Like faqes ☞ Prof Asoc Dr Jordan DACI per Avokat Populli 

Fitimi i posedimit dhe llojet e tij

Nga Rexhep Zebica *

 I. Fitimi i posedimit dhe llojet e tij

Rexhep Zebica            Posedimi është i fituar kur poseduesi krijon pushtetin faktik mbi sendin, qoftë duke e themeluar me veprimin e njëanshëm (fitimi origjinar), ose i është bartur nga një person tjetër përmes ndonjë pune juridike (fitimi derivativ).  Në te drejtën romake, posedimi ishte fituar gjithmonë me bashkimin e dy elementeve që ishin corpus apo pushteti faktik mbi sendin si dhe animus apo dëshira që sendin ta mbaj për vete, ndërsa në të drejtën pozitive mjafton ekzistimi i curpusit për konstituimin e posedimit. Në aspektin e përgjithshëm  e drejta e posedimit si pushtet faktik mbi sendin, mund të fitohet në dy mënyra, dhe atë në mënyrë origjinare dhe atë derivative.

I.1.  Fitimi origjiner i posedimit

            Fitimi origjiner i posedimit, ekziston atëherë kur posedimi në sendin e caktuar fitohet pavarësisht vullnetit të poseduesit të mëparshëm ose kundër vullnetit të tij. Pra në këtë rast poseduesi i mëparshëm që kishte pushtetin faktik në një send të caktuar nuk shpreh vullnetin që posedimin e tij të deritanishëm ta kaloj tek një person tjetër . Fitimi i posedimit në sendet e luajtshme bëhet me marrjen e tyre, ndërsa në sendet e paluajtshme, me fillimin e shfrytëzimit të tyre, siç bie fjala me lëvrimin e tokës bujqësore dhe të ngjashme, me të cilat dëshmohet se poseduesi i ri ka filluar shfrytëzimin e paluajtshmëris në të cilën e ka fituar posedimin.  Grocius ka thanë se, “posedimi mbi sendin e luajtshëm fitohet me dorë, ndërsa në sendet paluajtshme me këmbë”. Nga kjo kuptohet se fitimi i posedimit me dorë  në sendet e luajtshme bëhej me kalimin e sendit nga një person tek personi tjetër, ndërsa fitimi posedimit me këmbë në paluajtshmëri kishte kuptimin e fillimit të punimit të paluajtshmërisë, siç është rasti i lëvrimit të tokës.

I.2.  Fitimi derivativ i posedimit

            Fitimi derivativ i posedimit, ekziston atëherë kur fitimi i posedimit bëhet me vullnetin e poseduesit paraardhës, që nënkupton kalimin e posedimit nga një posedues në poseduesin tjetër.  Siç shihet këtu pra, për dallim nga fitimi origjiner i posedimit, tek fitimi derivativ ekziston vullneti i dyanshëm  për bartjen e sendit në posedim, nga poseduesi i mëparshëm tek poseduesi fitues dhe me këtë rast dorëzimi i sendit shërben si bazë për konstituimin e posedimit.  Kjo gjë mund të ndodhë në mënyra të ndryshme: dorëzimi material i sendit, i shoqëruar edhe me vullnetin për të transferuar posedimin (traditio) është një mënyrë e transferimit që vlen vetëm për sendet e luajtshme, për sendet e paluajtshme dorëzimi është gjithmonë një dorëzim simbolik (traditio ficta)  që realizohet nëpërmjet dorëzimit p.sh., të çelësave të apartamentit ose të dokumenteve të pronësisë së sendit. Dorëzimi i sendit nga një posedues në tjetrin mund të jetë i thjeshtë, kur kemi kalimin e thjesht të sendit në posedim, prej dore në dorë,  por ky dorëzim mund të jetë edhe i karakterit simbolik, që do të thotë respektimi i disa shenjave – veprimeve me rastin e dorëzimit të sendit. Dorëzimi simbolik, është kur nuk dorëzohet sendi në tërësi, por vetëm një pjesë e tij, për shembull kur jepen vetëm çelësat e veturës, etj.

            Ekziston edhe dorëzimi me “dorë të shkurtër” apo traditio brevi manu i cili bëhet vetëm me deklarimin e vullnetit ku fituesi i posedimit e mban sendin sipas ndonjë baze tjetër, ku mbajtësi i sendit, në bazë të deklarimit të vullnetit, fiton edhe corpusin edhe animusin. Gjithashtu kemi edhe Consistum posessorium, që ekziston atëherë kur pronari i cili njëkohësisht ishte edhe posedues faktik e shet shtëpinë e vet në të cilën banonte dhe bëhet qiramarrës me kontratë të lidhur me blerësin e shtëpisë së tij. Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, parashihen tri mënyra për fitimin e posedimit dhe atë; fitimi i posedimit me anë të veprimeve juridike, fitimi i posedimit me trashëgim si dhe fitimi i posedimit me pushtim.

I.3.  Fitimi i posedimit me veprim juridik

            Veprimet juridike përmes të cilave fitohet posedimi, gjithherë bëhen në përputhje të plotë  me vullnetin e pronarit të sendit, ku pronari shpreh lirshëm vullnetin për një gjë të tillë dhe në bazë të ndonjë veprimi juridik dhe të ligjshëm e bën kalimin e  ndonjë sendi që e kishte në posedimin e tij tek një person tjetër. Si veprime juridike me anë të cilave fitohet posedimi mund të konsiderohen për shembull kontrata e qirasë, e pengut, huapërdorjes, uzufruktit si dhe veprimeve tjera juridike të ngjashme.

I.4.  Fitimi i posedimit me trashëgim

            Edhe me anë të trashëgimit, posedimi mundë të kalohet nga poseduesi paraardhës tek poseduesi fitues, por kjo nuk vlen nëse trashëgimtari me titull universal ka shtirë në dorë sendin në mënyrë të padrejtë.Pra posedimi si e drejt reale mund të kalojë me trashëgim nga poseduesi te trashëgimtarët e tij ligjorë ose testamentarë, për çka duhet trashëgimlënësi të ketë pasur posedimin e sendit në momentin e vdekjes së tij. Trashëgimtari fiton posedimin në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit, pavarësisht se kur e ka fituar pushtetin faktik mbi sendin në posedim. Meqë posedimi mund të kaloj edhe në trashëgimtarë, vlen të përmendet se sipas kësaj rregulle trashëgimtari gëzon edhe të drejtën e mbrojtjes së posedimit të cilën gjë mund ta ndërmarrë përmes padive për mbrojtjen e posedimit edhe kur ai ka munguar dhe nuk ka pasur mundësi që në sendin e trashëguar të realizoj pushtetin e tij faktik.  Qoftë për efekt të periudhës së posedimit, qoftë për ato në lidhje me kualifikimin e posedimit vlen parimi sipas të cilit posedimi i trashëgimtarëve vazhdon nga ai i trashëgimlënësit, (duke u mbledhur të dy periudhat) dhe duke ruajtur cilësimin e mëparshëm të posedimit (posedimi i trashëguar): në qoftë se posedim i trashëgimlënësit ishte në mirëbesim, i tillë qëndron edhe ai i trashëgimtarit, në qoftë se trashëgimlënësi ishte në keqbesim, i tillë vazhdon të jetë edhe trashëgimtari.

I.5.  Fitimi i posedimit me pushtim

            Fitimi i posedimit me pushtim është mënyra e vetme e paligjshme e fitimit të posedimit dhe kjo mënyrë përbën posedimin si e drejtë reale në vete. Si tek pronësia ashtu edhe te posedimi fitimi me anë të pushtimit është  i kufizuar vetëm në sendet e caktuara e që zakonisht bëhet në sende të luajtshme siç janë sendet e braktisura nga pronari apo res nulis, kafshët e egra, shpendët e sende të tjera të luajtshme që i përkasin natyrës. Te posedimi i fituar me pushtim ekziston mundësia që me kalimin e kohës, në kushtet e përcaktuar me ligj, poseduesi të shëndrrohet në pronar të sendit, për shembull, personi duke u paraqitur ndaj sendit njësoj si të ishte pronarë, për një periudhë prej 20 vjetësh bëhet pronarë i këtij sendi. Përveç këtyre mënyrave të fitimit të posedimit ekzistojnë edhe mënyra tjera me anë të së cilave mund të fitohet posedimi e që janë fitimi i posedimit me ligj si dhe me anë të aktit administrativ.

