Like faqes ☞ Prof Asoc Dr Jordan DACI per Avokat Populli 

Aspekti etiologjik i kriminalitetit të organizuar me narkotikë

Shkruan: Dr.sc. Kadri BICAJ
(ligjerues universitar)

1. Shkaqet dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në  tregtinë e  palejuar të narkotikëve

Prof. Dr. sc. Kadri Bicaj           Etiologjia e kriminalitetit të organizuar me narkotikë, në përgjithësi dhe tregtisë së palejuar të drogës ose pijeve të ndryshme narkotike në veçanti, paraqitet mjaft komplekse.

           Tregtia e palejuar e substancave narkotike manifestohet në radhë të parë kundër të mirave dhe vlerave materiale dhe vlerave kryesore të njerëzimit, siç janë nderi, shëndeti, miqësia, dija etj. Si i tillë, ky lloj kriminaliteti i ka rrënjët e veta, shkaqet e veta, historinë e vet dhe manifeston ndikim të caktuar kriminal në sferat e ndryshme të jetës ekonomike, politike, juridike, morale, kulturore, familjare, etj.                                                  

           Sipas Prof. Dr. Skënder Begejës, "Kriminaliteti në Evropë, që nga viti 1989 deri në ditët e sotme, ka pësuar ndryshime cilësore dhe sasiore nga kriminaliteti tradicional. Këto ndryshime janë shkaktuar nga qarkullimi i lirë i personave dhe nga hapja e kufijve, ku në vendin tonë, gjatë kësaj periudhe, janë shfaqur disa forma të reja të kriminalitetit të organizuar dhe shtrirja e gjerë e saj. Një ndër format e kriminalitetit të organizuar është edhe prodhimi, kultivimi, shitja, nxitja për përdorim, brenda dhe jashtë vendit, e drogës narkotike ose e substancave psikotrope".[1]

           Vështruar nga aspekti etiologjik, kriminaliteti i organizuar me narkotikë në shoqëritë bashkëkohëse, është një dukuri mjaft e ndërlikuar e problem botëror, shkaktuar nga ndikimet e faktorëve të shumtë kriminogjenë, siç janë: krizat ekonomike, varfëria, papunësia, pasurimi i shpejtë, kriza e banimit, emigracioni, prostitucioni, alkoolizmi, narkomania dhe dukuri të tjera socio-patologjike, siç janë familjet e degraduara, familjet deficiente, shfaqjet e luftës, konfliktet politike, eksistenca ende e deformimeve moniste dhe i disa veprimeve tinzare të armikut nga jashtë, i cili nxit disa të rinj në kriminalitetin e organizuar duke ua mundësuar dhe lehtësuar tregtimin e palejuar me mjete narkotike e keqpërdorimin e tyre. Këtu bën pjesë edhe faktori i imigracionit si shkaktar i kriminalitetit të organizuar.

           Kërkimet shkencore dhe njohja e faktorëve kriminogjenë në vete ngërthen para së gjithash hulumtimin e shkaqeve dhe hulumtimin e aspekteve etiologjike të tij.  Të njohurit e aspekteve etiologjike (shkaqeve), shkaktimi i tyre në lidhshmëri me pasojat e përgjithshme është qëllim dhe parakusht për kontrollimin dhe përhapjen e kriminalitetit të organizuar me narkotikë. Kështu, studimi i kriminalitetit të organizuar në fushën e  narkotikëve, sidomos të tregtisë së palejuar të tyre, prodhimi, kultivimi, shitja, nxitja për përdorim, brenda dhe jashtë vendit e drogës narkotike ose e substancave psikotrope, qoftë si dukuri me përmasa të rrezikshme kriminale dhe lidhja e tyre me kriminalitetin në përgjithësi, është çështje thelbësore me karakter etiologjik.

           Sipas kësaj, tregtia e palejuar e lëndëve narkotike mund të kuptohen drejt nëse trajtohen si shprehje e veprimit të kushteve të përgjithshme që e karakterizojnë shoqërinë në tërësi.

           Sido që të jenë të hulumtuara dhe të mësuara, shkaqet dhe kushtet e veçanta dhe të drejtpërdrejta të kësaj forme kriminale, do të ishte e gabuar të mendohet se me ndihmën e disa shkaqeve mund të shpjegohet kriminaliteti i organizuar në tërësi ,dhe tregtia e jashtëligjshme e drogave, narkotikëve ose e substancave psikotrope, në veçanti.[2]

           Duke studiuar këtë fenomen, nga aspekti kriminologjik si dhe faktorët kriminogjenë, u afrohemi shkaqeve të tërthorta të sjelljeve kriminale. Tregtia e palejuar e drogave ose e substancave të ndryshme narkotike, është rezultat i shumë faktorëve. Është vështirë të thuhet se vetëm një faktor mund të shkaktojë paraqitjen e kësaj dukurie në kohëra, në mjedise dhe në kushte të ndryshme dhe te personat e ndryshëm. Kriminaliteti i organizuar  i narkotikëve  paraqet dukuri negative shoqërore me pasoja të rënda për shoqërinë. Në paraqitjen e kësaj dukurie ndikojnë shumë faktorë, si të natyrës objektive (të jashtëm) ashtu edhe të natyrës subjektive (të brendshëm) që do të bëhet fjalë më vonë në këtë punim, por gjithmonë duhet të kemi parasysh varësinë e tyre dhe marrëdhëniet e ndërsjella të faktorëve kryesorë. Disa nga faktorët kryesorë janë:

           a) Teoritë e faktorit

           Teoria e faktorit paraqet këndvështrimin lidhur me faktorët kriminogjenë dhe thekson se në shfaqjen  e kriminalitetit ndikojnë rrethana të ndryshme. Dy janë shpjegimet kryesore të saj. Në versionin e parë, teori e quajtur teoria e një faktori të vetëm (monofaktor) sipas së cilës kriminalitetin në shoqëri e shkakton një faktor kryesor kriminogjen. Teoria tjetër e faktorit është teoria pluraliste, ose teoria e multifaktorëve, e cila thekson se në paraqitjen e kriminalitetit ndikojnë shumë faktorë dhe shkaqet e kriminalitetit i gjen nën ndikimin e shumë rrethanave shoqërore, ekonomike, familjare etj. Meqë, neve na interesojnë më tepër faktorët ndikues në kriminalitetin e organizuar me narkotikë, më tepër do të përqendrohemi në ata faktorë.

           Që prej  ekzistencës së  njeriut, me të gjitha atributet që njeriun e bën njeri, si individ me psikë, intelektin dhe emocionet e veta, në të kanë ndikuar shumë faktorë,dëshira, synime për një jetë  më të lumtur, më të mirë dhe të pasur. Këto synime të njeriut shpesh janë arritur me punë të mundimshme, në kushte dhe rrethana të vështira të jetës. Njeriu gjithmonë është përpjekur që jetën e vet ta bëjë më të lumtur, për të jetuar sa më lehtë e më mirë. Kështu nga kurreshtja, duke e studiuar natyrën dhe botën, ai vuri kontakte edhe me kriminaltetin i cili shprehet në forma të ndryshme, pavarësisht prej faktorëve të ndryshëm dhe shkaqeve të brendshme dhe të jashtme që ndikojnë te njeriu. Kështu p.sh. O.FENIHEL, thotë: "Shfaqja dhe dukuria e toksimanisë dhe e kriminalitetit të organizuar me narkotikë, nuk janë të determinuara me ndikimin kimik të narkotikëve, por me strukturën psikike të pacientit. Deri te kjo dukuri kanë ndikuar shumë faktorë, ku thotë po ashtu se me marrjen e substancave narkotike nuk ndikon vetëm një faktor".[3]

           Si qenie shoqërore njeriu i qëndron ndikimit të rrethit shoqëror dhe reagon në situata të caktuara dhe në rrethana të tjera në shoqëri. Shumë autorë, të cilët e studiojnë kriminalitetin në përgjithësi, konsiderojnë se kriminaliteti është pasojë e shkaqeve të shumta, si për shembull nëpër disa vende kultivohet shumë bima e narkotikut si burim jete dhe të mirash ekonomike. Për rrjedhojë ato merren me prodhimin, kultivimin dhe shitjen e në disa raste edhe tregtinë e palejuar me narkotikë.

           b) Teoria funksionaliste

           Sipas kësaj teorie, shoqëria e caktuar dhe funksionimi i saj paraqet një "bashkim të pandarë" funksional të shoqërisë. Këto lidhje nëse funksionojnë normal e në mënyrë harmonike, atëherë në shoqëri nuk do të ketë sjellje devijante e kriminale, dezorganizim, çrregullime e shkëputje, ndërsa në të kundërtë, nëse një segment nuk funksionon si duhet, do të ketë kundërthënie dhe shfaqet kriminaliteti në forma të ndryshme vetëm e vetëm për të ekzistuar disi, e ajo disi është kriminaliteti i shprehur në format më të rrezikshme, siç është edhe kriminaliteti i organizuar i narkotikëve.

