E drejta e serivituteve

Punuar nga Ass. Agim NUHIU

VËREJTJE HYRËSE:
E para: Servituti lind vetëm midis subjekteve, në dobi të pronarit të përditshëm të një sendi, që në një mënyrë të caktuar, ai të shfrytëzojë sendin e huaj. Pra, servituti nuk mund të krijohet midis sendeve ose midis subjekteve në njërën anë dhe të sendeve në anën tjetër, por vetëm midis subjekteve.
E dyta: E drejta e servitutit, në përmbajtjen e vet, ka tre elemente:

1. Elementi i parë është se përmbajtja e së drejtës së servitutit është marrëdhënie pronësore juridike
2. Elementi i dytë i përmbajtjes është detyrimi i pronarit të sendit shërbyes që të durojë titullarin e së drejtës së servitutit që ai të shfrytëzojë atë send në mënyrë dhe vëllim të caktuar
3. Elementi i tretë i përmbajtjes së kësaj marrëdhënie është detyrimi i të gjithë personave të tretë që të përmbahen nga cënimi jo vetëm i së drejtës së pronësisë, por edhe i drejtës së servitutit në sendin shërbyes.

E treta: E drejta e servitutit është institut juridik i pavarur në të drejtën sendore dhe si i tillë rregullohet dhe aplikohet duke u mbështetur në parimet e përbashkëta për të gjitha llojet e servituteve (qofshin servitute sendore, qofshin servitute personale).
E katërta: Servitutet midis veti dallohen. Dallimi bëhet duke marrë për bazë kritere të caktuara edhe atë sipas:

  1. mënyrës që personi i caktuar bëhet titullar i servitutit. Nëse personi bëhet titullar i servitutit për të shfrytëzuar në mënyrë të caktuar paluajtshmërinë e huaj, pa marrë parasysh ndrimin e pronarit të paluajtshmërisë, atëherë kemi servitut sendor. Ndërkaq kur titullari i servitutit i caktuar individualisht bëhet shfrytëzues i sendit shërbyes, pronë e huaj dhe autorizimet që dalin nga servituti i takojnë vetëm atij, në dobi të tij dhe me atë person është i lidhur servituti, atëherë bëhet fjalë për servitut personal.
  2. përmbajtjes te së drejtës së servitutit. Kur përmbajtja e servitutit e autorizon titullarin e servitutit që për nevojat e sendit të vet, të ndërmarrë veprime të caktuara në sendin e huaj, atëherë kemi servitut pozitiv. Ndërkaq, kur përmbajtja e servitutit e autorizon titullarin e servitutit, që për nevojat e sendit të vet, të kërkojë nga pronari i sendit shërbyes që të përmbahet nga ndërmarrja e veprimeve të caktuara, të cilat përndryshe ka të drejtë t’i ndërmarrë në sendin e vet, atëherë kemi servitut negativ.
  3. kohëzgjatjes se ushtrimit të servitutit. Servituti që titullari e ushtron në mënyrë të përsëritshme dheqe zgjat për kohë të pacaktuar, është servitut i përhershëm. Ndërkaq, servituti që titullari e realizon kohë pas kohe, në mënyrë jo të përsëritshme, është servitut i përkohshëm.
  4. ekzistimit te marrëdhënieve sendore juridike midis palëve. Kur marrëdhëniet sendore – juridike ekzistojnë edhe në palën aktive (titullarin e servitutit), edhe në palën pasive (pronarin e sendit), atëherë bëhet fjalë për servitut të rregullt. Kur marrëdhëniet sendore – juridike ekzistojnë vetëm në palën pasive (pronarin e sendit), atëherë bëhet fjalë për servitut jo të rregullt.
  5. ekzistimit te shenjës së dukshmërisë. Kur ushtrimi i servitutit shfaqet me shenja të jashtme, atëherë bëhet fjalë për servitut të dukshëm. Kur për ekzistimin e servitutit nuk ka shenja të jashtme dhe nuk ka stabilimente të përhershme dedikuar përdorimit të tyre, atëherë kemi servitut të padukshëm.
  6. karakterit te sendit dominues. Kur sendi dominues është ndërtesa për banim, përfshirë këtu edhe tokën përreth, atëherë kemi servitut tokësor. Kur sendi dominues është i natyrës bujqësore, kemi servitut shtëpiak.

E pesta: Servituti fitohet: me veprim juridik (iustus titulus) si intervivos (kontrata e shitblerjes, dhurimit etj.) dhe mortis cause (testamenti), dhe me regjistrim në librin publik (modus acquirendi) kur objekti i servitutit është send i paluajtshëm, përkatësisht me dorzimin e sendit kur objekti i servitutit është send i luajtshëm; me vendim gjyqësor dhe parashkrim fitues.
E gjashta: Mënyra e ushtrimit dhe vëllimi i servitutit mund të përcaktohet me titullin me të cilin është krijuar, me ligj dhe moral shoqëror. Ushtrimi i tij bëhet në atë mënyrë dhe vëllim, që sa më pak të ngarkohet apo të vështirësohet shfrytëzimi apo përdorimi i sendit shërbyes.
E shtata: Servituti gëzon mbrojtje juridike. Mbrojtja juridike realizohet në rrugë gjyqësore me anë të padisë konfesore dhe posesore. Procedura gjyqësore kontestimore zhvillohet në gjykatat themelore.

I.Nocioni i servituteve

Servituti është një e drejtë sendore mbi një send të huaj, e cila titullarit të vet i bën të mundshëm që sendin e huaj ta shfrytëzojë në një mënyrë të caktuar.
Pyetje:
1. Kush mund të jetë titullar i servitutit?
2. Midis kujt lind servituti?
3. Çfarë është përmbajtja e servitutit?
4. Çfarë e drejte është servituti?
5. Është konstatuar se servitutet krijojnë marrëdhënie të dyfishta. Pse?

Përgjigje:
1. Titullar i servitutit është çdo pronar aktual i një sendi, i cili është i autorizuar që të shfrytëzojë sendin e huaj në një mënyrë të caktuar.

2. Servituti është një marrëdhënie juridike midis dy palëve, te e cila njëra është aktive, e tjetra pasive. Pra, servituti lind midis dy subjekteve: pronarit të sendit dhe titullarit të servitutit. Aktive është titullari i servitutit, sepse ai duhet të shfrytëzojë sendin e huaj në një mënyrë të caktuar, kurse pasive është pronari i sendit, sepse ai të drejtën e vet jo vetëm që duhet ta ushtrojë në kufijtë e ligjit, por duhet t’i respektojë edhe të drejtat e të tjerëve nëse ato rastësisht kanë ndonjë të drejte mbi sendin e tij.