I.6.  Fitimi i posedimit me ligj

            Fitimi i posedimit me anë të ligjit ekziston atëherë kur ligji parasheh shprehimisht një gjë të tillë, pra kur përcaktohet se personi i caktuar do të jetë posedues në një send. Për këtë rast të fitimit të posedimit mund të marrim si shembull dispozitën ligjore të Ligjit mbi Familjen sipas të cilës, prindi posedon pasurin e të miturit si rezultat i pamundësisë së fëmiut për të poseduar pasuri të caktuar. Edhe fitimi posedimit me vendim gjyqësor mbi një send të caktuar konsiderohet si i fituar me ligj, sepse vendimi gjyqësor është mbështetur në dispozitë ligjore, për shembull, gjykata vendos heqjen e zotësisë për të vepruar të bashkëshortit dhe e vendos që pasuria e tij të posedohet nga bashkëshorti tjetër.

I.7.  Fitimi i posedimit në bazë të aktit administrativ

            Fitimi i posedimit me anë të aktit administrativ është mënyrë e ligjshme dhe personi në këtë rast fiton të drejtën e mbajtjes mbi sendin, duke u detyruar që atë ta kthejë te pronari me kalimin e afatit. E rëndësishme për këtë mënyrë të fitimit të posedimit është që akti administrativ të jetë i bazuar në një dispozitë konkrete dhe në përputhje me qëllimin e ligjit, për shembull, për shkak të përmbytjeve, zjarrit etj., me vendim të organit kompetent administrativ fiton posedimin mbi një shtëpi banimi e cila i përket një personi tjetër.

II.  Llojet e posedimit

            Dallimet e shumta që ekzistonin në mes poseduesve të ndryshëm bën që, që nga e drejta romake, posedimi të ndahej në disa lloje të ndryshme, ku secili nga ta dallohej me vetit dhe karakteristikat që përmbante në vete. Posedimi civil apo possesio ex justa causa, si dhe posedimi natyror (detentio) possessio natyralis, ishin dy ndarjet themelore të posedimit.

II.1.  Posedimi natyral (possessio natyralis)

            Poseduesit e sendit të cilët posedimin e nxirrnin nga ndonjë punë juridike të lidhur me pronarin, kishin pushtetin fizik ( faktik apo material) mbi sendin; kishin korpusin apo trupin e sendit si dhe këtë pushtet ata e ushtronin duke e pranuar se nuk janë pronarë të sendit pra kishin të bindur vullnetin se sendin e mbanin për tjetrin: animua alieno nomine possidendi, poseduesit e tillë quheshin posedues natyrorë ose detentores, ndërsa posedimi i tyre njihej si possessio natyralis ose si posedim natyror (detentio). Pra tek posedimi natyral mbajtësi nuk ka qëllimin që sendin ta mbaj si të vetin apo rem sibi habendi, si dhe nuk kishte iusta causa possessions, për mbajtjen e sendit, possessio natyralis, ishte diçka më pak se posedimi një marrëdhënie faktike e pa mbrojtur nga ligji, një mbajtje e thjesht e sendit. Kishin possessio naturalis qiramarrësi, depozitë-marrësi, huapërdorëmarrësi si dhe përgjithësisht personat e pazotë për të vepruar ose të ashtuquajturit juridikisht jo autonomë si fëmijët, personat alieni iuris dhe skllevërit. Poseduesit natyror ose detentorët gëzonin ius utendi apo të drejtën që të përdornin sendit e pronarit që e kishin në posedim si dhe ius fruendi apo që t’i mblidhnin frytet e sendit si natyrore ashtu edhe ato civile, gjithashtu mund t’i kishin edhe të dy autorizimet në të njëjtën kohë. Gjithashtu detentorët në disa raste  mund të ishin të ngarkuar që vetëm ta ruanin sendin dhe frytet e sendit t’i mblidhnin në favor të pronarit të sendit ose edhe ta ruanin sendin si dhe frytet e tij t’i përdornin në favor të një grupi të tërë njerëzish, të cilët i përkitnin njëkohësisht edhe pronarit edhe detentorit.Natyrisht që poseduesi bona fide kishin të drejtën e mbledhjes së fryteve të sendit dhe shfrytëzimit të tyre për nevojat familjare, për veç kësaj poseduesit bona fide  me anë të usucapiu mund të bëheshin edhe pronar të sendit në posedim, ndërsa poseduesve mala fide nuk u njiheshin të drejtat e tilla.  Savigny, pohonte se dallimi në mes detention dhe posedimit vjen nga një analizë e duhur e konceptit të fundit  dhe ndërtimin e doktrinës së tij sipas tekstit të Paulit “apiscimur possessionem corpore et animo, neque per se animo but per se corpora”, pra sipas teorisë klasike  posedimi është i përbërë nga dy elemente dhe atë corpus apo pushteti faktik si dhe animus apo vullneti për ta ushtruat atë pushtet si pronarë. Edhe Jhering i dallonte posedimin dhe mbajtjen, por ai nuk bënte dallim në prezencën apo mungesën e qëllimit për të mbajtur sendin si pronarë. Sipas Jhering, një person ka detention dhe jo posedim kur causa possession (shkaku i posedimi) është e një natyre që nënkupton ushtrimin e kontrollit fizik ndaj një sendi, në emër të një personi tjetër. Kur ndodhë kjo, nuk mund të kemi një posedim në kuptimin e drejt të fjalës, dhe possessio causa bëhet causa detentionis.

            Dallimi themelor juridik midis detencionit ose posedimit natyror dhe posedimit civil ose interdiktor qëndronte në çështjet e mbrojtjes së poseduesve, ku poseduesit të cilët i mbanin sendet në emër të huaj nuk gëzonin mbrojtje të veçantë me përjashtim të mbrojtjes të cilën mund ta kërkonin nga pronari i vet ndërsa poseduesit të cilët mbanin sendin në emër të vet nuk mund të kërkonin mbrojtjen nga pronari i vërtet i sendit, prandaj në marrëdhëniet poseduese ose në marrëdhëniet lidhur me posedimin ishin të mbrojtura me mjete të veçanta juridike me të ashtuquajturat interdicte. Pra pasi që detentori dhe poseduesi kanë të njëjtin element që është kontrolli fizik ndaj sendit, dallimi në mes tyre gjendet në elementin mendor apo në animus. Kjo shpjegon se pse huamarrësit, qiramarrësit apo agjentët tregtar nuk kanë pasur posedim në të drejtën romake, pra ata nuk pretendonin që sendin ta mbanin si pronarë. Një lloj i përmendur i veçantë i posedimit është posedimi që shënohet zakonisht si posedim i ndërmjetshëm ose obgeleiteter Besitz, e që është një trajtë kalimtare e posedimit  dhe rri midis retencionit të thjeshtë dhe posedimit civil apo interdiktor.

