E Drejta Kolektive e Punës

E drejta kolektive e punës trajton, krijon, respektivisht rregullon dhe realizon ato institucione të së drejtës së punës në aspektin e mbrojtjes dhe avansimit të interesave kolektive (sindikatat, raportet e trupave të punëdhënësve dhe sindikatave, marrëveshjet kolektive, kontratat kolektive, zgjidhje të konflikteve kolektive, etj.).

Sindikata

Është bashkësi, organizatë, përkatësisht bashkim që kujdeset për mbrojtjen e interesave ekonomike të anëtarëve të saj në organizatën përkatëse – punëdhënës, degë, veprimtari (industri, zejtari, etj.), në nivele të ndryshme. Sindikata u formuan qysh në përiudhën fillestare të kapitalizmit dhe atë në forma të ndryshme të organizimit të punëtorëve. Në fillim ishin karakteristike shoqatat për vetëndihmë e më vonë u formuan sindikatat e punëtorëve industrial. Në fillim organizimi i punëtorëve ishte i orientuar si lëvizje për mbrojtjen e të drejtave, nëpërmjet të shprehjes së kërkesave të punëtorëve në fushën ekonomike, sociale e më vonë edhe në atë politike. Sindikatat sot, paraqesin një faktor të pazëvendësueshëm në realizimin e sigurimit social dhe kushteve më të mira të punës si: paga më të larta dhe më të sigurta, kohën e punës, pushimet, mbrojtjes në punë, etj. Sindikatat poashtu realizojnë të drejtën në negociata kolektive dhe në lidhjen e kontratave kolektive me përfaqësuesit e punëdhënësve, organizojnë aksione kolektive dhe industriale si dhe grevën, kur me negociata nuk mund të mirren vesh për kushtet e caktuara të punës. (pyetje në provim). Në teorinë e të drejtës së punës si organizata të para sindikale përmenden: në Angli, sindikata e mekanikëve-1851; në Austri, lidhja e punëtorëve tipografik-1860; etj. Këto ishin organizatat e para, por legalizimi i sindikatave u bë më vonë (psh, Agli, Gjermani me 1871, etj.). Organizatat e para sindikale në Kosovë janë formuar në v.1906, mirëpo sindikata aktive ishin ato të v.1936 – 39. në v. 1990 është formuar BSPK-ja me koncept organizativ pluricentrist që nënkupton se e pengon pluralizmin sindikal. Anëtarësimi në sindikatë është i lirë, dhe nuk mund të jetë pengesë për lidhjen e kontratës së punës, respektivisht për interpretimin e marrëdhënies së punës, si dhe shkak për ndërprerje të marrëdhënies së punës apo për ndjekje të çfardo forme të punëtorit...

Organizimi sindikal dhe të drejtat dhe të drejtat themelore të njeriut nga puna dhe lidhur me punën

Në të drejtat themelore të njeriut nga puna dhe lidhur me punën radhiten liria e bashkimit, ndalimi i punës së dhunshme dhe trajtimi i barabartë me rastin e punësimit. Për ta bërë trajtimin sa më objektiv të lirisë së bashkimit, respektivisht të organizimit sindikal, duhet të nisemi nga deklaratat e përgjithshme për të drejtat e njeriut dhe qytetarit. Deklarata paraqet vetëm një program dhe udhërrefyes, e jo normë juridike. Në bazë të deklaratës së përgjithshme më vonë janë nxjerrë dy pakte: a) pakti mbi të drejtat civile e politike (miratoi Asambleja e OKB-së-1966); dhe b) pakti mbi të drejtat ekonomike, sociale e kulturore (1966). Shtetet të cilat e miratojnë Paktin Ndërk për të drejtat ekonomike, sociale e kulturore, obligohen në sigurimin e këtyre të drejtave: 1. të drejtën e secilit që të themelojë sindikata dhe të anëtarësohet në to sipas vullnetit të tij; 2. të drejtën e sindikatave që të themelojnë federatat dhe konfederatat sindikale kombëtare si të drejtat e këtyre që të themelojnë organizata sindikale ndërk apo të hyjnë në to; 3. të drejtën e sindikatave që të veprojnë lirisht me kufizime të cilat janë të parapara me ligj; 4. të drejtën në grevë, me kusht që të jetë në pajtim me ligjet e shteteve përkatëse.