3.Titullari i servitutit (pala aktive) në mënyrë të caktuar e shfrytëzon sendin e huaj, kurse pronari i sendit (pala pasive) i mundëson titullarit të servitutit ta shfrytëzojë në një mënyrë të caktuar sendin e vet, duke mosvepruar, përkatësisht duke e duruar atë (palën aktive). Kjo është përmbajtja e servitutit.

4. Bazuar në përmbajtjen e servitutit, konstatohet në mënyrë të qartë karakteri sendor – juridik i servitutit. E drejta e servitutit është e drejtë sendore absolute. Mosveprimi, tolerimi apo durimi vepron ndaj të gjithëve duke përfshirë edhe vet pronarin e sendit, ashtu që t’i mundësohet titullarit të servitutit, shfrytëzimi i sendit të huaj.

5. Me të drejtë konstatohet, se servitutet krijojnë marrëdhënie të dyfishta: marrëdhënie midis pronarit të sendit dhe titullarit të servitutit dhe marrëdhënie midis titullarit të servitutit dhe personave të tretë.

II. Parimet e servituteve

Autorë të ndryshëm numrojnë parimet e së drejtës së servituteve në kuptim të gjërë dhe të ngushtë por këtu do të prezentojmë një ndarje më të pranuar ndër autorë të ndryshëm, si:

a – Servituti është e drejtë sendore;
b – Servituti është e drejtë sendore në një send të huaj;
c – Servituti nuk mund të jetë ne bërje;
ç – Servituti duhet të jetë i dobishëm;
d – Ushtrimi i servitutit duhet të bëhet me kujdes;
dh – Servitutet janë të patjetërsueshme vetpërveti;
e – Servitut në servitutin nuk mund të ketë;
ë – Servitutet sendore janë të papjestueshme;

Pyetje:
1. Ç’nënkuptojmë me parimet e servituteve veç e veç?
Përgjigje:
1.a – Servituti, si çdo e drejtë tjetër sendore, ka karakter absolut dhe vepron erga omnes, për t’i mundësuar titullarit të servitutit, shfrytëzimin e sendit të huaj
në mënyrë të caktuar.
1.b – Titullari i servitutit (jo pronari), fiton të drejtë servituti në sendin e pronarit aktual (në sendin e huaj).
1.c – Pronari aktual i sendit mbi të cilin konstituohet e drejta e servitutit, nuk obligohet të bëjë diçka ose të ndërmarrë, por përkundrazi, obligohet të mos veprojë apo të durojë veprimet e titullarit të servitutit.
1.ç – themelimi i servitutit kushtëzohet nga nevoja dhe arsyeshmëria për t’u shfrytëzuar sendi i huaj, për dobi të një sendi tjetër.
1.d – Ushtrimi i servitutit duhet të bëhet në atë mënyrë apo vëllim të caktuar, që sendit shërbyes t’i shkaktohen sa më pak dëme.
1.dh – Servitutet ndajnë fatin me pronat, e jo me pronarët. Servitutet vetpërveti nuk mund të tjetërsohen, por tjetërsimi i tyre bëhet me tjetërsimin e pronave, qoftë të asaj shërbyese, qoftë të asaj dominuese.
1. e – Servituti nuk mund të krijohet në servitut. Servituti themelohet mbi sendin e huaj, e jo mbi të drejtën e servitutit.
1.ë – Servituti është i papjestueshëm, pavarsisht se mund të pjestohet sendi dominant ose sendi shërbyes.

Shembuj :
1. Pronari A, i një toke ka të themeluar të drejtën e servitutit të kalimit mbi tokën e pronarit B. Me një kontratë të shit – blerjes pronari A, e fiton të drejtën e pronësisë mbi tokën e pronarit B, mbi të cilën është konstituar e drejta e servitutit.
Në këtë rast, ç’farë ndodhë me të drejtën e servitutit? Servituti i themeluar mbi tokën e pronarit B, do të shuhet. Pronari A, i cili ka qenë titullar i të drejtës së servitutit mbi tokën e pronarit B, me fitimin e të drejtës së pronësisë mbi tokën shërbyese, nuk ka nevojë për një të drejtë servituti, meqë ai në bazë të autorizimeve pronësore juridike i gëzon ato të drejta që i ofron servituti, bile edhe më shumë sosh.
2. A-është titullar i servitutit të kalimit. Servituti është themeluar mbi tokën e pronarit B. Pronari B detyrohet të mos veprojë apo të durojë titullarin A për të shfrytëzuar tokën e tij. A konsiderohet pengesë kalimi i pronarit B nëpër rrugën në tokën e tij në të cilën ekziston servituti? Përgjigja është negative! Nuk ka pengesë që pronari B të kalojë nëpër rrugën në tokën e tij në të cilën ekziston servituti, por nuk duhet ta pengojë ushtrimin e të drejtës së servitutit nga ana e titullarit A.
3. Pronari A i tokës që shtrihet 2,5 km thellë nga rruga kryesore, pas tokës së pronarit B dhe pronarit C, kërkon të themelohet e drejta e servitutit të kalimit mbi tokën e pronarit B dhe tokën e pronarit C, me arsye dhe nevojë për të shëtitur çdo pasdreke. Në këtë rast a lejohet themelimi i servitutit? Jo. Servituti themelohet nëse ekziston nevoja objektive, dobishmëria ekonomike e tokës dominuese.
4. Pronarët A, B, C të tokave që shtrihen pas tokës të pronarit D, janë titullarë të servitutit të ujit. Për shkak të ndryshimit të rrethanave në tokën e pronarit D, ai dëshiron që ta ndërrojë vendin e kanalit ku rrjedh uji. Pronari D a e gëzon një të drejtë të tillë? Pronari D, si palë pasive mund ta ndërrojë vendin e kanalit ku rrjedh uji ta bartë nga një vend në një vend tjetër, në qoftë se janë ndryshuar rrethanat në tokën e tij, e që e bëjnë të mundur një ngarkesë më pak për të, natyrisht duke e siguruar vëllimin e njejtë të autorizimeve të titullarëve të servitutit A, B, dhe C.
5. Pronari A i vikend-shTëpizës në plazhë nuk ka mundësi të tjera për të shkuar te vikend-shtëpiza, përveçse nëpërmjet një rrugice me gjatësi 21 m dhe rrugës tjeter me gjatësi 250 m. Mbi cilën rrugë do t’i lejohet pronarit A të vikend-shtëpizës, ta themelojë servitutin e kalimit? Pronari A i vikend-shtëpizës ka të drejtë të themelojë servitutin e kalimit mbi rrugicën me gjatësi 21 m, e jo mbi rrugën tjeter me gjatësi 250 m sepse ngarkesa e sendit sherbyes per tu ushtruar servituti i kalimit eshte me e vogel ne rrugen me gjatesi 21 m.

