Sistemet e matjes se dënimit për veprat penale në bashkim...

Njihen tri sisteme të matjes së dënimit unik për veprat penale në bashkim:

1. Sistemi i absorbcionit – sipas këtij sistemi matet dënimi për çdo vepër penale, mirëpo si dënim unik shqiptohet  dënimi më i rëndë i cili i absorbon në vete dënimet më të lehta. Në praktikë zbatohet shumë rrallë;
2. Sistemi i asperacionit – së pari matet dënimi veç e veç për çdo vepër penale në bashkim, mandej dënimi më i rëndë merret për bazë, kurse dënimet tjera i shtohen këtij, por me kusht që dënimi unik të mos arrijë shumën e të gjitha dënimeve e as mos ta kalojë maksimumin e përgjithshëm të atij lloji të dënimit të përcaktuar me ligj. Sot zbatohet në shumicën e legjislacioneve penale të shteteve bashkëkohore; dhe
3. Sistemi i kumulacionit – së pari matet dënimi veç e veç për çdo vepër penale në bashkim, e më pas mblidhen të gjitha dënimet dhe shuma e tyre paraqet dënimin unik. Ky sistem vlerësohet i përshtatshëm për rastet kur shqiptohen dënimet me gjobë, por si i tillë nuk është i drejtë për rastet e shqiptimit të dënimit me heqje të lirisë.

Sistemi i matjes së dënimit për veprat penale në bashkim në të dr. penale të Kosovës – Kodi penal i Kosovës i njeh tri sistemet e matjes së dënimit për veprat penale në bashkim. Mirëpo, prej tri sistemeve, sistemi i asperacionit është themelor ngase më së shpeshti aplikohet në praktikë, ndërsa sistemet e kumulacionit dhe të absorbcionit janë sisteme plotësuese, komplementare. Sipas sistemit të absorbcionit, nëse gjykata për ndonjë vepër penale të kryer në bashkim ka shqiptuar dënimin me burgim afatgjatë, atëherë e shqipton vetëm këtë dënim, psh., nëse për veprën penale të parë e ka shqiptuar dënimin me burgim prej 5 vjet, për të dytën tre vjet, ndërsa për të tretën burgim afatgjatë 30 apo 40 vjet, atëherë do ta shqiptojë vetëm dënimin me burgim afatgjatë, ngase në këtë rast dënimi me burgim afatgjatë i absorbon dy dënimet tjera me burgim.

Matja e dënimit personit të dënuar – Në të dr. penale shtrohen këto raste: që një ose më shumë vepra penale të kryera të jenë zbuluar pasi që personi është dënuar dhe si të tilla nuk mund të përfshihen me aktgjykim; nëse personi i dënuar para se të këtë filluar mbajtjen e dënimit sipas aktgjykimit të mëparshëm kryen vepër penale të re; nëse personi i dënuar gjatë mbajtjes së dënimit me burg kryen vepër penale të re; dhe nëse të dënuarit me kusht i revokohet dënimi me kusht për shkak veprës penale të cilën e ka kryer para se ti jetë shqiptuar dënimi me kusht.me rastin e shqiptimit të dënimit unik për të gjitha veprat penale, dënimin e shqiptuar më parë gjykata e trajton si të përcaktuar, kurse dënimin e matë vetëm për veprat penale që nuk kanë qenë të përfshira me aktgjykimin e mëparshëm.

Llogaritja e paraburgimit dhe dënimit të mëparshëm – Paraburgimi është masë penalo-juridike e paraparë me kodin penal dhe me kodin e procedurës penale. paraburgimi nuk është dënim, por masë e cila në procedurën penale zbatohet me qëllim që të sigurohet prania e të pandehurit në seancën kryesore dhe me qëllim të sigurimit të mundësisë së  ekzekutimit të dënimit, që sipas dyshimit të bazuar do ti shqiptohet. Edhe pse paraburgimi nuk konsiderohet dënim, të pandehurin e godet njësoj si edhe vuajtja e dënimit me heqje të lirisë. Koha e kaluar në paraburgim llogaritet në dënimin e shqiptuar. Nëse paraburgimi ka qenë caktuar për shkak të një vepre penale, ndërsa dënimi me burgim është shqiptuar për vepër tjetër penale, paraburgimi I mbajtur apo ndonjë privim tjetër lirie nuk mund të llogaritet në dënimin e shqiptuar. Një ditë paraburgimi apo heqje të lirisë llogaritet një ditë burgim apo burgim afatgjatë, ndërsa nëse është shqiptuar dënimi me gjobë, një ditë paraburgim apo heqje të lirisë barazohet me 15 euro.