II.2.  Posedimi civil (possessio civilis)

            Në të gjitha rastet kur poseduesit kishin pushtetin fizik mbi objektin e posedimit, ose korpusin dhe vullnetin që objektin ta mbanin për vete apo animus rem sibi habendi, ekzistonte posedim civil apo interdiktor (possessio civilis ose possessio ad interdicta). Posedimi civil është bazuar në iust causa  për fitimin e posedimit, dhe sipas të drejtës civile mund të çoj në rrethana të sigurta për fitimin e pronësisë nëpërmjet usucapio.  Meqë në këto raste mbajtja e sendit shoqërohej edhe me vullnetin që sendi të mbahej për vete, ishte e rëndësishme ekzistenca e curpusit si dhe ajo e animusit. Për sa i përket animus-it, ishte ligji ai që përcaktonte se në cilat raste bëhej fjalë për posedim (possessio) dhe në cilat për detention. Konsiderohej si posedues pronari i sendit, hajduti, kreditori pengmarrës dhe sekuestruesi. Në këto situata në fakt flitej për një posedim anormal, sepse në këto raste possessio corpore nuk shoqërohej me animuas possidendi, ndërsa konsiderohej si mbajtës i thjeshtë i sendit depozitë-marrësi, qira-marrësi, hupërdor-marrësi. Posedimi civil është pra ai posedim që prodhon efekte juridike civile, në fakt që  poseduesit i jep mundësinë që  ndaj sendit që ka posedimin me kalimin e kohës me anë të parashkrimit fitues të fitoj të drejtën e pronësisë. Në këtë kuptim possessio civile ose posedimi prej atij që sillet si pronarë vendoset përballë posedimit natyror. Sipas juristit Nerva, “pronësia e sendit fillon me posedimin natyror të vet këtij, prej këtej mbetet një gjurmë në gjuetinë e kafshëve të tokës, detit dhe qiellit. Në fakt, këto fitohen prej atyre që i posedojnë të parët”. Në të drejtën klasike, për posedimin civil kërkohej zotësia mendore andaj  personat me të meta mendore si dhe  fëmijët  nuk mund të kishin një animus të vlefshëm ligjërisht, dhe si pasoj nuk mund të kishin një possessio civilis. Në të drejtën romake, duke marrë parasysh rrethanat për shkak të cilave ishte bërë  krijimi i posedimit si te poseduesit civil apo interdiktor,  posedim ndahej në të ashtuquajtur possessio justa (possessio non vitiosa) dhe në possessio injusta (possessio vitiosa).

II.3.  Posedimi  i ligjshëm ( possessio justa )

            Posedimi i ligjshëm ( possessio justa ) në të drejtën romake, ekzistonte kur poseduesi i sendit nuk e kishte përvetësuar objektin e posedimit në mënyrë të gabueshëm ose vicioze, porse e kishte fituar në bazë të punës valide juridike ( aktit të përgjithshëm juridik i cili sipas të drejtës objektive është i përshtatshëm për themelimin e atij lloji të të drejtës përmbajtjen e të cilës poseduesi e ushtron. Edhe në të drejtën pozitive, posedimi i ligjshëm, është posedimi i cili mbështetet në bazë juridike të vlefshme ( punët juridike – kontratat, vendimet, okupimet etj). Kur poseduesi e ka bazën juridike të vlefshme, ka mundësi që të bëhet edhe pronarë përmes institutit të parashkrimit fitues. Ky lloj posedimi ekziston pra në rastet kur poseduesi e ka posedimin nga personi tjetër që është pronar i sendit, të cilin posedim e ka fituar në bazë të ndonjë veprimi juridik, ligjit ose në bazë të një akti administrativ, si për shembull., posedimi i qiramarrësit, pengmarrësit etj.

            Në literaturën juridike përmenden dy përfundime për posedimin e ligjshëm e që janë:

  • Posedimi ushtrohet nga një person i ndryshëm nga pronari;
  • Këtij të fundit posedimi duhet t’i ketë kaluar nga pronari.

            Por edhe këto dy kritere nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar ligjshmërinë e posedimit të jo pronarit andaj për të përcaktuar se posedimi është i ligjshëm, bazuar në kërkesat siç  janë: veprimi juridik, ligji apo akti administrativ, është e nevojshme që pronari t’ia kalojë personit posedimin, në bazë të njërës nga kërkesat e sipër përmendura. Kërkesat e përmendur më sipër si veprimi juridik, ligji apo akti administrativ janë elemente të njohura nga ligji, ekzistimi i të cilave krijon pasoja të caktuara juridike civile, konstatimi i të cilave lidhet me krijimin, ndryshimin dhe shuarjen e marrëdhënieve juridike civile përkatëse. Që posedimi ligjorë ta ketë efektin e duhur juridik është e nevojshme që të vërtetohet se posedimi i tillë nuk është fituar me forcë, mashtrim apo keqpërdorimin e besimit ( vi, clam apo precario ) pra që posedimi mos të përmbaj të meta të tilla të cilat ndikojnë në ligjshmërinë e posedimit, edhe pse posedimi mund të jetë i ligjshëm por me të meta apo posedim i pandërgjegjshëm, për shembull., blerësi e din apo sipas rrethanave duhet të dinte se shitësi është hajdut. Posedim pronësorë të ligjshëm ka ai i cili deri te posedimi ka ardhur në bazë të ndonjë pune të përshtatshme për bartjen e pronësisë për shembull  (shitblerja, këmbimi, falja), pavarësisht se parapraku e ka pasur posedimin ligjor apo jo d.m.th se poseduesi ligjor, bile edhe kur blen nga hajduti, pavarësisht në atë se a e ka ditur dhe sipas rrethanave ka mundur ta dijë që paraardhësi nuk është posedues ligjorë. Kjo ndarje është me rëndësi tek fitimi i të drejtës në bazë të posedimit.

            Duke pasur parasysh përmbajtjen e veprimeve të ligjshme të njeriut si fakte juridike, arrihet në përfundim se posedimi i ligjshëm fitohet në dy mënyra:

  • Në mënyrë vullnetare, kur posedimi fitohet nëpërmjet kryerjes së veprimit juridik;
  • Në mënyrë të detyrueshme, kur ai fitohet si rezultat i kryerjes së veprimeve të ligjshme të njeriut, pra në bazë dhe për zbatim të kërkesave ligjore.

II.4.  Posedimi jo i ligjshëm (possessio injusta)

            Posedimi i paligjshëm, është posedimi, i cili nuk mbështetet në ndonjë bazë (titull) juridik të vlefshëm i cili poseduesit do t’i mundësonte ushtrimin e posedimit. Posedimi i paligjshëm apo (possessio injusta ose vitiosa) është pikërisht ajo çfarë shkenca e të drejtës së pronësisë kupton me termin posedim dhe në këtë posedim, sundimi efektiv mbi sendin ose pushteti faktik mbi sendin e ushtruar nga personi, nuk i përgjigjet e drejta korresponduese e posedimit. Në të gjitha rastet kur mungon një punë juridike e vlefshme që është e nevojshme për fitimin të drejtës së pronësisë e cila merret si kriter për posedimin e ligjshëm si dhe kushti tjetër që posedimi të jetë fituar me dhunë, mashtrim apo keqpërdorimin e besimit në këto raste posedimi është jo i ligjshëm.  Edhe autori Puhan, thekson se, “ Possessio injusta ( possessio vitiosa ) është çdo posedimi që poseduesi e kishte konstituuar në mënyrë vicioze, apo vi, clam ose precario, possessio injusta ishte çdo posedim që poseduesi e kishte bërë në mënyrë anti-juridike, duke përdorur veprimet e forcës, duke i marr sendet e huaja fshehtas dhe duke i mohuar detyrimet e marra qartë që sendet t’ia kthente zotëruesit prej të cilit i kishte marrë.  Possessio injusta, mund të kundërshtohet vetëm nga personi të cilit i ishte marrë posedimi nga possessor injusta, ndërsa ndaj personave të tret kjo e fundit ka gëzuar mbrojtje të njëjtë si possessor iustus.