Konventa mbi liritë sindikale dhe mbrojtjen e të drejtave sindikale

Përcakton që punëtorët dhe punëdhënësit (pa kurrfar përjashtimesh) kanë të drejtë të formojnë organizata sipas zgjedhjes së tyre, pa leje paraprake. Ata kanë të drejtë të hyjnë në këto organizata pa parakushte me përjashtim të asaj se duhet ti përmbahen statutit të organizatave të tyre – sindikatave. Organizatat e punëtorëve dhe të punëdhënësve kanë të drejtë të nxjerrin statute dhe rregulla, ti zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre, ti organizojnë dhe të udhëheqin veprimtarinë e tyre, dhe të formojnë programin e tyre akcional. Organizatat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve nuk mund të shpërndahen e as veprimtaria e tyre nuk mund të ndalet me rrugë administrative. Të gjitha organizatat, federatat dhe konfederatat, kanë të drejtë që të anëtarësohen në organizatat ndërk të punëdhënësve dhe të punëtorëve. Me legjislacion kombëtar përcaktohet se në çfarë mase të drejtat e garantuara në këtë konventë aplikohen ndaj pjesëtarëve të ushtrisë dhe të policisë.

Konventa mbi të drejtat e punëtorëve në organizimin dhe negociata kolektive

Kjo lloj mbrojtje i referohet veçanarisht akteve të cilat do të kishin për qëllim që punësimin ta kushtëzojnë me obligim që të mos anëtarësohet në sindikatë apo të heqin dorë nga sindikata e caktuar. Konventa parasheh edhe mbrojtjen nga aktet që orientojnë në largimin e punëtorëve nga puna ose në forma tjera të cilat punëtorët do ti vënin nën kontroll të punëdhënsit. Në ushtri dhe në polici dispozitat e kësaj konvente aplikohen vetëm në rastet dhe si është e paraparë në legjislacionin kombëtar.

Kontratat kolektive

Janë burime specifike të së drejtës së punës me të cilat në mënyrë të veçantë rregullohen çështjet nga fusha e punës dhe e marrëdhënieve të punës. Kontratat kolektive janë paraqitur në gjysmën e dytë të shek.XIX, në Angli. Në Francë kontrata e parë është lidhur në mes punëmarrësve dhe punëdhësve (në industrin e tekstilit, në lidhje me pagat) në v.1831, në Lion. Meqenë se nuk kishin mbeshtetje në legjislacion, kontratat e para lehtë mund të mos respektoheshin, sepse nuk rrezikoheshin nga asnjë sanksion. Kontratat kolektive me legjislacion, para luftës së dytë botërore, i ka njohur vetëm Zvicrra. Në shtetet me sisteme juridike bashkëkohore kontratat kolektive janë instrument i pazëvendësueshëm me të cilin përcaktohen dhe rregullohen kushtet e punës dhe të punësimit.

Nocioni dhe karakteristikat e kontratave kolektive

Me kontrata kolektive të punës nënkuptojmë çdo marrëveshje me shkrim që i referohet kushteve të punës dhe të punësimit, e lidhur në mes të punëdhënsit, grupit të punëdhënësve apo një apo më shumë organizatave të punëdhënësve, në njërën anë, dhe një apo më shumë organizatave reprezentative të punëtorëve apo sindikatave, në anën tjetër. Në kuptim të ngushtë, kontrata kolektive konsiderohet si marrëveshje me shkrim që ka të bëj me kushtet e punës e lidhur ndërmjet organizatave sindikale dhe punëdhënësve, në bazë të së cilës duhet të lidhen kontratat individuale mbi punën. Palët kontraktuese të kontratës kolektive janë organizatat sindikale apo organizatat tjera të punëtorëve dhe punëdhënësi, grupet e punëdhënësve apo shoqatat e tyre, në të shumtën e rasteve oda ekonomike. Në parim kontratat kolektive nuk aplikohen drejtpërdrejtë, por shërbejnë si akte të përgjithshme në bazë të të cilave lidhen kontratat individuale mbi punën.

