Matja e dënimit

Me matje të dënimit nënkuptojmë caktimin e llojit dhe të lartësisë së dënimit kryesit të veprës penale. me rastin e matjes së dënimit duhet medoemos të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese që janë shprehur në momentin e kryerjes së veprës penale, në mënyrë që ti caktohet ai lloj dhe masë e dënimit i cili do ti përgjigjët peshës së veprës së kryer penale dhe rrëzikshmërisë shoqërore të kryesit dhe me të cilën më së miri do të arrihej qëllimi i dënimit. Sipas asaj se cili organe bën matjen e dënimit, njihen tri lloj të dënimit: 1. Matja ligjore; 2. Matja gjyqësore; 3. Matja administrative.

Matja ligjore e dënimit

Bëhet prej organit që nxjerr ligje, me ç’rast ligjdhënësi cakton llojin dhe lartësinë e dënimit me rastin e parashikimit të veprave penale. Matja e dënimit bëhet sipas rëzikshmërisë abstrakte të veprave penale, psh., vrasjes, plagosjes, vjedhjes, etj. Njihen disa lloje të matjes ligjore të dënimit: a) sistemi absolut, b) sistemi arbitrar, dhe c) sistemi relativ. A) Sistemi absolut i caktimit të dënimeve është sistem i atillë sipas të cilit ligji përcakton saktësisht llojin dhe lartësinë e dënimit që do ti shqiptohet kryesit të veprës penale, pa marrë parasysh rrëzikshmërinë konkrete të veprës dhe kryesit. B) Sistemi arbitrar i caktimit të dënimeve ekziston atëherë kur ligjdhënësi nuk e cakton llojin dhe masën e dënimit, por këtë autorizim ia beson gjykatësit që ai sipas bindjes së vetë t’ia caktojë llojin dhe masën e dënimit kryesit të veprës së caktuar penale. sipas këtij sistemi ligji nuk parasheh kurrfarë rregullash për zbutjen e dënimit. C) Sistemi relativ i caktimit të dënimeve ekziston atëherë kur ligji përcakton minimumin dhe maksimumin e dënimit që mund të shqiptohet për veprën. Sipas këtij sistemi, gjykatës i lehet mundësia që brenda kufijve të caktuar me ligj të masë dënimin për çdo rast konkret, duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante objektive e subjektive të veprës penale dhe kryesit të saj. Këtë sistem e kanë përvetësuar gati të gjitha të drejtat penale bashkëkohore, edhe e drejta jonë penale. Sipas këtij sistemi, gjykata  e shqipton dënimi brenda min. dhe max., i cili është caktuar me ligj.

Matja gjyqësore e dënimit

Këtë lloj të matjes së dënimit e bën gjykata kur në procedurën penale konstatohet së kryesi i veprës së caktuar penale është penalisht përgjegjës për veprën e kryer. Përparësia këtu konsiston në atë se bën të mundhshme që me rastin e matjes se dënimit të merren parasysh të gjitha rrethanat konkrete të cilat janë shprehur me rastin e kryerjes së veprës penale dhe të cilat ndikojnë në shkallën e rrëzikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe të kryesit. Këtë matje e njohin të gjitha të dr. penale bashkëkohore, edhe e drejta jonë penale.

Matja administrative e dënimit

Ky sistem i matjes së dënimit zbatohet në disa shtete federale të SHBA-së. Sipas këtij sistemi, dënimin e matin organet kompetente për ekzekutimin e dënimit. Kjo matje e dënimit mund të aplikohet vetëm të dënimi me heqje të lirisë, me ç’rast gjykata e cakton vetëm këtë lloj të dënimit, kurse kohëzgjatjen e dënimit e cakton organi administrativ. Kjo matje arsyetohet me faktin së gjykata nuk ka mundësi të dijë së çfarë sjellje do të këtë kryesi gjatë ekzekutimit të dënimit dhe sa kohë do të nevojitet për riedukimin e tij. ky sistem për të dr. penale bashkëkohore është në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë dhe si i tillë nuk garanton se nuk do të keqpërdorët ndaj të ndëshkuarve.

Ligjshmëria e shqiptimit të dënimit

Parimi i ligjshmërisë në të dr. penale, i cili është formuluar me sintagmën e njohur latine – nullum crimen sine lege, që dmth., se një vepër nuk mund të konsiderohet vepër penale nëse më parë nuk është paraparë me ligj, në kuptimin e tij të tërësishëm vazhdon me sintagmën – nulla poena sine lege, që dmth., nuk mund të shqiptohet dënimi nëse më parë nuk është paraparë me ligj.

Individualizimi i dënimit

Me individualizim të dënimit nënkuptohet përshtatja e dënimit veprës penale dhe kryesit të saj. Qëllimi i individualizimit është që të shqiptohet asi dënimi i cili në mënyrë më efikase do të ndikojë në riedukimin e kryesit të veprës penale. individualizimi i dënimit në të dr. penale bashkëkohore duhet të bëhet duke e respektuar edhe parimin e ligjshmërisë, si lidhur me llojin, ashtu edhe me lartësinë e dënimit.

  • 1 votë. Mesatarja e 2.00 të 5.