Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe krimi i organizuar

Prof. Dr. Luan GJONÇA

         Pastrim i produkteve të veprës penale quhet legalizimi i mjeteve monetare dhe i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme ose pastrimi i parave të pista. Ky krim, që parashikohet në legjislacionin tonë penal, është një nga format e shfaqjes së krimit të organizuar, të terrorizmit ndërkombëtar dhe korrupsionit. Me gjithë agresivitetin dhe përmasat që ka marrë sot në botë, kjo vepër penale është pak e njohur. Duke e parë nga këndvështrimi i një kriminologu, do të mundohem të trajtoj rrezikshmërinë e tij shoqërore, pasojat që ka ky krim për komunitetin, çfarë përfaqëson ai dhe si realizohet.
         Globalizimi i ekonomisë botërore ka krijuar një sërë problemesh të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në interesat kombëtarë të shteteve të veçanta.
Një nga problemet më të mprehta është veprimtaria e krimit të organizuar ndërkombëtar në sferën e ekonomisë dhe terrorizmi, të cilët i kundërvihen dhe dëmtojnë rëndë sigurinë dhe ekonominë kombëtare duke e kriminalizuar atë në sektorë dhe drejtime të caktuara.
         Kjo dukuri është e pranishme në të gjitha shtetet e botës, por në mënyrë të veçantë ajo gjen terren të përshtatshëm dhe dëmton më shumë shtetet e dobëta e me prapambetje relative ekonomike, shtetet në tranzicion dhe shtetet me probleme social- politike dhe pa stabilitet. Rreziku që paraqet për vendin tonë ky lloj kriminaliteti, si pjesë përbërëse e krimit të organizuar, është i madh edhe për shkak të pasojave të rënda që sjell, ndaj kërkon jo vetëm vlerësimin e tij nga ana e shtetit, por edhe organizimin e një kundërvënieje në bllok.
         Për të krijuar një përfytyrim të saktë për lexuesin që nuk e di se çfarë përfaqëson kjo vepër penale në rrafshin kriminologjik, në funksion të
krimit të organizuar dhe të korrupsionit, le të sqarojmë në fillim se çfarë është legalizimi i mjeteve monetare dhe i pasurive të fituara në rrugë
joligjore ose pastrimi i parave të pista. Thelbi i këtij veprimi kriminal qëndron në synimin e pronarëve të këtyre mjeteve monetare apo pasurive
të fituara në rrugë kriminale për të krijuar kushte, nëpërmjet veprimtarisë së kundërligjshme, që t’i gëzojnë ato sikur të ishin përfitime të ligjshme.
Për këtë qëllim ata përdorin mjete dhe metoda nga më të ndryshmet, ku veçojmë teknikat e futjes në qarkullim dhe riqarkullimin e parave që kanë
rrjedhur nga veprimtaria kriminale.
         Legalizimi i mjeteve monetare dhe i pasurisë së fituar në rrugë të paligjshme realizohet nëpërmjet veprimeve të tilla, si :

- Depozitimi, tjetërsimi, transferimi ose këmbimi i parave me qëllim maskimin, fshehjen ose mohimin e përkatësisë apo origjinës së pasurisë që rrjedh nga veprimtaria kriminale.
- Fitimi i së drejtës së pronësisë mbi çdolloj pasurie që rrjedh nga veprimtaria kriminale apo nëpërmjet përdorimit të parave të papastra (sigurisht kur subjekti ka dijeni).
- Ndërmjetësimi në favor të një personi tjetër për depozitimin, tjetërsimin, transferimin dhe këmbimin e mjeteve monetare, me qëllim maskimin, fshehjen ose mohimin e përkatësisë, ose të origjinës që rrjedh nga veprimtaria kriminale .
- Pjesëmarrja si ortak në personin juridik, me qëllim maskimin, fshehjen ose mohimin e përkatësisë apo të origjinës së pasurisë që rrjedh nga veprimtaria kriminale.
- Bashkëpunimi dhe përfshirja në korrupsion e zyrtarëve të administratës publike, me veprimet apo mosveprimet e kryera.
- Fshehja e pasojave të veprimtarisë kriminale ku përfshihet edhe bashkëpunimi ndërmjet subjektit dhe klientit që kryen veprën penale të pastrimit të parave.
- Pengimi nga subjektet e dhënies së informacioneve.