           Pikëpamjet e kësaj teorie kanë ndikim të madh në shpjegimin e shkaqeve të kriminalitetit në shoqëritë bashkëkohëse dhe të kriminologjisë së sotme e sidomos në atë amerikane, ku rol me rëndësi luan funksionimi normal i institucioneve dhe themeleve shoqërore me një veprimtari mbështetur në ligj.[4]         

           c) Teoria e kauzalitetit në pikëpamjet e determinimit shkencor

           Kriminaliteti i organizuar me narkotikë, marrë etiologjikisht, është një dukuri mjaft e ndërlikuar, e cila nuk lejohet të përqendrohet në pohime dhe nga shkaqet e brendshme të thjeshta. Kriminaliteti i organizuar i narkotikëve si dhe tregtia e palejuar me narkotikë, është shumë ngushtë i lidhur me ndikimin e faktorëve, lidhjeve, marrëdhënieve të ndryshme dhe vetive personale, të gërshetuara me kombinime të shumëllojshme dhe të shprehura si proces dinamik.

           Çdo shkencë, pra edhe kriminologjia, është e detyruar të studiojë shkaqet e dukurive minimale, të shpjegojë burimet nga të cilat lindin ato,si dhe caktimi i lidhjes kauzale të kriminalitetit të organizuar me narkotikë me shkaqet e tij. Ndriçimi shkencor i këtij kriminaliteti së pari shkon kah zbulimi etiologjik të shkakut të tij, d.m.th. lidhjeve kauzale se si buroi ky lloj kriminaliteti, nga cilat rrethana, shkaqe dhe forma të tjera te kriminalitetit në përgjithësi, cilët janë shkakëtarët e drejtpërdrejtë të aktivitetit kriminal .

           Shkaqet e brendshme dhe të drejtpërdrejta të sjelljeve kriminale janë të shumta te kriminaliteti i organizuar me mjete narkotike. Ato mund të ndahen në shkaqe me karakter të përgjithshëm d.m.th. që kanë të bëjnë me pjesën më të madhe të veprave penale, dhe në shkaqet që vlejnë vetëm për disa kategori si p.sh. te narkomanët të cilët për të siguruar pijet narkotike për dozën ditore duhet të sigurojë para për ta blerë atë, e fare mirë dihet se në çfarë formash dhe mënyrash i siguron ato mjete, duke kryer vepra penale prej më të voglave gjer te veprat penale më të rënda.

           Faktorët që shpesh ndikojnë në mënyrë të drejtë, në shkaktimin e aktivitetit të inkriminuar që ngarkohen me faj janë: kriza ekonomike dhe shtrenjtimi i jetës në përgjithësi, varfërimi dhe mjerimi, pasurimi, kriza e banimit, prostitucioni, alkoolizmi dhe dukuri të tjera sociopatologjike, familja e degraduar, shfaqja e luftës dhe kushteve të saja, konfliktet politike, kulturore etj., deformimet moniste dhe pluraliste, mënyra parazite e jetës dhe ndikimet e tjera të ngjashme si pikënisje dhe zanafillë e kriminalitetit të organizuar në fushën e  narkotikëve.

 

2. Faktorët e jashtëm kryesorë që ndikojnë në paraqitjen  e kriminalitetit të organizuar në fushën e narkotikëve

           Në literaturën kriminologjike, një vëmendje e veçantë i kushtohet faktorëve të jashtëm të krimit. Nga kërkimet empirike kriminologjike e sidomos duke marrë paraysh rezultatet e shënimeve dhe të të dhënave statistikore mbi kriminalitetin në përgjithësi, në shumë vende vërehet se disa faktorë objektivë përgjithësisht të jashtëm kanë një ndikim më të madh se sa faktorët e tjerë.[5] Sipas disa teoricietntëve, faktorë me ndikim të dukshëm në paraqitjen e sjelljeve kriminale dhe të kriminalitetit në përgjithësi me format e saj, trajtohen grupi i faktorëve ekonomiko-shoqërorë, faktorët ideopolitikë, faktorët mikrogruporë dhe faktorët sociopatologjikë dhe faktorë të tjerë.

           Sipas teorive bashkëkohëse, lidhur me ndikimin e faktorëve objektivë, ekonomikë e shoqërorë ka pikëpamje të ndryshme kur flasim për kriminalitetin e organizuar me pije narkotike ose tregtinë e palejuar me narkotikë.

           Në këtë drejtim theksohen arritjet e mëdha në zhvillimin e hovshëm të industrisë, në telekomunikacion, zhvillimi i elektronikës, ai hekurudhor dhe rrugor dhe një varg transformimesh më kompjuterike kanë ndikuar edhe në proceset e formimit të njeriut dhe personalitetit të tij. Mirëpo, nga ana tjetër, miliona njerëz vuajnë nga uria, skamja, papunësia, sëmundjet e ndryshme dhe lufërat, të cilat me të madhe po ndikojnë në zhvillimin e kriminalitetit në të gjitha format, ndërsa në të kundërtën shoqëritë me një standard të zhvilluar jetësor, shumëpak po ndajnë mjete për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit në përgjithësi. Disa vende botërore të pasura bëjnë gara për dominim ekonomik dhe teknologjik, e në anën tjetër shumë shtete janë në mjerim, skamje, varfëri, egzodim masiv dhe që kanë një natalitet të shtuar, por edhe me një vdekshmëri masive të popullsisë nga uria.

           Për këtë arsye këta faktorë të ndryshëm ushtrojnë ndikim të madh në paraqitjen e sjelljeve kriminale.

 

        3. Kriza ekonomike konsiderohet si shkaktar i kriminalitetit të organizuar në fushën e narkotikëve

           Gjatë krizave ekonomike shfaqen rënie të ndryshme ekonomike dhe aktivitete kriminale të ndryshme, ku shfaqet mungesa e të mirave materiale dhe ngritja e çmimeve që kalon caqet e mundësive të blerjes nga masat e gjera të popullsisë së shtresave të ulëta. Këto dukuri formojnë grupe njerëzish në kushte të tilla të pasigurisë me plot rreziqe e pasiguri. Në gjendje të tillë shfaqen apatia, dëshpërimi, kriza personale, protestat dhe konfliktet me sjellje asociale dhe konfliktuoze, të përshtatshme për çfarëdo lloj kriminaliteti për sprovime delekuente.  Pra, faktorët objektivë dhe subjektivë kushtëzojnë shfaqjen e aktivitetit kriminal dhe kështu ai shtohet në përmasa të mëdha nga kriza ekonomike të çfarëdo lloji qofshin ato.

