Leksione

Subjektet e detyrimeve dhe karakteristikat e marrëdhënieve të detyrimeve

Çdo person fizik dhe juridik apo çdo pjesëmarrës në raportin konkret ka cilësinë e subjektit të detyrimeve.
Raporti detyrimor është; raport juridik; raport në mes të subjketeve të caktuara; raport i cili përmban kërkesë për detyrim; raporti i cili ka për objekt një të mirë; raport me karakter pasuror; raport në harmoni me ligjin.

Burimet e marrëdhënieve të detyrimeve

Burime të marrëdhënieve të detyrimeve janë: kontrata; delikti; pasurimi pa bazë juridike; shprehja e njëanshme e vullnetit; kryerja e punëve pa autorizim; ligji; dhe koventat ndërkombëtare.

Sjellja e pjesëmarrësve në treg

Ligji mbi marrëdhëniet detyrimore parimisht thotë se “OPB dhe pjesëmarrësit e tjerë në qarkullim janë të obliguar që në raportet detyrimore të sillen në harmoni me tregun dhe politikën e përckatuar ekonomike, që të mos e destabilizojnë tregun dhe të mos u sjellin dëm pjesëmarrësve të tjerë, konsumatoreve e as bashkësisë shoqërore në tërësi”. Sanksioni për cënim të kërkesave të përcaktuara është i ashpër dhe përmbahet në nulitet të vetë punës juridike.

Parimi i ndërgjegjshmërisë dhe nderit

Ligji thotë ”Në sajimin e raportit detyrimor dhe në realizimin e të drejtave dhe detyrimeve nga ai raport, pjesëmarrësit janë të obliguar t’u përmbahen parimit të mirëbesimit dhe nderit”. Ndërgjegjshmëria dhe nderi në kushtet aktuale janë parim themelor të cilit domosdo duhet t’i përmbahet çdo pjesëmarrës i raporteve detyrimore.
Si parime të tjera janë: barazia e pjesëmarrësve; parimi i lirisë në rregullimin e marëdhënieve të detyrimeve; ndalimi i shkaktimit të dëmit; ndalimi i keqpërdorimit të së drejtës; parimi i sjelljes gjatë ushtrimit dhe realizimit të të drejtave.

Detyrimet

Lidhja e kontratës – kontrata është pune juridike për lidhjen e së cilës kërkohet pëlqimi i vullnetit të subjekteve pjesëmarrës. Si kushte të kontratës janë:

  1. aftësia e kontraktimit;
  2. pajtimi i vullnetit;
  3. lënda e kontraktimit;
  4. baza juridike e kontratës.