Raporti i kontratës kolektive dhe kontratës mbi punën

Shikuar historikisht, kontratat mbi punën janë më të hershme në krahasim me kontratat kolektive. Ato janë paraqitur në periudhën e liberalizmit të hershëm dhe ishin instrument kryesor i rregullimit të kushteve të punës, që lidhej në mes të punëmarrësit dhe të punëdhënësit. Kontratat mbi punën edhe sot paraqesin aktin themelor për themelimin e marrëdhënieve të punës, por për dallim nga kontratat mbi punën të periudhës së liberalizmit (ku kushtet diktoheshin nga punëdhënësi), sot kontratat mbi punën duhet të lidhen në pajtim me dispozitat ligjore apo dispozitat e kontratës kolektive. Dallimi esencial në mes të kontratës mbi punën e kontratës kolektive në atë së kontrata mbi punën, si bazë juridike ka krijimin e drejtpërdrejtë të marrëdhënies konkrete të punës në mes të punëtorëve dhe punëdhënësit, kurse kontratat kolektive nuk kanë për qëllim krijimin e marrëdhënieve konkrete të punës, ato vetëm përcaktojnë, në mënyrë të përgjithshme, përmbajtjen e marrëdhënieve të punës, pavarësisht nga kontrata mbi punën. Objekt i kontratës mbi punën është marrëdhënia individuale e punës. kontrata kolektive i ka parasyshë raportet e punëtorëve dhe punëdhënësit dhe për ta parashtron rregulla, por nuk krijon obligime në mes të punëtorit dhe punëdhënësit. Obligimet në mes tyre krijohen atëherë kur këto dy palë, në pajtim me kushtet e parapara me kontratë kolektive, hyjnë në marrëdhënie individuale të punës, duke e lidhur kontratën mbi punën.

Rëndësia e negociatave kolektive dhe kontratave kolektive

Negociatat kolektive, sot paraqesin një metodë mjaft të gjerë të rregullimit të problemeve të punës. Ato praktikohen në të gjitha shtetet me sisteme juridike bashkëkohore, kurse kontratat kolektive, që janë rezultat i negociatave kolektive, paraqesin një institucion shumë të rëndësishëm të rregullativës shoqërore me rëndësi të veçantë: a) sociale; b) ekonomike; dhe c) juridike.

Natyra juridike e kontratave kolektive

Natyra juridike e kontratave kolektive në teorinë juridike bëhet objekt i trajtimit mu atëherë kur konstatohet se kontratat kolektive nuk mund të vështrohen si kontrata obligative, por si akte rregullash ose marrëveshjesh normative. Duke u nisur nga pikëpamjet e ndryshme, mund të flitet për tri botëkuptime lidhur me natyrën juridike të kontratës kolektive: 1. sipas një mendimi, kontrata kolektive ka të gjitha karakteristikat e punës civilo-juridike që do të thotë të kontratës civile, dhe në pajtim me këtë është ndërtuar teoria kontraktuese; 2. mendimtarë tjerë konsiderojnë së kontrata kolektive është akt normativ apo ligj në kuptimin material, dhe nga kjo është ndërtuar teoria statusore apo jashtë kontraktuese; 3. disa mendimtarë tjerë kontraten kolektive e konsiderojnë njëkohësisht edhe si akt normativ edhe si akt kontraktues, ose i ka karakteristikat e të dy akteve, dhe nga kjo është ndërtuar teoria e përzier (mikse) apo e duplicitetit.

Teoria kontraktuese

Ithtarët e teorisë kontraktuese, natyrën juridike të kontratave kolektive e spjegojnë duke i identifikuar ato me kontratat civile. Sipas tyre, kontrata kolektive paraqet qartë një kontratë mbi autorizimin, stipulimin ose kontratat pa emër. Vështrimi i kontratës kolektive sipas konceptit të kontratës mbi autorizimin është i nxitur nga situata e sindikatës për ti përfaqësuar punëtorët apo anëtarët e saj. Nëse kontrata kolektive identifikohet me kontratën mbi stipulimin apo kontratën në dobi të personit të tretë, atëherë kemi të bëjmë me një situatë ku obligimet e krijuara nga kjo kontratë i dedikohen veprimeve në dobi të personit të tretë – beneficiarit. Në kuadër të teorisë kontraktuese dominojnë edhe mendime sipas të cilave kontrata kolektive paraqet një kontratë të llojit “sui generis”, ose kontratë pa emër, meqenëse në kuadër të saj nuk mbizotërojnë as elementet e kontratës mbi autorizimin, e as elementet e kontratës mbi stipulimin.

