përpjekjeve për kompensimin e viktimave ,teorikisht ato paraqesin një qasje të re ndaj të drejtave dhe trajtimit të viktimës para një tribunali.  Edhe Gjykata Ndërkombëtare Penale promovon masa serioze për trajtimin me respekt dhe kompensim ndaj viktimave që do të sqarohen më poshtë.

     Duke u nisur nga kjo, është më se e rëndësishme që këto dy sfera të mbrojtjes së të drejtave të njeriut duke përfshirë edhe mbrojtjen e të drejtave të viktimës nga njëra anë, dhe e drejta  penale ndërkombëtare në anën tjetër të punojnë në të njëjtin drejtim duke e plotësuar njëra tjetrën në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët për inicimin e një mënyre të përgjithshme  për të bërë shtetet ti inkorporojnë këto rregulla në legjislacionet e tyre.

 

4.2  Gjykata Penale Ndërkombëtare – Drejt një procesi të ri penal ndërkombëtar

     Gjykata Penale Ndërkombëtare është institucion që më juridiksionin e tij ka promovuar të drejta revolucionare për viktimat e krimeve. Kjo Gjykatë e ka përdorur eksperiencën e dy tribunalëve të mëparshëm ad hoc për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën për t’i identifikuar nevojat e viktimës si dhe për t’i gjetur mënyrat më të mira për t’i  ndihmuar ato të fitojnë kompensim për dëmin që u është shkaktuar në mënyrë që ta rindërtojnë jetën e tyre dhe, që është më me rëndësi, të sigurojnë pjesëmarrje aktive në procesin gjyqësor. Balanca mes të drejtave të të akuzuarit dhe atyre të viktimës është përmirësuar dukshëm nëpërmjet të këtij institucioni. Kjo gjë mund të shikohet përmes tri kategorive të dhënies ndihmë viktimave.

Pjesëmarrja

     Për dallim nga eksperiencat e legjislacioneve kombëtare dhe atyre të tribunalëve të përmendura ad hoc, GjNP promovon të drejta të qarta për pjesemarrjën viktimës në të gjitha stadet e një procesi penal. Ky fakt historik i siguron viktimës të drejtën t’i prezantojë mendimet dhe observimet e veta përpara Gjykatës, në të shumtën e rastit përmes një përfaqësuesi juridik “në një mënyrë që nuk përmban paragjykime ndaj të akuzuarit dhe nuk është në kundërshtim me të drejtën e tij për gjykim të drejtë”. Kjo paraqet mundësinë që zëri i viktimës të dëgjohet duke mundësuar krijimin e ndjenjës së pjesëmarrjës së tyre në procesin e kërkimit të të vërtetës dhe realizimit të drejtësisë. Edhe pse një prezantim i tillë i mendimeve dhe observimeve të viktimës nuk paraqet një detyrim ligjor për këshillin gjyqësor në procesin e marrjes së vendimit sa i përket rastit të caktuar, megjithatë, një gjë e tillë paraqet një mënyrë të rëndësishme të faktorizimit dhe publikimit të opinionit dhe qasjes së tyre lidhur me rastin.

Kompensimi

    Ky njëherësh është edhe e reja  më revolucionare e GjNP sa u përket të drejtave të viktimës duke pasur parasysh faktin që për herë të parë në historinë e njerëzimit një gjykatë penale ndërkombëtare ka fuqinë të urdhërojë një individ të paguajë kompensimin e një individi tjetër .Një trup i veçantë është krijuar po për këtë qëllim (Fondi i Mirëbesimit për Viktimat - Trust Fund for Victims)14 në mënyrë që të arrihet balanca kompensim-restitucion.

Mbrojtja

     Së fundi, për dallim nga tribunalët ad hoc, GjNP ofron mbrojtje më serioze për viktimat dhe dëshmitarët duke promovuar bashkëpunimin me shtetet anëtare lidhur me themelimin e programeve për mbrojtje të dëshmitarëve dhe viktimave. Përmenden edhe mënyra dhe forma të reja të mbrojtjes së këtyre kategorive por nuk aplikohen masat radikale të mbrojtjes si anonimiteti total i viktimës ose dëshmitarit ndaj të akuzuarit ose këshillit të tij.