Nga praktika gjyqësore:
1. Gjatë ekzistimit të servitutit fushor sezonal, pronari i tokës shërbyese nuk e cënon posedimin e qetë të pronarit të tokës së privilegjuar (sunduese) nëse e pengon në shfrytëzimin e tokës shërbyese, shfrytëzim i cili është jashtë vëllimit dhe intenzitetit për të cilin është krijuar servituti. Kjo rezulton nga vet përmbajtja e servitutit si një e drejtë sendore mbi një send të huaj, e cila titullarit të vet i bën të mundshëm që sendin e huaj ta shfrytëzoj në një mënyrë dhe vëllim të caktuar. Titullari i servitutit në mënyrë të caktuar e shfrytëzon sendin e huaj, kurse pronari i sendit i mundëson atij ta shfrytëzoj në një mënyrë dhe vëllim të caktuar sendin e vet, duke mosvepruar, përkatësisht duke i duruar veprimet e tij.
2. Në harmoni me parimin e restrikcionit të sevituteve, gjykata mund të lejojë bartjen e trasesë në rrugë, në anën tjetër kundruall pronës shërbyese. Kjo është në funksion të një ngarkese sa më pak që është e mundur për tokën shërbyese, natyrisht duke e siguruar vëllimin e njejtë të autorizimeve të titullarit të servitutit që i gëzon mbi sendin e huaj. Kjo do të ndodhë edhe në rastet kur servituti themelohet me kontratë midis titullarit të servitutit dhe pronarit të sendit shërbyes, sepse kjo nuk do të thotë që patjetër të themelohet servituti në atë mënyrë që është paraparë me kontratë. Përkundrazi, nëse nuk arrihet marrveshja midis palëve për bartjen e trasesë, atëherë një gjë e tillë mund të kërkohet nëpërmjet gjykatës.

III. Llojet e servituteve: i. Servitutet sendore

1. Kuptimi i servituteve sendore

Ekzistojnë dy lloje servitutesh: servitutet sendore dhe servitutet personale.

Pyetje:
1. Ç’kuptojmë me servitut sendor?
2. Kush është objekti (lënda) i servitutit sendor?
3. Pse thuhet se servituti sendor ka karakter të sendorësisë (karakter sendor)?
4. Midis kujt themelohet servituti sendor?
5. A përcaktohet koha për ushtrimin e servitutit sendor?
Përgjigje:
1. Servituti sendor është një e drejtë sendore, e cila mundëson, që në dobi të një sendi të paluajtshëm të përdoret dhe shfrytëzohet një send tjetër i paluajtshëm.
2. Te servituti sendor edhe në anën aktive edhe në anën pasive, objekti (lënda) është send i paluajtshëm. Paluajtshmëria në anën aktive quhet pronë dominante (praedium dominans), në dobinë e të ciles krijohet servituti sendor, kurse paluajtshmëria në anën pasive quhet pronë shërbyese (praedium serviens), e cila duron krijimin e servitutit sendor për dobinë e pronës dominante. Prandaj është konstatuar se objekt i servitutit sendor mund të jetë: toka, ndërtesa, shtëpia, dhe banesa.
3. Servituti sendor ka karakter të sendorsisë, sepse ai krijohet në dobi ose në barrë të pronarëve aktual të sendeve të paluajtshme në anën aktive dhe pasive.
4. Servituti sendor themelohet midis titullarit të servitutit (pronarit të pronës dominante) dhe pronarit të pronës shërbyese. Titullarë i servitutit sendor mund të jetë: pronari i pronës dominante apo poseduesi i saj aktual.
5. Servituti sendor, sipas mënyrës së realizimit mund të themelohet si: e drejtë e përhershme (kur titullari i servitutit e ushtron atë për gjithë kohën) dhe si e drejtë e përkohshme (kur titullari i servitutit e ushtron atë kohë pas kohe); Sipas ligjit, servituti sendor themelohet për kohë të caktuar, për stinë të caktuar etj.

2. Llojet e servituteve sendore

Sipas Ligjit për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore, servitutet sendore janë: fushore; shtëpiake dhe teknike-komunale.
Pyetje:
1. Ç’janë servitutet fushore?
2. Cilat servitute numërohen si servitute fushore?
3. Ç’janë servitutet shtëpiake?
4. Cilat servitute konsiderohen shtëpiake?
5. Ç’janë servitutet teknike-komunale?
6. Cilat servitute konsiderohen teknike-komunale?
Përgjigje:
1. Servituti fushor është një e drejtë sendore në sendin e huaj, e cila krijohet në dobi të pronarit aktual të tokës dominante, duke e ngarkuar pronarin aktual të tokës shërbyese, me qëllim të shfrytëzimit sa më të mirë ekonomik si dhe të shtimit të vlerës së tokës dominante.
2. Si servitute fushore numrohen: servituti i kalimit në këmbë; i kalimit të kafshëve; i kalimit me qerre; i mjeteve motorike; nxjerrja (marrja) e ujit; etj.

a.- Servituti i kalimit në këmbë, nënkupton mundësinë e kalimit në këmbë nëpër tokën e huaj, të titullarit të servitutit dhe personave të tjerë, qoftë të atyre që vijnë te titullari i servitutit, qoftë të atyre që ikin (dalin) prej tij.
b.- Servituti i kalimit të kafshëve nëpër tokën e huaj, nënkupton kalimin e bagëtive, shpezëve, kalimin me karrocë dore ose karrocë të vogël të lehtë që e shtyn ose e tërheq me dorë vet njeriu.
c.- Servituti i kalimit me qerre, me mjete motorike etj. nënkupton hapjen e rrugëve dhe udhëve të caktuara nëpër të cilat kalohet me ato mjete.
d.- Servituti i ujit nënkupton: ecjen e ujit nëpër tokën e tjetrit; dhënien ujë bagëtisë në burimin e tjetrit; bartja e ujrave të ndyta nëpër kanalet e tjetrit; kalimi i kanaleve nëpër tokën e tjetrit; derdhja e ujrave të shiut në pronën e tjetrit qoftë si pikim i strehëve, qoftë nëpër kanale; mbushja e ujit në burimin ose pusin e tjetrit; etj.

