Përgjegjësia penale e personave juridikë

1. Kuptimi i personit juridik

          Përgjegjësia penale e personave juridikëE drejta në përgjithësi dhe e drejta penale në veçanti kanë karakter dinamik që do të thotë më zhvillimin e shkencës, teknologjisë, shoqërisë dhe ekonomisë, zhvillohet dhe e drejta penale, pasurohet jo vetëm me vepra penale të reja1(çka është më e thjeshtë të ndodhë), por dhe më parime e institute të reja2. Pikërisht gjatë këtij punimi do të flasim për një institut relativisht të ri në doktrinën dhe të drejtën penale, përgjegjësia penale e personit juridik. Që ky institut të kuptohet më mirë është e nevojshmë të dimë fillimisht se çfarë është personi juridik, ku për këtë duhet të konsultohemi më doktrinën sepse legjislacioni civil nuk bën një përkufizim për këtë institut3. Personi juridik është një organizëm kolektiv që e drejta e ka njohur si subjekt të veçantë, duke i dhënë zotësinë për të pasur të drejta dhe detyrime juridike(kuptohet që zotësia juridike dhe për të vepruar e personit juridik është brenda limiteve që e kanë caktuar personat fizikë që e përbëjnë  në aktin e themelimit dhe statut si dhe ndryshon nga zotësia e këtyrë të fundit). Pra personi juridik nuk është gjë tjetër veç një krijesë e ligjit(njeriut). Galgano thotë se personi juridik është specie e të njëjtit lloj4. Që të jemi para personit juridik në kuptimin juridik duhet të ekzistojnë tre elementë: unitet organizativ, pavarësi pasurore dhe përgjësi të pavarur pasurore5.

2. Zanafilla,teoritë dhe legjislacioni ndërkombëtar për  përgjegjësinë penale të personit juridik

          Siç e theksuam dhe më sipër jo vetëm nocioni person juridik është i vonë, aq më tepër nocioni i përgjësisë penale të tij është dhe më i vonë. Duke krijuar një ide të përgjithshme mbi atë çfarë është personi juridik, tani jemi më komod të flasim për përgjësinë penale të tij, kur lindi, teoritë rreth saj dhe në fund një analizë juridike të kuadrit tonë ligjor në këtë drejtim.

          Zanafilla e konceptimit dhe e zbatimit të një ligji që parashikon një përgjegjësi penale për koorporatat6, erdhi si fillim i industrializimit dhe shfaqjes së koorporatave gjithnjë e më shumë të fuqishme, të afta të kishin një pjesë të madhe të tregut. Kjo gjë u jepte një fuqi shumë të madhe në ekonominë e vendit ,çfarë e rriste mundësinë e tyrë të kryenin vepra më elementë penale. Mendoni rastin e koorporatës Ford në fillimin e shekullit të XX-të në SHBA dhe rolin e saj në ekonominë amerikane. Industrializimi dhe shfaqja e koorporatave të mëdha në tregun anglosakson (SHBA, Kanada, Mbretëria e Bashkuar) është dhe arsyeja pse këto vende janë të parat që kanë ideuar dhe zbatuar ligje të tilla. Hera  e parë, kur përgjegjësia penale e koorporatave është vënë para ligjit, është në vitin 1842 në SHBA. Pas një periudhe vakumi edhe në shtetet skeptikë europianë, kjo praktikë filloi të zbatohej. Kjo erdhi si rrjedhojë e një bashkëpunimi gjithnjë e më shumë të zgjeruar ndërkombëtar të koorporatave, që solli një përqendrim të fuqisë ekonomike me një dominim të shumëkombësheve. Për një sërë arsyesh, këta faktorë strukturorë të shoqëruar me një rritje të krimit ekonomik sollën domosdoshmërinë për vendet e zhvilluara të vinin gjithnjë e më shumë në lojë përgjegjësinë penale të koorporatave. Në këtë pikë doktrina si ajo juridike, ashtu dhe ajo ekonomike duket se janë pak a shumë dakord.