Kjo dukuri kriminale është relativisht e re dhe përbën një derivat të krimit të organizuar. Në vendin tonë pastrimi i parave të pista më parë nuk është njohur si vepër penale më vete. Në legjislacion kjo vepër kompensohej me formulimin “Tjetërsimi dhe fshehja e pasurisë” që parashikohej në nenin 287 të Kodit penal të Republikës së Shqipërisë. Brendia e tij nuk i përmbushte kërkesat e veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe kjo përbënte një mangësi serioze të legjislacionit tonë penal të asaj periudhe. Për herë të parë në legjislacionin tonë penal problemi i pastrimit të parave të pista u rregullua në formë të kënaqshme në vitin 2000 me nxjerrjen e ligjit nr. 8610, datë 17.05.2000, i cili në nenin 2 të tij nënvizonte: ``…Pastrimi i parave është qarkullimi dhe riqarkullimi i parave të rrjedhura
nga veprimtaria kriminale, më poshtë të quajtura ``të papastra``...” .[1]
         Dalja e këtij ligji ishte një hap i rëndësishëm që shpreh qartë jo vetëm se çfarë përfaqëson kjo vepër penale, por edhe brendinë e krimit të pastrimit të parave.
         Me ndryshimet që iu bënë dispozitave përkatëse të Kodit penal me ligjin nr. 9086, datë 19.06.2003, jo vetëm u plotësuan mangësitë e konstatuara gjatë kësaj kohe, por u bënë rregullime të konsiderueshme në kornizën përkatëse ligjore. Këto ndryshime mundësuan identifikimin e plotë ligjor si vepër penale si dhe krijuan kushtet ligjore për ndjekjen, zbulimin dhe goditjen e
tij [2].
         Rregullimet e ndërmarra për përcaktimin ligjor të kësaj vepre penale patën rëndësi për kohën kur u bënë, për faktin se nëpërmjet tyre qartësohet qëndrimi zyrtar ndaj kësaj dukurie kriminale të saposhfaqur, evidentohet brendia dhe se çfarë përfaqëson një vepër e tillë penale. Ndonëse me vonesë, me këto ndryshime qeveria shqiptare plotësoi kuadrin ligjor përkatës që përbënte një mangësi të së drejtës sonë dhe vështirësonte zgjidhjen e marrëdhënieve që kishin lindur tashmë në këtë fushë, pengonte bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si dhe frenonte organizimin institucional të kundërvënies me efektivitet të shtetit ndaj kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
         Legalizimi apo pastrimi i të ardhurave nga veprimtaria kriminale dhe futja e tyre në ekonominë legale është një nga problemet më të debatuara, si për kriminologët, juristët apo ekonomistët, ashtu edhe për shtetarë e shtete të veçanta apo organizata ndërkombëtare. Për të argumentuar shkallën e lartë të këtij interesimi dhe rëndësinë që ka ky problem do të përmendja konventën e Vjenës të OKB-së “Kundër krimit të organizuar ndërkombëtar”, e pranuar me rezolutën 55/25 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, datë 15.11.2000, sidomos nenet 6 dhe 7 të saj ku flitet hollësisht për pastrimin e parave, konfiskimin e tyre dhe masat që duhet të marrë çdo shtet që ka aderuar në ketë konventë[3]. Vend të rëndësishëm ky problem zë edhe në rezolutën e OKB-së, nr.55/188, të titulluar “Korrupsioni nëpërmjet transfertave të paligjshme të burimeve ekonomike”.
         Për të zgjeruar njohjen publike për këtë vepër penale relativisht të rrezikshme jo vetëm për vendin tonë, le të trajtojmë shkurtimisht si ka evoluar historikisht legalizimi i të ardhurave me prejardhje kriminale.
         Termi pastrim i parave (Money Laundering), në kuptimin që ka sot, për herë të parë është përdorur në SHBA në vitet 70-80 të shekullit të kaluar. Shfaqja e një dukurie të tillë erdhi si pasojë e rritjes së të ardhurave të grupimeve kriminale nga tregtia e paligjshme e lëndëve narkotike dhe e nga riinvestimi i tyre në ekonominë e ligjshme amerikane. Kjo dukuri u emërtua si transformim i parave të pista, të përfituara në rrugë jo të ligjshme, në para të “pastra” që kishin prejardhje “të ligjshme” dhe që mund të hynin lirisht në qarkullimin monetar.
         Ky kërcënim serioz për botën u vlerësua qysh me lindjen e tij. Shtetet e zhvilluara ekonomikisht u përfshinë në luftën e organizuar ndaj tij. Kështu, në fillimet e viteve ‘80, Komiteti i Bazelit, që përbëhej nga përfaqësuesit e bankave angleze, belge, gjermane, italiane, kanadeze, amerikane, franceze, zvicerane dhe japoneze, e shqyrtuan këtë problem kudo që ishte shfaqur, në rang ndërkombëtar dhe, në përfundim, përpiluan rekomandime për zbatimin e një sërë masash e rregullash në sistemet bankare si dhe evidentuan kërkesën për organizimin e luftës kundër kësaj dukurie ku merrnin përparësi metodat e kontrollit të operacioneve për të gjitha transfertat bankare. Në vitin 1988, ky komitet, mbasi analizoi gjendjen e krijuar, doli me deklaratën e njohur “Për ndalimin e përdorimit të sistemeve bankare për qëllime të larjes së parave të ardhura nëpërmjet rrugëve kriminale”.
         Nisur nga rrezikshmëria e kësaj dukurie kriminale, bashkësia ndërkombëtare nuk i ka reshtur përpjekjet e organizuara për krijimin e një baze ligjore ndërkombëtare, për luftën ndaj saj, të cilat janë kurorëzuar me sukses. Për këtë problem, në vitin 1989, anëtarët e shtatëshes së madhe krijuan grupin e veprimeve ndërkombëtare të quajtur: Grupi Ndërkombëtar i Veprimeve Financiare (Groupe D’Action Finansiere International, GAFI), i përbërë nga përfaqësues të shteteve pothuaj nga e gjithë bota. Në vitin 1990 ky organizëm publikoi një program special masash për luftën kundër shpëlarjes së parave të pista, në të cilin jepen mbi 40 rekomandime, të pranuara dhe të vëna në zbatim nga shumë shtete të botës.
         Lexuesi i interesuar mund të shikojë materialet e publikuara nga Komiteti i Bazelit “Për kontrollin e sistemeve bankare” ku përfshihen dokumente të tilla, si: “Rekomandime për parandalimin nga sistemet bankare të larjes së parave”, që doli në vitin 1988[4]; “Parimet bazë të kontrollit bankar”, në vitin 1997; “40 rekomandime për të organizuar luftën kundër larjes së parave”, e vitit 1990, që përmendëm më lart; “Rishikimi i masave të larjes së parave”, në vitin 1996 etj.[5] .
         Për komunitetin ndërkombëtar lufta kundër pastrimit të parave me prejardhje kriminale përbën drejtimin kryesor strategjik të kundërvënies ndaj krimit të organizuar. Në botime të ndryshme tekniko-shkencore pastrimi i parave trajtohet me seriozitet dhe në përgjithësi shikohet si rrezik ku ekonomia e një shteti mund të bjerë në varësi të veprimtarisë së organizatave kriminale dhe shembujt në këtë drejtim nuk janë të paktë, ndër të cilët përmenden vende të ndryshme të Amerikës Latine dhe të Azisë Juglindore.
         Interesat e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë drejtuar para së gjithash në sferën ekonomike duke i krijuar mjedise të favorshme zhvillimeve të aktivitetit kriminal, nga i cili përfitojnë dhe pasurohen shpejt jo vetëm organizatat e krimit të organizuar, por edhe sipërmarrës apo ofiqarë të korruptuar shtetërorë, që janë të lidhur me ta, e që përbën edhe pikën e kontaktit të veprave penale të korrupsionit me atë të pastrimit të produkteve të veprës penale. Një nga kushtet e domosdoshme për realizimin e këtyre synimeve kriminale është legjitimimi apo legalizimi i këtyre pasurive me prejardhje kriminale.
         Për rrezikshmërinë e legalizimit të parave me origjinë kriminale, sidomos për futjen e tyre në formën e investimeve në ekonomitë kombëtare të shteteve të varfra, janë shfaqur mendime nga më të ndryshmet, shpeshherë edhe kontradiktore. Për fat të keq, në botë dhe në vendin tonë qarkullojnë mendime që këtë veprimtari e vlerësojnë si faktor pozitiv për zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve ose për zgjidhjen e krizave financiare. Kohët e fundit kjo tezë është përdorur gjerësisht në media pa të drejtë, ku evidentohet gjoja “kontributi i tyre” edhe në përballimin e krizës së fundit ekonomike botërore. Sipas këtyre zërave, kapitalet me origjinë kriminale, duke u futur në sferën legale të qarkullimit financiar, i shërbejnë zhvillimit të ekonomive të varfra nacionale apo me probleme financiare. Kjo është një grackë për njerëzit që nuk dinë çfarë përfaqëson krimi i organizuar e veçanërisht ai i karakterit ndërkombëtar. Përkrahësit e pikëpamjeve të tilla harrojnë se këto kapitale që futen në ekonomi, të cilat edhe mund të” kontribuojnë” për një moment të caktuar, janë produkt i krimit dhe se ato do të jenë në radhë të parë në shërbim të qëllimeve të atyre që i zotërojnë dhe që përfaqësojnë interesat e krimit e jo të ekonomisë kombëtare, të cilën e shfrytëzojnë për të bërë larjen e kapitaleve të tyre dhe për të vënë në kontroll të plotë kriminal ekonominë kombëtare në të ardhmen.
         Pastrimi i parave me prejardhje kriminale, për krimin, përveç të tjerave, ka për qëllim jo vetëm që me këto mjete monetare të përballojë shpenzimet e aktivitetit kriminal, por edhe të zgjerojë kapitalin legal dhe ilegal të biznesit
të ngritur prej tij.
         Në rrafshin e aktivitetit ilegal, me këto mjete monetare organizata kriminale përballon shpenzimet e aktivitetit kriminal dhe ato të zgjerimit të kapitalit ilegal të saj. Të tilla janë, p.sh., shpenzimet që bëhen për :