           Sipas autorit MAZGERIT, në kohërat e krizave ekonomike është vërtetuar së në Rusi është zhvilluar kriminaliteti në forma të ndryshme si: hajnitë, shpërdorimet, mashtrimet, fshehjet, falsifikimet e dokumenteve, e pjesërisht edhe bixhozi e shumë depresione të tjera ekonomike.[6]

           Edhe sot në Rusi ekziston kriza e madhe ekonomike, papunësia, pagat e vogla si pasojë e shumë faktorëve ekonomikë, prandaj në kohërat e fundit në këtë vend po lulëzon kriminaliteti i organizuar me mjete narkotike por edhe tregtia me uranium. Në futjen e këtij lloji malli, ka ndodhur edhe kriza ekonomike, mosfunksionimi i aparatit shtetëror në disa segmente dhe lënia pas dore e përmirësimit të kushteve ekonomike, e parandalimit të tregtisë së palejuar me mjete narkotike nga boset e ndryshme të Rusisë.

           3.1. Varfëria dhe kriminaliteti i organizuar i narkotikëve

           Nga lakmia për të arritur fitime të mëdha dhe pasuruar shumë persona përfshihen në tregtinë ilegale të narkotikëve. Kjo lloj tregtie motivon edhe persona të tjerë që merren me veprimtari kriminale. Nga ky veprim nuk janë të kursyer shumë bujq që në ngastrat e veta tokësore t’i kultivojnë me shumicë bimën canabis sativa dhe këtë bimë narkotike gjysmë të fabrikuar e shesin në tregjet ilegale, meqë kjo veprimtari paguhet më shumë se sa mbjellja e atyre tokave me kultura të tjera bimore. Edhe pse në kohën e sotme vërehet se bujqit motivohen me programe të reja agrare që tokat e tyre t'i mbjellin me grurë, misër, oriz ose me ndonjë kulturë tjetër dhe me punën e tyre të jenë të pavarur dhe të ekzistojnë më mirë e më qetë me tërë familjet e veta, në shumë vende mbjellja e kanabisit vazhdon të jetë problem shqetësues.

           Kjo veprimtari është e pranueshme edhe në Shqipëri e në veçanti në jug, ku shumë fshatarë në parcelat e tyre kultivojnë bimën canabis sativa, të një cilësie shumë të lartë, e cila më pas tregtohet nga grupet e ndryshme kriminale në Greqi e Itali e më tej. Për këtë veprimtari tani ekzistojnë organizata dhe grupe profesionale që merren me tregtimin e narkotikëve duke shfrytëzuar me të madhe faktorin varfëri në vendet ku kultivohet kjo bimë.

           Nga kjo vërehet se rrethanat e vështira materiale, varfëria dhe mjerimi përbëjnë një prej faktorëve kriminogjenë të rrezikshëm, të cilët përfshijnë shumë persona në rrugën e devijimeve negative dhe veçanërisht nxisin përfshirjen e tyre në krime në fushën e narkotikëve.

           Varfëria merret si një prej burimeve kryesore të kriminalitetit ndaj pasurisë duke shkaktuar drojë, demoralizim dhe dështim të tyre duke goditur në radhë të parë shumë familje të cilat për këtë shkak bëhen të shqetësuara, të brengosura, jostabile dhe të paafta për një jetë normale. Nga këto familje dalin persona me sjellje devijante, por disa familje edhe pse janë të varfëra e ruajnë dinjitetin e tyre dhe integritetin personal duke mos rënë në kurthe devijante nga varfëria.[7]

           Ndikimi i faktorit të përmendur shprehet qartë në kuadrin e grupeve shoqërore dhe të shtresave, që varfëria dhe mjerimi i kanë sjellë në status të ulët shoqëror. Në shtresat e ulëta shoqërore shfaqen shumë dukuri që veprojnë në forma kriminale, siç është edhe tregtia e palejuar e pijeve ose substancave të ndryshme narkotike.

 3.2.      Papunësia dhe kushtet e vështira të banimit si shkaktar i kriminalitetit të organizuar të substancave narkotike

           Hulumtimet vërtetojnë se papunësia, kushtet e banimit në banesa ku mungon higjiena, sëmundjet e ndryshme kanë bashkëlidhje me kriminalitet dhe bëhen "çerdhe të krimeve", në të cilat shumë persona u nënshtrohen ndikimeve degraduese dhe detyrohen që me hajni, prostitucion, mashtrime e tregti me drogë të kërkojnë burimet e ekzstencës. Duhet të kihet parasysh se këto veprime kriminale mund t'i hasim edhe në vendet e pasura bashkëkohore me një zhvillim të lartë ekonomik dhe me një numër të madh banorësh të punësuar. Personat e papunë nuk cilësohen me karakter të fortë e me veti të tjera pozitive, një pjesë e tyre janë "paraardhës të krimit". Për këtë në popull thuhet se  "papunësia është nëna e të gjitha të këqijave".[8]

           Çdo shtet që përballohet me këtë dukuri ka dhe do të ketë fluktuacion me lëkundje të mëdha në kriminalitetin e organizuar të shfaqur në forma të ndryshme. Për këtë flet fakti se në mesin e delikuentëve të ndryshëm gjendet një numër i madh me shprehi të këqija siç është marrja e pijeve, të drogave ose pijeve të ndryshme narkotike, të cilët janë të papunë dhe  preokupohen  vetëm të sigurojnë drogë për dozën ditore.

3.3. Faktorët ideopolitikë dhe subjektivë të sjelljes kriminale si shkaktar i kriminalitetit të organizuar me mjete narkotike

           Në faktorët ideopolitikë bëjnë pjesë lufta, konfliktet kulturore dhe dallimet sociale, arsimimi, mosarsimimi dhe ndikimi i literaturës joadekuate, sidomos shtypi dhe filmi.

3.3.1. Luftërat 

           Lufta dhe rrethanat e luftës kushtëzojnë shtimin e kriminalitetit në përgjithësi dhe të kriminalitetit lidhur me keqpërdorimin dhe tregtinë e palejuar të lëndëve narkotike, të konsumimit të tyre. Kjo dukuri vihet re si në prag të luftës, ashtu edhe pas luftës. Kjo dukuri kushtëzon aktivitetet kriminale në tregtinë ilegale dhe të jashtëligjshme me mjete narkotike ose drogave.

           Qenia njerëzore dhe marrëdhëniet njerëzore sot në botën bashkëkohore janë vënë në turbullira të pafundshme, ndërsa ngjarjet kalojnë kufijtë e njohjes së vetvetes. Pushtimi i kosmosit, lajmërimi i sëmundjes së AIDS-it dhe të narkomanisë si sëmundje e këtij shekulli, dhe intimiteti i dhunshëm i njerëzimit, i cili jeton në kulturat konfliktuale, kërkojnë botëkuptime të reja, vizion të ri të njeriut ndaj njeriut dhe të atij ndaj shoqërisë.[9]

           Në ambientin e ri sociokulturor ata janë pa lidhje farefisnore dhe miqësore. Përvojat që i kanë sjellë nga rrethi tjetër nuk kanë vlerën e rrethit të ri shoqëror, kështu që vijnë në situatë kur duhet të fitojnë para për të ekzistuar. Ata hasin në vështirësi në komunikim dhe nga e gjithë kjo bien në kthetrat e grupeve kriminale të cilët i përpunojnë në çdo detaj personalitetetet e tilla duke u bërë shantazhe dhe gjëra të tjera shumë të këqija vetëm që të kyçen në jetën e tyre të përditshme. Dihet, që një pjesë e të rinjve në këto vende jetojnë vetëm me veprime të pamira kriminale e biznes të palejuar me mjete narkotike nga shumë faktorë ndikues dhe të këqija që do ta gjejnë në jetën e ardhshme që nga personi, deri në atë çast me veti të mira, më pastaj bëhet person me sjellje të llojllojshme kriminale.