          Pra, siç e shohim ky institut është një krijesë e Common Law, e lindur gjatë përiudhës së industrializimit si nevojë për ndëshkimin e personave juridikë, si pasojë e rritjes së rëndësisë së tyre si subjekte kryesore të jetës juridiko-ekonomike, pranimin e tyre si figura reale, me të drejta dhe përgjegjësi, dhe aftësi afariste. Personi juridik ka aftësi delikuente, ka vullnetin e vet autonom, që e formojnë organet dhe përfaqësuesit e vet të ndryshëm nga vullneti i anëtarëve tjerë. Ekzistimi i aftësisë delikuente është bazë për ndëshkimin e tij për veprën e kryer.

          Por që nga viti 1842 e deri tani qëndron ende i hapur debati për domosdoshmërinë e këtij instituti, ku europianët qënë më skeptikë në këtë drejtim.Teoritë kryesore rreth këtij debati janë: teoria e fiksionit dhe teoria e realitetit. Sipas teorisë së fiksionit, personi juridik është fiksion i rëndomtë, është artificë ndaj  vetëm personat fizikë janë subjekte të së drejtës, por ligji disa grupeve personash ua jep cilësinë e subjektit juridik. Personi juridik nuk ka vullnet të vet personal, kështu që nuk mund të përgjigjet për veprimet e anëtarëve apo përfa­qësuesve të tij. Ai e merr vullnetin nga personat fizikë. Për më tepër po të merret në konsideratë një element i veprës penale, Faji, që prezumon aftësi për fajin, përgjegjshmëri, dashje dhe neglizhencë, si dhe vetëdije për kundërligj­sh­mëri, ekzistimi i këtyre elementeve nuk mund të vërtetohet të personi juridik. Problematikë është edhe aplikimi i dënimit, për arsye se ai në mënyrë të barabartë do t’i godasë anëtarët e personit juridik, e jo vetëm ata që kanë marrë pjesë në veprën konkrete, kurse kjo është në kundërshtim me parimin e drejtësisë për ndalimin e ndëshkimit të personave të pafajshëm. Ndëshkimi koorporativ është në kundërshtim me karakterin personal të dënimit. Sipas këtij koncepti, personat juridik nuk kanë aftësi delikuente. Kjo nuk përjashton zbatimin eventual të sanksioneve administrative, masave parandaluese etj. Teoria e fiksionit sot gjithnjë e më tepër i lë hapësirë teorisë së realitetit. Personat juridik bëhen pjesëmarrës të rëndësishëm në jetën e përdit­sh­me dhe kryejnë funksione të rëndësishme ekonomike, ndaj në momentin që përfaqësuasit e tij kryejnë një veprim kriminal, por gjithmonë në emër dhe për dobi të tij ky person juridik ka përgjegjësi penale.

          Që teoria e realitetit ka fituar terren e shohim dhe nga fakti se dhe strukturat ndërkombëtare janë angazhuar në këtë drejtim. Përcaktim parimor lidhur me përgjegjësinë penale të personave juridikë përfshihet  dhe nga  Konventa e OKB-së, ”Kundër krimit të organizuar transnacional” e vitit 20007: shtetet detyrohen të parashikojnë përgjegjësi penale të personave juridikë për pjesëmarrje në krime serioze, që përfshin grupe të organizuara kriminale, si dhe për larje të rendimenteve nga kriminaliteti.

          Veçanërisht me rëndësi është Konventa penalo-juridike “Për Pengimin e Korrupsionit” nga  KE e vitit 1998, e cila përfshin  detyrim të shteteve për vënien e përgjegjësisë penale edhe ndaj personave juridikë. Ndryshime në legjislacionet penale evropiane nxitën edhe përcaktimet më të reja të BE të drejtuara në dy drejtime: në ashpërsimin e përgjegjësisë penale të organeve dhe përfaqësuesve të personave juridikë dhe në vënien e përgjegjësisë penale të vetë personave juridikë. Me Konventën “Për mbrojtjen e interesave financiare të BE” e vitit 1995, BE gradualisht rrumbullakon kon­cep­tin kryesor për përgjegjësinë penale të personave juridikë që duhet të zhvillohet në vendet anëtare.

3. Parashikimi i përgjegjësisë penale të personit juridik nga legjislacione të vendëve  të ndryshme          

          Përpara se të kaloj në një analizë të ligjit shqiptar të përgjësisë panale të personit juridik e shoh me vend të trajtoj shkurtimisht si parashikohet kjo në disa vende të tjera, sepse vetëm më anë të një vështrimi krahasimor mund të kuptojmë ku çalojmë ne në këtë drejtim e si mund të përmirësohemi.