Sipas ligjit një kontratë është e lidhur atëherë kur ofertuesi merr deklaratën e atij të cilit i është bërë oferta. Ekzistojnë edhe kontratat e detyrueshme siç është kontrata mbi sigurimin.
Shprehja e vullnetit – vullneti për lidhjen e një kontrate mund të shprehet në mënyra të ndryshme: me fjalë, gjeste, apo sjellje të tjera. Ekziston shprehja e vullnetit në mënyrë shprehimore dhe vullnetin e shprehur në mënyrë indirekte. Vullneti indirekt vjen në shprehje kur një person me sjelljet e veta bën tëkuptohet se dëshiron të lidh kontratë.
Negociatat – Në shumë raste, lidhjes së kontratës i paraprijnë negociatat. Negociatat nuk përmbajnë elemente të ofertës, prandaj edhe nuk kanë karakter detyrimor.
Koha dhe vendi i lidhjes se kontratës – Si kohë e lidhjes së kontratës konsiderohet momenti kur ofertuesit i arrin deklarata se pala tjetër e pranon ofertën. Si vend i lidhjes së kontratës konsiderohet vendi në të cilin është bërë oferta, respektivisht vendi në të cilin ofertuesi ka selinë apo vendi në të cilin ofertuesi ka pasur vendbanimin në kohën kur është bërë oferta.
Oferta – Oferta është institucion juridik i cili ka karakter detyrimor. Oferta është propozim për lidhje të kontratës drejtuar ndaj personit të caktuar , e cila në vete përmban të gjitha elementet qenësore të kontratës, kështu që me pranimin e ofertës mund të lidhet kontrata. Oferta mund të jetë edhe e përgjithshme, kur ju drejtohet disa personave. Efekti juridik i ofertës gjendet në prodhim të kontratës si qellim kryesor. Çështja e revokimit të ofertës është e drejtë e atij i cili edhe ka ofertuar. Për tu bërë një ofertë apo për t'u lidhur një kontratë ligji nuk parasheh si rregull ndonjë formë.
Pranimi i ofertës – oferta konsiderohet se është pranuar atëherë kur ofertuesi merr deklarimin e të ofertuarit se ai e pranon ofertën. Po ashtu oferta trajtohet si e pranuar edhe kur i ofertuari e dërgon sendin ose e paguan çmimin.
Parakontrata – është kontratë me te cilën merret detyrimi që të lidhet një kontratë tjeter e quajtur kontratë kryesore.
Objekti i kontratës – Objekt i kontratës mund të jetë një dhënie, veprim, mosveprim ose një durim.
Nuliteti i kontratës për shkak të objektit – një kontratë është nule nëse: objekti i kontratës nuk është i mundur; nëse objekti i kontratës nuk është i përcaktuar apo i përcaktuëshem; dhe kur objekti i kontratës nuk është i lejuar.
Të metat e vullnetit - Të metat e vullnetit paraqiten si: kërcënim; lajthim esencial; lajthim i motivit te kontratat pa kompensim; mosmarrëvshje; deklarim indirekt; mashtrim, fiktivitet.

Forma e kontratës

Nuk ekziston ndonjë rregull për formën e kontratës pos nëse me ligj është paraparë ndryshe. Varësisht nga shumë rrethana ligji parasheh edhe formën e kontartës. Këtu duhet dalluar formën e shkruar dhe solemne; formën si efekt qenësor dhe efekt provues; formën ligjore dhe formën e kontraktuar; dhe formën si cilësi të kontraktimit.
Kushti – kushti mund të jetë i lejueshëm dhe i palejueshëm. Kur një kontratë kushtëzohet nga një kusht i palejueshëm, atëherë ligji atë kontratë e trajton si nule.
Afati – Ligji njeh afatet që llogariten me ditë, javë, muaj dhe vite.
Forcimi dhe sigurimi i kontratës – Përveç qe palët kontratën e lidhur e nënshkruajnë, shpesh herë ata kanë dëshirë që ta forcojnë dhe sigurojnë atë. Si instrumente për këtë LMD njeh kaparin dhe pendesën:
Kapari – si mjet përforcimi i kontratës do të thotë dhënia e një shumë të të hollave apo ndonjë sendi të zëvendësueshëm nga njëra palë kontraktuese palës tjetër si shenjë se kontrata është lidhur. Kapari dallon nga paradhënia apo pagesa e ndonjë kësti sepse kapari pasi që kontrata të përmbushet apo realizohet atëherë kthehet ose llogaritet në çmim.
Pendesa – pendesa është marreveshje, pajtim i palëve që me dhënie të pendesës të tërhiqen nga kontrata.

Përfaqësimi

Është institut i cili mundëson qarkullim të shpejtë e pa pengesa. Sipas këtij parimi kontrata dhe punët e tjera juridike mund të ndërmerren edhe nëpërmjet përfqësuesit. Përfaqësuesi është i obliguar që ta njoftoj palën tjetër se vepron si përfaqësues.
Bartja e kompetencave – kompetencat mund të bartën në tjetrin vetëm kur për shkak të pengesës që ato punë të kryhen nga vetë përfaqësuesi.
Tejkalimi i kufijve të kompetencave – pranimi i tejkalimit të kompetencave është kusht që ajo kontratë të ketë efekt te i përfaqësuari. Në rastet kur i përfaqesuari refuzon të pranoj tejkalimin e kompetencave të përfaqësuesit të vet, ndërsa pala tjetër nuk ka ditur e as që ka pasur mundësi të dijë se ka tejkalim, ligji parasheh përgjegjësi solidare të tyre për dëmin të cilin e pëson pala tjetër.