3. Servituti shtëpiak është një e drejtë sendore në sendin e huaj, i cili krijohet në dobi të pronarit ose të poseduesit aktual të sendit shërbyes, me qëllim të përdorimit (më të mirë) të shtëpisë (ndërtesës dhe tokës ndërtimore).
4. Servitute shtëpiake janë: e drejta e kalimit të detyrueshëm nëpër tokën e huaj; e drejta që trarin e vet ta përforcojë në murin e huaj; e drejta e kalimit të tymit nëpër oxhakun e huaj; e drejta e rrjedhjes së ujrave atmosferik dhe ujrave tjerë nëpër tokën e fqiut; e drejta për të vendosur TV-antenë në pallatin e huaj, etj.
5. Servituti komunal teknik është një e drejtë sendore në sendin e huaj, i cili krijohet në dobi të pronarit apo poseduesit aktual të sendit shërbyes duke e autorizuar atë të ndërmarre veprime të caktuara në paluajtshmërinë e fqiut, i cili është i detyruar të durojë.
6. Servitutet komunale-teknike janë: e drejta e kalimit të gassjellësve, naftsjellsëve, ujësjellsëve dhe gypa të tjerë nëpër tokën e huaj, e drejta e kalimit të TV-kabllove nëpër tokën e huaj, etj.

3. Mënyrat e fitimit të servituteve sendore

Servituti sendor themelohet (fitohet) me veprim juridik (kontratë, testament), me vendim të organit shtetror dhe me parashkrim.
Pyetje:
1. Kur servituti sendor themelohet me veprim juridik?
2. Si themelohet servituti me vendim të organit shtetror?
3. Si themelohet servituti me anë të parashkrimit?
Përgjigje:
1. Servituti sendor themelohet me veprim juridik kur lidhet kontrata ose përpilohet testamenti.
Servituti sendor mund te themelohet me kontratë (pactum), të lidhur midis pronarit të paluajtshmërisë sunduese dhe pronarit të paluajtshmërisë shërbyese, që i pari, për nevojat e paluajtshmërisë së vet të ndërmarrë veprime në paluajtshmërinë e huaj, kurse i dyti të durojë apo të mos marrë veprime edhepse do të kishte të drejtë t’i ndërmarrë në paluajtshmërinë e vet.
Me testament ku shprehet vullneti i fundit i testatorit, mund të themelohet servituti sendor në njërën nga mënyrat ne vijim :

a.- kur trashëgimlënësi me testament urdhëron trashëgimtarin ose legatarin që në dobi të personit të tretë të themelojë të drejtën e servitutit në ndonjërën paluajtshmëri nga masa trashëgimore;
b.- kur trashëgimlënësi me testament urdhëron trashëgimtarin apo legatarin, që në paluajtshmërinë e tij, të themelojë servitut në dobi të personit të tretë;
c.- kur trashëgimlënësi me testament, një paluajtshmëri ua lë në trashëgim më shumë rashëgimtarëve, dhe njërin nga ato e urdhëron të themelojë servitut sendor në dobi të pronarëve tjerë.

2. Me vendim të organit shtetror, servituti sendor themelohet :

a.- me vendim të gjykatës për ndarjen e sendit-gjatë procedurës për ndarjen e bashkësisë së paluajtshmërive;
b. - me vendim të organit tjetër shtetror – siç është rasti me eksproprijimin jo të plotë, kur organi i administratës me vendim konstituon ndonjë servitut sendor në tokën apo ndërtesën e dikujt.

3. Në rrugë të parashkrimit (usucapio), servituti sendor themelohet, në qoftë se në mënyrë konkrete plotësohen kushtet ligjore për parashkrim: pronari i tokës dominante në mënyrë faktike e ka realizuar servitutin 20 vjet dhe pronari i tokës shërbyese atë nuk e ka kundërshtuar.

Shembuj :
1. Pronari A i tokës dominante ka lidhur kontratë gojore me pronarin B të tokës shërbyese, për themelimin e servitutit sendor. A llogaritet e plotfuqishme kjo kontratë? Kontrata me të cilën është themeluar servituti sendor, llogaritet e plotfuqishme edhe pse nuk është lidhur në formë me shkrim, në qoftë se palët kontraktuese, në tërësi i realizojnë detyrimet që dalin nga ajo.

2. Pronari A i shtëpisë që nuk ka oborr, ka nevojë që t’i mbajë dhe çajë drurët në oborrin e fqiut. Në ç’farë rruge mund të themelojë servitut sendor pronari A? Posedimi i të drejtës së servitutit sendor themelohet me kontratë dhe gëzon mbrojtje kundër personave të tretë që hyjnë në posedimin e oborrit pa bazë juridike.

3. Pronari A i pasurisë dominante me pronarin B të pasurisë shërbyese kanë konstituar servitut sendor me anë të një marrveshje, e cila është pjesë e kontratës së shit-blerjes së pasurisë dominante. Pyetje eshte se ajo që vlen për kontratën e shit-blerjes, a duhet vlejtur edhe për dispozitën që ka të bëjë me konstituimin e servitutit? Ajo që vlen për kontratën e shit-blerjes, vlenë edhe për dispozitën që ka të bëjë me konstituimin e servitutit: forma me shkrim dhe vërtetimi në Noteri.

4. Nëse pronari A, i cili është i detyruar që në parcelën e vet (servituti i shikimit), të mos ndërtojë objekt, në funksion të fqiut, me të cilin kanë konstituar servitutin, a do të thotë që pronari A nuk mund të sigurojë leje për ndërtim?
Themelimi i servitutit të shikimit, nuk mund të jetë pengesë për sigurimin e lejes për ndërtim, në qoftë se kjo është në pajtueshmëri me planin hapsinor.

5. Titullari A ka realizuar autorizimet që dalin nga e drejta e servitutit sendor në mënyrë faktike, në kurriz të pronës të pronarit B. Titullari A realizimin e autorizimeve e ka bërë pavarsisht nga vullneti i pronarit B. A mund të themelojë servitut sendor në këtë mënyrë titullari A? Posedimi i të drejtës së servitutit sendor themelohet me realizimin e autorizimeve që përbëjnë të drejtën e servitutit në mënyrë faktike, pavarsisht nga vullneti i pronarit të paluajtshmërisë shërbyese, në qoftë se atë të drejtë titullari e ka realizuar për 20 vjet dhe shfrytëzuesi apo pronari i pasurisë shërbyese nuk e ka kundërshtuar në asnjë formë ushtrimin e asaj të drejte nga ana e titullarit A.