SHBA

          Në SHBA përsa i përket zbatimit të ligjit, jurisprudenca, doktrina dhe praktika nisen nga një ndarje e aktivitetit kriminal në 3 grupe:

-Grupi i parë përmbledh të gjitha aktet kriminale të rënda e të dënuara penalisht, që kanë lidhje me integritetin fizik të personave si p.sh., cilësia e produkteve të hedhura në treg apo financimi i terrorizmit. Për këtë grup koorporata mund të vihet para ligjit për një akt të kryer nga një vartës i saj nëse ky i fundit ka vepruar sipas një urdhri direkt të organeve apo personave drejtues të koorporatës.

-Grupi i dytë përmbledh aktet e dënuara penalisht, por me një karakter më shumë tregtar sesa atë të integritetit. Për të vënë para përgjegjësisë penale korporatën duhet që dy kushte të plotësohen:

Së pari, vartësi ka kryer aktin në favor të koorporatës;

Së dyti, koorporata nuk ka treguar përgjegjësinë e duhur për parandalimin e fenomeneve të tilla.

-Grupi i tretë ka të bëjë me aktet e dënueshme penalisht me karakter tregtar, në përmbushjen e të cilave marrëveshja e koorporatës është kusht i nevojshëm. Në këtë rast koorporata është e dënueshme penalisht, pa pasur nevojë të analizojmë mekanizmat e parandalimit brenda institucionit.

          Ideja bazë është që një organizëm me personalitet juridik dhe një farë rëndësie në tregun vendas apo ndërkombëtar duhet të ketë në planet e tij strategjike politika të qarta ndaj luftës kundër krimit dhe jo vetëm kaq. Ai duhet të parashikojë dhe mekanizma vlerësimi mbi efikasitetin e këtyre politikave për të përballuar efektet e veprimeve kriminale në gjirin e saj. Kjo ndodh sepse numri i madh i individëve që punojnë për koorporatën dhe që munden të angazhojnë përgjegjësinë penale të saj, bën që elementi kriminal të ndihet anonim. Kjo sjellje e individit kriminal është e njohur tashmë dhe koorporata duhet të marrë masa. Pra, nuk ka justifikim. Por këto masa mundet të kenë një efekt pervers pasi koorporata duke vepruar në një ambient ligjor të tillë nuk ka interes të procedojë direkt elementin kriminal pasi për disa akte kriminale përgjegjësia e saj angazhohet direkt e në paralel me atë të individit. Në këtë aspekt, sistemi i administrimit të rrezikut (risk) dhe funksioni i administratorëve të koorporatës është parësor në gjetjen e ekuilibrave në politikat dhe masat parandaluese të korporatës.

Franca

          Franca përcakton në ligjin e saj në një mënyrë strikte thyerjet e ligjit që munden të venë para përgjegjësisë penale koorporatën. Këtu bëjnë pjesë, prezantimi i kontabilitetit fiktiv, dividentët fiktivë, mbivlerësimet spekulative të aktiveve të koorporatës, abuzimi me fondet sociale, siguria në punë, përgjegjësia mbi cilësinë dhe përdorshmërinë e produkteve etj. Megjithatë, modeli i preferuar në vënien para ligjit të përgjegjësisë penale të personit juridik ngelet ai i përgjegjësisë në kaskadë8.

Gjermania

          Më pak pro përgjegjësisë penale të personave juridikë është Gjermania. Doktrina gjermane është e mendimit që për personat juridikë përgjegjësia penale është e tepërt dhe që përgjegjësia administrative mjafton në sanksionimin e personave juridikë. Ideja është që koorporata nuk ekziston pa organet e saj. Vendimet e organeve reflektojnë vullnetin personal të drejtuesve dhe në këtë mënyrë përgjegjësia penale duhet të drejtohet drejt personave fizikë vendimmarrës në koorporatë.