3.3.2.   Arsimimi

           Me rritjen e arsimimit dhe të shkallës së civilizimit e të qytetërimit, kriminaliteti në forma të ndryshme zvogëlohet. Kjo ide dominon në literaturën e (E.Ferri, Fergusonit, Mannheimit, Gibbsit, Glueckit etj.). Fergusoni, shkon aq larg sa mendon se shkalla e ulët e përgatitjes shkollore përbën "faktorin më të fuqishëm të sjelljes delikuente që e përbën shkalla e ulët e përgatitjes shkollore".[10] Autorë të tjerë nuk i japin arsimimit të lartë rëndësi antikriminale, por, përkundrazi, mendojnë, se arsimimi i lartë mund të jetë faktor i kriminalitetit me veprimtari antiligjore në forma të ndryshme.[11]

           Sipas disa autorëve arsimimi e pajis personin me njohuri dhe dije të nevojshme për të zhvilluar format e ndryshme të kriminalitetit e ndër to edhe kriminalitetin e organizuar në fushën e narkotikëve. Për këtë arsye, këta autorë mendojnë se shkolla, përgjithësisht arsimimi ndikon fuqishëm në sjelljet delikuente. Rrymat optimiste mendojnë se shkalla e arsimimit dhe përgatitjes shkollore ka rëndësi themelore madje të dorës së parë në luftë kundër kriminalitetit, pasi arsimimi sensibilizon njeriun se çka janë p.sh. narkotikët, ç’është narkomania me pasojat e saj dhe kush është shkaktar i këtyre dukurive dhe të kriminalitetit në përgjithësi me format e saj.[12]

           Pavarësisht ato që u thanë më lart, është një e vërtetë e pamohueshme, se të dhënat e ndryshme të statistikave gjyqësore të shumë vendeve tregojnë se pjesëmarrja e personave të paarsimuar ose me shkallë të ulët të arsimit është e madhe në kryerjen e sjelljeve kriminale në shumë vende të botës. Ky konstatim në veçanti ka të bëjë me kryerjen e disa veprimeve kriminale shumë të rrezikshme si p.sh. veprat penale kundër jetës dhe shëndetit, kundër pronës, sjelljet dhe krimet e dhunës dhe të kriminalitetit të organizuara dhe profesionale në forma të ndryshme e një ndër to është edhe prodhimi, përzirja, shpërndarja, mbajtja, ofrimi për shitje, shpërndarja në çdo mënyrë, transportimi i çdo lloj droge narkotike ose substance psikotrope.

           Këtë konstatim e vërtetojnë edhe hulumtimet dhe kërkimet empirike që janë kryer në vendet prodhuese të mjeteve narkotike apo drogave dehëse. Kësisoj theksohet se, edhe në trevën e Kosovës, numrin më të madh të veprave penale e kryejnë personat me arsimim të ulët dhe analfabetë dhe në anën tjetër janë të rrallë personat me arsimim të lartë që kryejnë vepra penale dhe në përgjithësi të prirur për kriminalitet.[13]

           Në botën bashkëkohore, në kryerjen e kriminalitetit të organizuar në fushën e narkotikëve ose drogave dehëse, po rritet pjesëmarrja e bosave të rrezikshëm në kryerjen e këtij kriminaliteti nga personat me arsimim të lartë, persona të cilët kanë njohuri dhe përgatitje të gjithanshme ekonomike, në rrjetin e telekomunikacionit të personave që njohin mirë teorinë e komunikacionit rrugor dhe të transportit, lundrimin ajror për lëvizjen e mjeteve fluturuese dhe në veçanti përcjellin njohuritë e ndryshme politike dhe sistemet e komplikuara teknike teknologjike.

           Veçmas ata përcjellin lëvizjet në ekonomi, në banka dhe në institucionet financiare dhe tregtare ku shumë lehtë kyçen në kryerjen e transaksioneve të ndryshme financiare dhe kriminale që kanë lidhje me trafikimin e drogave  dhe me lehtësi arrijnë që t'i ikin kapjes nga policia ose thirrjeve për gjykim, për veprime të tilla.

           Nga thëniet e cekura më lart del se nuk mund të flitet në mënyrë të përgjithësuar që arsimimi pengon ose nxit kriminalitetin. Ky faktor nuk duhet përgjithësuar dhe abstrakuar se arsimimi pengon ose nxit kriminalitetin, por, ai duhet shikuar si një aspekt që ndikon në format e veçanta të krimit.  Nëse mbështetemi në praktikën gjyqësore, del se në të vërtet në veprimet e ndryshme kriminale më të prirë janë personat e paarsimuar, mirëpo ekziston në të shumtën e rasteve edhe e kundërta e kësaj  që u tha më lart.

           Në format tipike të kriminalitetit kanë ndikim edhe literatura joadekuate, shtypi, filmi dhe televizioni, (si mjete komunikimi masiv) dhe literaturat e tjera kriminologjike që janë në gjendje që për një  kohë të shkurtër të orientojnë me bindje të ndryshme masën e gjerë të një vendi. Për ndikimin e literaturës joadekuate, shtypit e filmit si shkaktarë të kriminalitetit të organizuar me narkotikë është thënë mjaft shumë në literaturën kriminologjike dhe sociologjike. Shumë autorë qëndrojnë pranë thënieve të tyre duke e mbrojtur mendimin se literaturat joadekuate, shtypi dhe filmi mund të shkaktojnë në disa rrethana disa veti negative të personalitetit të njeriut për disa forma kriminale që kanë lidhje me sjelljet delikuente te të rinjtë.

           Në Kongresin e Kombeve të Bashkuara për parandalimin e kriminalitetit dhe trajtimin e të dënuarve në Londër, më 1960, u pranua qëndrimi se filmat, stripet, lajmet senzacionale për krimet, literatura joadekuate, televizioni dhe emisionet në radio mund të jenë faktorë kriminogjenë, edhe pse ka autorë (Loper - Rey) të cilët janë të matur në këto konkludime. Mund të thuhet se në literaturë ekziston bindja e arsyeshme se bota e të miturve u nënshtrohet më së shumti ndikimeve të tilla, mbasi që ajo i shfrytëzon më së shumti në kohën e lirë mjetet e komunikimit masiv për dëfrim, për çka shërben radioja, televizioni dhe filmi. Të rinjtë me ëndje i përcjellin dhe i shikojnë filmat që trajtojnë skena të ndryshme kriminale, histori e biografi të bosëve kriminelë, pastaj edhe tek ata lindin disa ide të  çuditshme me motive negative.[14]

           Hulumtuesi amerikan i delikuencës së të miturve, Thracheri ka konstatuar se emrat e shumë grupeve kriminale dhe idetë për sjellje vandaliste dhe sjellje të ngjashme destruktive dhe kriminale janë marrë nga stripet e ndryshme duke menduar se ato kanë ndikim të madh në shfaqjen e delikuencës së të rinjve dhe për këtë shkak duhet anuluar shumë prej tyre, madje edhe emetimin e disa filmave në televizion e tjera. Raportet shqetësuese mbi mbytjet, kriminalitetin e organizuar në forma të ndryshme, mund të aktivizojnë prirje të fituara për të kryer vepra të ndryshme penale. Sipas L. Broënit, artikujt  e gazetave mund të nxisin në disa veprime negative ata persona të cilët janë të prirur kah sjelljet kriminale, në veçanti ata persona që nuk çojnë jetë normale psikike.[15]

           Këta faktorë ideopolitikë, shikuar nga pikëpamjet e ndryshme te personat e ndryshëm, zhvillojnë ndikim nga përmbajtjet e tilla të artikujve të mjeteve të informimit, filmave radios etj. Megjithatë, s'është e thënë që të kenë gjithmonë si rrjedhim sjelljen delikuente. Kjo varet nga karakteri i personit që bie në kontakt me literaturën, shtypin apo ndonjë film, p.sh., një film që trajton shfaqjet kriminele mund t'i shërbejë një personi si përvojë për aksione preventive, ndërsa tjetrit si inspirim për veprimet e veta kriminale, çka ngjet më së shumti te ata persona që tregojnë dhe shfaqin karakteristikat e personave të paadaptuar në rrethin shoqëror dhe përherë janë të pasigurt dhe jostabilë, të cilët nuk pranojnë dhe respektojnë vlerat shoqërore.