II.5.  Posedimi i vërtet ( i drejtë )

            Me qenë se kjo ndarje e posedimit është e bërë në bazë të fakteve që i kanë parapri krijimit të posedimit e që kanë mund të jen vi, clam apo precario, tek posedimi i vërtet kërkohet që asnjëra nga faktet e përmendura mos të ekzistojë. Pra posedimi i vërtet, është ai lloj posedimi i cili fitohet në bazë të rregullt (në mënyrë të rregullt) me dorëzimin e sendit të luajtshëm në pushtetin faktik, është ai posedimi i cili nuk është fituar me vi clam ose precaris, që do të  thotë me forcë, mashtrim ose keqpërdorim të besimit ( për shembull., i jepet libri në përdorim ai pastaj nuk  e kthen). Te ky lloji  i posedimi poseduesi  i sendit nuk  e kishte përvetësuar objektin e posedimit në mënyrë të gabueshme apo vicioze, por kishte ndjekur mënyrën e rregullt duke bërë marrëveshjen që sendin pas përdorimit ta kthej tek pronari. Ky posedim ekzistonte kur poseduesi i sendit mund t’i referohej ndonjë shkaku juridik apo titulus i cili në kushte normale ka pasoj krijimin e të drejtës pronësore, apo që në rastin konkret nuk  ndodhte kështu për shkak se kishte ndonjë pengesë (sendi është blerë dhe marrë nga jo pronari, është okupuar objekti që nuk ka qenë res derelicta ose res nullius, sendi është marrë në mënyrë formalisht jo të drejtë.

            Në sajë të titulluesit formalisht të vlershëm të fitimit, poseduesit në të drejtën romake ndaheshin në:

  • possessores pro herede, apo poseduesi që mban një pasuri me besimin se ia është trashëgimtari;
  • possessores por suo, apo persona që ishin të bindur se mbanin sendin e vet, edhe pse sendi në të vërtet nuk ishte i tyre, ku personat e tillë konsideroheshin possessor malae fidei dhe trajtoheshin si praedo (grabitës, hajdut);
  •  possessores pro emptore, apo personi që mbante sendin të cilin e kishte fituar me blerje;
  •  possessores pro legato, që përdorej kur një person pranonte një send si përmbushje e trashëgimis;
  • possessores pro donator, apo personi që pranonte një send si dhuratë nga një jo pronar,
  •  possessores pro dote, që përdorej kur bashkëshorti pranonte një send si një prikë;
  • possessores pro derelicto, përdorej kur një person merrte një send të braktisur nga një person tjetër që konsiderohej si pronarë; si dhe
  •  possessores pro soluto kur një send ishte dhën në përputhje të plotë me detyrimin.

Në të gjitha këto raste mbajtësi (poseduesi) i sendit ishte konsideruar possessor pro suo, prej kur ai posedonte me besimin se ai ishte pronar i tij, edhe pse në fakt ai nuk ishte pronarë, për shkak se transferuesi ( si shitës, dhurues etj) nuk është pronarë, trashëgues apo dhurues pra është jo valide.

II.6.  Posedimi jo i vërtet

            Nga  vetë titulli i këtij lloji posedimi kuptojmë se bëhet fjalë për një lloj posedimi i cili është fituar në mënyrë jo të rregullt, apo në kundërshtim me rregullat dhe gjithashtu kundër vullnetit të pronarit apo poseduesit të mëparshëm, nga i cili posedimi është nxjerr me forcë, dhunë apo mashtrim. Posedimi i pavërtetë, është ai që fitohet me forcë, dhunë dhe mashtrim ( vi, clam, precario ) për shembull, i japim dikujt mjetin e caktuar në shfrytëzim në bazë të mirëbesimit mirëpo ai më pastaj  nuk na e kthen sendin.  Pra posedimi i padrejtë, ekziston në të gjitha rastet kur fitimi i tij bëhet me përdorimin e forcës, mashtrimit apo keqpërdorimit të besimit, e të gjitha këto  si mënyra të kundërligjshme për shtimin në dorë të sendit të huaj, me anën e te cilave personi fiton këtë lloj posedimi.  Posedimi i fituar me forcë (vi), është ai posedim i cili është fituar me vetëgjyqësi, përvetësimi i pushtetit faktik në sendin e huaj kundër vullnetit të poseduesit të gjertanishëm, si në rrugën e drejtpërdrejtë apo të tërthortë duke përdorur dhunën fizike apo psikike.  Posedimi i sendit i fituar me mashtrim (clam), ekziston atëherë ku personi vë në lajthim poseduesin apo pronarin e gjertanishëm me qëllim të fitimit të posedimit, kundër dëshirës së poseduesit të gjertanishëm. Fitimi i posedimit me anë të keqpërdorimit të besimit (precario), ekziston atëherë kur personi e shfrytëzon negativisht besimin e pronarit apo poseduesit, për shembull., pronari i jep sendin e caktuar në shfrytëzim për një kohë të caktuar një personi ndërsa ky i fundit edhe pas skadimit të afatit vazhdon ta mbaj sendin duke mos ia kthyer pronarit. Te ky lloj posedimi, ndërmarrja e veprimeve nga ana e personit të cilit i është marrë posedimi është e një rëndësie të veçanet, sepse në qoftë se lëshohet afati i paraparë për një gjë të tillë, dhe poseduesi i mëparshëm nuk ndërmerr kurrfarë veprimi atëherë i jep mundësin poseduesit të pavërtetë që të bëhet posedues i vërtet.

II.7.  Posedimi me mirëbesim ( possessio bonae fidei )

            Varësisht  nga dijenia a po padijenia e poseduesit për karakterin e paligjshëm të posedimit të tij,  posedimi  ndahej në, possessio bonae fidei a po posedimin me mirëbesim, si dhe në possessio mala fidei apo posedimi me keqbesim. Natyrisht se ndarja e posedimit në posedim  me mirëbesim apo me keqbesim, nuk është në përgjithësi një ndarje teknike por do të thotë që mbajtësi beson  që ka një mbajtje të drejtë ose nuk beson  se ka të drejtë të mbajë.  Posedimi me mirëbesim, është ai që nuk e di apo nga rrethanat e arsyeshme nuk duhet të dinte se sendin që e posedon nuk është i tij apo se posedimi i tij është i paligjshëm. Pra tek posedimi me mirëbesim bonae fidei, personi posedonte një send që i përkiste një personi tjetër, dhe besonte në mirëbesim se ai është pronarë, për shembull., personi që blen një send nga jo pronari duke besuar se ai është pronarë i vërtet.  Possessio bonae fidei ekziston atëherë kur poseduesi i sendit në momentin e konstituimit të posedimit nuk është i vetëdijshëm se titulusi ( shkaku ) i fitimit të tij ka të meta, prandaj nuk mund të bëhej pronar i sendit, pra bonae fidei duhet të ekziston domosdo në momentin e konstituimit të posedimi. Natyrisht se poseduesi me mirëbesim mundë të bëhet pronar i sendit përmes posedimit në një kohë të caktuar e gjithashtu ky posedues ishte i mbrojtur ndaj personave të tretë përmes padive possessore  dhe gjithashtu mund të përdorte edhe actio publiciana.

            Duke marr parasysh faktin që si kriter për ndarjen e posedimit në mirëbesim dhe keqbesim, merret njohuria e poseduesit për karakterin e paligjshëm të posedimit të tij, thuhet se posedimi është me mirëbesim kur poseduesi nuk e ka ditur ose nuk ishte i detyruar të dinte se posedimi i tij ishte i paligjshëm, për shembull, blerja e sendit nga një person i cili pronësinë e ka fituar në mënyrë të paligjshme. Poseduesi është në mirëbesim kur, me gjithë kujdesin e treguar prej tij, është bindur se posedimin e sendit e ka fituar nga pronari në bazë të një kontrate të vlefshme, në bazë të ligjit ose të një akti administrativë të vlefshëm. Me shprehjen nuk e ka ditur ose nuk ishte i detyruar të dinte ligji përjashton fajësinë e poseduesit në pasojën e ardhur, fitimin e posedimit, duke përjashtuar jo vetëm dashjen, por edhe pakujdesin si formë faji. Në këtë rast mirëbesimi prezumohet dhe mjafton të ketë qenë në kohën e fitimit të posedimit. Gjithashtu posedimi me mirëbesim duhet të bazohet në një titull i cili tregon themelimin e të drejtës që pretendohet si dhe në  mirëbesimin e poseduesi. Mirëbesimi mjafton të ekzistojë në kohën kur poseduesi ka hyrë në posedimin e sendit dhe, si rregull, nuk merret parasysh keqbesimi i ardhur më pas, përveç rasteve të parashikuara me ligj. Është  e qartë se pozita e poseduesit me mirëbesim ka pamjen e pronësisë, si një çështje faktike. Si rregull poseduesi me mirëbesim, e konsideron vetën si pronarë, andaj edhe sendin në posedimin e tij e përdor dhe e gëzon pikërisht në të njëjtën mënyrë siç e bënë pronari.  