VËREJTJA E GJYKATËS – është që kryesit të veprës penale ti terhiqet vërejtja se ka kryer vepër penale, të cilën shoqëria në aspektin social dhe etik e vlerëson si negative, të dëmshme, të keqe dhe për atë gjykata i shqipton qortim, përkatësisht vërejtje. Pra, masa e vërejtjes është një lloj i veçantë i sanksionit jopunitiv, jondëshkues. Këtë lloj sanksioni mund ta shqiptojë vetëm gjykata në kushtet e parapara me ligj. Në fakt, vërejtja e gjykatës është sanksion verbal, admontiv. Vërejtja e gjykatës, si lloj i sanksionit penal admontiv, verbal e njeh edhe kodi penal i Kosovës. Me vërejtje të gjykatës, kryesit i bëhet me dije se ka kryer një vepër të dëmshme dhe të rrëzikshme, që me ligj është paraparë si vepër penale dhe nëse ai kryen sërish vepër të tillë, gjykata do ti shqiptojë sanksion më të rëndë. Personi që para gjykatës premton se nuk do të kryej vepër penale, duhet të deponojë një shumë të caktuar parash, me të cilat sigurohet premtimi i dhënë.

Nocioni dhe rëndësia e vërejtjes se gjykatës – Vërejtja e gjykatës, sipas brendisë dhe qëllimit të saj, nuk është dënim, por në fakt është trajtim i kryesit të veprës penale me masa jondëshkuese. Edhe vërejtja e gjykatës shqiptohet me aktgjykim. Trajtimi i këtillë i kryerësve të veprave penale të lehta me anë të vërejtjes së gjykatës, shpreh qëndrimin human të shoqërisë, sepse duke zbatuar kësi sanksionesh, shoqëria, kryersitë e veprave penale të këtilla nuk i radhit në kategorinë e personave të dënuar.

Kushtet për shqiptimin e vërejtjes se gjykatës – Sipas kodit penal, vërejtja e gjykatës mund të shqiptohet në dy grupe të veprave penale. në grupin e parë bëjnë pjesë veprat penale për të cilat është paraparë dënimi me burgim deri një vit, apo dënimi me gjobë dhe nëse vepra është kryer në rrethana lehtësuese, të cilat e bëjnë veprën penale veçanarisht të lehtë. Në grupin e dytë të veprave penale, hyjnë veprat për të cilat është paraparë dënimi me burgim deri 3 vjet. Për këtë grup gjykata mund të shqiptojë vërejtje vetëm nëse janë përmbushur kushtet e posaçme, të cilat i parasheh ligji, psh., për veprat penale të dhënies së ryshfetit, nëse kryesi ka qenë i provokuar nga sjellja çnjerëzore ose e vrazhdë e palës së dëmtuar, etj. Krahas kushteve të përgjithshme dhe të posaçme që duhet të plotësohen, gjykata merr parasysh qëllimin e vërejtjes së gjykatës, sjelljen e kryesit në të kaluaren, sjelljen e tij pas kryerjes se veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale, etj.

Efektet e vërejtjes së gjykatës – Kryesit që i shqiptohet vërejtja e gjykatës, konsiderohet person i dënuar dhe shënohet në evidencën e të ndëshkuarve. Ky sanksion shlyhet nga evidenca nëse kryesi brenda një viti nga aktgjykimi i plotëfuqishëm i gjykatës nuk kryen vepër të re penale.

Masat e trajtimit të detyrueshëm – Sipas kodit tonë penal dhe sipas kodeve penale të disa shteteve bashkëkohore, ndaj kryerësve të veprave penale që janë tërësisht të papërgjegjshëm, fare nuk mund të shqiptohen dënime dhe as lloje të tjera të sanksioneve penale, por mund të shqiptohen vetëm masa të trajtimit psikiatrik dhe ruajtjes. Me anë të masave të trajtimit psikiatrik të detyrueshëm, të drejtat penale bashkëkohore kanë për qëllim ti realizojnë dy funksione: 1. Së pari të evitojnë rrëzikun që personat e këtillë sërish të kryejnë vepra penale; 2. Së dyti, arritjen e objektivit të humanizmit të së drejtës penale. ndërsa kryesitë e veprave penale me përgjegjshmëri të zvogëluar, konsiderohen penalisht të përgjegjshëm, ndaj tyre shqiptohen dënime, dhe krahas tyre edhe masat e mjekimit të detyrueshëm në ente të mbyllura apo në liri.