           Lidhur me këtë, personaliteti është faktor mjaft i rëndësishëm në këtë proces, prandaj, duke pasur parasysh rrethanat e përmendura, mendojmë se ky ndikim i literaturës joadekuate, shtypit dhe filmit, nuk mund të këtë karakter të shkaktarit direkt të sjelljeve kriminale përherë.[16]

           Theksi lidhur me këtë bie në personat të cilët janë të prirur përherë për të kryer vepra penale e të cilët edhe iu janë bërë shprehi në jetë si p.sh. te narkomanët, të cilët edhe tregtojnë me mjete narkotike, por edhe i konsumojnë ato.

3.4.      Faktorët mikrogruporë që ndikojnë në kriminalitet të organizuar me narkotikë

           Faktorë mikrogruporë që ndikojnë në sjellje të ndryshme kriminale dhe në dukuri të tjera të ndryshme të patologjisë sociale janë: familja, shkolla, lagjja, rruga, aventurizmat dhe dukuritë e ngjashme të patologjisë shoqërore familjare.

 

3.4.1.Kontraditat familjare si shkaktar të kriminalitetit

           Faktorët mikrogruporë janë më të rëndësishëm në shfaqjen e veprimeve kriminale te ato familje ku ekzistojnë kontradita dhe kundërshtime në jetën e përditshme. Konfliktet në familje, familjet e painteresuara, familjet pa emocione të ngrohëta prindërore, devijimet e ndryshme psikike, familjet e ndara, mungesa e harmonive, janë shkaktarë të shumtë që pasardhësit e tyre i shpien në sjellje devijante asociale e kriminale.

           Ky faktor permanent më shpesh lidhet me kontraditat dhe mosmarrëveshjet e ndryshme familjare në mes bashkëshortëve që më pas ndikojnë në zhvillimin e mëvonshëm të fëmijëve të tyre në drejtim pozitiv ose negativ. Konsiderohet se mjedisi familjar është faktor i rendësishëm për zhvillimin e personalitetit dhe kur ky mjedis ofron modele jo pozitive, fëmijët kanë tendeca për sjellje devijante. Kështu M. Elioti, shkencëtare e shquar amerikane e kriminologjisë dhe sociologjisë familjare, i kushton rëndësi ndikimit të rrethanave direkte në shtëpinë e prindërve dhe të personalitetit të fëmijëve dhe të rinjve me sjellje delikuente, ku situata kontradiktore dhe konfliktuoze në rrethin familjar fillon nga gjendjet dhe shkaqet e konflikteve të lehta e deri te rrahjet e përditshme konstante me dëmtime të herëpashershme trupore si formë më e rëndë.[17]

           Nga kjo del se rrethi familjar me kontraditat e tij është një institucion tepër i rëndësishëm për personalitetin që përfaqëson formë të veçantë dhe specifikë të marrëdhënieve shoqërore, të cilat mbështeten në bazat e zhhvillimit të mëtejshëm dhe ekzistencës së shoqërisë njerëzore me sjellje qofshin ato pozitive apo negative.

           Pra, nga sa u tha më lart mund të konstatojmë se familja me forma të ndryshme të saj luan rolin vendimtar në edukimin e fëmijëve me dashurinë prindërore të saj si forcë, e cila formon te fëmijët ndjenjën e sigurisë dhe të mbrojtjes me atmosferë të qetë dhe të gëzuar me zhvillimin e formave të ndryshme pozitive në punë dhe jetën kulturore, shoqërore e tjera me kultivimin e ndjenjave me përgjegjësi.                                                       

           Me fjalë të tjera shumë faktorë ndikojnë në atmosferën familjare duke lënë gjurmë në karakteristikat morale dhe psikologjike të personalitetit me konflikte dhe kontradita.

           Është e ditur se familja bashkëkohore luan rol kryesor për edukimin dhe përgatitjen për jetë të fëmijëve të tyre, duke filluar nga fëmijëria e hershme e tyre. Fëmijët në familje fitojnë tërësitë e njohurive, shprehitë e aftësive në jetë e në punë gjatë ndërveprimit të tyre me botën e jashtme, ku ata gjatë rritjes bëhen burim i dijeve të mëvonshme në fushëbëtejat e para jetësore.[18]

           Familja, përveç ndikimeve pozitive, mund të ndikojë  negativisht në procesin e formimit të anëtarëve të rinj - fëmijëve. Ka raste që disa familje nuk realizojnë ndikim pozitiv në edukimin e tyre. Familja me edukatë të shëndoshë e shpie kah sjelljet e njerëzishme, në të kundërtën fëmijët pa edukatë priren për sjellje të vrazhdëta kriminale. Fëmijët e familjeve të tilla shumë shpejt bien në sjelljet asociale dhe në kriminalitetin e organizuar me lëndë narkotike. Në familjet pa harmoni familjare, tronditjet e ndryshme kriminale janë të pashmangshme si diçka e rëndë dhe e papritur.

           Prandaj, ndaj fëmijëve përherë duhet të kemi kujdes dhe mbikëqyrje të shtuar dhe të duhur në kohë dhe hapësirë duke vëzhguar me kujdes lëvizjet, veprimet e sjelljet e tyre, të kalojnë kohën e lirë duke kryer detyrat e parashtruara nga familja, të zbatojnë detyrat dhe porositë prindërore, të mos i shkelin rregullat e udhëzimet, të mos kryejnë dëme e veprime e të tjera të ndaluara antishoqërore dhe të mos pësojnë ndonjë të keqe. Këto obligime i përkasin familjes duke luajtur rolin e saj të shenjtë në edukimin e fëmijëve bashkërisht me institucionet e ndryshme arsimore. Atje ku realizohet ndikimi edukativ i prindërve (familjes), nuk do të ketë terrene të përshtatëshme për ndikimet e huaja të cilat mund të jenë të dëmshme dhe negative. Mosmungesa e disiplinës në familje, te fëmijët e tyre paraqet rol shumë të rëndësishëm dhe faktorin e sjelljeve pozitive dhe nuk mund të participohet asnjë lloj kriminaliteti.

 3.4.2.   Familjet e degraduara dhe ato deficiente - të mangëta, shkaktare të formave tipike të kriminalitetit

           Në studime të ndryshme kriminalogjike, sociologjike, një vend të veçantë zë studimi i familjeve të degraduara ose deficente. Sipas tyre, kushtet bashkëkohëse të jetës në botë sjellin dobësimin e kohezionit brenda familjes. Kështu, zënkat familjare dhe shkurorëzimet janë në rritje e sipër dhe në këtë mënyrë shtohet numri i të ashtuquajturave "familje të degraduara dhe deficiente", "familje të ndara", që bën të pamundur që në ato familje të bëhet adaptimi social i fëmijëve.

           Konfliktet familjare dhe shkurorëzimet janë ndër faktorët mikrogruporë sociopatologjikë që ndikojnë në shkatërrimin e familjes. Në raste të tilla në radhë të parë e pësojnë fëmijët të cilët mbeten pa edukatë dhe më vonë manifestojnë forma të rënda sjelljesh kriminale e veprimtarish, që janë tipike të kriminalitetit në përgjithësi. Në raste kur mungon harmonia familjare, rrugëdalja kërkohet në forma të gabueshme. Bie fjala, në qytetet e mëdha të disa shteteve, familjet e degraduara dhe deficiente - të mangëta, me konflikte të shumta, kanë pjesëtarë të tyre të përfshirë në forma të ndryshme tipike të kriminalitetit me substanca narkotike, prostitucion, homoseksualitet ose në sjellje të tjera devijante.Theksohet se për zhvillimin e personalitetit, që personi të mos bëhet person delikuent, marrëdhëniet e mira familjare kanë rëndësi të veçantë, sepse fëmija e ka ndjenjën e sigurt, ndjenjën se prindërit kujdesen për të, se e duan etj.[19] Të gjithë shkencëtarët u japin rëndësi të madhe marrëdhënieve të mira familjare, sepse kanë rëndësi vendimtare për zhvillimin e mëvonshëm të personalitetit në drejtim pozitiv ose negativ. Familja vë vulën e vet në personalitetin e fëmijës, si në pikëpamje pozitive ashtu edhe në atë negative.