            Por duhet shtuar se e drejta e tij është e kufizuar nga e drejta e pronarit, pasi që ai mbetet në veprim si pronarë vetëm deri sa pronari i vërtet,  nuk paraqet të drejtën e tij më të fortë në bazë të dëshmive. Mbajtësi i sendit në posedim gjithmonë supozohet së është me mirëbesim, deri sa nuk vërtetohet e kundërta  natyrisht nga ana e pronarit të vërtet i cili paraqet të drejtën e tij më të fortë krahas asaj të poseduesit me mirëbesim. Me qenë se ekziston prezumimi ligjor, sipas të cilit poseduesi prezumohet se është në mirëbesim, deri në vërtetimin e së kundërtës me këtë rast  mbrojtje juridike të poseduesit në mirëbesim gëzon edhe poseduesi, ndaj të cilit nuk arrihet të provohet keqbesimi. Gjithashtu, që posedimi të konsiderohet në mirëbesim, mjafton që  poseduesi të jetë në fillim me mirëbesim, edhe pse më vonë ka marrë dijeni se sendi është i të tjerëve, gjë që përsërit rregullin antik, sipas të cilit keqbesimi i ardhur më vonë nuk dëmton.

            Poseduesi bonae fide (me mirëbesim) ndryshonte nga shumica e poseduesve të paktën prej mbajtësve derivativ të pronësisë sepse poseduesi bonae fidei besonte realisht se ishte pronarë dhe nëse posedimi i tij nuk trazohej, ai bëhej pronar mbas përfundimit të afatit të parashkrimit mirëpo, nëse mbi pronën ngrihej ndonjë pretendim përpara se zotëruesi bonae fidei të bëhej pronar, ai mund të fillonte actio publiciana, e cila padi ishte e vlefshme për t’u ngritur vetëm kundër personave me një pretendim më të pakët se nga vet poseduesi, dhe prandaj nuk mund të ngrihej kundër pronarit dominus real.  Siç e dimë edhe periudha e posedimit apo zgjatja e tij, ka një rënësi të veçanet pasi që krijon efekte të caktuara ligjore. Andaj lidhur me provën e zgjatjes së posedimit ka dy prezumime ligjore: kush provon se ka posedimin aktual dhe në të njëjtën kohë provën që ka poseduar edhe në një kohë të shkuar prezumohet që të ketë poseduar edhe në kohën e  ndërmjetme ; kush provon posedimin aktual dhe në të njëjtën kohë titullin në bazë të cilit ai posedon ( kontratën e blerjes së një sendi të paluajtshëm ) prezumohet që të ketë poseduar që nga data e titullit. Në rast se ndaj poseduesit me mirëbesim paraqitet padia për kthimin e sendit, dhe poseduesi me mirëbesim e humbë kontestin, atëherë poseduesi me mirëbesim bëhet posedues me keqbesim.   Kjo ndarje është me rëndësi te fitimi i të drejtës në bazë të posedimit dhe përkitazi me të drejtat dhe detyrimet me rastin e kthimit të sendit pronarit. Poseduesi me mirëbesim, mund të bashkojë me posedimin e tij edhe kohën e poseduesit me mirëbesim të personit nga i cili e ka fituar posedimin.

II.8.  Posedimi me keqbesim ( possessio malae fidei )

            Përkundrazi prej possessio bonae fidei, possessio malae fidei, ekzistonte kur poseduesi qysh në momentin e fitimit e njihte shkakun prej të cilit nuk mund të bëhej titullar i të drejtës pronësore (ishte i vetëdijshëm se sendin po e merr nga jo pronari, ishte i vetëdijshëm se po okupon sendin që nuk është res derelicta ose nullis). Ndryshe nga posedimi bonae fidei, ku poseduesi nuk kishte njohuri për paligjshmërinë e posedimit të tij, tek posedimi me keqbesim, poseduesi është në dijeni të plotë se sendin të cilin e posedon e ka pa kurrfarë autorizimi dhe si të tillë ka një posedim të paligjshëm pasi që në posedim mban sendin që i përket një personi tjetër. Andaj, posedues me keqbesim, është ai që e ka ditur se pa autorizim e posedon sendin e huaj, ose nga rrethanat ekzistuese është dashur ta dinte se nën pushtetin e vet faktik,  ka sendin e  huaj.

            Gjithashtu, poseduesi është me keqbesim kur ai e ka fituar  posedimin e sendit pa shkak juridik, kundër vullnetit të pronarit ose poseduesit të ligjshëm të sendit, p.sh., vjedhësi, ai qe e ka fituar posedimin e sendit me kontratën e shitjes duke ditur se shitja nuk është bërë në formën e kërkuar nga ligji.  Posedimi me keqbesim dëmton, dhe se edhe posedimi me mirëbesim mund të bëhet me keqbesim, çka është veçanërisht relevante te themelimi i të drejtës së pronësisë me mënyrën e pushtimit, për të cilën kërkohet mirëbesimi dhe ligjshmëria e posedimit gjatë gjithë kohës së nevojshme për mbajtje, e cila kohë fillon të rrjedhë nga dita kur poseduesi ka hyrë në posedim të sendit e përfundon me kalimin e ditës së fundit, kohë e nevojshme për arritje.

II.8.1.  Efektet juridike të posedimit me mirëbesim

            Sendin faktikisht mund ta disponojë poseduesi me mirëbesim dhe ai për atë askujt nuk i përgjigjet ndërsa, poseduesi me keqbesim është përgjegjës edhe për posedimin faktik, pra, ai për veprimet lidhur me sendin në posedim është përgjegjës para poseduesit, respektivisht pronarit të vërtet. Te ky lloj i posedimit vjen në shprehje përgjegjësia e poseduesit për sendin që e ka përdorur në varësi nëse poseduesi ka qenë me mirëbesim ku me këtë rast ai nuk përgjigjet për frutat e sendit të përdorur, por përkundrazi i takon shpërblimi për shpenzimet e mirëmbajtjes të sendit nëse sendi ka pasur shpenzime, apo nëse poseduesi ishte me keqbesim të cilit nuk i njihen shpenzimet e tilla me përjashtim të atyre të domosdoshme.

            Poseduesi me mirëbesim i fiton të ardhurat e nxjerra nga sendi gjatë kohës që e ka pasur sendin në posedimin e tij deri në ditën e njoftimit të kërkesës gjyqësore ose të vënies dijeni mbi natyrën e posedimit. Përveç kësaj poseduesi me mirëbesim nuk ka detyrim ndaj pronarit në emër të kompensimit për shfrytëzimin e sendit, e as nuk ka përgjegjësi për dëmtimin apo shkatërrimin e sendit gjatë kohës së posedimit të tij me mirëbesim, ngase ndaj sendit është sjell si pronarë, e pronari ka të drejtë edhe ta shkatërroj sendin pronar i të cilit është, për shembull, poseduesi me mirëbesim nuk ka detyrim ta kthej apo kompensoj automobilin e  shkatërruar ne aksident. Përkundrazi, poseduesi i sendit me mirëbesim ka të drejtë që ti kërkojë pronarit që t’i paguaj shpenzimet e nevojshme si dhe shpenzimet e domosdoshme të cilat i ka bërë në lidhje me mirëmbajtjen e sendit. Me qenë se siç u pa më lart, si poseduesi me mirëbesim ashtu edhe poseduesi me keqbesim, gjatë përdorimit të sendit që e kanë në posedim, mundë të bëjnë  shpenzime të caktuar të cilat mundë të jenë shpenzime të llojeve të ndryshme. Sa i përket shpenzimeve të cilat bëhen rreth sendit ato mundë të jenë: shpenzimet e domosdoshme, shpenzime të dobishme dhe shpenzime të luksit, ku ato të parat pra shpenzimet e domosdoshme u njihen (kompensohen) si poseduesit me mirëbesim ashtu edhe atij me keqbesim, nëse kanë sjell deri te ruajtja e sendit (p.sh., barnat për shërimin e kafshës), shpenzimet për ruajtjen e shtëpisë nga rrënimi, etj. Si shpenzime të domosdoshme, konsiderohen ato shpenzime të cilat poseduesi detyrimisht duhet t’i bëj në mënyrë që sendin ta mban në gjendje të rregullt duke e ruajtur nga prishjet eventuale, që i kanosen sendit, e të cilat shpenzime i njihen si poseduesit me mirëbesim ashtu edhe atij me keqbesim.