- Përballimin e shpenzimeve të nevojshme për sigurimin e mjeteve financiare (fjala është për shpenzimet që bëhen për kryerjen e aksioneve për marrjen e këtyre parave në rrugë kriminale).
- Mbulimin e shpenzimeve për sigurimin e mallrave me vlerë apo të kapitalit të paluajtshëm, që cilësohet edhe si lëndë e parë për operacionet e pastrimit të parave.
- Investimet në fushën e zgjerimit të veprimtarisë kriminale të organizatës për zgjerimin e biznesit kriminal përkatës etj.

Investimet në ekonominë legale të organizatës kriminale shërbejnë si për të kamufluar veprimtarinë e ngritur dhe të ardhurat kriminale, ashtu edhe për të rifutur në qarkullim pa asnjë rrezik paratë apo pasuritë e pastruara. Kjo për faktin se paratë që duhen për të përballuar kapitalin e paluajtshëm legal dhe investimet në biznesin apo ekonominë legale, duhet të jenë tërësisht legale, d.m.th. të pastruara. Krimi i organizuar është i detyruar të aplikojë këtë skemë për shkakun e funksionimit të një sistemi mbrojtës me rregulla dhe norma ligjore e financiare strikte si dhe kontrolleve rigoroze që ushtrohen në ekonominë botërore të tregut për të shmangur rreziqet që i vijnë çdo ekonomie nga pastrimi i këtyre parave. Këto shërbime e kontrolle kërkojnë detyrimisht e në mënyrë të rreptë e të vazhdueshme njohjen e burimeve investuese dhe
verifikimin përkatës të tyre.
         Sot në botë lufta kundër larjes së parave dhe kundër krimit të organizuar
orientohet në zgjidhjen e një sërë detyrash, si:

- Ruajtja dhe sigurimi i ekonomisë legale nga investimet e karakterit kriminal.
- Shkatërrimi i bazës ekonomike të grupimeve të organizuara kriminale nëpërmjet zbulimit dhe konfiskimit të të ardhurave kriminale, gjë që sjell shkatërrimin e vetë organizatës.
- Ndjekja sistematike e subjekteve të kësaj vepre penale, sipas skemës: identifikimi, gjurmimi, fiksimi dhe ndërprerja e veprimtarisë kriminale, duke u nisur fillimisht nga bashkëpunëtorët e vegjël dhe, prej tyre, te liderët kryesorë të bashkësive dhe organizatave të krimit të organizuar.

         Në vendin tonë problemi i larjes së parave nuk njihet sa e si duhet, as në rrafshin studimor-shkencor dhe as në atë praktik dhe kjo pasqyrohet
nga rezultatet relativisht të papërfillshme për zbulimin, dokumentimin dhe ndërprerjen e kësaj veprimtarie kriminale. Disa nga faktorët specifikë që kanë ndihmuar në vite në lindjen dhe përhapjen e kësaj vepre penale janë:

- Privatizimi i shpejtuar në mungesë të legjislacionit që iu bë ekonomisë shtetërore në vitet e ndërrimit të sistemeve, i cili krijoi kushte të përshtatshme që një pjesë e saj të binte në duart e botës së krimit.
- Mungesa e kontrollit dhe mosnjohja sa dhe si duhet nga ana e shtetit e funksioneve në këtë fushë, që mundësoi larjen e parave.
- Prania e ekonomisë informale në sistemin e ekonomisë dhe aktiviteti i saj për një kohë të gjatë, që favorizoi larjen e parave.
- Konkurrenca e pandershme, që krijoi një klimë të favorshme për shmangien nga sistemi i taksave e, për rrjedhojë, për shfaqjen e dukurisë së qarkullimit ilegal të mjeteve monetare, si blerjet me para në dorë (kesh) të trojeve, godinave, fabrikave etj.
- Pranimi pa asnjë lloj kufizimi i “investimeve” të huaja, ndër të cilat edhe ato të segmenteve të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.
- Mungesa e legjislacionit që vë në kontroll dhe ndalon pastrimin e parave.
- Mungesa e kontrollit të Bankës qendrore mbi lëvizjen dhe transaksionet e kapitaleve apo parregullsitë përkatëse financiare.
- Mungesa e kontrollit mbi bankat e dyta apo private .
- Mungesat në sferën e qarkullimit të monedhës.
- Veprimet financiare në kushtet e anonimatit, mosnjohjes së identitetit apo identitetit fiktiv.
- Kufijtë e hapur dhe mungesa e raportimit të transaksioneve apo veprimeve të tjera kesh etj.

Në rrafshin kriminologjik, legalizimi i mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë joligjore vlerësohet si etapa kulmore e operacioneve
kriminale të krimit te organizuar për faktin se me të përfundon etapa finale e veprimtarisë kriminale, me të cilën kurorëzohen përpjekjet dhe veprimet e bëra dhe merren rezultatet e synuara. Krimi i organizuar i kushton vëmendje të veçantë kësaj veprimtarie dhe ajo zhvillohet me një konspiracion
absolut. Kjo është arsyeja që gjurmimi i veprimtarisë kriminale për legalizimin e mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë kriminale është sa i vështirë, aq edhe i ndërlikuar. Ai kërkon dije jo vetëm të artit të gjurmimit, por, për specifikën që paraqet ky lloj kriminaliteti, kërkon edhe njohje të disiplinave të shkencës së ekonomisë dhe instituteve të veçanta të saj. Përfshirja në operacionet e këtij karakteri të ekspertëve me përvojë ekonomike, sidomos në fushën e qarkullimit të mjeteve monetaremateriale, është sa i rekomandueshëm, aq edhe i domosdoshëm, sidomos në sigurimin e provave përkatëse.