Zvicra

          Zvicra, nga ana e saj, e ka futur efektivisht në legjislacionin e saj përgjegjësinë penale për personat juridikë nga 1 tetori i vitit 2003. Arsyet e këtij ngurrimi janë pak a shumë të njëjtë, d.m.th. personi juridik nuk ka një ndërgjegje të tijën, por ajo formohet nga ndërgjegjia përkatëse e drejtuesve të saj. Ajo që bindi legjislatorin zviceran ishte konstatimi që struktura administruese e koorporatave të mëdha po bëhet gjithnjë e më shumë komplekse dhe si e tillë është gjithnjë e më shumë e vështirë të gjejmë “fajtorin”. Edhe Zvicra përcakton shumë qartë thyerjet e ligjit që venë korporatën direkt para përgjegjësisë penale. Mund të përmendim aktivitetin kriminal, financimin e terrorizmit, larjen e parave të pista, korrupsionin. Për këto akte, koorporata dënohet pavarësisht nga individi apo drejtuesi saj. Por në përgjithësi, jashtë akteve të sipërpërmendura, ndiqet logjika në kaskadë. Pra, dënohet drejtuesi apo individi që ka kryer veprën penale e vetëm nëse nuk arrihen të identifikohen këta të fundit, i kthehemi personit juridik, pra korporatës.

Maqedonia

          Me ndryshimet në kodin penal të RM-së të vitit 2004, është vënë përgjegjësia penale e personave juridikë (n.28-a). Pos dënimeve, kodi penal i RM-së parashikon  edhe mundësinë  për dënimin me kusht si masë alternative që përbëhet në shtyrjen me kusht të kryerjes së dënimit me të holla dhe ndalesën për të kryer veprimtari të caktuar (n.96-g), si masa të posaçme të konfiskimit të pasurisë dhe të dobisë pasurore dhe marrjes së sendeve (n.96-d). Ligjvënësi maqedonas përcaktohet për sistem të thjeshtë të dënimeve dhe të masave tjera, me të cilat duhet t’u kundërvihet formave të reja të krimit korporativ (mashtrimi i blerësve, korrupsioni, larja e parave etj.). Ai është i përshtatur me konceptin kryesor në raport me personin juridik si subjekt i veprës penale, sipas së cilës dënueshmëria e tij bazohet në parimin e përgje­gjësisë së supozuar (n.28-a p.1 të kodit penal të RM-së).Përgjegjësia e supozuar e personit juridik nuk e përjashton përgje­gjësinë dhe dënimin e personit fizik i cili është kryerësi i veprës penale, që do të thotë se është pranuar sistemi i përgjegjësisë paralele dhe i dënuesh­mërisë për një vepër të njëjtë edhe personit fizik (p.sh. drejtori) si kryerës direkt, nëse është fajtor për veprën e kryer, dhe personit juridik (nëse p.sh. pas kryerjes së veprës qëndron vendimi kolektiv i organit që e drejton (n.28-a p.2). Në këtë situatë, dënimi i personit juridik është pjesë e reaksionit komplementar penalo-juridik i veprës së kryer. Nuk është e përjashtuar që dënimi i shqiptuar i perso­nit juridik të paraqesë përgjigje të vetme edhe për shumë vepra të rënda, nëse kryerësi i drejtpërdrejtë ka mbetur i panjohur ose nuk është fajtor për veprën e bërë ose ekzistojnë pengesa juridi­ke ose faktike për ndjekjen e tij (p.sh. ka vdekur, i sëmurë shpirtërisht, është në arratisje, ka imunitet etj.). Sistemi i dënimeve për personat juridik e pranon faktin se si subjekte të veprës penale mund të paraqiten të gjithë personat juridik, me përjashtim të shtetit (n.28-a p.3). Sipas kësaj, llojet e dënimeve dhe përmbajtja e tyre duhet të jenë të aftësuara në atë që është e përbashkët për personat juridik, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për privat, shtetëror ose të përzier, sipas formës së pronës ose veprimtarisë që e kryejnë.Llojet e dënimeve. Personit juridik mund t’i aplikohen dy lloje të dënimeve: kryesore dhe sekondare. Në grupin e dënimeve kryesore veçohet vetëm dënimi me gjobë, kurse në grupin e dënimeve sekondare veçohen: ndale­sa për marrje të lejes, licencës, koncesionit, autorizimit apo ndonjë të drejte tjetër të caktuar me ligj të posaçëm; ndalesa për të marrë pjesë në procedura për thirrje publike, për ndarjen e kontratave për furnizim publik dhe kontrata për partneritet publik-privat; ndalesa për themelim të personave të rinj juridik; ndalesa për shfrytëzimin e subvencioneve dhe kredive tjera të volitshme; marrja e lejes, licencës, koncesionit, autorizimit apo ndonjë të drejte tjetër e caktuar me ligj të posaçëm; ndalesa e përkohshme për të kryer veprimtari të caktuar, ndalesë e përhershme për të kryer veprimtari të caktuar dhe pushimi i personit juridik (n.96-a dhe n.96-b i kodit penal të RM-së).