            Shpenzime të dobishme, janë ato shpenzime të cilat e rrisin vlerën e sendit: poseduesit me mirëbesim i pranohen të gjitha shpenzimet sipas kriterit objektiv, por deri në vlerën që ka ndërhyrë, edhe poseduesit me keqbesim i njihen shpenzimet sipas kriterit subjektiv, që do të thotë çfarë është fitim për pronarin. Këto lloj shpenzimesh nuk janë të domosdoshme për mbajtjen e sendit në gjendje të rregullt, por bëhen pra vetëm për ta rritur vlerën ekonomike të sendit me qëllim të përdorimit sa më ta dobishëm apo arritjes së fitimit maksimal nga sendi i caktuar. Ndërsa shpenzimet e luksit, janë ato shpenzime të bëra vetëm për zbukurimin e sendit ose për shkak të komoditetit të sendit,  e të cilat shpenzime nuk i njihen as poseduesit me mirëbesim as atij me keqbesim. Mirëpo sa i përket shpenzimeve të luksit, poseduesve u njihet e drejta ius tollendi apo e drejta e heqjes, e cila ekzistonte atëherë kur një person i cili posedonte apo mbante një send që i përkiste një tjetri, veçanërisht një paluajtshmërie dhe bënte disa përmisime apo investime në to, në kushte të caktuar kishte të drejt ti merrte investimet e bëra (tollendi), me kusht që sendi të mos pësoj asnjë dëmtim nga veprimi i tillë, për shembull., një qiramarrës në një shtëpi me qira në lidhje me shpenzimet e bëra për ndonjë përmisim në shtëpi. Sipas të drejtës klasike, poseduesi në keqbesim (possessor malae fidei) nuk kishte të drejtë ti bënte apo ti merrte në dobi të tij ius tollendi. Sa i përket pasojave juridike të posedimit, poseduesit me mirëbesim kur i plotësonin kushtet e caktuara të cilat ishin të parashikuara me ligj, si dhe kur plotësohej afati i caktuar kohorë, i cili po ashtu ishte i përcaktuar me ligj, krijohej efekti juridik i cili kishte për pasoj fitimin e pronësisë nga ana e poseduesit me mirëbesim. Natyrisht se të drejtën e pronësisë, qoftë mbi sendet e luajtshme apo sendet e paluajtshme e fitonin edhe poseduesit me keqbesim (mala fidei), por në këtë rast afati kohor i parashikuar dyfishohej dhe në këto kushte të  theksuar thuhet se poseduesi e fiton pronësinë mbi sendet me parashkrim fitues. Pra kriteri kryesor që bënte dallimin e fitimit të pronësisë nga poseduesi me mirëbesim apo nga ai me keqbesim, ishte afati kohor i cili për këtë të fundit dyfishohej.

II.8.2.  Të drejtat dhe përgjegjësit e poseduesve lidhur me frytet

            Që në të drejtën romake ekzistonin rregulla të caktuar lidhur me frytet e sendeve nga ana e poseduesve të cilët mbanin sendet në përdorimin apo shfrytëzimin e tyre, ku të drejtat për gëzimin e atyre fryteve dallonin kur ishte fjala gëzimin e tyre nga ana e poseduesve me mirëbesim apo e atyre me keqbesim. Poseduesit bonae fidei kishin të drejt t’i mblidhnin frytet  e sendit dhe t’i shfrytëzonin për interesat e tyre, ku pronën mbi frytet, si shpërblim “pro kultura et cura”, e fituan në momentin e separimit e gjer në të drejtën post-klasike, pikërisht gjersa nuk u detyruan që pronarit t’ia kthenin të gjitha frytet që nuk i kishin shfrytëzuar gjer në momentin e litis contestatio (fructus extantes). Prej asaj kohe pronën mbi frytet e fitonin në momentin e konsumimit apo shpenzimit (fructus consumpti). Me qenë se sendi mbahej në posedim nga ana e poseduesit me qëllim përfitimi për interesat personale pra të karakterit ekonomik, atëherë shtrohej çështja e fryteve të cilat dilnin nga sendi në qoftë se ato ishin mbledhur apo jo nga poseduesi. Andaj edhe frytet, si produkte që dilnin nga sendi frytdhënës ishin frytet civile dhe frytet natyrore. Frytet natyrore janë produkte që dalin nga sendi frytëdhënës (p.sh., pemët, gruri, etj) ndërsa frytet civile janë produkte që dalin nga ndonjë punë juridike p.sh., qiraja, kamata, etj.

            Poseduesit me mirëbesim kanë të drejt në fryte natyrore dhe ato i fitojnë me vjelje dhe nuk ka përgjegjësi për to, derisa ka ekzistuar posedimi, ndërsa poseduesi me keqbesim, nuk bëhet pronar i fryteve dhe përgjigjej për tërë kohën që ka qenë në posedim, ai  përgjigjej si për frytet e fituara ashtu edhe për frytet që nuk i ka vjelë, që ndryshe konsiderohet si fitim i humburapo lucrum cessans. Fitimi i humbur apo i munguar (lucrum cessans), është kur i dëmtuari pengohet që ta rris pasurin, pra është ai fitimi që subjekti i dëmtuar do ta realizonte në të ardhmen, sikur të mos ishte shkaktuar ngjarja e dëmshme.  Tek posedimi kjo ka të bëjë me frytet të cilat do t’i realizonte apo mblidhte pronari i vërtet, sikur se sendi i tij  të mos i merrej nga poseduesi me keqbesim. Edhe pse poseduesve me keqbesim nuk u ishin njohur asnjë nga autorizimet të cilat i kishin poseduesit me keqbesim, prapë se prapë poseduesit mala fidei nuk ishin të zhveshur nga çdo e drejtë.  E drejta më e rëndësishme që e kishin poseduesit mala fidei, dhe që ishte e përbashkët me poseduesit bonae fidei dhe me të gjitha llojet tjera të poseduesve, ishte e drejta që të kërkoni mbrojtjen e posedimit ndaj të gjithë personave qe nuk ishin pronarë, bile edhe ndaj vetë pronarit, nëse përpiqej që t’ua merrte posedimin në mënyrë jo të drejtë.

II.9.  Posedimi direkt (i drejtpërdrejtë)

            Me qenë së disa persona munden që të njëjtën kohë të kenë në posedim të njëjtin send, në këtë drejtim është bërë një dallim në mes të posedimit të drejtpërdrejt dhe posedimit të tërthortë. Personi që posedon një send, si uzufrukti, qiramarrësi, pengmarrësi ose në bazë të një marrëdhënie të ngjashme e që krijon një të drejt apo detyrim për të poseduar për një periudhë të caktuar kohore është posedues i drejtpërdrejt. Pra posedimi i drejtpërdrejtë, ekziston atëherë kur personi drejtpërdrejt, ose përmes të autorizuarit, ushtron pushtetin faktik mbi sendin.  Personi që posedon faktikisht për vete ka posedimin e drejtpërdrejt (direct possession, unmittelbarer Besitz): ai ka kontrollin faktik dhe qëllimin për kontroll. Kjo është formë e possessio civilis (Eigenbesitz­). Gjithashtu posedimi direkt është posedimi më i fort nga të gjitha llojet tjera të posedimit. Edhe me ligjin ton është paraparë se: “personi i cili e ushtron pushtetin faktik mbi një send është posedues i drejtpërdrejt” (neni 103 i LPDTS).

