Nocioni dhe karakteristikat e të Drejtës Penale

Punuar nga Ma. Sc.  Dardan Vuniqi e Redona Gaxherri nga libri i Prof. Dr. Ismet SALIHU ; përshtati online Webmaster

Veprat me të cilat cënohen, dëmtohen apo asgjësohen vlerat juridike të njeriut dhe të bashkësisë së caktuar, në të drejtën penale quhen vepra penale apo me një term të përgjithshëm kriminalitet. E drejta penale ushtron mbrojtjen nga kriminaliteti duke përcaktuar me ligj se cilat vepra apo sjellje të rrëzikshme konsiderohen vepra penale dhe cilat lloje të dënimeve apo sanksioneve të tjera penale mund tu shqiptohen kryesve të këtyre veprave. Me termin e dr. penale nënkuptojmë një degë të legjislacionit pozitiv të shtetit të caktuar dhe një degë të shkencave juridike, përkatësisht të shkencës së të dr. penale. Si degë e legjislacionit pozitiv, e dr. penale është sistem i normave ligjore me të cilat përcaktohet se cilat vepra të njerëzve konsiderohen vepra penale dhe çfarë lloj të dënimeve apo sanksioneve penale do tu shqiptohen kryesve të tyre.

Përkufizimi - dr. penale mund të përkufizohet si sistem i normave juridike me të cilat, me qëllim të mbrojtjes të marrëdhënieve shoqërore, parashihen veprat penale dhe sanksionet penale që do tu shqiptohen kryesve të këtyre veprave.

LËNDA E SË DREJTËS PENALE: është vepra penale, kryesi i veprës penale dhe sanksionet penale.

Mjetet – me të cilat e dr. penale ushtron mbrojtjen juridike nga veprat penale janë sanksionet penale. Në rastet kur kryesit e veprave penale janë me paaftësi mendore ose me aftësi të zvogëluar mendore, ose të varur nga droga apo alkooli, në vend të sanksionit penal u shqiptohen masat e trajtimit të detyrueshëm. Kurse nëse kryesit e veprave penale janë të miturit, atëherë u shqiptohen masat e diversitetit. Ndryshe nga e kaluara, sanksionet penale që u shqiptohen kryesve të tyre, kanë gjithnjë e më pak karakter retributiv (hakmarrës).

FUNKSIONI MBROJTËS I SË DR. PENALE: është mbrojtja e shoqërisë nga kriminaliteti, në radhë të parë ti mbrojë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, rendin juridik dhe sigurinë e vendit, marrëdhëniet e caktuara në prodhim dhe marrëdhëniet tjera shoqërore. Gjithashtu, e dr. penale ka për detyrë ti mbrojë edhe të mirat juridike të posaçme, që i përkasin njeriut dhe qytetarit – jeta e njeriut, integriteti trupor, nderi, autoriteti, etj. funksioni mbrojtës i së dr. penale është fragmentar, sepse me ketë degë mbrohen vlerat më të rëndësishme, më elementare të individit dhe bashkësisë. Funksioni mbrojtës i së dr. penale është i karakterit subsidar, ngase shprehet vetëm në rastet kur vlerat tjera nuk mund të mbrohen me mjete apo mënyra tjera.

  • 3 vota. Mesatarja e 4.00 të 5.