4. Humbja e servituteve sendore

Servituti sendor humbet në qoftë se pronari i pronës shërbyese kundërshton ushtrimin e tij, kurse pronari i pronës dominante tre vjet rresht nuk e ushtron ate; kur nuk ekziston arsyeja për të cilën është themeluar servituti; kur nuk ushtrohet gjatë kohës së nevojshme për fitimin e tij, me anë të parashkrimit fitues; kur i njejti person bëhet pronar i pronës shërbyese dhe dominante; kur shkatrrohet prona shërbyese apo dominante.
Pyetje:
1. Në ç’farë forme pronari i pronës shërbyese mund ta kundërshtoj ushtrimin e servitutit nga ana e pronarit të pronës dominante?
2. Kur humbet arsyeja për të cilën është themeluar servituti?
3. Pse shuhet servituti kur i njejti person bëhet pronar i tokës dominante dhe asaj shërbese?
Përgjigje:
1. Pronari i pronës shërbyese mund te bëje kundërshtimin e ushtrimit të servitutit, duke e penguar, përkatësisht kundërshtuar kohë pas kohe, apo duke ndërmarrë veprime që janë në kundërshtim me përmbajtjen e atij servituti.

2. Arsye për të cilën është themeluar servituti humbet kur servituti bëhet i panevojshëm për shfrytëzim në vëllim dhe mënyrë të caktuar, për dobinë e pronës dominante.

3. Servituti humbet kur një person do të bëhet pronar edhe i pronës dominante edhe i pronës shërbese, sepse sipas parimeve të servituteve, servituti sendor nuk mund të ekzistojë në sendin e vet, por vetëm në sedin e huaj.

Shembuj :
1. Pronari A ka të themeluar servitut sendor mbi pronën e pronarit B, me vendim të gjykatës. Më vonë me një kontratë të shit-blerjes pronari A bëhet pronar i pronës së pronarit B. A shuhet ky servitut në këtë rast, duke marrë parasysh se servituti është themeluar me vendim të gjykatës? Në rastin konkret, servituti do të shuhet edhe pse është themeluar me vendim të gjykatës. Servitutet e themeluara me vendim të gjykatës mund të shuhen edhe në situata të tjera si: shfrytëzuesi hjek dorë nga servituti; servituti e humb arsyen pse është themeluar; bëhet eksproprijimi i pronës shërbyese apo sunduese etj.
2. Pronari A i sendit shërbyes kundërshton ushtrimin e të drejtës së servitutit sendor nga ana e pronarit B të sendit dominues. A mund të shuhet servituti në këtë rast? Në këtë rast servituti sendor do të shuhet, por përveç që pronari A të ketë kundërshtuar pronarin B në ushtrimin e servitutit, duhet që pronari B për tri vite rradhazi të mos e ketë ushtruar atë të drejtë.
3. Në procedurën gjyqsore lidhur me ndarjen fizike të pronës, paraqitet nevoja e kalimit të pronarëve të pjesëve të ndara nëpër pjesët tjera (sipas ndarjes se re), përkundër faktit se para ndarjes fizike ka ekzistuar e drejta e kalimit të pronarëve nëpër tokën shërbyese. Ju si gjykatës i ardhshem ç’farë do të kishit vendosur lidhur me servitutin e kalimit? Në procedurën gjyqsore për ndarjen fizike të pronës, gjykata është e autorizuar që të konstituojë të drejtën e servitutit të kalimit për pjesët e tokës që është ndarë, si dhe të shuajë servitutin e kalimit të pronarëve nëpër tokën shërbyese që ka ekzistuar para ndarjes fizike.

III. Llojet e servituteve: ii. Servitutet personale

1. Kuptimi i servituteve personale

Servituti personal (servitutes personales) është e drejta sendore mbi sendin e huaj, që titullarit të vet i mundëson që në mënyrë të caktuar të shërbehet me sendin e huaj, e që pronari i atij sendi duhet ta durojë një gjë të tillë.
Pyetje:
1. Në dobi të kujt konstituohet servituti personal?
2. Kush është palë aktive e kush është palë pasive te servituti personal?
3. Kush janë shfrytëzuesit e autorizuar të servitutit personal?
4. Kush bën pjesë në servitutet personale?
Përgjigje:
1. Servituti personal konstituohet në dobi të një personi të caktuar, për dallim nga servituti sendor që konstituohet në dobi të pronarit të një paluajtshmërie.
2. Palë aktive te servituti personal është personi i caktuar në dobi të të cilit është konstituar servituti, ndërkaq palë pasive është pala që duron, pronari i një sendi shërbyes.
3. Shfrytëzues të autorizuar të servitutit personal mund të jenë përveç personave fizikë edhe personat juridike.
4. E drejta pozitive e Maqedonisë njeh tri forma të servitutit personal: frutgëzimin (usufructus); te drejten e përdorimit (usus) dhe te drejten e banimit (habitatio).

2. Ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet servitutit sendor dhe atij personal

Servituti sendor dhe ai personal kanë pikat e ngjajshme: edhe njëri edhe tjetri janë të drejta sendore në një send të huaj; në të dy rastet kemi të bëjmë me sendin shërbyes; pronari aktual i sendit shërbyes nuk detyrohet në bërje por vetëm në pësim ose në mosbërje; janë të drejta të kufizuara mbi sendin e huaj; etj. si dhe pikat ku dallohen si: karakteri sendor juridik te servituti sendor shprehet si në anën aktive, ashtu edhe në atë pasive, kurse te servituti personal vetëm në anën pasive; servituti sendor është i “lidhur” për sendin dominant, kurse servituti personal është i “lidhur” për personin e caktuar; servituti sendor është i papjestueshëm, kurse servituti personal në parim është i pjestueshëm; objekt i servitutit sendor është send i paluajtshëm, kurse i servitutit personal mund te jetë send i luajtshëm apo i paluajtshëm; etj.
Pyetje:
1. Kujt i shërben sendi shërbyes te servituti sendor dhe kujt te servituti personal?
2. Midis kujt ekziston servituti kur kemi të bëjmë me servitut sendor përkatësisht personal?
3. A mund të trashëgohet servituti sendor perkatesisht ai persona?
4. Kush e ka posedimin te servituti sendor dhe kush te ai personal?
5. A janë të numruara servitutet sendore perkatesisht ato personale?