     Kjo njëherësh edhe i përmbyll përpjekjet e këtij institucioni të krijojë një përshtypje të re për viktimat e krimit deri diku si subjekte direkte të procedurës penale ndërkombëtare, përpjekje këto që meritojnë respekt dhe përkrahje duke pasur parasysh nevojën për baraspeshën retributivo-restitutive mes të drejtave të viktimës dhe të të akuzuarit.Mëgjithë risitë që solli ky mekanizëm përseri nuk është më i mirë i mundshëm sepse vetë juridiksioni lëndor i GJNP është i kufizuar 15 dhe e lë viktimën pa mbrojtje përballë kategorive të tjera të krimeve,pra përseri nuk kemi një mbrojtje të plotë të viktimës.

 

5. Të drejtat e viktimave në Bashkimin Europian

5.1 Parashikime te përgjithshme

      Edhe Bashkimi Europian,prej disa kohësh ka bërë një punë të mirë në këtë drejtim me një sërë direktivash e vendimësh kuadro,por në këtë punim do të trajtojmë një propozim të BE për një Direktivë të Parlamentit Europian dhe Këshillit që themelon rregullat minimale në lidhje me të drejtat, kujdesin dhe mbrojtjen e viktimave të krimit [COM (2011) 275 final. – i pabotuar në Fletoren Zyrtare].

        Komisioni propozon standardet minimale për viktimat e krimit. Direktiva e propozuar ka për qëllim të sigurojë që nevojat e veçanta të viktimave të merren parasysh gjatë procedimeve penale, pavarësisht nga natyra e veprës ose vendi ku është kryer në Bashkimin Evropian (BE).


5.2  Përmbledhja e propozimit

      Komisioni propozon një direktivë për të siguruar që viktimat e krimit  të kenë ndihmë për mbrojtje dhe akses në drejtësi në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian (BE). Ajo do të zëvendësojë Vendimit Kuadër 2001/220/JHA mbi pozicionin e viktimave në proçedurat penale dhe është pjesë e një sërë masash për të forcuar të drejtat e viktimave. Direktiva njeh statusin e viktimës jo vetëm për njerëzit që kanë pësuar dëm si pasojë e një krimi, por edhe për disa anëtarë të familjes, në qoftë se personi ka vdekur si pasojë e veprës penale .

Informacion dhe mbështetje për viktimat

Në mënyrë që të mbrojnë të drejtat e tyre, viktimat kanë të drejtën të marrin informacion të mjaftueshëm dhe të kuptueshëm dhe të kenë qasje në shërbimet mbështetëse, psikologjike dhe mbështetje praktike. Propozimi kërkon t'i garantojë ato për:

    1. Të drejtën për të marrë informacion nga autoritetet  kompetente, në veçanti se ku dhe si të bëjnë një ankesë, detajet e proçedurës dhe se si është e mundur për të marrë mbrojtje, nëse është e nevojshme;
    2. Të drejtën për të marrë informata mbi rastin e tyre, në veçanti vendimi për t'i dhënë fund ose për të vazhduar hetimin, datën dhe vendin e gjyqit dhe, nën kushte të caktuara, lirimin e personit të akuzuar;
    3. Të drejtën për të kuptuar dhe të kuptohet;
    4. E drejta e interpretimit dhe përkthimit: në rast se viktima nuk flet gjuhën e vendit të proçedurës penale, duhet të kenë të drejtë për një interpretim të lirë dhe përkthimin e marrjes së një ankesë, si dhe çdo vendim për t’i dhënë fund proçedurave, dhe pasja e informacionit të duhur në mënyrë që të ushtrojnë të drejtat e tyre;
    5. Të drejtën për shërbimet e asistencës ndaj viktimave, këto shërbime duhet të jenë të lira dhe të qasshme për disa familje. Sigurimi i mbështetjes morale dhe këshillim psikologjik dhe mbështetje praktike në lidhje me, për shembull, çështjet financiare dhe roli i viktimave në proçedurat penale.