           Si faktor negativ te familjet e degraduara dhe të mangëta e deficiente konsiderohen: shkurorëzimet, mungesa e njërit prej prindëve për arsye të ndryshme, gjendja e acaruar në familje, stërngarkimi i njërit ose i të dy prindërve dhe moskontrollimi i fëmijëve, ku devijimi i tyre është i paevitueshëm. Mirëpo, sjelljet devijante të të rinjve mund të jenë edhe pasojë e edukimit të gabueshëm, i cili krijon "personalitete të gabueshme në shoqëri",e fëmijët delikuentë në të shumtën e rasteve janë bijtë ose bijat e bashkëshorteve të shkurorëzuar.

3.4.3.   Raporti jopërkatës në mes prindëve dhe fëmijëve- shkaktar i formave tipike të kriminalitetit

           Studimet e raporteve ndërmjet prindërve dhe fëmijëve tregojnë se familja ushtron ndikim të fuqishëm tek ata. Familja, përveç ndikimeve pozitive, mund të luajë edhe rol negativ në procesin e formimit të anëtarëve të rinj - fëmijëve. Kemi raste ose raporte familje-fëmijë që nuk realizojnë edukim pozitiv dhe për rrjedhojë fëmijët nuk fitojnë bazat e nevojshme të edukimit moral, shprehitë për punë dhe përvojat pozitive. Te ata, jeta në rrethin familjar, në veçanti, mund të shërbejë vetëm si shembul negativ i sjelljeve të tyre kriminale. Në këtë grup bëjnë pjesë në radhë të parë familjet e dhëna pas alkoolit, pijeve narkotike apo drogave të ndryshme, prostitucionit, grindjeve familjare e mospajtimeve, braktisjeve, avanturizmat dhe dukuritë e ngjashme të patologjisë sociale familjare si familje të degraduara dhe të shkatërruara. Në familje të tilla ekzistojnë raporte të degraduara familje-fëmijë me shëmtime edukative, si formë e përshtatjes sociale kundër kriminalitetit në forma të ndryshme, të rrezikshme për shoqërinë që manifestohen me nxitjen e fëmijëve që edhe ata të marrin p.sh. pije narkotike, alkool, të vjedhin dhe të kryejnë vepra të ndryshme penale. Këto dukuri mjerisht nuk janë të rralla në kohët e fundit te disa familje të degraduara, deficiente dhe të mangëta.

           Shumë njerëz mendojnë se edukata e shëndoshë familjare bashkëkohore shpie kah sjelljet e njerëzishme, në të kundërtën kemi fëmijë pa edukatë, huliganë, vagabandë, me sjellje të vrazhdta e krime dhe persona pa vlerë, të pandershëm dhe pa dijeni të mjaftueshme për jetë.[20]

           Disa familje kanë raporte të tilla ku shfaqen pasionet primitive e të degraduara të lidhura me aktivitete kriminale, të cilat i bartin te fëmijët e tyre me shembuj negativë. Në vend që ndaj fëmijëve të tyre të kenë cilësi të larta emocionale e dashurie, por jo në atë masë ku në disa raste ndodh që të disa familje nga dashuria e tepruar ndaj fëmijës, shpeshherë t'u ofrojnë cigare, alkool, ku i mësojnë të thithin tymin e duhanit apo ngritjen e ndonjë gote alkool e nuk paramendojnë se me ato veprime sociopatologjike e shkatërrojnë qenien më të dashur, frytin e vet - fëmijën.

           Lidhur me këtë mund të konkludojmë se, fëmijët duhet t'i ruajmë që mos t' nxisim në disa forma të rrezikshme të kriminalitetit, pasi ata janë personalitete të mëdha dhe ata nuk duhet t'i harrojmë edhe nëse kemi probleme të përditshme familjare - ata duhen me pasione të larta emocionale dashurie, por jo në atë masë që të humbim kokën pas dashurisë së tepruar ndaj tyre.[21]

           Roli i familjes, në aspektin e sjelljeve të ndryshme kriminale e të sjelljeve të tjera devijante në përgjithësi, është shumë i madh në raportet e tyre jopërkatëse. Prindërit kanë për detyrë të kujdesen për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata janë shumë përgjegjës për çrregullimet dhe sjelljet e tyre devijante të shprehura me veprimtari të ndryshme kriminale, në të kundërtën raportet e ndryshme jopërkatëse familje-fëmijë, janë terren i përshtatshëm për përvetësimin e sjelljeve të ndryshme devijante e një ndër to është edhe kriminaliteti i organizuar me mjete narkotike ose drogë.

           Për këtë faktor ndikues kriminogjen, R. Halili ka thënë se: "raporti prind-fëmijë është me rëndësi të veçantë dhe në disa punime shkencore-kërkimore konsiderohet si faktor dhe shkaktar primar në pengimin e sjelljeve negative të fëmijëve. Kërkimet kriminologjike, në këtë drejtim, flasin për përqindjen e madhe të të miturve delikuentë të cilët rrjedhin nga familjet ku ka pasur raporte të këqija ndërmjet prindërve dhe fëmijëve".[22]

           Sjelljet tepër të rrepta, dënimet e vrazhdta ndaj fëmijëve, aplikimi i rrahjes, dënimet fizike, torturimet psikike ndaj fëmijëve, përherë ndikojnë në mënyrë negative në formimin e tyre, ku rëndom familjet e tilla ata i braktisin. Më pastaj, ata fëmijë pa mbikëqyerje familjare bëhen agresivë dhe me trauma të shumta. Ata, pastaj lëshohen pas vjedhjeve dhe grupeve shoqërore që kanë sjellje të rrezikshme kriminale me një jetë të tyre problematike.

           Sipas kriminologes së mirënjohur amerikane M. ELIOT, e cila në këtë drejtim përmend edhe rastet e qëndrimit të ashpër dhe johuman të njerkës dhe njerkut, të cilët shpesh aplikojnë dënime dhe tortura fizike dhe psikike ndaj thjeshtërve, të cilët fëmijë nga këto martesa çojnë jetë të mundimshme kur njëri nga bashkëshortët nuk ka raporte të mira me fëmijët thjeshtër të tjetrit bashkëshort e që nga këto familje, kemi të mitur me sjellje devijante që rrjedhin nga këto familje, dhe, të cilët si shkaktarë të sjelljeve delikuente dhe kriminale përmendin qëndrimin e ashpër dhe të vrazhdët nga dënimet fizike që kanë përjetuar nga prindërit gjegjësisht njerkut apo njerkës.

           Lidhur me këtë po ashtu  M. ELIOT, ka thënë: "Femra - nëna, vështirë mund t`ua kthejë shpinën fëmijëve të saj".[23]

           Sipas kësaj del se raportet prindër-fëmijë janë faktorë me rëndësi në zhvillimin, formimin dhe edukimin e të miturve që nga fëmijëria e hershme e deri në moshën e tyre të mëtejme. Pra, familja ka ndikim pozitiv në orientim të drejtë të fëmijëve, mirëpo kemi edhe aso familjesh që nuk i kryejnë këto funksione dhe detyra që janë faktorë të rrezikshëm kriminogjenë 3dhe janë burime të përhershme të formave të ndryshme tipike të kriminalitetit në tregtimin e palejuar me mjete narkotike apo droga.

 

4.         Emigracioni si shkaktar i kriminalitetit të organizuar me mjete narkotike

           Sot emigracioni është një fenomen shoqëror i botës bashkëkohëse,i cili është i lidhur me zhvillimin e popullsisë. Emigrimi, prej një vendi në një tjetër, bëhet për shkaqe të ndryshme, në radhë të parë ekonomike, politike etj.  Emigracioni ekonomik krijohet për shkak të pengesave, vështirësive dhe kushteve ekonomike. Zakonisht emigrojnë personat e papunë, po ashtu edhe punëtorët pak të paguar, të cilët kërkojnë kushte më të mira pune dhe jetë më të mirë në vendet e tjera.