II.10.  Posedimi i tërthortë (indirekt)

            Posedimi indirekt, ekziston atëherë kur personi pushtetin faktik mbi sendin e ushtron përmes një personi tjetër, i cili në bazë të frytgëzimit, kontratës mbi pengun, qirasë, shërbimit, e ka sendin në posedim të drejtpërdrejtë.  Për personin e parë ky lloj posedimi është posedim indirekt, ndërsa për mbajtësin e sendit në bazë të punës juridike kemi posedim të drejtpërdrejtë. Edhe në drejtën ton është dhën definicioni për posedimin e tërthortë në të cilin shprehimisht përcaktohet se: “Posedues jo i drejtpërdrejtë është personi i cili e jep posedimin e një sendi bazuar në një peng, qira, depozitë, marrëveshje ose raporte juridike të ngjashme që i japin personit tjetër të drejtën e posedimit të sendit për një kohë të caktuar” (neni 109 par. 1 i LPDTS. Siç shihet pra tek posedim i tërthortë,  ushtrimi i pushtetit faktik mbi sendin e caktuar bëhet në bazë të punës juridike, ku poseduesi indirekt është i detyruar që ti kthej sendin poseduesit në posedim direkt pas kalimit të kohës së paraparë me punë juridike. Posedimi i tërthortë gëzon mbrojtjen gjyqësore të posedimit edhe në raport me poseduesin e drejtpërdrejtë, edhe në raport me personat e tretë, sipas gjendjes të fundit të krijuar me punë juridike, në të cilin rast nuk ka ndikim vlefshmëria e punës juridike për krijimin e posedimit, si dhe rrethana se personi i tretë e ka penguar posedimin e tërthortë me pëlqimin e poseduesit të drejtpërdrejtë. Posedimi i tërthortë apo indirekt i sendit dallon nga detencioni, sepse në rastin e ekzistimit të detencionit vullneti për mbajtjen e sendit është për tjetrin jo për vete (për shembull., shtëpiakja që i ruan sendet, apo presoni që lexon gazetën në një lokal, ky nuk mund të konsiderohet posedues). Personi i cili ushtron pushtetin faktik mbi një send në emër të një personi tjetër në shtëpinë a atij personi apo në vendin e punës ose në ndonjë vend tjetër, në bazë të një marrëdhënie të ngjashme që e obligon atë që me atë send të veproj në përputhje me udhëzimet e tij quhet detentor ose siç është i njohur ndryshe ndihmës – poseduesi. Në një rast të tillë posedues është personi për të cilin ndihmës – poseduesi e ushtron pushtetin faktik ndaj sendit të caktuar dhe për të cilin ky i fundit i mbledh dobitë të cilat nxirren nga sendi në posedim. Edhe dallimin në mes të një poseduesi indirekt dhe detentorit apo ndihmës – poseduesit nuk është lehtë gjithmonë për ta nxjerr. Për shembull., në varësi të rrethanave, bashkëshorti ose një i autorizuar mund të kualifikohen edhe si posedues indirekt edhe si detentor.

II.11. Posedimi Pronësor

            LPDTS i Kosovës, ka paraparë posedimin pronësorë, me qëllim që të bëhet  dallimi nga posedimi jo pronësor i cili ekziston në të gjitha rastet kur nuk është posedim pronësorë.  Te posedimi pronësorë, poseduesi njëherit është edhe pronarë i sendit dhe në këtë rast shpenzimet që i bënë ky posedues konsiderohet se janë bërë për sendin e vet. Edhe me LPDTS është përcaktuar shprehimisht, se “personi i cili e posedon një send që është pronë e tij, është posedues pronësorë”. Pra në të gjitha rastet kur poseduesi e mban sendin duke pretenduar të drejtën e vet mbi atë send ekziston posedimi pronësorë, ndërsa mbajtja e sendit në emër të dikujt tjetër konsiderohet si posedim jopronësorë p.sh., detentori. Kjo shihet në LPDTS të Kosovës ku në nenin 40, paragrafi 2, shprehimisht përcaktohet se “Personi i cili e ka dhjetë (10) vjet në posedim të pandërprerë një paluajtshmëri dhe nëse ai është regjistruar si posedues pronësor në kadastër (të cilat kanë ekzistuar edhe në të kaluarën dhe nuk konsiderohen libra për regjistrimin e pronësisë - pra Regjistri për Regjistrimin e të drejtave në paluajtshmëri) e fiton pronësinë në paluajtshmërinë ose në ndonjë pjesë të saj, në qoftë se brenda këtij afati nuk është regjistruar ndonjë kundërshtim lidhur me regjistrimin.

            Posedimi i pronarit duke u bazuar në të drejtën e pronësisë është një posedim i ligjshëm pra me shkak juridik, me titull, ndërsa posedimi i jopronarit është kur ai posedimin e ka nga pronari, në bazë të një veprimi juridik, në bazë të ligjit ose të një akti administrativ p.sh., posedimi i qiramarrësit, pengmarrësit etj. Duke pas parasysh faktin se e drejta e pronësisë është e drejt e ligjshme edhe posedimi pronësor konsiderohet i tillë ngase bazohet në shkak juridik.

II.12. Posedimi i Kualifikuar

            Posedimi i kualifikuar, konsiderohet ai lloj posedimi ku në të njëjtin posedues kemi posedim me mirëbesim dhe posedimin e ligjshëm. Posedimi me mirëbesim si dhe ai i ligjshëm janë trajtuar në ndarjet e veçanta të mësipërme.  Rëndësia e posedimit të kualifikuar qëndron në faktin se afati i parashkrimit për fitimin e të drejtës së pronësisë mbi sendin në shumicën e rasteve përgjysmohet respektivisht është më i shkurtë.  Me LPDTS të Kosovës, nuk është paraparë posedimi i kualifikuar të cilin e njihte LMTHPJ, sepse fitimi i pronësisë me parashkrim fitues mbi sendet e luajtshme është dhjetë (10)  vjet, konkretisht neni 28, paragrafi 1.  i LPDTS parasheh se “Një person i cili ka në posedim pronësorë një send të luajtshëm për dhjetë (10) vite pa ndërprerje të posedimit e fiton pronësinë mbi këtë send me përfundimin e kohës prej dhjetë (10) vjetëve, në qoftë se në fillim dhe gjatë kohës prej dhjetë (10) viteve ai nuk ishte në dijeni se nuk i takonte e drejta e pronësisë. Kurse me LMTHPJ parashihej që mbajtësi i cili ishte me mirëbesim dhe i ligjshëm fitonte të drejtën e pronësisë me kalimin e afatit kohor prej tri (3) viteve në sendet e luajtshme, kurse dhjetë (10) vite për sendet e paluajtshme. Kurse mbajtësi vetëm me mirëbesim fitonte pronësinë në sendet e luajtshme me kalimin e afatit kohor prej dhjetë (10) viteve ndërsa për sendet e paluajtshme me kalimin e afatit  kohorë prej 20 (njëzet) viteve.

II.13. Posedimi Tabular

            Posedimi tabular, gjithashtu është një lloj i posedimit i cili nënkupton posedimin e regjistruar në librat publik. Në vende të ndryshme lejohet regjistrimi i pushtetit faktik (posedimit) dhe ky lloj i posedimit quhet posedim tabular ose i regjistruar. Posedimi i regjistruar, me kalimin a afatit të caktuar kohorë shëndrrohet në pronësi.  LPDTS nuk e njeh këtë lloji të posedimit, pra nuk lejohet regjistrimi i pushtetit faktik në mungesë të pushtetit juridik. Megjithatë LPDTS parasheh fitimin e pronësisë me parashkrim përmes regjistrimit, ku në nenin 41,  shprehimisht përcaktohet se “Personi i cili pa e fituar të drejtën e pronësisë është i regjistruar në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëritë si pronarë i një paluajtshmërie ose një të drejte tjetër sendore , do të bëhet pronarë, në qoftë se regjistrimi ka qëndruar njëzetë (20) vjet dhe ai në këtë kohë paluajtshmërinë e ka pasur në posedim pronësorë. Kalimi i afatit është i përjashtuar, në qoftë se është i regjistruar një kundërshtim për regjistrimin në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëritë”.