Pjesëmarrja e viktimave në proçedurën penale

Viktimat kanë një interes legjitim në marrjen e drejtësisë. Përveç kësaj, ata duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në procedimet penale në lidhje me ato. Për këtë qëllim, Komisioni propozoi një seri të të drejtave që duhet të sigurohet për ta:

    1. Të drejtën për të marrë një vërtetim të marrjes së njoftimit të një vepre penale;
    2. E drejta për t'u dëgjuar gjatë procedurës;
    3. Të drejtën për të kërkuar rishikimin e një vendimi për të mos u ndjekur penalisht;
    4. Të drejtat garanci në kontekstin e ndërmjetësimit ose shërbime të tjera drejtësisë, qëllimi është për të mbrojtur viktimat nga çdo dëm i mëtejshëm apo frikësimit gjatë këtij procesi. Këto shërbime mund të përdoren vetëm nëse viktima është dakord, dhe pasi është informuar si duhet. Marrëveshja mund të revokohet në çdo kohë;
    5. Të drejtën për ndihmë ligjore në dëm të shtetit dhe rimbursimin e shpenzimeve, kur viktima merr  pjesë në procedurat penale;
    6. E drejta e kthimit të pronës konfiskuar në procedurën penale;
    7. Të drejtën për të marrë një vendim për kompensim nga ana e autorit  në proçedurën penale;
    8.Në lidhje me viktimat që banojnë në një vend tjetër të BE-së, nëse viktima e krimit nuk ka qenë në gjendje të kallezojë në shtetin ku është kryer krimi, ai duhet ta bëjë këtë në shtetin e tij i cili do të paraqesë ankesë në shtetin përkatës.

Njohja e cenueshmërisë dhe mbrojtja  e viktimave

      Komisioni propozon futjen e masave për të mbrojtur viktimat dhe familjet e tyre nga hakmarrja ose kërcënimi nga ana e autorit . Autoritetet do të kërkojnë për këtë arsye për të shmangur kontaktin ndërmjet kriminelëve dhe viktimave, veçanërisht në ndërtesat ku prokuroria ndodhet . Në rrjedhën e seancave të viktimave do të jenë me kohë dhe nuk do të tejkalojnë numrin e nevojshëm. Nëse dëshirojnë, mund të shoqërohen nga një përfaqësues ligjor ose një person i zgjedhur prej tyre. Jetët e tyre private dhe familjet e tyre duhet të mbrohen.

     Direktiva e propozuar pranon se disa njerëz janë në rrezik të lartë, këto viktima të rrezikuara mund të përfitojnë nga disa të drejta dhe shërbime të tjera pas një vlerësimi të nevojave individuale. Fëmijët,personat  me aftësi të kufizuara, viktimat e  dhunës seksuale apo trafikimit të qenieve njerëzore konsiderohen si viktima të margjinalizuara në propozim.Është e rëndësishme për të siguruar që profesionistët  si gjyqtarët , oficerët e  policisë dhe anëtarët e  shërbimeve mbështetëse për viktimat të marrin trajnim adekuat për të qenë në gjendjen e duhur për  të përmbushur nevojat e viktimave.

 

6. Të drejtat e viktimave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 6.1  Përmbajtja e Aktit të të Drejtave të Viktimës

        Ndërsa në aspektin kombëtar shteti që ka punuar më tepër në këtë drejtim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,madje amerikanët kanë frymëzuar dhe të drejtën penale ndërkombëtare në këtë drejtim, ku në Aktin e të drejtave të viktimave të krimit parashikohen këto te drejta:

1. E drejta për t'u mbrojtur në mënyre  të arsyeshme nga i akuzuari.
2. E drejta për njoftim të arsyeshëm, të saktë dhe me kohë në çfarëdo procedure gjyqësore publike,
3. Të drejtën për të mos u përjashtuar nga çdo procedurë e tillë gjyqësore publike, përveç nëse gjykata, pasi të marrë prova të qarta dhe bindëse, konstaton se dëshmitë nga viktima do të ndryshohen materialisht .
4. E drejta për t'u dëgjuar në mënyre  të arsyeshme në çdo procedurë publike në ,
5. Të drejtën e arsyeshme të bisedojë me avokatin e tij,
6. Të drejtën për kthimin e plotë dhe në kohë siç parashikohet në ligj.
7. E drejta për procedurë të lirë nga vonesa të paarsyeshme.
8. E drejta që të trajtohen me ndershmëri dhe me respekt për dinjitetin e viktimës dhe privatësinë e tyre.