Format dhe metodat për pastrimin e parave

         Me qëllim të njohjes metodike le të trajtojmë format dhe metodat më të përhapura që përdoren sot në botë për legalizimin e mjeteve financiare apo pasurive të tjera të përfituara në rrugë të kundërligjshme apo për larjen e parave të pista:
Legalizimi i parave me origjinë kriminale zhvillohet në disa faza dhe në secilën prej tyre përcaktohen qëllimet, format, mjetet dhe metodat që do të përdoren. Për ta bërë më të kuptueshëm për lexuesin do të përpiqemi të japim në mënyrë të përgjithshme, virtuale, një vizion përfytyrues të këtij
procesi, në formën e modeleve të shfaqura në botë.
         Etapat e kësaj veprimtarie janë pjesë të një procesi, atij të legalizimit të mjeteve monetare e materiale të ardhura nga krimi, i cili është edhe qëllimi kryesor ose, siç shprehen ushtarakët, qëllimi final strategjik i këtyre operacioneve. Ndarja në faza është konvencionale. Në të vërtetë këto faza synojnë që në secilën prej tyre të zbatohen detyrat e ngritura, në funksion të qëllimit kryesor.
         Para se të shpjegojmë si zhvillohen këto etapa, fillimisht po rreshtojmë synimet kryesore që do të zgjidhen në secilën prej tyre dhe që konsistojnë në:

- futjen në qarkullimin legal monetar të parave dhe kapitaleve me origjinë kriminale;
- largimin e të ardhurave me prejardhje kriminale nga burimet e tyre;
- krijimin e kushteve dhe të legjendave përkatëse për origjinën “legale’’ të parave që kanë ardhur nga krimi;
- investimin e tyre në ekonominë legale.

Futja në qarkullimin legal të “parave të pista”

         Gjatë kësaj faze vihet në jetë futja e parave të pista kesh në qarkullimin ekonomik legal të parave. Në këtë etapë, jo rrallë, si veprime paraprake në funksion të operacioneve të mëvonshme përdoren modele të tilla, si shkëmbimi paraprak i parave me letra me vlerë, me sende të vyera apo valutë të huaj. Le të përmendim disa nga format kryesore që përdorin organizatat kriminale për pastrimin e parave në këtë fazë :

- Përdorimi i personave të rekrutuar posaçërisht apo i firmave të ndryshme ekzistuese apo fiktive.
- Shantazhi apo blerja e personave të ngarkuar me identifikimin e klientëve. Këtu është fjala për blerjen apo kërcënimin, p.sh., të punonjësve të agjencive bankare apo të tjerëve që merren me verifikimet përkatëse.
- Organizimi i blerjeve me para në dorë të sendeve që kthehen shpejt në vlera pasurore.
- Interesimi për instrumentet financiare që do të përdoren dhe aplikimi i tyre në funksion të operacionit dhe të situatës së krijuar.
- Realizimi i blerjeve me vlera nën masën e përcaktimeve ligjore, që kërkohen për të bërë verifikimin e prejardhjeve të tyre.
- Futja me shumicë e vlerave relativisht të vogla monetare në llogaritë bankare.
- Shkëmbimi i organizuar i parave në sende të vyera apo valutë të huaj, pa përdorur llogaritë bankare.
- Përdorimi i sipërmarrjeve që kanë qarkullim të madh të parave për të përzier paratë e zeza me ato legale të qarkullimit.
- Krijimi i ndërmarrjeve apo njësive të ndryshme fiktive për të deklaruar si fitime paratë e pista që duhen pastruar.
- Qarkullimi me para në dorë (kesh), që bëhet nga ekonomitë informale në shtetet ku ajo ekziston.
- Qarkullimi i mjeteve monetare informale me ndërmarrje apo sipërmarrje legale.
- Krijimi i firmave kreditore apo që veprojnë me para kesh me ndërmarrjet apo sipërmarrjet legale duke paguar tatimet apo komisionet përkatëse.
- Transportimi ilegal i parave jashtë shtetit.
- Krijimi i sipërmarrjeve legale të dhënies së huave me përqindje të larta joshëse apo, siç quhen, firmave piramidale.
- Futja në qarkullim e parave të pista nëpërmjet krijimit të fondeve apo fondacioneve bamirësie ose ndihme me destinacion organizatat qeveritare dhe joqeveritare .
- Përdorimi i dhuratave apo kuotave të anëtarësisë për të cilat nuk parashikohet aplikimi i sistemit të taksave.

Ndarja e të ardhurave nga burimet e tyre kriminale

         Për realizimin e detyrave për ndarjen e të ardhurave kriminale nga burimet e prejardhjes së tyre përdoren personat e rekrutuar si dhe ndërmarrjet, që i përmendëm gjatë trajtimit të fazës së parë. Kjo fazë karakterizohet nga planifikimi dhe vënia në zbatim e operacioneve të ndërlikuara ekonomikofinanciare, të cilat kërkojnë jo vetëm predispozicion kriminal, por para së gjithash dije dhe dhunti aplikative të personave që i planifikojnë. Ndër këto operacione përmendim:

- Organizimin e një sërë operacioneve financiare të ndërlikuara të cilat kanë si qëllim fshirjen e gjurmëve të veprimtarisë kriminale në tërësi dhe të personave konkretë që e kanë realizuar duke krijuar anonimitet të pasurive të grumbulluara dhe të personave.
- Paraqitjen e llogarive fiktive nga firma “fantazmë” apo fiktive për “aktivitetin” e tyre. Mbi bazën e këtij raportimi realizohet transformimi i parave nga të pista në të pastra e të gatshme për t’u futur në qarkullim.
- Krijimin e ndërmarrjeve apo sipërmarrjeve ilegale (underground) me lidhje vertikale dhe horizontale, ku paratë e pista hyjnë në qarkullimin monetar legal si fitim tregtie ose me to blihen me shumicë mallra të konsumit të shpejtë, të cilat më vonë cilësohen të “prishura” apo përdoren skema të tjera nga më të ndryshme të këtij karakteri.
- Organizimin e operacioneve ndërkombëtare financiare nëpërmjet atyre shteteve që kanë regjime të zbutura tatimore apo zona të lira.
- Organizimin e operacioneve ndërkombëtare financiare në shtetet me sisteme financiare jo të përsosura apo me kontrolle të dobëta.

Nënvizojmë se skemat që përdoren për këto operacione nuk janë fikse, ato zhvillohen në varësi të kushteve konkrete ekonomike dhe efektivitetit të kontrollit përkatës. Këtu qëndron edhe vështirësia e zbulimit të tyre.
         Gjatë gjykimit për zbulimin e një aktiviteti të kundërligjshëm për
sipërmarrjet ilegale të pastrimit të parave merr përparësi kontrolli kontabël
nëpërmjet zbatimit të metodave të analizave të zakonshme ekonomike të
veprimtarisë së ndërmarrjeve apo sipërmarrjeve sipas degëve. Nga ky kontroll
mund të arrihet në konkluzione të sakta dhe të evidentohet e të dokumentohet
veprimtaria e mundshme kriminale e pastrimit të parave, duke krahasuar
tregues të tillë të kapshëm, si:

- Të ardhurat dhe likuiditetet.
- Marrëdhëniet midis sipërmarrësve.
- Lidhjet tregtare të tyre etj.