Përgjigje:
1. Sendi shërbyes te servituti sendor i shërben pronarit aktual të një sendi dominant, në dobi të sendit dominant, kurse te servituti personal, sendi shërbyes i shërben personit të caktuar fizik apo juridik më së shumti për të gjallë të atij personi.
2. Servituti sendor, si marrëdhënie ekziston midis pronarëve aktualë, si në anën aktive, ashtu edhe në atë pasive, kurse te servituti personal në anën aktive personi është i caktuar konkretisht.
3. Servituti sendor ndjek fatin e sendit dhe bartet bashkë me të, kurse servituti personal, meqë është i lidhur për personin e caktuar as nuk mund të trashëgohet dhe as që mund të bartet në ndonjë person tjetër.
4. Te servituti personal, posedimin e sendit shërbyes e ka titullari i servitutit, kurse te ai sendor pronari aktual i sendit shërbyes.
5. Servitutet sendore nuk janë të përcaktuara numerikisht, kurse ato personale po.

3. Frutgëzimi (Usufructus)

3.1. Kuptimi i frutgëzimit
Frutgëzimi është një e drejtë sendore në sendin e huaj në bazë të së cilës titullari ka të drejtë personale të përdorë sendin e tjetrit dhe të gëzojë frutat e tij më së shumti për të gjallë të vet, duke mos e cënuar substancën dhe destinimin ekonomik të tij.
Pyetje:
1. Kush e ka pronësinë te frutgëzimi, titullari i servitutit apo pronari i sendit?
2. Me vdekjen e frutgëzuesit ç’ndodhë me sendin që është në frutgëzim?
3. A mund frutgëzuesi ta shesë sendin në frutgëzim?
4. Cili është qëllimi i krijimit të frutgëzimit?
Përgjigje:
1. Pronësinë mbi sendin në frutgëzim e ka pronari i sendit, ndërkaq posedimin e ka titullari i frutgëzimit.
2. Me vdekjen e frutgëzuesit, sendi i kthehet pronarit sepse është thënë se frutgëzimi është një e drejtë personale.
3. Frutgëzuesi nuk mund ta shesë sendin që është në frutgëzim. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm pronari i sendit.
4. Frutgëzimi krijohet për dobinë e frutgëzuesit, që ai të gëzojë të drejtën e përdorimit të sendit, gëzimit (vjeljes) së frutave që i sjell sendi, qoftë kur është fjala për frutat natyrorë, qoftë për frutat civil.

3.2. Krijmi (fitimi) i frutgëzimit
Frutgëzimi krijohet me veprim juridik (kontratë, testament) dhe me anë të parashkrimit.
Pyetje:
1. Si krijohet frutgëzimi mbi sendet e paluajtshme dhe ato të luajtshme, me anë të kontratës?
2. Në ç’farë forme mund të krijohet frutgëzimi me anë të testamentit?
3. Si krijohet frutgëzimi me anë të parashkrimit?
Përgjigje:
1. Frutgëzimi si servitut personal mbi sendet e paluajtshme mund të krijohet me anë të kontratës në formë me shkrim, e cila vërtetohet në gjyq apo në Noteri dhe me regjistrim në librat publik përkatës, kurse frutgëzimi mbi sendet e luajtshme krijohet me kontratë dhe me dhënien e sendit frutgëzuesit.
2. Është e zakonshme në përditshmërinë tonë, që krijimi i frutgëzimit me anë të testamentit të bëhet në formë të legut. Në trashëgiminë testamentale në formë të legut përcaktohet sendi që do të jetë në frutgëzim.
3. Frutgëzimi me anë të parashkrimit krijohet kur frutgëzuesi me mirëbesim dhe i ligjshëm ka ushtruar të drejtën e frutgëzimit në një send mbi të cilin tjetri e ka të drejtën e pronësisë, për periudhën prej tre vjetësh.

3.3. Të drejtat dhe detyrimet e frutgëzuesit dhe pronarit
Frutgëzuesi ka të drejtë të gëzoj sendin e huaj, duke e respektuar destinimin e tij ekonomik, si dhe duke e ruajtur substancën e tij, kurse pronari i sendit detyrohet të durojë një gjë të tillë.
Pyetje:
1. Frutgëzuesi a ka të drejtë t’i vjelë të gjitha frutat e sendit të frutgëzimit?
2. Ç’farë të drejte gëzon frutgëzuesi mbi frutat civile të sendit në frutgëzim?
3. Gjatë krijimit të frutgëzimit frutgëzuesi apo pronari i sendit mund të
kërkojë që të vërtetohet gjendja e sendit shërbyes me anë të procesverbalit.
Nëse nuk kërkohet një gjë e tillë, ç’farë konsiderohet se eshte gjendja e sendit?
4. A është i detyruar frutgëzuesi t’i bartë shpenzimet për mbajtjen e rregullt të sendit shërbyes?
5. Ç’bëhet me sendin kur ndërpritet frutgëzimi?
6. A mund të krijohet servituti i frutgëzimit mbi sendet që janë të harxhueshme apo mbi të drejtat që nuk japin fruta?
Përgjigje:
1. Frutgëzuesi ka të drejtë t’i vjelë frutat natyrore që i jep sendi shërbyes, pa e zvogluar substancën e tij dhe pa e cënuar rregullat juridike apo doket e mira.
2. Frutat civile, që i jep sendi në bazë të ndonjë pune juridike, i takojnë frutgëzuesit, për gjithë kohën sa zgjatë frutgëzimi. Frutat civile që lindin pas shuarjes së frutgëzimit, i takojnë pronarit të sendit.
3. Nëse frutgëzuesi dhe pronari i sendit nuk kanë hartuar procesverbal lidhur me gjendjen e sendit shërbyes, atëherë llogaritet se frutgëzuesi e ka pranuar sendin shërbyes në gjendje përdorimi të kualitetit të mesëm, me gjitha cilësitë për një përdorim të rregullt nga frutgëzuesi.
4. Po, frutgëzuesi i bartë shpenzimet për mbajtjen e rregullt të sendit shërbyes.
5. Kur ndërpritet frutgëzimi, sendi shërbyes i kthehet pronarit të sendit.
6. Po, por këtë lloj frutgëzimi ligjvënsi e konsideron si frutgëzim jo të rregullt. Me sendin e harxhueshëm apo me të drejtat që nuk japin fruta, derisa zgjatë frutgëzimi, frutgëzuesi në mënyrë të lirë disponon me sendin.