           Për kah drejtimi i lëvizshmërisë, emigrimet mund të ndahen në emigrime ardhje (shtetar që ka ardhur nga një vend tjetër dhe është vendosur në një vend të ri), person i ardhur në krahasim me vendësit, ndërsa, në emigrime shkuarje (shtetas që shkon nga vendlindja e tij në një vend tjetër dhe është larguar nga atdheu i vet për shkaqe politike, ekonomike etj., dhe është vendosur përkohësisht a përgjtithmonë në një vend të huaj), banor i ri në krahasim me vendësit.

           Megjithatë, emigrimi shfaqet si dukuri për shkaqe politike e në veçanti për shkaqe ekonomike, dhe është e sigurtë se rrethanat e vështira materiale në varfëri dhe mjerimi e kushtëzojnë atë. Ndikimi i krizave ekonomike që shfaqet në mungesën e të mirave materiale nga kërcimi i madh dhe i shpejtë i çmimeve, papunësia, ndikimi i luftës dhe i kushteve të luftës përbëjnë një faktor që ndikon në  kriminalitetin e organizuar të lëndëve narkotike, kryesisht të tregtimit të tyre. Nëse i referohemi rastit të Kosovës, shumë të rinj marrin rrugën e kurbetit, largohen nga atdheu përkohësisht a përgjithmonë . Fillimisht, në Kosovë shkaktar dhe faktor ndikues shoqëror i emigracionit dhe i formave të ndryshme kanë qënë format e dhunës së ushtruar nga regjimi serb me viktimizimin e një numri shumë të madh të të rinjve në Kosovë, cenimi i së drejtës për shkollim të afro 400 mijë nxënësve, studentëve shqiptarë në çdo nivel, helmimi gjenocidial i mbi 7.400 nxënësve dhe mohimi i të drejtës së mbrojtjes shëndetësore e sociale i mijëra kosovarëve, me ç'rast shumë kosovarë emigruan në shtetet e ndryshme evroperëndimore.

           Nga faktorët kryesorë që drejtpërsëdrejt dhe më së tepërmi kanë ndikuar në vazhdimësi dhe kanë keqësuar edhe më tepër pozitën e të rinjve kosovarë e në veçanti pozitën e vështirë të fëmijëve kosovarë janë dy faktorë: së pari, veprimet dhe pasojat nga dhuna, represioni dhe terrori i bashkërenditur shtetëror i regjimit serb si dhe rrezikimi i fëmijëve të Kosovës nga pasojat e gjendjes së vështirë ekonomiko-sociale dhe kushtet e rënda për mbijetesë e prosperitet në mënyrë të veçantë të popullsisë shqiptare.[24] Për këtë arsye, procesi i emigrimit, sidomos i të rinjve kosovarë dhe të trojeve gjithëshqiptare, në këto vitet e fundit, ka qenë i madh dhe shkaktar i trajtave dhe formave tipike të kriminalitetit.

           Përsa i përket përhapjes së kriminalitetit të organizuar në fushën e narkotikëve ose drogave dehëse në Kosovë dhe Shqipëri, deri në fillimet e viteve 90-të nuk ka qenë dukuri me pasoja brengosëse dhe ata konsideroheshin si vende relativisht stabile sa i përket kësaj trajte dhe forme tipike të kriminalitetit.Lëvizjet emigruese pas viteve 90-ta në shtetet e ndryshme evroperëndimore dhe jashtë Evropës, ku para vitit 1990, nuk ka pasur migrime të mëdha, kështu që edhe sa i përket tregtisë se palejuar të substancave narkotike ose drogave dehëse si trajtë dhe formë tipike të kriminalitetit nuk kemi pasur probleme aq të mëdha, që rëndom i shkaktojnë emigrimet e të rinjve nga Kosova dhe Republika e Shqipërisë në qytetet dhe metropolet e mëdha evropiane, ku atje hasen në kushte bashkëkohore ku kriminaliteti i organizuar me mjete narkotike është i përhapur në një shkallë shumë më të lartë me pasoja shkatërruese.

           Kur kemi të bëjmë me të rinjtë kosovarë, pjesa më e madhe e atyre më parë ka jetuar në fshat dhe është marrë me bujqësi dhe blegtori. Jeta në fshat është karakterizuar me një mënyrë të ngulitur tradicionale të jetesës dhe me disa norma të caktuara të sjelljeve ndërmjet banorëve të fshatit. Një jetë e tillë kishte një ngulitje tradicionale të jetës me disa norma të caktuara, ku marrëdhëniet jetësore dhe të punës karakterizoheshin me lidhje të forta dhe koherente farefisnore, miqësore dhe me lidhje të tjera në krahasim me vendet e tjera të Evropës.[25] Në këtë mënyrë mundësia për kryerjen e disa formave kriminale ka qenë shumë e vogël, mbase edhe individët dhe grupet kanë qenë gjithmonë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e mjedisit dhe traditës e cila i ka gjykuar ashpër sjelljet, të cilat kanë qënë në kundërshtim me këto vlera dhe mendimin e rrethit ku jeton.[26]

           Ndikimi i edukatës familjare në masë të madhe është i ngarkuar me forma tradicionale të sjelljeve dhe botëkuptimeve që kanë të bëjnë me vlerat shoqërore, moralin dhe të drejtën, familjen, norma këto të cilat në botën e jashtme dallojnë shumë. Jashtë rrethit familjar, pra, familjes së tij ku shumë të rinj  kanë  mjedisin e tyre të përditshëm, ku gjatë kërkimit të shoqërisë së tyre të rinjtë në radhë të parë orientohen në rrethin e afërm dhe familjar, e që në botën e jashtme ai rreth në të shumtën e rasteve mungon. Në qytetet e mëdha ekziston edhe periferia, strofulla ku zgjidhja banesore është nën çdo nivel.

           Në vendet e tilla banojnë personat e papunë, ose përkohësisht që kanë zënë punë, të ardhurat e të cilëve e mundësojnë një farë gjallërimi, ku më vonë mbretëron dhënia pas pijeve të ndryshme alkoolike dhe substancave të ndryshme narkotike apo drogave dehëse si dhe dhënia pas kriminalitetit në forma të ndryshme.

           Nga mjediset e tilla të sëmura në aspektin sociologjik me mjaft vështirësi dalin persona të  shëndoshë. Një pjesë e tyre po bëhen persona të sëmurë nga narkomania, alkooli dhe përjetojnë trauma afatgjate me sjellje devijante, madje, disa edhe përsona me sjellje delikuente e kriminele. Për ata të rinj, bredhjet, jeta e natës, format e dëfrimit, konsumimi i pijeve narkotike, refuzimi i punës dhe i detyrës, izolimi nga aksionet e ndryshme pozitive, e tërë kjo i shpie në sjelljet negative shoqërore.

           Shkëputja e marrëdhënieve nga mjediset e tilla negative për shumë të rinj paraqet një hap shumë të ndërlikuar dhe shpesh sjell dëshpërim, meqë, ata janë të pafuqishëm në emigrim, që i nevojitet familja si krah dhe forcë e madhe apo shoqëria, ku në botën e jashtme ajo ju mungon.[27] Në këtë mënyrë, mundësia për kryerjen e disa formave kriminale e në veçanti të kriminalitetit të organizuar me mjete narkotike,  është e madhe nga të rinjtë të cilët jetojnë në shtetet e ndryshme.          

           Tregtia e palejuar e lëndëve narkotike si formë tipike dhe trajtë e kriminalitetit të organizuar në vendet e ndryshme të Evropës, ku jetojnë emigrantët është më e madhe se në vendin tonë, sepse atje shumë të rinj nuk janë nën mbikëqyerjen dhe kontrollin e mjedisit dhe traditës, e cila i ka gjykuar sjelljet e huaja devijante dhe të gjitha format e kriminalitetit me të cilat kanë qenë në kundërshtim me vlerat më të larta njerëzore.

           Emigrimet e të rinjve sot paraqesin probleme shumëdimensionale hapësinore, demografike, ekonomike, sociale, kriminologjike dhe politike, ndërsa  nxisin edhe një varg faktorësh kriminogjenë të ndërlikuar dhe shpeshherë reciprokisht të kushtëzuar.