4.Ligji për përgjegjësinë penale të personit juridik në Republikën e Shqipërisë

          Burimi kryesor i përgjësisë penale të personit juridik në Republikën e Shqipërisë është ligji numër 9754 ,datë 14.06.2007 “Për përgjësinë penale të personave juridikë”,i cili doli  për t’i dhënë jetë nenit 45 të Kodit Penal të RSH,i cili deri në atë moment ka qënë burimi kryesor,por jo i plotë sepse vetë dispozita kishte karakter blanket (referonte në një ligj që doli më tre vjet vonesë).

Në fakt dhe legjislatori shqiptar ka qënë skeptikë për ta pranuar ose jo këtë institut për faktin se ekzistonte në kodin penal të 1995,u shfuqizua në 2001,u shtua përseri në 2004,dhe lex specialis doli tre vjet më vonë,çfarë më bën të mendoj se legjislatori shqiptar nuk e ka inkorporuar këtë institut në legjislacionin tonë si domosdoshmëri apo nisur nga ratio që e inkorporuan shtetet e tjera9 ,por si kërkese për të patur një legjislacion në përputhje më BE-në.Kjo shpjegon dhe disa nga mangësitë që ka ky ligj.

Në nenin 1 të ligjit flitet për objektin e ligjit,pra çfarë përmban ligji,që janë:rregullat për përgjegjësinë ,procedimin penal dhe llojet e masave ndeshkuese që aplikohen ndaj personit juridik që kryen vepër penale.Që në objekt shfaqet një mangësi,legjislatori kur ka hartuar objektin e ligjit ka harruar kërkesat e nenit 45 të K.P ,i cili në paragrafin e tij të fundit thotë shprimisht që lex specialis duhet të përcaktojë dhe veprat penale për të cilat mban përgjegjësi personi juridik,ligji nuk e bën një gjë të tillë,çfarë në vendin tonë merr jetë teoria se personi juridik parimisht mund të kryejë çdo lloj vepre penale10.Por kjo do të thotë të mohosh kontekstin historik dhe ration pse u lind ky institut,ndaj unë jam e mendimit që në të ardhmën të ndryshohet ligji dhe në të parashikohen në mënyrë të qartë veprat penale që passjellin përgjegjësi për personin juridik,sepse vetëm në këtë mënyre realizohet dhe qëllimi për të cilin lindi ky institut.

Në nenin 2 flitet për zbatimin e ligjit penal ,ku kuptojme se subjekte të ketij ligji janë personat juridikë private dhe publikë,vendas dhe të huaj(këta te fundit duhet të jenë krijuar sipas legjislacionit shqiptar.Në një rast eventual nësë ka kolizion mes këtij ligji dhe K.P apo K.P.P,do të zbatohen të dytat(paragrafi i parë),nga paragrafi i tretë rezulton se nuk kemi konkurrim te përgjegjësisë penale më atë civile apo administrative,nësë janë kushtet aplikohen të tria në mënyre kumulative.Siç shprehet dhe vet neni për zbatimin e ligjit në kohë dhe hapësirë i referohemi pjesës së përgjithshme të K.P.

Neni i 3 na përcakton rastet se kur jemi para kësaj përgjegjësie,ku elementi kryesor është që vepra të jetë kryer në emër ose në dobi të personit juridik nga organet dhe përfaqësuesit e tij,nga një person  që është nën autoritetin e organeve supra,dhe për shkak të mungesës së kontrollit nga organet supra.Neni 4 është dispozitë përshkruese;përkufizon termin organ dhe përfaqësues të personit juridik:çdo person që sipas ligjit apo akteve te personit juridik ngarkohet më përfaqësimin,drejtimin,administrimin etj tëpersonit juridik.

