Përgjegjësia penale

Në të drejtën penale, një person konsiderohet penalisht i përgjegjshëm nëse në kohën e kryerjes se veprës penale ka poseduar cilësi të caktuara psikike dhe nëse të ai ka ekzistuar një marrëdhënie e caktuar psikike ndaj veprës të cilën e ka kryer, dmth., ka qenë i përgjegjshëm dhe i fajshëm. Përgjegjësia penale është vetëm element subjektiv apo psikik i veprës penale. Ky është njëherit kuptim i ngushtë i përgjegjësisë penale. Në teorinë e se dr. penale njihet edhe kuptimi i gjerë apo kuptimi objektivo-subjektiv i përgjegjësisë penale. Sipas këtij kuptimi përgjegjësia penale përbëhet prej veprës penale si element objektiv dhe përgjegjësisë dhe fajësisë si elemente subjektive.

Elementet e përgjegjësië penale – Përgjegjësia penale përbëhet nga këto dy elemente: nga përgjegjësia dhe nga fajësia. Një person konsiderohet i përgjegjshëm atëherë kur posedon aso veti psikike që i bëjnë të mundshme të kuptojë rëndësinë e veprës dhe ti kontrollojë sjelljet e veta. Dhe i fajshëm konsiderohet personi atëherë kur ndaj veprës së kryer ka pasur asi qëndrimi apo raporti i cili bën të mundshme që ti ngarkohet vepra, përkatësisht kur veprën e konsideron si të vetën, dmth., kryesi duhet të jetë i përgjegjshëm dhe i fajshëm. Këto dyja janë të lidhura ngushtë në mes veti. Nëse një person nuk është i përgjegjshëm, nuk është i aftë që të kuptojë rëndësinë e veprës dhe ti kontrollojë sjelljet e veta, atëherë nuk mund të konsiderohet i fajshëm. Në anën tjetër një person mund të jetë i përgjegjshëm, por të mos jetë i fajshëm për veprën e kryer. Për përgjegjësinë penale kodi penal nuk përdorë termin fajësia, por përdorë dy format e fajësisë – dashjen dhe pakujdesin. Në kuptimin e përgjegjësië penale nuk mund të futen cilësitë apo vetitë e tjera të kryesit, siç janë psh., jeta e tij e mëparshme, shprehitë e tij personale, rrethanat familjare, etj. Përgjegjësia penale, varësisht prej intensitetit të saj, mund të shkallëzohet. Kjo ka rëndësi të madhe sepse në të dr. penale nga shkalla e përgjegjësisë penale varet jo vetëm lloji dhe lartësia e dënimit, por në disa raste varet a do të mundet kryesi të ndëshkohet, apo edhe të ekzistojë vepra penale.

Përgjegjshmëria

Një person konsiderohet i përgjegjshëm kur është në gjendje psikike që të kuptojë, është i vetëdijshëm për rëndësinë dhe pasojën e veprës që kryen dhe është në gjendje që ti kontrollojë sjelljet e tij. Pra, përgjegjshmëria përbëhet prej dy elementeve: elementit intelektual apo aftësia intelektuale (mendore) dhe elementit volitiv apo të dëshirës-vullnetit. Përgjegjshmëria është bazë, themel i fajësisë, sepse një person nuk mund të konsiderohet i fajshëm po që se nuk është i përgjegjshëm. Sikunder shumë kode penale të shteteve tjera, edhe kodi ynë penal, nuk përcakton nocionin e përgjegjshmërisë, por e përcakton papërgjegjshmërinë, përkatësisht bën fjalë se kur kryesi i veprës penale konsiderohet i papërgjegjshëm. Andaj në procedurën penale administrohen provat se a ka qenë një person i përgjegjshëm apo jo vetëm në rastet kur lind dyshimi i bazuar se kryesi i veprës penale ka qenë i papërgjegjshëm.