           Kohët e fundit për shkak të papunësisë së madhe dhe luftës në Kosovë, shumë të rinj emigruan në vendet e ndryshme evropiane. Në vendet ku ata emigrojnë kanë filluar të paraqiten disa simtoma të caktuara të sjelljeve negative, të cilat janë rezultat i lëvizjeve të hovshme emigruese, si p.sh. rritja e delikuencës së të miturve, kriminaliteti i organizuar me narkotikë dhe ai i trafikut, kriminaliteti ekonomik, vepra penale kundër pasurisë, alkoolizmi, dukuritë e ndryshme socio-patologjike në marrëdhëniet martesore dhe familjare etj. Kuptohet, këto dukuri nuk kanë përmasa të tilla e as që paraqesin ndonjë specifikë në Kosovë sikurse në vendet e ndryshme evroperëndimore që në kohët e fundit janë me një dinamikë të hovshme nga pasojat e ndryshme ekonomiko-sociale që po ndodhin viteve të fundit.[28] Këto procese emigruese ndikojnë në mënyrë të shumëfishtë në shthurjen e popullatës e në veçanti në shthurjen e familjeve të mëdha, në shthurjen e disa marrëdhënieve dhe lidhjeve familjare, dhe së këndejmi edhe në vetë mënyrën e paraqitjes së familjeve dhe bashkësive familjare dhe të grupeve të ndryshme të të rinjve.[29]

           Gjatë qëndrimit të tyre në emigrim shumë të rinj dhe persona të ndryshëm i nënshtrohen ndikimeve dhe rrethanave të ndryshme të dukurive shoqërore, proceseve kulturore dhe institucioneve, që janë funksionalisht në lidhshmëri dhe të cilat shpejt ose më ngadalë ndërrohen, ngase çdo i ri apo person madje edhe delikuent është edhe prodhim i shoqërisë. Botëkuptimet e tyre, qëllimet, ndjenjat, prirjet, vetitë e karakterit, sjelljet e tyre qofshin ato delikuente ose jodelikuente mund të kuptohen në mënyre të drejtë po aq sa vërehen nga këndi i kushteve konkrete të jetës shoqërore.

           Nga sa u tha më lart mund të konkludojmë se emigracioni është një ndër faktorët që kushtëzhohet nga papunësia (nëna e të gjitha të këqijave), konflikteve kulturore, të ndikimit të elementeve të ndryshme nga jashtë, nxitja e pakënaqësive ndaj shoqërisë, ndikimi i literaturës, shtypit, filmit dhe mjeteve të tjera, kriza banesore, ndikimi negativ i rrethit në të shumtën e rasteve jo të shëndoshë ku jeton, bixhozi, bredhja, lypësia, alkoolizmi e narkomania në botën e jashtme, shumë të rinj mjerisht i shpie dhe i bie në kontakte dhe nën "kthetrat" e udhëheqësve dhe grupeve delikuente me sjellje të rrezikshme kriminale që janë kapadainjë, pijanecë e narkomanë dhe bixhozxhinj të cilët kryejnë vjedhje dhe vepra të ndryshme penale, ku ndikim të madh kanë udhëheqësit e grupeve të ndryshme të kriminelëve profesionalë me sjellje negative. Ata përpiqen që në çdo mënyrë të tërheqin në rrethin e vet ata të rinj, të cilët i gjejnë në mes të rinjve të edukuar keq dhe me moral jostabil.

           Gjendja e tillë tek ata persona emigrantë, krijon situata të palakmueshme ndër të rinjtë që i godet degradimi dhe shkatërrimi, sidomos ata të rinj që cilësohen si persona të vetëm pa familje që janë me karakter labilë dhe bien në goditje të apatisë dhe dëshpërimit, ku shpeshherë jepen pas alkoolit dhe narkomanisë dhe bëhen paraardhës të krimeve të ndryshme dhe formave të ndryshme të kriminalitetit e në veçanti të atij me mjete narkotike si formë tipike e kriminalitetit të organizuar.

Shkarko në WordShkarko në Word (94 Ko)



    [1] Shih më gjerësisht:  Prof. dr. Skënder BEGEJA, Kriminalistika, Tiranë, 1997, fq. 3.
    [2] Shih M. Milutinović, vep. e cit., fq.371.
    [3] Oto FENIHEL, Psihoanalitiçka teorija neuroza, "Medicinska Knjiga", Beograd-Zagreb,1961. fq.296.
    [4] M. Milutinović, vep. e cit., fq. 352-353.
    [5] R. Halili, vep. e cit. , fq. 111.
    [6] Më gjerësisht shih: E. Mezhger,"Kriminologie", fq. .209-214.
    [7] Shih: “Mbi shkaqet e kriminalitetit”', Dr. T. Marković, "Shoqëria socialogjike e kriminalitetit", Ligjshmëria jonë, nr.5, Zagreb, 1953, fq.287-288.
    [8] M. Milutinović, vep. e cit., fq. 388-399.
    [9] Shih: Prof.dr. Isuf Dedushaj, e të tjerët,"AIDS-SIDA SËMUNDJE QË VRET", Kryqi i Kuq i Kosovës, Prishtinë, 1998, fq. 104.
    [10] M. Milutinović, vep. e cit. , fq.400-401.
    [11] Po aty.
    [12] Mejbl ELIOT: "Krimi në shoqërinë bashkëkohëse", (shih - përkthim), Sarajevë, 1962, fq. 307-308.
    [13] Prof. dr. Ismet SALIHU: “Vrasjet në Kosovë”, Prishtinë, 1987, fq.136-137.
    [14] R. Koning, "Einige Bemerkungen zur Stellung des Problems des Jugendkriminallitat in der algemeinen Soziologë", fletorja e veçantë 2. Universitat Koln 1957, fq.1-11.
    [15] "Social Patology", New York 1942, fq. 541.
    [16] Shih: M. Milutinović, "Politika kriminale", fq. 217.
    [17] Shih, Dr. Bertold EINSER: “E drejta familjare”, Zagreb, 1950, fq.7-8.
    [18] Shih: K. Bicaj, Narkomania sot dhe parandalimi i saj, Prshtinë, 1997, fq. 55-56, SHPLN-së ,Biblioteka  “Spektri”.
    [19] M. Milutinović, vep. e cit., fq. 415, cituar sipas M. Kennedy, referati i përm. në Kongresin IV Ndërkombëtar për Kriminologji, Hagë, 1960.
    [20] Shih: "Pasionet primitive të familjes së degraduar", "Drita e Jetës", Gjilan, tetor 1995, fq.23.
    [21] Shih. K. Bicaj, "Dukuritë devijuese të nxënësve-akte shqetësuese", "SHKËNDIJA", nr.7, shtator 1998.
    [22] Shih: Ragip Halili, vep. e cit. , fq. 139.
    [23] Shih: M. Eliot, vep. e cit.., faqe. 170-171 dhe 183-185.
    [24] Mr. Mazllum BARALIU: "Fëmijet e Kosovës - kategori e rrezikuar", "BULETINI" i KMDLNJ, nr.5 tetor-dhjetor 1997. fq.18.
    [25] Prof. dr. Ragip Halili, "Kriminaliteti kundër martesës dhe familjes në Kosovë", Prishtinë, 1987, fq. 117-
    [26] Prof. dr. Lubo BAVCON, Uloga javnosti u suzbijanju kriminaliteta, Jugoslovenska revija za kriminologiju i kriviçno pravo, br.2/1963, fq. 207-211.
   [27] Shih më gjerësisht K.Bicaj, "Emigrimet si shkaktar i Narkomanisë", "Shkëndija", nr. 1, 1994, fq. 29.
    [28] R. Halili, vep. e cit., fq. 120.
    [29] Prof. dr. Hivzi ISLAMI, "Çështje demografike" - Kosova dhe shqiptarët, "PENA", Prishtinë ,1990, fq. 153-165.

__________________

Dr.sc. Kadri BICAJ

(autori është ligjerues universitar)

 

2 vota. Mesatarja e 5.00 të 5.

Komentet