Teoria statusore – jashtëkontraktuese

Kjo teori u paraqit si reaksion ndaj pikëpamjeve të teorisë kontraktuese. Kjo teori mohon mundësinë që natyra juridike e kontratës kolektive të shpjegohet sipas kontratave juridiko-civile. Përfqaësuesit e kësaj teorie theksojnë se kontrata kolektive ësht ënjë konventë – marrëveshje në të cilën shprehet pjesëmarrja e vullnetit dhe e pajtimit. Kontrata kolektive është konventë e punës, ose akt normativ, me të cilin përcaktohen rregullat e përgjithshme mbi kushtet e punës. në realitet, ajo është ligj, dispozitat e të cilit duhet të respektohen para lidhjes se kontratës individuale mbi punën, posaqerisht ato që i referohen minimumit dhe maksimumit të kushteve të punës. me këto kontrata krijohet një situatë e veçantë juridike e subjekteve individuale e cila i obligon vetëm palët kontraktuese – debitorin dhe kreditorin. Në bazë të dispozitave të këtyre rregullave do të lidhen kontratat e ardhshme individuale mbi punën.

Teoria e përzier – duplicitetit

Ithtarët e kësaj teorie tëntojnë ti zbusin skajshmëritë në mes të teorisë kontraktuese dhe asaj statusore. Sipas tyre kontrata kolektive në vete përmban edhe elemente kontraktuese edhe elemente normative. Elementet normative gjenden në atë pjesë të kontraktës kolektive e cila i referohet dispozitave lidhur me kushtet nën të cilat duhet të lidhen kontratat individuale mbi punën, kurse elementet kontraktuese rrjedhin nga fakti se megjithatë kemi të bëjmë me një marrëveshje e cila lidhet në mes dy palëve, dhe për këtë arsye kontrata kolektive vështrohet edhe si ligj në kuptimin material e edhe si kontratë. Mund të thuhet se shumica e autorëve të së drejtës së punës e pranojnë teorinë e përzier si më reale.

Llojet e kontratave kolektive

Në fazën fillestare të zhvillimit të tyre, ato lidheshin kryesisht në nivel të ndërmarrjes, në mes të punëdhënësve dhe punëtorëve. Pas luftës së dytë botërore, kontratat kolektive gjithnjë e më shumë lidhen në nivel nacional, regjional dhe lokal. Në disa shtete (veçmas skandinave), është paraparë edhe si obligim që kontratat kolektive të lidhen në nivel nacional. Natyrisht këto kontrata paraqesin bazë për lidhjen e kontratave tjera kolektive në nivel lokal apo të ndërmarrjes. Kontratat kolektive të punës mund të jenë: të përgjithshme, të veçanta dhe të lidhur anë nivel të ndërmarrjes. 1. kontrata e përgjithshme kolektive – janë ato kontrata të cilat kanë të bëjnë me kushtet e punës dhe të punësimit. Dispozitat e kontratës të këtij lloji vlejnë për të gjithë punonjësit dhe punëdhënësit brenda një shteti. Këto kontrata lidhen midis sindikatës më autoritative dhe organizatës së punëdhënësve, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të pushtetit; 2. kontratat e veçanta kolektive – janë lloji i kontratave kolektive të punës, të cilat kanë të bëjnë me të drejtën dhe obligimet nga sistemi i punës dhe i marrëdhënieve të punës e që krijohen në kuadër të një veprimtarie, qoftë ajo prodhuese apo jo prodhuese, ose në kuadër të një dege apo nëndege, e lidhur në mes të organizatës sindikale të veprimtarisë së caktuar dhe organizatës përkatëse të punëdhënësve. Nëse kjo kontratë është në interes vital për shtetin, atëherë në lidhjen e saj merr pjesë edhe shteti (në praktikë si kontrata të veçanta janë, psh, për degën e industrisë dhe xehtarisë, etj.). në veprimtarin joprodhuese mund të jenë: kontratat kolektive për arsim, shëndetësi, kulturë, shkencë, etj. Kontratat e veçanta kolektive, në raport me kontratat e përgjithshme kolektive, janë kate të konkretizimit dhe me to rregullohen më për së afermi çështjet që kanë të bëjnë me sferën e marrëdhënieve të punës për veprimtari, degë ose nëndegë të caktuar; 3. kontratat kolektive të punës që lidhen në nivel të ndërmarrjes – janë ato kontrata me të cilat rregullohen çështjet nga sfera e punës dhe e marrëdhënieve të punës në nivel të një ndërmarrjeve apo institucioni të caktuar. Lidhen në mes sindikatës dhe organit udhëheqës të ndërmarrjes (punëdhënësit). Kontratat kolektive të punës mund të lidhen për një afat të caktuar, zakonisht prej 3 -5 vite, gjë që përcaktohet me marrëveshjen e palëve kontraktuese, mirëpo ato mund të jenë edhe të paafatizuara.

  • 5 vota. Mesatarja e 5.00 të 5.