Sipas këtij akti  viktima është:

një person drejtpërdrejtë dhe përafërsisht i dëmtuar si rezultat i kryerjes së një krimi .Në rastin e një viktime të krimit i cili është nën moshën 18 vjeç, i paaftë,  apo që vdes si rezultat i krimit , përfaqësuesi i tij ligjor mund të marrë të drejtat e viktimës në këtë kapitull, por në asnjë rast i pandehuri  nuk mund të jetë si kujdestar ose përfaqësuesi i tij ligjor.

 

6.2  Të drejtat e Viktimave në praktikë

        Merita e amerikanëve nuk qëndron vetëm në faktin që kanë krijuar një akt të tërë për këtë institut por kanë krijuar dhe mekanizmat e nevojshëm për materializimin e kësaj anë të së drejtës penale;përshembull  një viktimë e një krimi mund të parashtrojë ankesë kundër ndonjë punonjësi  të Departamentit të Drejtësisë, i cili ka shkelur ose ka dështuar që të sigurojë të drejtat e përcaktuara në bazë të të drejtave të viktimave të  krimit.Departamenti i Drejtësisë ka themeluar Zyrën e të drejtave të viktimave si dhe Avokatin e Popullit për të marrë dhe të hetojë ankesa të bëra prej viktimave të krimit kundër punonjësve të saj, dhe ka zbatuar procedurat për të nxitur  respektimin viktimave të krimit .

Të drejtat e siguruara nga Rights Act janë të garantuara nga koha që fillon ndjekja penale (sipas ankesës, informacion, ose aktakuzës) dhe të pushon  në momentin që akuza bie.
Procesi i ankesës nuk është i dizenjuar për korrigjimin e shkeljeve të të drejtave specifike të viktimave, por është përdorur në vend të kërkojë veprime korrigjuese apo disiplinore kundër Departamentit të Drejtësisë të punonjësve të cilët mund të kenë dështuar për të siguruar të drejtat për viktimat e krimit.Departamenti i Drejtësisë do të hetojë pretendimet në ankesë për të përcaktuar nëse punonjësit e saj bëjnë "përpjekje  të mira" për të siguruar të drejtat e viktimave të krimeve.

Zyra e Avokatit të Popullit të Drejtave të Viktimave nuk administron fonde për viktimat e krimit ose të ofrojë shërbime. Këtë e ka në kompetencë Zyra për viktimat e krimit.

                           

7. Implementimi i korpusit të plotë te të drejtave të viktimave në të drejtën tonë penale

        Pas këtij vështrimi krahasimor në të drejtën penale ndërkombëtare ,në aqcuis communautaire dhe në disa të drejta kombëtare penale tashmë juristi shqiptar e di se çfarë është  viktima dhe kush janë të drejtat e saj të plota  dhe nuk mbetet gjë tjeter veç se detyra e legjislatorit për të menduar për mënyrën sesi ky korpus të drejtash mund të inkorporohet në sistemin tonë ligjor penal,dukë bërë që e drejta jonë penale të jetë në një stad më të drejtat e trajtuara supra .