Shembuj :
1. Frutgëzuesi A ka krijuar frutgëzimin mbi sendin shërbyes, pronë e pronarit B. Krijimi i frutgëzimit mbi sendin është bërë kur sendi ka dhënë (prodhuar) fruta. Pronari B nuk ka bërë vjeljen e frutave. Fillon frutgëzimi. Ne kete rast kujt i takojnë frutat, pronarit apo frutgëzuesit? Frutat natyrale të cilat nuk janë shkëputur nga sendi në momentin kur fillon frutgëzimi, i takojnë frutgëzuesit.
2. Sendi shërbyes gjatë frutgëzimit, ka dhënë fruta, të cilat frutgëzuesi A nuk i ka vjelur (mbledhur). Mbaron (shuhet) frutgëzimi. Kujt i takojnë frutat, frutgëzuesit apo pronarit të sendit? Frutat natyrale, që kur mbaron frutgëzimi nuk janë vjelur (mbledhur) nga frutgëzuesi, i takojnë pronarit të sendit.
3. Pronari B i sendit në frutgëzim, dëshiron që ta tjetërsojë ate në personin e tretë! A mund ta kufizojë për këtë frutgëzuesi A? Pronari B, mund ta tjetërsojë sendin në frutgëzim në personin e tretë pa asnjë kufizim.

3.4. Shuarja e frutgëzimit
Frutgëzimi shuhet (ndërpritet) nën kushtet e parapara me ligj.
Pyetje:
1. Cilat janë ato kushte me të cilat shuhet (ndërpritet) frutgëzimi?
Përgjigje:
1. Frutgëzimi shuhet me:

a.- skadimin e kohës së caktuar, kur ai është krijuar për perodë të caktuar kohore.
b.- vdekjen ose ndërprerjen e frutgëzuesit;
c.- me kalimin e sendit shërbyes në pronësinë e frutgëzuesit;
d.- me heqje dorë (renoncim) nga ana e frutgëzuesit;
dh.- me shkatrrimin e sendit shërbyes.

Shembuj :
1. Sendi shërbyes në frutgëzim pëson shkatrrim. Shkatrrimi nuk është total, por i pjesërishëm. Frutgëzuesi A a do të vazhdojë ushtrimin e frutgëzimit mbi pjesët e pashkatrruara të sendit, apo do të ndërpritet (shuhet) frutgëzimi?
Në qoftë se sendi shërbyes shkatrrohet pjesërisht, frutgëzuesi A do të vazhdojë të ushtrojë frutgëzimin në pjesët tjera që ekzistojnë të sendit.
2. Pronari B i sendit shërbyes në frutgëzim është i shqetsuar për mos ushtrimin e frutgëzimit nga ana e frutgëzuesit A! Ç’farë mund të ndërmarrë në këtë rast pronari B? Pronari B mund të kërkoj nga frutgëzuesi A të heq dorë në mënyrë shprehimore nga frutgëzimi dhe t’ia kthejë sendin atij (nëse është send i luajtshëm) apo ta shlyejë nga regjistrimi në librat publik (nëse është send i paluajtshëm).

IV. E drejta e përdorimit (usus)

E drejta e përdorimit (usus) është servitut personal, në bazë të së cilës titullari i saj, ka të drejtë të përdorë dhe t’i vjelë frutat e sendit në pronësi të tjetrit, vetëm në masën sa është e vevojshme për atë vetë dhe për nevojat e shtëpiarëve të tij, duke e ruajtur substancën e sendit.

Pyetje:
1. Ç’farë përmban në vete e drejta e përdorimit?
2. Kush mund të jetë objekti i së drejtës së përdorimit?
3. Si krijohet e drejta e përdorimit?
4. Kush i heq shpenzimet mbi sendin që është objekt i të drejtës së përdorimit, pronari i sendit apo përdoruesi i sendit?
Përgjigje:
1. E drejta e përdorimit në vete përmban dy elemente: përdorimin e sendit të huaj dhe mbledhjen (vjeljen) e frytave.
2. Objekti i së drejtës së përdorimit mund të jetë sendi i luajtshëm, i paluajtshëm, trupor ose jotrupor, po vetëm sendi i paharxhueshëm.
3. E drejta e përdorimit krijohet me vullnetin e palëve, me punë juridike (kontratë, testament), me vendim gjyqësor dhe me parashkrim fitues.
4. Pronari është i detyruar t’i heqë të gjitha barrët dhe shpenzimet që kanë të bëjnë me sendin përpjestimisht nga dobia (fitimi) që ka nga sendi. Ngjajshëm detyrohet edhe përdoruesi i sendit.
Shembuj :
1. Përdoruesi A ka krijuar të drejtën e përdorimit mbi sendin shërbyes. Sendi shërbyes jep fruta më shumë sa që ka nevojë ai dhe shtëpiarët e tij. A mund përdoruesi A t’i shfrytëzojë të gjitha frutat që i jep sendi? Përdoruesi A mund t’i shfrytëzojë frutat, vetëm në atë masë, sa është e nevojshme për vet atë dhe për nevojat e shtëpiarëve të tij. Masën tjetër (tepricën) të frutave e shfrytëzon pronari i sendit.
2. Sendi shërbyes jep aq fruta sa që është e nevojshme për përdoruesin A dhe shtëpiarët e tij. Përdoruesi A i mbledh vet të gjitha frutat. Në këtë rast a ngarkohet pronari i sendit për barrët dhe shpenzimet lidhur me sendin? Në rastet kur përdoruesi i mbledh vet të gjitha frutat që i jep sendi shërbyes, atëherë vetëm përdoruesi ngarkohet me barrët dhe shpenzimet ndaj sendit, kurse pronari i sendit është i liruar plotësisht.

V. E drejta e banimit (Habitatio)

E drejta e banimit është servitut personal, në bazë të së cilës, titullari i të drejtës së banimit gëzon të drejtën që të banojë (buajë) në shtëpinë ose në një pjesë të saj (banesën) e pronarit tjetër aktual, për nevojat e veta dhe shtëpiarëve të tij.