II.14.  Bashkëposedimi

            Me qenë së ekziston mundësia që në të drejtën pronësore disa persona të jenë bashkëpronar ndaj një sendi të caktuar, edhe tek posedimi si pushtet faktik disa persona mund të paraqiten si bashkëposedues në sendin e caktuar. Më shumë se një person mund ta kenë një send në posedim, nëse secili njeh prezencë e tjetrit dhe secili prej tyre ka pushtetin si dhe qëllimin për ta ushtruar atë. Bashkposedimi, ekziston kur shumë persona  ushtrojnë mbi gjithë sendin pushtetin faktik, përkatësisht në pjesën e sendit i cili është objekt i pavarur në posedim dhe a’i pushtet ushtrohet në të njëjtën kohë, për shembull., (dy studentë jetojnë në dhomën e marrë me qira). Bashkëposedimi është i mundshëm tek të gjitha të drejtat që mund të kenë më shumë titullarë, për shembull, edhe tek e drejta e pronësisë, servituti, bashkëposeduesit, pushtetin faktik të posedimit e ushtrojnë sipas pjesëve alikuote etj. Bashkëposedimi, ekziston nëse sendin e caktuar bashkëposeduseit e përdorin sipas pjesës alikuote, ai që ka 1/3 e pushtetit faktik e përdorë sendin një herë, në krahasim me atë që ka pushtetin faktik të vëllimit 2/3 i cili e përdorë sendin dy herë më shumë se i pari.  Pjesa alikuote apo ideale e bashkëposeduesve shtrihet në të gjithë sipërfaqen e sendit në bashkë posedim dhe shprehet në përqindje, për shembull., 20 %, 40 %,  në thyesa si 1/4, apo 1/7, etj. Kur është në pyetje pronësia e përbashkët, nuk pranohet ushtrimi i pushtetit faktik në mënyrë të pavarur.

            Me qenë se tek bashkëposedimi disa persona e ushtrojnë pushtetin faktik mbi sendin, edhe ushtrimi i pushtetit faktik bëhet në atë mënyrë që çdonjëri bashkëposedues është i kufizuar me pushtetin faktik të bashkëposeduesve të tjerë. Bashkëposedimi mund të ushtrohet në mënyra të ndryshme si për shembull., bashkëposeduesit mund të mirren vesh që nje paluajtshmëri 1 (një) vit ta shfrytëzoj njëri bashkëposedues ndërsa vitin tjëtër, bashkëposeduesi tjetër. Përveç bashkëposedimit të sendit është i mundur edhe bashkëposedimi i të drejtave, kur shumë persona e shfrytëzojnë të drejtën e caktuar, për shembull, shumë persona shfrytëzojnë rrugën e njëjtë nëpër tokën e huaj (servituti). Në raste të caktuar për të njëjtën situatë mund të ekzistoj bashkëposedimi apo posedimi i përbashkët varësisht nga subjektet e paraqitura, për shembull, nëse dy studentë shfrytëzojnë banesën e marr me qira ekziston bashkëposedimi  e nëse në vend të studentave paraqiten bashkëshortët atëherë ekziston posedimi i përbashkët.                                           

            Në të gjitha rastet tjera bëhet fjalë për posedimin individual të një pronari, i cili ekziston kur një subjekt ushtron pushtetin faktik mbi sendin apo në pjesën relative të sendit i cili përfaqëson posedimin vetanak të objektit (pjesa e ngastrës, e objektit banesor, banesa në objektin shumëkatëshe). Te posedimi autonom zbatohet parimi erga omnes, sepse poseduesi i përjashton të gjithë personat ndaj ushtrimit të pushtetit faktik në atë send, sepse ai vet e ushtron pushtetin mbi objektin posedues, qoftë kur si objekt paraqitet sendi i tërë, qoftë ndonjë pjesë e tij reale. Edhe në të drejtën tonë, ligjin i aplikueshëm përcakton në mënyrë të qartë definicionin  për bashkëposedimin ku shprehimisht përcaktohet se “nëse disa persona e kanë bashkëposedimin në një send, e drejta e një personi për përdorimin e sendit në raport me të tjerët dhe mbrojtja individuale e poseduesit për posedimin e tij është e kufizuar me të drejtën e personave të tjerë për përdorimin e sendit ashtu siç është paraparë përdorimi”. (neni 108 i LPDTS)

II.15.  Posedimi i përbashkët

            Në të gjitha rastet kur pushtetin faktik mbi një send e kanë më shumë posedues dhe kur ai pushtet  nuk mund të ushtrohet individualisht nga secili posedues porse vetëm së bashku nga të gjithë poseduesit, ekziston posedimi i përbashkët. Posedimi i përbashkët është  kur dy e më shumë persona e ushtrojnë pushtetin faktik mbi sendin dhe nuk dihet vëllimi i ushtrimit të pushtetit faktik deri sa të ndahet sendi i përbashkët në posedim. Dikur me posedimin e përbashkët nënkuptohej diçka e tretë, rasti kur ka shumë mbajtës përkatësisht posedues ashtu që poseduesit individual nuk munden që vetëm të ushtrojnë pushtetin faktik mbi sendin, por këtë mund ta bëjnë të gjithë së bashku, kur për shembull, kasa mund të hapet vetëm me ndihmën e dy çelësave prej të cilëve njëri gjendet tek njëri person, ndërsa tjetri tek person tjetër. Për dallim nga bashkëposedimi  tek posedimi i përbashkët edhe pse shumë persona kanë të drejtën e posedimit në të njëjtin send, ushtrimi i pushtetit faktik bëhet bashkërisht ngase nuk dihen pjesët e tyre deri sa të bëhet ndarja e sendit dhe në këtë mënyrë poseduesit e përbashkët nuk mund të disponojnë lirshëm me pjesët e tyre

 * autori është Magjister në Shkencat Civile, UP

LITERATURA

  1. Aliu, Abdulla: E Drejta Sendore (pronësia) Prishtinë, 2014.
  2. Aliu, Abdulla: E Drejta Sendore (pronësia). Prishtinë, 2009.
  3. Agushi, Ekrem: Mbrojtëja gjyqësore e posedimit,- Avokatura, Viti IV- nr, 6/2008.
  4. Berisha, Ruzhdi dhe Berisha, Atdhe: EDrejta civile – Pjesa e përgjithshme, (doracak për përgaditjen e provimit të jurisprudencës) Botimi i tretë, Prishtinë, 2008.
  5. Berger, Adolf: Encyclopedic Dictionary or Roman Laë, Philadelphia, 1953
  6. Brestofci, Faik: E drejta procedurale civil II, Prishtinë 2006.
  7. Borkowski, Andreë & Du Plessis, Paul: E drejta Romake. Tiranë, 2004.
  8. Foster, Nigel / Sule, Satish: German Legal System and Laës, Oxford, 2010.
  9. Dauti, Nerxhivane: E drejta e detyrimeve. Prishtinë, 2008.
  10. Drino, Dževad / Hasić, Haris: Stvarno pravo.
  11. Galgano, Francesko: E Drejta private. “Laurasi”, Tiranë, 2006.
  12. Hunter, Alexander William: A Systematic and Historical Exposition of Roman Laë in Order of a Code, Edinburgh, 1920.
  13. Kondili, Valentina: E drejta civile II. pjesa e posaçme Geer, 2008.
  14. Mandro, Arta:  E drejta Romake. Tiranë, 2007.
  15. Morina, Iset / Nikci, Selim: Komentar i Ligjit për procedurën kontestimore, Prishtinë
2 vota. Mesatarja e 3.00 të 5.