Krijimi i kushteve dhe i legjendave për origjinën “legale” të parave me prejardhje kriminale

         Futja e parave të pista në qarkullimin legal dhe krijimi i kushteve e legjendave përkatëse për të nxjerrë “origjinën legale” të parave që kanë ardhur nga krimi, është faza e finalizimit të operacioneve ku përfshihet krijimi i legjendave bindëse për prejardhjen e “pastër” të parave të pista dhe futja e këtyre parave në qarkullimin e zakonshëm legal. Veprimtaria kriminale gjatë kësaj faze përqendrohet kryesisht në formën e shmangies apo të uljes së sistemit të taksave dhe blerjeve fiktive. Format edhe këtu janë të shumta, por do të përmendim disa nga veprimet që bëhen në këtë fazë:

- Veprimet e karakterit financiar për uljen apo shmangien e sistemit të taksave.
- Aferat me uljen e çmimeve, operacionet me pasuri të paluajtshme etj. P.sh.: Blihet shtëpia me “çmim të ulët” dhe diferencën e vlerës reale të kësaj blerjeje e kompensojnë me para të pista, më pas i bëhet “restaurimi” dhe e nxjerrin përsëri në treg me çmimin e vlerës reale të tregut. Rrjedhojë e operacionit që shpjeguam më sipër është përfitimi i të ardhurave të
pastra legale, që tashmë janë të gatshme për t’i përdorur e për t’i futur në
qarkullimin legal të tyre.
- Operacionet financiare me aksionet në varësi me çmimet e tregut. Mënyra e realizimit dhe skema e përdorur është e njëjtë me atë që shpjeguam
më lart.
- Aferat me çmimet e rritura, të cilat gjejnë përdorim në disa fusha, si p.sh., në operacionet me veprat e artit, ankande etj. Thelbi i këtyre operacioneve qëndron në atë që vlerësimet e këtyre mallrave bëhen në mungesë, nën vlerën e tyre, blihen me para të pista dhe shiten me çmime shumë të larta e, si rrjedhim, përfitohen të ardhura legale. Këtu hyn ajo kategori mallrash apo sendesh vlera e të cilave përcaktohet nga gjykimi në mungesë të tyre.
- Operacionet në fushën e import-eksportit, të quajtura ndryshe “transferpricing”. Thelbi i këtyre operacioneve qëndron në përpilimin e dy kontratave: njëra reale, e bazuar mbi shumat përkatëse të çmimeve të mallrave, dhe tjetra fiktive, në të cilën shkruhen çmime të rritura në mënyrë abuzive.
- Huatë dhe pagesa e përqindjeve. Skema që veprohet në raste të tilla është: paratë deklarohen si posedim i një firme të huaj e cila i jep “hua” ose deklaron garancinë përkatëse për kreditin bankar. Pas këtij momenti, personi apo sipërmarrësi që i merr këto para, i ka legale dhe mund t’i futë në qarkullim.

Investimi i parave “të pastruara” në ekonominë legale

         Investimi i tyre në ekonominë legale përbën edhe fazën përmbyllëse të odisesë së pastrimit të parave të pista, finalizimin e përpjekjeve të organizatës kriminale për t’i rifutur këto kapitale kriminale në qarkullim, por në formë të ligjshme, e cila materializohet në:

- Investimet e drejtpërdrejta në sfera të ndryshme të ekonomisë, të cilat nuk janë gjë tjetër, por futja aktive e parave tashmë të lara në qarkullimin legal nëpërmjet investimeve.
- Kthimin e institucioneve apo sektorëve ku investohet në pjesëza legale të operacioneve klandestine kriminale.
- Krijimin e rrethit përkatës vicioz të skemës kriminale të legalizimit të mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë të kundërligjshme “Para - Mall - Para” që përfaqëson thelbin e skemës së përmbledhur të këtyre operacioneve kriminale.

Kriminalizimi i pastrimit të parave

         Për të parandaluar legalizimin e mjeteve monetare apo të pasurive të tjera të përfituara në rrugë joligjore, shumë shtete në botë, në legjislacionet e tyre penale, parashikojnë kthimin e formave të kësaj veprimtarie në vepra penale. Në legjislacionin tonë, siç përmendem edhe në hyrje të këtij artikulli, kjo dukuri kriminale fillimisht gjeti pasqyrim në ligjin nr. 8610, datë 17 maj 2000, “Mbi parandalimin e pastrimit të parave”, Ky
rregullim i parë ligjor kishte rëndësi jo vetëm për anën konceptuale të kësaj veprimtarie kriminale, deri në atë kohë e panjohur dhe e papërcaktuar, por edhe në rrafshin praktik, pasi institucionalizoi luftën e organizuar ndaj tij. U vendos ngritja e një strukture të posaçme, siç ishte ajo e autoritetit përgjegjës, e cila fillimisht, sipas ligjit, quhej Agjencia e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, pranë Ministrisë së Financave, me
status juridik dhe pozicion që caktohet nga qeveria[6]. Më vonë, në vitin 2008, u quajt Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila i raporton drejtpërdrejt ministrit të Financave dhe shërben si njësi e Inteligjencës financiare të Shqipërisë[7].
         Në këtë ligj përcaktoheshin detyrimet e organizmave që merren me zbatimin e këtyre operacioneve financiare, regjistrimet përkatëse, të cilat kishin për qëllim të parandalonin këtë dukuri kriminale dhe t’u krijonin kushte organeve të gjurmimit dhe drejtësisë për të ndërprerë dhe për të ndëshkuar këtë veprimtari kriminale. Rëndësi të veçantë në ligjin e mësipërm merr integrimi i vendit tonë në luftën që bën bashkësia ndërkombëtare. Për këtë qëllim, në nenin 15 parashikohej bashkëpunimi me institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë për investigimin dhe marrjen e masave ligjore, si ato që kanë të bëjnë me konfiskimin e mjeteve dhe të ardhurave të rrjedhura nga veprimtaria kriminale, identifikimin dhe gjetjen e burimeve
të pasurive kriminale, problemet e ekstradimit etj.[8].
         Në vitin 2008 ky ligj pësoi përmirësime të ndjeshme me ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, në nenin 1 të të cilit jepet qëllimi dhe përmbajtja e tij kur thuhet se : “Ky ligj ka për qëllim të parandalojë pastrimin e parave dhe të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe financimin e terrorizmit”[9].
         Në të përcaktohet se çfarë përfaqëson kjo dukuri. “Pastrimi i produkteve të veprës penale” ka të njëjtin kuptim si në nenin 287 të Kodit Penal”[10], - thuhet në të. Ndërsa për produktin e kësaj vepre penale shprehet se : “Produkt i veprës penale” ka të njëjtin kuptim si në nenin 36, pika 1, shkronja “b”, të Kodit Penal”[11].
         Sipas këtij ligji, me “Pronësi” kuptohen të drejta apo interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm ose i paluajtshëm, i trupëzuar ose i patrupëzuar, material ose jomaterial, përfshirë dhe ato të evidentuara në formë elektronike apo numerike (dixhitale), duke përfshirë, por pa u kufizuar në instrumente të tilla, si: kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur apo vlerë tjetër që buron prej tyre [12].
         Vend të rëndësishëm zënë subjektet e këtij ligji, të cilat, në mbështetje
dhe zbatim të tij, kryejnë veprime të caktuara. Si subjekte të tilla njihen :
a) Bankat tregtare.
b) Institucionet financiare jobankare.
c) Zyrat e këmbimeve valutore.
ç) Shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre.
d) Shërbimet postare që kryejnë shërbime pagesash.
dh) Çdo person tjetër fizik ose juridik që emeton apo menaxhon mjetet e pagesës ose të parasë, ose kryen transferimin e vlerës (karta debiti dhe krediti, çeqe, çeqe udhëtari, urdhërpagesa dhe urdhërpagesa bankare, para elektronike ose instrumente të tjera të ngjashme).
e) Bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shtëpi brokerimi etj.) që ushtron veprimtari për emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër që ka lidhje me tregtimin e titujve.
ë) Shoqëritë që merren me sigurimin e jetës ose risigurimin, agjentët apo ndërmjetësit e tyre, si dhe fondet e pensionit.
f) Autoriteti Shtetëror Përgjegjës për Administrimin dhe Shitjen e Pronës Publike dhe çdo person tjetër juridik publik që kryen veprime juridike lidhur me tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronës shtetërore ose që kryen evidentimin, transferimin apo tjetërsimin e pronës shtetërore.
g) Lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme.
gj) Avokatët, noterët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, kur përgatitin ose kryejnë transaksione për klientët e tyre për këto veprimtari:

- kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme, administrimin e parave, të letrave me vlerë ose të aseteve të tjera;
- administrimin e llogarive bankare;
- administrimin e pjesëve të kapitalit që do të përdoren për themelimin, funksionimin ose administrimin e shoqërive tregtare;
- krijimin, funksionimin ose administrimin e personave juridikë;
- marrëveshjet ligjore, shitblerjen e aksioneve ose të pjesëve të kapitalit të shoqërive aksionare dhe transferimin e veprimtarive tregtare.

h) Agjentët e pasurive të paluajtshme dhe ekspertët e vlerësimit të pasurive të paluajtshme.
i) Ekspertët kontabël të autorizuar të pavarur, kontabilistët e miratuar të pavarur dhe zyrat e konsulencës financiare.
j) Agjencia e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave/ndërtimeve informale.
k) Çdo person fizik ose juridik, përveç atyre të specifikuar më sipër, të cilët merren me :

- administrimin e aseteve të të tretëve/drejtimin e veprimtarive të lidhura me to;
- qiratë financiare;
- ndërtimet;
- biznesin e metaleve dhe të gurëve të çmuar;
- huatë financiare;
- marrëveshjet dhe garancitë financiare;
- shitblerjen e veprave të artit apo shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë 1 500 000 lekë ose më shumë;
- sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose të letrave me vlerë lehtësisht të konvertueshme, në emër të personave të tretë;
- këmbimin e parasë fizike;
- tregtimin e mjeteve motorike;
- veprimtaritë e spedicionit dhe të transportit;
- agjencitë e udhëtimit[13].

Më tej në të trajtohet instituti i identifikimit dhe monitorimit të këtyre marrëdhënieve sipas të cilit: Subjektet duhet të identifikojnë klientët dhe të verifikojnë identitetin e tyre me anë të dokumenteve të identifikimit dhe përcaktohen procedurat e identifikimit, ku evidentohet detyrimi për të identifikuar shumat e veprimeve kesh: mbi 150 000 lekë në rastin e lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve të çfarëdolloj forme dhe mbi 1.500 000 lekë apo valutë e barabartë me këtë shumë ato me transfertë fondesh, si dhe detyrimi për të identifikuar klientët në rastet kur ka të dhëna për pastrim parash, megjithëse shuma e veprimit financiar mund të jetë poshtë kufijve të përcaktuar nga ky ligj; sqarohet dokumentacioni dhe mënyra e realizimit të një identifikimi të tillë etj.[14].
         Në vijim trajtohen probleme të tilla të rëndësishme, si : vigjilenca e zgjeruar ndaj klientëve, kategoritë e klientëve dhe kategoritë e transaksioneve ndaj të cilave zbatohet vigjilenca e zgjeruar[15]. Në detyrimet për shërbimin e transferimit të parave ose të vlerave kërkohet që : Subjektet, veprimtaritë e të cilave përfshijnë transferta parash ose vlerash, të marrin dhe të identifikojnë emrin, mbiemrin, vendbanimin dhe vendqëndrimin, numrin e dokumentit të identifikimit dhe numrin e llogarisë, nëse ka, të dërguesit, përfshirë emrin e institucionit financiar nga ku niset transferta.
Informacioni të përfshihet në formularin e mesazhit ose të pagesës që shoqëron transfertën. Në rast se nuk ka një numër llogarie, transferta të shoqërohet nga një numër unik reference[16].
         Sipas këtij ligji, “Çdo person, shqiptar ose i huaj, i cili hyn/largohet në/nga territori i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të deklarojë
shumat në të holla, çdolloj instrumenti të negociueshëm, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 1 000 000 (një milion) lekë ose kundërvlera e saj në monedha të tjera të huaja, si dhe qëllimin e mbartjes së tyre, për të cilat duhet të paraqesë dokumente justifikuese. Autoritetet doganore duhet të dërgojnë tek autoriteti përgjegjës kopje të formularëve të deklarimeve të mësipërme dhe të dokumenteve justifikuese të paraqitura” [17].
         Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme raporton brenda 72 orëve regjistrimin e kontratës së tjetërsimit të pronës me një
vlerë të barabartë ose më të madhe se 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja [18].
         Për organizimin, detyrat dhe funksionet e autoritetit përgjegjës flitet në nenet 21-22, ku nënvizohen detyrat dhe funksionet e Drejtorisë së
Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si njësi e inteligjencës financiare.
         Në ligj evidentohet roli i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave si përgjegjës për përcaktimin e drejtimeve të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit. Ai drejtohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka Ministrin e Financave, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Mbrojtjes, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Drejtorin e SHISH-it dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së [19].
         Ndërsa, për sa u përket funksioneve të autoriteteve mbikëqyrëse, sipas këtij ligji, njihen si të tilla: Banka e Shqipërisë; Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare; ministritë përkatëse; Dhoma Kombëtare e Avokatisë për avokatët; Ministria e Drejtësisë për noterët; autoritetet përkatëse për mbikëqyrjen e subjekteve të përcaktuara sipas përkatësisë, më tej autoriteti përgjegjës që i cakton dhe procedurat përkatëse të ankimit dhe ekzekutimit[20].
         Shkeljet që bëhen nga subjektet dhe që nuk përbëjnë vepra penale, klasifikohen si kundërvajtje administrative dhe për to subjektet gjobiten. Në nenin 27 evidentohen kushtet dhe masa e gjobës sipas shkeljeve, autoriteti përgjegjës që i cakton dhe procedurat përkatëse të ankimit dhe ekzekutimit [21].
         Siç përmendëm edhe në fillim të këtij sythi, krahas rëndësisë dhe anëve pozitive, si parandalimi i kësaj veprimtarie kriminale, duhet të themi se në ligjin nr. 8610, datë 17. 05. 2000, “Mbi parandalimin e pastrimit të parave”, në legjislacionin tonë penal mungonte formulimi i një dispozite ku të përcaktohej kjo veprimtari kriminale si vepër penale dhe të parashikohej ndjekja penale dhe dënimi i subjekteve përkatëse. Kjo u realizua me daljen e ligjit nr. 9086, datë 19. 06.2003, ku jo vetëm plotësohen mangësitë e konstatuara, por i bëhen rregullime të konsiderueshme kornizës përkatëse ligjore. Për rëndësinë që paraqet ky ligj në kuadrin e kriminalizimit të veprës penale të “pastrimit të parave të pista”, le të shikojmë përmirësimet që prunë këto dispozita shtesë të legjislacionit penal dhe çfarë roli luajnë ato në politikat përkatëse.
         Me ligjin e mësipërm nr. 9086, datë 19.6.2003, përveç përcaktimit si vepër penale të “pastrimit të produkteve të veprës”, në legjislacion janë bërë edhe këto ndryshime të rëndësishme në funksion të këtij krimi, si p.sh.:

- Përmirësimi i nenit 7 i Kodit penal në pjesën e përgjithshme, që bën fjalë për zbatimin e ligjit penal për vepra penale të kryera nga shtetas të huaj,
duke futur paragrafin shtesë që mungonte pas germës g, me këtë përmbajtje: “...Pastrimi i produkteve të veprës penale...”, sipas rregullimit të ri, shtetasit e huaj do të përgjigjen në bazë të ligjit penal të Republikës së Shqipërisë edhe
për pastrimin e produkteve të veprës penale[22].
- Përmirësimi i nenit 30 të Kodit penal që flet për dënimet plotësuese dhe konkretisht i pikës 2 duke e riformuluar atë si më poshtë: “Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale” (pjesa e dytë e këtij paragrafi shtesë nuk përfshihej më parë).
- Ky riformulim, ashtu si dhe ndryshimi i nenit 36 të Kodit penal, kanë të bëjnë me konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të kësaj veprimtarie kriminale, që rregullonte problemin e diskutueshëm në legjislacionin tonë penal, atë të konfiskimit të të mirave materiale që rrjedhin nga krimi. Ky plotësim kërkohej edhe nga marrëveshja ndërkombëtare për këtë vepër kriminale, ku vendi ynë ka aderuar[23].

Për të kuptuar rëndësinë e korrigjimit që iu bë nenit 36 të Kodit penal për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, po japim të plotë ndryshimin e nenit 36, sipas nenit 4 të ligjit të mësipërm :
         “1…Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata dhe ka të bëjë me marrjen dhe kalimin në favor të shtetit të:

a. sendeve që kanë shërbyer ose janë caktuar si mjete për kryerjen e veprës penale;
b. produkteve të veprës penale, ku përfshihen çdolloj pasurie, si dhe dokumentet ose instrumentet ligjore që vërtetojnë tituj ose interesa të tjerë në pasurinë që rrjedh ose fitohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale;
c. shpërblimeve të dhëna ose të premtuara, për kryerjen e veprës penale;
d. çdo pasurie tjetër, vlera e së cilës i korrespondon asaj të produkteve të veprës penale;
e. sendeve, prodhimi, përdorimi, mbajtja ose tjetërsimi i të cilave përbëjnë vepër penale edhe kur nuk është dhënë vendimi i dënimit.

         2. Nëse produktet e veprës penale janë transformuar ose shndërruar pjesërisht ose plotësisht në pasuri të tjera, këto të fundit i nënshtrohen konfiskimit.
         3. Nëse produktet e veprës penale janë bashkuar me pasuri të fituara në rrugë të ligjshme, këto të fundit konfiskohen deri në vlerën e produkteve të veprës penale.
         4. Konfiskimit i nënshtrohen edhe të ardhurat ose përfitimet e tjera nga produktet e veprës penale, nga pasuritë, të cilat janë transformuar ose shndërruar në produkte të veprës penale ose nga pasuritë me të cilat janë përzier këto produkte, në të njëjtën masë dhe mënyrë sikurse produktet e veprës penale...’’ [24].
         Ky ndryshim i nenit 36 për konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe të produkteve të veprës penale ka rëndësi të veçantë, mbasi plotëson një boshllëk të ndjeshëm të legjislacionit penal shqiptar i krahasuar me atë të vendeve partnere. Ky ndryshim kontribuon për momentin edhe për organizimin e drejtë të luftës kundër pastrimit të parave.
         Fillimisht, në kuadrin e plotësimit të legjislacionit përkatës për pastrimin e parave të pista, në Kodin penal u bë plotësimi i nenit 287, me atë 287/a, të titulluar “pastrimi i parave të pista”. Në nenin 8 të ligjit 9086, datë 19.06.2003, thuhet : “Në nenin 287 ndryshohet terminologjia nga “tjetërsimi i pasurisë” në “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe saktësohet brendia e tij. Për rëndësinë që ka ky formulim për veprën penale të pastrimit të parave të pista, po e citojmë të plotë nenin 8 të ligjit të mësipërm për ndryshimin e nenit 287:
“… Neni 287 ndryshohet si më poshtë: “Pastrimi i produkteve të veprës
penale”.
1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:

a. këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen ose zhdukjen e origjinës së paligjshme të pasurisë ose dhënien e ndihmës për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;
b. fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;
c. kryerjes së veprimeve financiare dhe transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi sipas ligjit për pastrimin e parave;
ç. fitimit, zotërimit ose përdorimit të pasurisë, kur dihet që është produkt i veprës penale;
d. këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike, për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 10 milionë lekë.

2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri 10 milionë lekë.
3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë …” [25].
         Kësaj dispozite, me ligjin nr. 9275, datë 16.09.2004, iu shtua shkronja dh me këtë përmbajtje :
dh. Përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve që janë produkte të veprave penale"[26] .
         Ndërsa në vitin 2007 ndryshohet shkronja “a” dhe shfuqizohet shkronja “ç[27] .
         Me këtë ligj pësoi ndryshim edhe neni 287/a i Kodit penal dhe emërtohet nga “ pastrimi i parave të pista” në “çelja e llogarive anonime”, sipas të cilit:
...Çelja e depozitave ose llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga 200 mijë lekë deri në 2 milionë lekë...[28].
         Po në këtë kuadër ndryshimesh, ligjvënësi me të drejtë ka parashikuar shtimin e një dispozite të re, atë për mosdeklarimin në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë, që pasqyrohet në nenin e shtuar 179/a, sipas të cilit :
         “… Mosdeklarimi, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla i çdolloj forme, të çekut bankar, metaleve ose gurëve të çmuar, si dhe i sendeve të tjera me vlerë, përtej vlerës së parashikuar nga ligji, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet...[29]. Pra, siç shihet, me korrigjimet e bëra në legjislacion plotësohet vakuumi i konstatuar në fushën e kriminalizimit të pastrimit të parave, të cilat sistemi ynë ligjor penal tashmë i trajton si vepra penale dhe që mungonte në të kaluarën. Por, pavarësisht nga përparimi i bërë në krahasim me të kaluarën, mendoj se ligjvënësi duhet të shohë mundësinë e përfshirjes së dispozitave shtesë në Kodin penal si dhe formulimin më të plotë të legjislacionit ekzistues, si trajtimin më të gjerë të institutit të konfiskimit të të mirave materiale që rrjedhin nga krimi, për të cilin kam mendimin se në legjislacionin tonë penal një gjë e tillë parashikohet në përgjithësi.
         Edhe për krimin e organizuar, me gjithë ndryshimin e bërë me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007, duhet të dalin dispozita më të plota e të posaçme, gjë që vendet e partnere i parashikojnë në të drejtat përkatëse. Kjo është jo vetëm një kërkesë e së drejtës, por edhe një angazhim që rrjedh prej marrëveshjeve ndërkombëtare ku bën pjesë edhe vendi ynë.
         Në këndin e rregullimit ligjor, me gjithë përmirësimet e bëra, kam mendimin se legjislacioni ynë, për problemet qe trajtova me lart, në tërësi, duke i krahasuar me atë bashkëkohor, duhet të orientohet më mirë kryesisht në:

- Efektivitetin, korrektësinë dhe natyrën parandaluese të legjislacionit dhe sanksioneve që janë disi të kufizuara, për faktin se ato nuk janë plotësisht specifike dhe të mjaftueshme. Ekzistojnë mekanizma kontrolli deficiente.
- Krijimin e një sistemi vlerësues për të analizuar efektivitetin e legjislacionit.
- Përqasjen e mëtejshme të dispozitave të nevojshme të ligjit për konfiskimin dhe sekuestrimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale me atë të partnerëve perëndimorë, sidomos në drejtim të konkretizimit të tyre për organet ekzekutive.
         Për terminologjinë e përdorur për këtë vepër penale, në rregullimet e fundit ligjore, në Kodin penal, me ligjin nr. 9086, datë 19.06.2003, kam pretendimin se do të ishte më e drejtë dhe e përshtatshme, për kuptimin dhe brendinë e kësaj vepre penale, të përdorej termi: “Legalizimi i mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë joligjore”, që përdoret me qëllim edhe nga autori në këtë libër, në vend të termit të vendosur në nenin e ndryshuar 287 të Kodit penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale” i cili, për mendimin tim, është i përgjithshëm, i paqartë dhe nuk shpreh brendinë e kësaj vepre penale me pasoja shoqërisht të rrezikshme.
         Këto ishin disa nga problemet që menduam të shtjellojmë për formën e shfaqjes së veprimtarisë kriminale të krimit të organizuar nëpërmjet Pastrimit të produkteve të veprës penale apo legalizimit të mjeteve monetare apo pasurie tjetër të fituar në rrugë të paligjshme.
         Pa pretenduar për shterimin e plotë e të gjithanshëm të tyre, trajtimi në këtë material është bërë në këndin e kriminologjisë dhe është parë në fokusin e bashkëveprimit e të ndërthurjes së veprimtarisë së paligjshme të krimit të organizuar me legalizimin e pasurive te fituara në rrugë kriminale.

LITERATURA :

1. Luan Gjonça, Korrupsioni, veprat penale përbërëse, krimi i organizuar, ILAR, Tiranë, 2005.
2. Luan Gjonça & Genci Gjonça, Kriminologjia (tekst mësimor), Tiranë, Adel Print, 2009, kap. XVII, kap. XVIII, f. 435-488.
3. Konventa e Vjenës e OKB-së “Kundër krimit të organizuar ndërkombëtar”, 15 nëntor 2000 .
4. Komiteti i Bazelit, “Për kontrollin e sistemeve bankare”, “Rekomandime për parandalimin nga sistemet bankare të larjes së parave”, 1988.
5. Ligji “Për parandalimin e pastrimit të parave”, nr. 8610, datë 17 , 05 , 2000, Tiranë, Gazeta zyrtare, korrik 2000, faqe 1.
6. Ligji nr. 9086, datë 19.06.2003.
7. Ligji nr. 9917, datë 19.15.2008, “Për parandalimin e pastrimit te parave dhe financimit te terrorizmit”.
8. Dokumentet dhe rekomandimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKBsë “Për korrupsionin”, Dokumenti C/CN.15.2001.3. f. 27, 2 prill 2001.
9. Konventa “Për larjen e parave dhe konfiskimin e të ardhurave nga veprimtaria kriminale”, Strasburg, 8 nëntor 2003.

Referencat:

[1] Ligji ``Për parandalimin e pastrimit të parave``, nr. 8610, datë 17. 05. 2000, faqe 1, Tiranë, Gazeta zyrtare, korrik 2000; ndryshuar me ligjin nr. 9917, datë 19.15.2008.
[2] Ligji nr. 9086, datë 19.6.2003, neni 1, faqe 1.
[3] Konventa e Vjenës e OKB-së “Kundër krimit të organizuar ndërkombëtar”, 15 nëntor 2000, faqe 7.
[4] Komiteti i Bazelit “Për kontrollin e sistemeve bankare”, “Rekomandime për parandalimin nga sistemet bankare të larjes së parave”, 1988.
[5] (Dokumentet dhe rekomandimet e Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së,”Për Korrupsionin” Dokumenti C/CN.15.2001.3. faqe 27, datë 2 prill 2001, f.22).
[6] Ligji nr. 8610, datë 17 maj 2000, “Mbi parandalimin e pastrimit të parave”.
[7] Ligjin nr. 9917, datë 19.15.2008, ”Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
[8] Ligji nr. 9917, datë 19.15.2008, ”Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, neni 2, pika 9.
[9] Po aty, neni 2, pika 11.
[10] Po aty, neni 2, pika 13.
[11] Ligji nr. 9917, datë 19.15.2008, ”Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, neni 4.
[12] Po aty, nenet 5-6.
[13] Po aty, nenet 7,8,9.
[14] Ligji nr. 9917, datë 19.15.2008, ”Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, neni 10.
[15] Po aty, neni 17.
[16] Po aty, neni 19.
[17] Po aty, neni 24.
[18] Po aty, neni 27.
[19] Shih ligjin nr. 9086, datë 19.06.2003, neni 1, faqe 1.
[20] Po aty, neni 24.
[21] Po aty, neni 27.
[22] Shih ligjin nr. 9086, datë 19.06.2003, neni 1, faqe 1.
[23] Po aty , ligji nr. 9096, datë 19.06.2003, neni 3 dhe 4.
[24] Ligji nr. 9086, datë 19.06.2003, neni 4.
[25] Ligji nr. 9575, datë 16.09.2004.
[26] Ligji nr. 9575, datë 16.09.2004.
[27] Ligji nr. 9686, datë 26.02.2007.
[28] Ligji nr. 9086, datë 19.06,2003.
[29] Ligji nr. 9086, datë 19.06.2003, neni 6.

{burimi: Revista shkencore "JUSTINIANI I"}

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.