Pyetje:
1. Kush është objekti i të drejtës së banimit?
2. Si krijohet e drejta e banimit?
3. Kush i bartë shpenzimet lidhur me mbajtjen e banesës?
Përgjigje:
1. Objekti i së drejtës së banimit në sendin e huaj është sendi i paluajtshëm, pikërisht shtëpia (ndërtesa) ose pjesa e saj (banesa).
2. E drejta e banimit krijohet në bazë të vullnetit të njeriut, me veprim juridik (kontratë, testament) dhe me vendim gjyqësor.
3. Shpenzimet lidhur me mbajtjen e banesës, parimisht i bartë pronari i banesës.
Shembuj :
1. Personi A së bashku me shtëpiarët e tij, mbi 20 vjet rradhazi e përdor për banim banesën e pronarit B. Personi A me shtëpiarët e tij nuk kanë ndonjë bazë tjetër juridike për të krijuar servitutin e të drejtës së banimit. A mund personi A me anë të parashkrimit fitues të fitojë të drejtën e banimit në banesën e pronarit B? Në këtë rast, përkundër shfrytëzimit të banesës për banim nga personi A dhe shtëpiarët e tij, për periodën kohore mbi 20 vjet, e drejta e banimit nuk mund të fitohet me parashkrim fitues.
2. Titullari i të drejtës së banimit A, e ushtron të drejtën e banimit në banesën së bashku me pronarin e banesës B. Mbi cilin bien shpenzimet dhe barrat e banesës, mbi titullarin A apo pronarin B? Në këtë rast, shpenzimet dhe barrat e banesës i bartë pronari i banesës.
3. Titullari i të drejtës së banimit A, e ushtron të drejtën e banimit në banesën e pronarit B, në tërësi vetë ai. Gjatë një kohe sipas nevojës titullari A bën riparimin e rëndësishëm të banesës. Shpenzimet për këtë riparim kush do t’i bartë titullari A apo pronari B? Gjitha shpenzimet për riparim të rëndësishëm të banesës në të cilën e ushtron të drejtën e banimit titullari A në tërësi vetë, i bartë vet titullari A, e jo pronari B i baneses.
4. Titullari i së drejtës së banimit A, ka të drejtë përdorimi vetëm në një pjesë të shtëpisë, pronë e pronarit B. Pronari B vendos të bëjë riparim të rëndësishëm në shtëpinë e vet duke përfshirë edhe pjesën e shtëpisë ku ushtron të drejtën e banimit titullari A. Kush i bartë shpenzimet e riparimit, pronari B apo titullari A? Meqë titullari A ka të drejtën e banimit vetëm në një pjesë të shtëpisë së pronarit B, shpenzimet për riparim do t’i bartë pronari B, kurse shpenzimet në proporcion me pjesën që e gëzon titullari A do t’i bartë titullari A.

VI. Mbrojtja e servituteve

Servituti si e drejtë sendore në sendin e huaj gëzon mbrojtje juridike. Ajo mbrojtje mund të jetë: posesore dhe petitore.
Pyetje:
1. Cila mbrojtje quhet posesore?
2. Si realizohet mbrojtja petitore?

Përgjigje:
1. Mbrojtja posesore është ajo mbrojtje që e realizon titullari i servitutit në rrugë gjyqësore me anë të Padi posesore e qe ka per qellim që të mos i cënohet apo i merret posedimi mbi sendin në servitut.
2. Mbrojtja petitore e të drejtës së servitutit është ajo mbrojtje që pronari i sendit dominant kërkon nga gjykata me Padi konfesore që të mos pengohet përkatësisht të ndalohet në ushtrimin e të drejtës së servitutit qoftë nga ana e pronarit të sendit shërbyes, qoftë nga ana e personave të tretë.

VII. Përfundimi

Servituti është e drejtë e pavarur sendore në një send të huaj, sipas së cilës titullari i kësaj të drejte është i autorizuar që të shfrytëzojë sendin e huaj në mënyrë të caktuar.
Me që servituti është e drejtë sendore në sendin e huaj (ius in re aliena), është konstatuar se kjo e drejtë nuk e ka konceptin pronësor, por është një shthurje e autorizimeve pronësore, një kufizim i pronësisë. Madje, vet ekzistimi dhe realizimi i servitutit ka domthënien e kufizimit të së drejtës së pronësisë të atij sendi të huaj. Kjo është kështu, sepse titullari i të drejtës së servitutit mund të shfrytëzojë sendin e huaj në mënyrë të caktuar, e që njëkohësisht e kufizon pronarin e atij sendi në ushtrimin e autorizimeve të tij pronësore-juridike: pronari gëzon të drejtën e posedimit dhe disponimit në mënyrë të pakufizuar mbi sendin që e ka në pronësi e që është objekt i të drejtës së servitutit, kurse të drejtën e shfrytëzimit e realizon jo në kundërshtim me ligjin apo të drejtën e ndonjë personi. Çka nënkupton se pronari i sendit në servitut nuk mund ta shfrytëzojë sendin e vet në kundërshtim me autorizimet e titullarit të servitutit.
Përmbajtja dhe funksioni i servitutit ka për qëllim që titullarit të servitutit t’i jep autorizime që në mënyrë të caktuar të shfrytëzojë sendin e huaj, kurse pronari i atij sendi të lejojë përkatësisht të durojë atë shfrytëzim.
Detyrimi i pronarit të sendit nuk rrjedh nga raportet juridike detyrimore por nga raportet pronësore juridike. E drejta e servitutit si e drejtë sendore dallon nga marrëdhëniet detyrimore. Servituti krijon marrëdhënie të dyfishta: midis pronarit dhe titullarit të servitutit, si dhe marrëdhënie midis titullarit të servitutit dhe personave të tretë. Këtu shihet, se servituti në natyrën e vet është e drejtë absolute dhe vepron erga omnes. Ajo jo vetëm që vepron ndaj pronarit konkret, por edhe ndaj të gjithë personave të tretë. Titullari i servitutit ka të drejtë të kundërshtojë çdo veprim që pengon ushtrimin e autorizimeve të tij që burojnë nga servituti, qoftë të jetë veprim i pronarit të sendit, qoftë të jetë veprim i personit të tretë.
E drejta e servitutit, si kufizim pronësor i sendit të huaj, asnjëherë nuk i absorbon në mënyrë të plotë autorizimet pronësore juridike: jus utendi, jus fruendi dhe jus abutendi. Titullari i servitutit në bazë të autorizimeve që i jepen nga e drejta e servitutit mund vetëm të shfrytëzojë sendin e huaj në mënyrë të caktuar, në masë dhe vëllim të arsyeshëm për të shfrytëzuar sendin e vet që ka cilësinë e sendit dominant. Të drejtën e disponimit të sendit shërbyes e ka përherë pronari i sendit. Ai, pa asnjë kufizim mund ta tjetërsojë, ta durojë, të lë në hipotekë etj.

  • 2 vota. Mesatarja e 5.00 të 5.

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.