        Sipas mendimit tim në fillim duhet që të gjithë ,ne,si studiues dhe zbatues të ligjit të interpretojmë në mënyrë të zgjeruar nenin 42 të Kushtetutës,të termi kushdo të futet dhe viktima pra procesi i rregullt ligjor të kuptohet se ekziston dhe për viktimën.Pastaj jam e mendimit që ka nevojë të bëhet një shtese në nenin 1 të KP ku të shtohet togëfjalëshi që ligji penal përcakton dhe kujdeset dhe për të drejtat e viktimave,si dhe togëfjalëshi i nenit 1/b ...dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.... të interpretohen nën frymën e ratios së dispozitës ,e në mënyrë të zgjeruar. Më pas ose mund të ndryshohet KPP në kreun e tij të gjashtë duke u inkorporuar në të termi viktimë, pra të hiqet termi i dëmtuar, dhe të zgjerohet diapazoni i të drejtave të saj,më pas do të ishte mirë që për këtë legjislatori ynë të mendonte një lex specialis,ligj i cili jo vetëm duhet të shpjegojë se kush mund të cilësohet viktimë,të drejtat e saj,por dhe të krijojë fondin e kompensimit si dhe organet e duhura për materializimin e këtij instituti.Në këtë mënyrë do të ruanim dhe fizionominë e KPP aktual .ku të drejtat,detyrat bazikë të subjekteve kryesorë parashikohen në Kod e më pas shoqerohen më një lex specialis.

 

8. Konkluzione

        Si përfundim mund të themi se viktima ngadalë por më  siguri po  depërton në sistemin e të drejtave të njeriut,po bëhet objekt primar i të drejtës ndërkombëtare penale ,dhe i të drejtave kombëtare penale16.Dhe padiskutim që ka ardhur koha që dhe e drejta penale shqiptare t’i bashkëngjitet tendencës bashkëkohore të së drejtës penale sot,të inkoorporojë termin viktimë në gjirin e saj në një nga mënyrën e thënë supra,të zgjerojë diapazonin e të drejtave të saj sepse jo vetëm do të rriste kredibilitetin e saj në arenën ndërkombëtare si vend që respekton të drejtat e njeriut,por dhe të marrësh termin të drejtat e njeriut në të drejtën penale në lato sensu do të thotë t’i japësh një dimension të ri qëllimit të së drejtës penale,jo vetëm ndeshkimi dhe riedukimi i autorit të krimit pas vuajtjës së dënimit përmes masave socializuese ,por dhe kujdesin e saj për rikthimin e viktimës në gjëndjën e mëparshme për aq sa është e mundur.Sepse të vësh në raport të drejtë autor i krimit-viktimë do të thotë të realizohet më mirë qëllimi i të drejtës penale,do të thotë që realizohet më mirë teoria e dukjës (Drejtësia jo vetëm të bëhet ,por dhe të shihet se po bëhet)sepse i jepet mundësia viktimës të jetë pjesë/brenda procesit penal.Do të thotë : realizohen më mirë parime të shumta të proçedurës penale si barazia e armëve,kontradiktorialiteti e gjetja e se vërtetës që përveç asaj që begaton e drejta penale begatojnë dhe shkenca të tjera lidhur më të si kriminologjia dhe penologjia.Dukë i dhënë viktimës vendin që i takon rritet dhe shkalla e kallëzimit të krimit,përpunohen politikat e duhura penale e luftohet kriminaliteti më mirë.

        Për gjithë sa thamë më sipër ka ardhur koha që termi të drejtat e njeriut në të drejtën penale tashmë të konceptohet në lato sensujo vetëm si korpusi i të drejtave të autorit të krimit ,por dhe si korpusi i të drejtave të viktimave të krimit sepse realisht është kjo e fundit e cila ka më tepër nevojë të mbrohet nga e drejta penale, dhe e tërë kjo të pasqyrohet dhe në të drejtën tonë penale.