Në nenet 5-7 flitet për disa rrethana që nuk e përjashtojnë përsonin juridik nga përgjegjësia penale,siç janë Shndërrimi i personit juridik,Bashkimi dhe Ndarja e personit juridik,kjo jo vetëm për të shmagur spostimin e ligjit penal por dhe për të forcuar idenë se kurdohere personi i ri i krijuar është vazhdimësi,trashëgimi e të parit,pra ndryshon formën ,por jo substancën.Interesante në këto nene është togëfjalëshi…edhe për vepra penale të kryera para datës…së një nga rasteve të mesipërme,çka e forcon atë që thamë më lart.

Në nenet 8-19 flitet për dënimet që aplikohen ndaj personave juridikë,ku ndahen në dënime kryesore dhe dënime plotësuese(i njejti sistem dënimesh si në K.P).Dënimet kryesore janë: më gjobë dhe më mbarim i personit juridik(ekuvalent me dënimin më vdekje për personat fizikë).Dukë parë teknikën legjislative të nenit 9,duket se legjislatori ka preferuar më tepër dënimin më gjobë,kjo për arsye për të patur stabilitet në tregun fianciar dhe atë të punës mendoj unë,dhe si përjashtim dënimin më mbarim pra për vepra më rrezikshmëri të lartë shoqerore.Paragrafi i dytë i këtij neni nuk është shumë i qartë,por nisur nga logjika dhe nga disa ligje në fuqi12 ,por dhe neni 10/2 i këtij ligji ,mendoj se legjislatori realisht ka dashur të përjashtojë vetëm dënimin me mbarim për personat juridikë publikë etj.Dënimet plotësuese parashikohen në nenin 10,ku nga teknika legjislative e përdorur (togëfjalëshi …këto…) lista është taksative.Mund të aplikohen dy dënime plotësuese njëkohësisht,ekzekutohen njëkohësisht më denimin kryesor.Nenet 11 e në vijim kanë karakter përshkrues,çka do të thotë ulet ndjëshëm subjektiviteti nga ana e organeve të drejtësisë .

Nenet 20-24 përcaktojnë rregullat për caktimin e dënimit dhe rehabilitimit.Në nenin 25 e në vijim futemi në pjesën proceduralë të ligjit,që janë ato veprime që kryhen për personin në hetim dhe të pandehurin,për aq sa është e mundur kuptohet.

          Pasi krijuam një ide të përgjithshmë për përgjegjësinë penale të personit juridik në vend,rajon dhë më gjërë jam e mendimit se legjislatori shqiptar është nxituar kur ka projektuar këtë ligj ,dukë sjellë një ligj të metë,tepër të gjerë(diskrecional)dhe nuk jep përgjigje për një sërë institutesh të tjera.Psh A mund te mbetet vepra penale e kryer nga personi juridik në tentativë?Legjislacioni kosovar(ne nenin 7 te ligjit specifik,te gushtit 2011)dhe ai italian (ne nenin 26 te ligjit specifik) i japin pergjigje pozitive,e ketij mendimi jam dhe unë,nisur nga logjika dhe përkufizimi i termit Tentativë13.Po në bashkëpunim a mund ta kryeje personi juridik veprën penale?Dhe kësaj i japim një përgjigje pozitive,kjo rezulton jo vetëm nga një interpretim gjuhësor dhe logjik i nenit 45/3 të K.P,por dhe nga neni 25 i K.P ku thuhet persona pa bërë ndarje në fizikë a juridikë dhe kuptohet që bashkëpunimin mund ta kryejë si më person fizik ashtu dhe më një person juridik.Një moment tjetër që nuk është i qartë në ligj është se çfarë lloj përgjegjësie ka përqafuar ligji ynë14,në fakt për këtë na vjen në ndihmë neni 45 i K.P,ku arrijmë të kuptojmë se përpos personit juridik mban përgjegjësi dhe personi fizik,pra shohim nëse ka elementë penalë në veprimet e këtij të fundit,për të folur për përgjegjësinë e personit juridik.Por ajo që është pa përgjigje është se çfarë do të ndodhë në një rast kur organi i prokurorisë nuk arrin të provojë se cili organ i personit juridik ka kryer veprën apo rasti kur personi fizik ka vdekur pa ju përcaktuar dënimi etj,a do të aplikohet përgjegjësia penale për personin juridik në këtë rast?Legjislacionet e tjera e kanë zgjidhur këtë moment15,në këtë situatë hipotetikë unë jam e mendimit se duke marrë në konsideratë legjislacionet supra dhe dukë bërë një interpretim gjuhësor të nenit 45/3, pikërisht togëfjalëshit …përgjegjësia penale e personit juridik nuk përjashton atë personit fizik…pra në çdo rrethanë personi juridik duhet të dënohet,këtu aplikohet përgjegjësia në kaskadë(vicarious liability).