Papërgjegjshmëria

Kryesi i veprës penale i cili nuk posedon aftësinë për të kuptuar rëndësinë e veprës penale dhe aftësinë për ti kontrolluar sjelljet e veta, në të dr. penale konsiderohet i papërgjegjshë, përkatësisht me paaftësi mendore. Kodi penal parasheh tri lloje apo grupe të sëmundjeve apo ç’rregullimeve psikike që mund të bëjnë një person të papërgjegjshëm. Sëmundjet mendore mund të jenë të përhershme dhe të përkohshme. Janë lloje të sëmundjeve të sistemit qëndror nervor të intensitetit të tillë të cilat e bëjnë personin plotësisht të papërgjegjshëm. Veshtruar në aspektin anatomik mund të konstatohen ç’rregullime organike në trurin e të sëmurit, veçanarisht në koren e trurit. Ndërsa vështruar në aspektin klinik në lloje të ndryshme të ç’rregullimeve funksionale dhe në disa simptoma të caktuara në jetën shpirtërore. Këto ç’rregullime veçmas manifestohen në lëmin e instinktit, të ndjesisë dhe të afektit, në disponimindhe në temperamentin, në funksionet intelektuale, njohja e personave, të menduarit, etj. Sëmundjet mendore të përhershme apo kronike zgjasin kohë të gjatë, dhe përkundër mjekimit, janë të pashërueshme, psh., epilepsia, paranoja, paraliza progresive, skizofrenia, etj. Sëmundjet mendore të përkohshme apo akute lajmërohen në perioda kohore dhe spontanisht mund të pushojnë, apo mund të neutralizohen, madje edhe të shërohen, siç janë: skizofrenia, paraliza progresive në format e tyre të lehta dhe në fazën fillestare, mirëpo që shërohen. Këto sëmundje mund ti shkaktojnë helmimet e ndryshme me anë të këpurdhave dhe disa sëmundje infektive, helmimet me anë të alkoolit apo drogës, gëzimi apo hidhërimi i tepruar, nervozat dhe reagimet abnormale, etj. Çrregullimi mendor i përkohshëm është lloj i tillë i ç’rregullimeve mendore të përkohshme apo momentale të shumicës së funksioneve psikike, posaçërisht të vetëdijës. Këto ç’rregullime janë të intensitetit të lartë dhe shkaktohen so rezultatë i hipnozës, dehjes me alkool ose me mjete tjera joshëse, helmimet me narkotikë, temperatura të larta, somnabulizmit (jermisë), tronditjes së trurit, sifiksioni (zënia e frymës), etj. Zhvillimi mendor me ngecje apo dementia është gjendje e ngecjes se zhvillimit mendor (psikik), e cila është shkaktuar nga grymosja (atrofia) e sistemit qendror nervor, apo nga kushtet e posaçme sociale në të cilat ka jetuar një person. Idiotë të shkallës së parë janë personat të të cilët shkalla e zhvillimit mendor është e ngjashme me shkallën e zhvillimit të shtazëve. Mbeshteten në instinkte. Të idiotët e shkallës së dytë zhvillimi mendor ngec në shkallën e zhvillimit intelektual të fëmijës gjer në tre vjeç. Personat me shkallë të zhvillimit të fëmijës 6 vjeç, quhen imbecilë. Dhe personat që zhvillimi mendor i tyre nuk e tejkalon shkallën zhvillimit psikik të fëmijës gjer në 14 vjeç, dhe quhen debilë. Zhvillimin mendor me ngecje mund ta shkaktojë edhe izolimi social i fëmijës që nga dita e parë e jetës së tij.

Përgjegjësia esenciale e zvogëluar – Gjendja psikike e njeriut, përkatësisht  sëmundjet mendore, çrregullimet mendore apo ngecja në zhvillimin mendor mund të jenë edhe të intensitetit të tillë, të cilat personin nuk e bëjnë në tërësi të papërgjegjshëm, mirëpo personi I tillë megjithatë, të mos jetë edhe në tërësi i përgjegjshëm, këto janë në fakt raste kur sëmundja mendore, çrregullimi apo ngecja në zhvillimin mendor vetëm në një masë, pjesërisht ua ka privuar personave aftësinë që të kuptojnë rëndësinë e veprës dhe që ti kontrollojnë sjelljet e tyre. kodi ynë penale njeh përgjegjshmërinë e zvogëluar, si gjendje psikike, mendore, midis përgjegjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë. Gjendjen e përgjegjshmërisë esenciale të zvogëluar më së shpeshti e shkaktojnë psikopatitë, alkoolizmi kronik, narkomania, neurozat, etj. Shkaqet tjera mund të jenë seniliteti i të moshuarve, çrregullimet e ndryshme organike, si psh., shtatëzënia, helmimet, etj.

Actiones liberae in causa – Kuptimi dhe qëllimi i kësaj dispozite të kodit penal, që i referohet institucionit actiones libertae in causa është që të bëhet e mundshme të konsiderohen penalisht të përgjegjshëm personat që kanë kryer vepër penale në gjendje të papërgjegjshme, të cilën gjendje ia kanë shkaktuar vetës duke përdorur alkool, drogë ose në ndonjë mënyrë tjetër dhe kështu nuk kanë mundur ta kuptojnë rëndësinë e veprës së vet ose nuk kanë mundur ti kontrollojnë sjelljet e veta, edhe pse para se ta kenë sjell vetën në këtë gjendje, e kanë ditur apo kanë mundur ta dinë se mund të kryejnë vepër penale. Pra, qëllimi i këtij institucioni është që të pengojë keqpërdorimin e parimit se mund të konsiderohet penalisht i përgjegjshëm vetëm personi i cili në kohën e kryerjes se veprës penale ka qenë i përgjegjshëm, përndryshe po të mos ishte ky institucion, nuk do të ishte e mundur të dënohen personat që me vetëdije, me qëllim apo nga pakujdesia e sjellin veten në gjendje të papërgjegjshme dhe kryejnë vepra penale.

Fazat e kryerjes së veprës penale

Fazat e kryerjes së veprës penale janë: 1. Vendimi për të kryer vepër penale; 2. Veprimet përgaditore për të kryer veprën penale; 3. Fillimi i kryerjes së veprës penale, që mund të ngel edhe në tentativë; dhe 4. Kryerja e veprës penale.

  • 1 votë. Mesatarja e 5.00 të 5.