1.për më shumë lexo Elezi,I;Kaçupi,S;Haxhia,M ,E drejtë penale,faqe 15 ,Tiranë 2009
2.suprimimi i avokatisë në vitin 1967,më dekretin 4277,datë 20.06.1967
3.e drejta penale përveç aspektit mbrojtës(objektet materialë të përmendura në nenin 1/b,detyrat) ,ka dhe aspektin e garancisë ku po të shprehemi në terma jo fort profesionalë kuptohet më:” kot nuk dënohesh”
4.Croall flet dhe për viktimat e krimit më kollarë që nuk janë qartësisht të identifikueshmë  dhe të drejtpërdrejta
5.vërtet që në nenin 1/b flitet prima facia për subjektin pasiv të veprës penale (viktimën) dhe mbrojtjën e saj , realisht ratio e dispozitës kjo është,dhe jo autorin e veprës penale,por për të gjitha çfarë kemi cituar supra ,konkludojmë së është shmangur ratio ose më saktë keqinterpretuar ratio e nenit 1/b
6.i vetmi moment kur mund të themi se në pjesën e përgjithshmë të KP kemi prima facia një përpjekje të legjislatorit  për ta sjellë viktimën në fokus është neni 48/d,por nga një interpretim sistematik, pra gjendet në kreun e caktimit të dënimit dhe një interpretim gjuhësor ...rrethanat që vijojnë lehtësojnë dënimin....dukë marrë këtë togëfjalësh në konsideratë logjikisht konkludojmë se kjo është në favor të autorit të veprës penale dhe kur është hartuar ska qënë në fokus viktima. Dhe varet nga vullneti i autorit të veprës penale nëse viktima do të përfitojë nga neni 48, pika d.Pra nga çfarë thamë supra shikohet qartësisht se kur është hartuar ky parashikim në fokus nuk ka qënë viktima.
7.po të shikojmë treguesit alfabetikë të KP termi viktimë nuk përmendet,kjo është mangësi realisht në treguesit alfabetikë sepse termi viktimë përmendet një herë në nenin 79,pika c dhe e,si dhe në nenin 82 ,pikërisht ky mos unitet në KP na bën të bën të mendojmë se viktima në KP ka rol periferik
8.subjekt pasiv
9.se çfarë do të kuptojmë më Dinjitet lexo :Shegani,A, Studime Juridikë,Parimet kushtetuese –Parime drejtuese të proçesit penal faqe 165,Tiranë, Janar  2011
10.lexo nenet 27-34 të Kushtetutës sonë
11.përveç një trajtese të shkurtër te materiali te materiali supra  (8)
12.marr shkas nga ndryshimet e fundit të KP ku në asnjë moment komisioni i ligjeve nuk trajtoi një problem të tillë  si dhe nga debatet që po bëhen për ndryshimin e KPP
13.Kennard, Sebba
14. Fondi i Mirëbesimit është një institut  historik dhe thelbësor i  krijuar nga statute i Gjykatës Ndërkombëtare  Penale më qëllim pranimin dhe kompensimin e viktimave dhe familjarëve të tyrë ,për krimet që janë në juridiksion të saj .Të ardhurat e fondit vijnë nga donacione të ndryshmë.
15.lexo nenin 5 të statutit të GJNP
16.Italia ka një legjislacion të zhvilluar në këtë drejtim sidomos për viktimat e terrorizmit( lexo për më shumë në www.interno.it),Kina gjithashtu.Madje ligji më i ri në këtë drejtim është ai meksikan i miratuar në fund të prillit 2012

Mirënjohje :

Falënderoj Universitetin BEDËR dhe Universitetin e Tiranës që na dhanë mundesinë, ne, studiuesve të rinj të së drejtës të bëjmë të njohur punimet tona. Një falenderim i veçantë shkon për profesoreshat e mia znj. Enkeleda TURKESHI  dhe znj. Evisa KAMBELLARI që ndihmuan në redaktimin e këtij punimi.

Bibliografia

1.Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ,Tiranë 2008

2.Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë , Tiranë 2009

3.Kodi i Proçedurës Penale së Republikës së Shqipërisë ,Tiranë 2010

4.ARIFI,B.Ridefinimi i rolit të viktimës në të drejtën bashkëkohore  përmes reformave ligjore ,Konferencë shkencore,Shkup 2008

5.http://europ.eu/legislation_summaries/justice_cooperatin_in_criminal_matters/jl0054_it.htm

6.http://www.justice.gov//us00/eouso/ur/

7.www.interno.it Shkarkuar më,02.04.2012                                                            

8. Elezi,I;Kaçupi,S;Haxhia,M ,E drejtë penale,faqe 15 ,Tiranë 2009

3 vota. Mesatarja e 5.00 të 5.

Shto një koment