4.Konkluzione

          Pasi paraqitëm një tablo të përgjësisë penale të personit juridik në vend, rajon e më gjërë arrijmë në konkluzionin se ky institut është plotësisht i legjitimuar në realitete akonomikë si SHBA-ja, Franca etj, por në vendin tonë, nuk e mohoj rëndësinë e pasjes se një ligji të tillë sepse Shqipëria po përballet përditë më globalizimin e aspiron të aderojë në BE, por kjo nuk të justifikon të inkorporosh një ligj në sistemin juridik vetëm se të tjerët e kanë pa marrë parasysh realitetin ekonomik,juridik në vend e pa marrë në konsideratë mënyrën e organizimit të tregut në vend.Ndaj lipset që ky ligj në të ardhmën të ndryshohet dukë marrë në konsideratë jo vetëm kushtet ekonomikë të vendit, kulturën tregtare, por duke patur parasysh një kërkesë të parimit të ligjshmërisë,ligji duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshem.Në legjislacionin penal16 nuk ka fort vend maksima de minis lex non curat17!

1.Vlen të përmendet fakti se K.P ynë që nga hyrja e tij në fuqi në vitin 1995 e deri tani ka ndryshuar 12 herë, janë shtuar cyber crimes etj.

2.Alternativat e Dënimit më burgim

3.Në K.C tonë ky institut rregullohet në kreun e dytë të tij

4.Lloji=person;specie=fizik dhe juridik

5.Për më shumë lexo A.NUNI, E drejtë Civile,fq 139-149

6.Në lato sensu kuptohet personi juridik

7.Në Palermo

8.Përgjegjësia në kaskadë është kur aplikohet përgjegjësi vetëm për personin juridik, personi fizik përjashtohet

9.Lexo supra10.Për më shumë lexo A.SHEGANI, Cikël leksionesh, fq 8-9

10.Huazuar nga ligji italian për përgjegjësinë penale të personit juridik

11.Shiko Kodin Zgjedhor të R.SH për partitë politike

12.Shiko nenin 22 të K.P në doktrinë ka ekzistuar një debat i tillë

13.Shiko supra16.Për karakterin sensitiv të saj

14.Ligji nuk merret më vogëlsira !

Bibliografia

1.Ligji nr 9754,dt 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personit juridik” në Republikën e Shqipërisë   ,

2.Kodi penal i Republikës  së Shqipërisë    ,

3. Kodi civil i Republikës  së Shqipërisë    ,

4. Ligji Nr. 04/L-030,dt 31.08.2011 “Për  përgjegjësinë e personave juridikë për vepra penale.”  Në Republikën e Kosovës      ,

5.Ligji nr 231,dt 08.06.2001 “Për përgjegjësinë penale te personave juridikë” në Itali                                                               ,

6.A.NUNI,E drejtë civilë, Tiranë 2009          ,

7.A.SHEGANI,Cikël leksionesh, Tiranë 2012

8.Një analizë e K.P maqedonas nga Doc. Dr. Afrim OSMANI   ,

9.Një analizë projektligjit nr 9754,dt 14.06.2007 nga Dr.Igli TASH

6 vota. Mesatarja e 3.83 të 5.

Komentet

  • kolgecilaw
    • 1. kolgecilaw Më 08/03/2016
    Aktet juridike(kodi civil,penal dhe ligji) nuk duhet vendosur tek '' bibliografia'',

    Perndryshe, ne permbajtje ky material eshte mjaft i mire.

    Gjithe te mirat.

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.