Masat e trajtimit të detyrueshëm në të dr. tonë penale – Në Kodin tonë Penal, masat e trajtimit të detyrueshëm nuk janë sanksione penale, por janë masa të posaçme (sui generis) të karakterit mjeksor, të cilat mund tu shqiptohen vetëm kryerësve të veprave penale me paaftësi mendore dhe në varësi nga droga/alkooli. Edhe për këto masa vlen parimi i ligjshmërisë, dmth., gjykata mund ti shqiptojë vetëm ato lloje të trajtimit të detyrueshëm, të cilat shprehimisht janë paraparë me ligj dhe vetëm nëse janë përmbushur kushtet e parapara me dispozitat përkatëse. Kodi penal i Kosovës i parasheh tri lloje të trajtimit të detyrueshëm: 1. Trajtimi i detyrueshëm psikiatrik për kryesin me paaftësi mendore; 2. Për kryesin me aftësi të zvogëluar mendore; dhe 3. Trajtim me anë të rehabilitimit të detyrueshëm i personave të varur nga droga/alkooli.

Trajtimi i detyrueshëm psikiatrik i kryesit me paaftësi mendore – Këtë masë gjykata e shqipton në rastet kur konstaton se veprën penale personi e ka kryer në gjendje tërësisht të papërgjegjshme. Ndaj kësaj kategorie të kryerësve, mjekimi i detyrueshëm është e vetmja masë e cila mund të shqiptohet. Trajtimi i detyruar psikiatrik i kryesit të papërgjegjshëm është masë e natyrës mjekësore, kurative, e cila ka për qëllim trajtimin mjekësor, mjekimin e kryesit dhe evitimin e rrëzikut imanent nga personi i këtillë. Gjykata do ta shqiptojë trajtimin e detyrueshëm psikiatrik nëse plotësohen këto kushte: kur personi kryen vepër që është konstatuar në procedurën penale; kur vepra është kryer nga personi i papërgjegjshëm; kur gjykata sheh rrëzik nëse lirohet kryesi; dhe kur për evitimin e rrëzikut është i nevojshëm mjekimi.

Trajtimi i detyrueshëm psikiatrik i kryesit me aftësi të zvogëluar mendore – Sipas kodit penal, këta persona konsiderohen të fajshëm dhe dënohen. Mirëpo, gjykata do të marrë si rrethanë lehtësuese gjendjen e tyre, me rastin e caktimit të llojit të sanksionit penal ose kohëzgjatjen e masës së trajtimit të detyrueshëm. Mjekimi i detyrueshëm psikiatrik i këtyre personave zbatohet sipas dispozitave të ligjit për shëndetin mental dhe heqjen e lirisë dhe zgjatë derisa të pushojnë shkaqet për të cilat është shqiptuar kjo masë. Nëse gjykata personit me përgjegjësi të zvogëluar ia shqipton dënimin me burgim, i dënuari së pari dërgohet në entin shëndetësor për trajtim, dhe kjo kohë e mjekimit i llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit me burgim, edhe nëse kjo kohë është sa edhe dënimi i shqiptuar me burgim.

Trajtimi me anë të rehabilitimit të detyrueshëm i personave të varur nga droga/alkooli – Me shqiptimin dhe ekzekutimin e kësaj mase të trajtimit, shoqëria mbrohet prej personave të cilët janë prirur që nën ndikimin e drogës/alkoolit të kryejnë vepra penale, por në të njëjtën kohë, këtyre personave me mjekim u jepet ndihmë që të lirohen nga varësia e drogës/alkoolit. Këtë masë gjykata e shqipton nëse plotësohen këto kushte: kur kryesit ti shqiptohet dënimi (me burgim, me gjobë, me kusht), vërejtja e gjykatës apo lirimi nga dënimi; kur kryesi ta këtë kryer veprën penale për shkak të varshmërisë nga droga/alkooli; kur ekziston lidhja kauzale mes veprës penale të kryer dhe varshmërisë së kryesit nga droga/alkooli; dhe nëse ka gjasa për mjekimin e tij të suksesshëm.

  • 2 vota. Mesatarja e 3.50 të 5.