Prokura

Prokura apo autorizimi është kompetencë për përfaqësim të cilën pushtetdhënësi me punë juridike e bart në të autorizuarin. Prokura apo autorizimi jepen në formë të punës juridike qoftë me veprim të njëanshem qoftë me kontratë të dyanshme. Forma e dhënies së prokurës gjithashtu është me rëndësi. Ndërkaq kurdo që bëhet fjalë për vëllim të prokurës duhet pasur parasysh parimin e restriksionit. Bazuar në këtë parim prokuristi respektivisht i autorizuari ka mandat ti kryej vetëm punët juridike të përmbajtura në vetë prokurën apo autorizim.
Tërheqja e prokurës apo kufizimi i mandatit është i mundur edhe në rastet kur mandatdhënësi ka hequr dorë nga kjo. Në anën tjetër ky veprim mund të bëhet edhe me deklarim të thjeshtë , kështu që forma nuk është pengesë.
Shuarja e prokurës apo autorizimit gjen shprehje kurdo që shuhet personi juridik i cili ka pasur autorizim. Prokura shuhet edhe kur vdes autorizimdhënësi. Mirepo kur është fjala për një punë të filluar e cila me ndërprerje shkakton dëm për sukcesorët, atëherë efekti i prokurës vazhdohet gjer në përfundim të asaj pune.
Prokura afariste – Një person juridik mund t'i jap prokurë apo autorizim afarist për lidhjen e një kontrate dhe kryerjen e punëve të rëndomta por vetëm që i përkasin asaj veprimtarie. Karakteristikë e kësaj prokure është kufizimi kohor ose kufizimi vetëm me një pune ose lloj pune.
Autorizimet e agjentit tregtar – Agjenti tregtar është ai i cili ka kompetence të lidh pune juridike për shitje të një malli dhe atë të shënuar në vetë autorizimin e dhënë nga organizata punuese. Agjenti tregtar nuk ka kompetencë të arkëtojë çmimin e as të shes me këste , pos nëse për këtë ka autorizim të veçantë. Ai ka autorizim që për të autorizuarin të bëj reklamacion dhe deklarata të tjera lidhur me realizimin e kontratave.

Interpretimi i kontratës

Kontraktuesit mjaft shpesh kanë mospajtim lidhur me atë që e kanë kontraktuar. Mospajtimet zakonisht paraqiten me rastin e interpretimit të kontratës. Nga këto mospajtime lindin edhe konteste të ndryshme dhe shtrohet nevoja për interpretim të kontratës.
Interpretimi domosdo duhet të përmbahet në vërtetim se çka kanë dëshiruar palët me atë kontraktim, të qartësohen paqartësitë, të eliminohen mospajtimet dhe kundërthëniet, dhe të gjendet domethenia e vërtetë për një shprehje apo rrethanë të paqartë. Interpretimi i kontratës konsiderohet si çështje e ndërlikuar, andaj edhe në këtë funskion zbatohen shumë rregulla të ligjit, praktikës gjyqësore dhe shkencës juridike.

Pavlefshmëria e kontratave

Kontratat e pavlefshme ndahen në: 1) kontrata nule dhe 2) kontrata të rrëzueshme.
Kontratat nule nuk prodhojnë efekt juridik, kurse nulitetin e një kontrate mund ta kërkoj çdo i interesuar. Kurdo që bëhet fjalë për nulitet gjykata ka kompetence që për këtë të kujdeset sipas detyrës zyrtare , pavarësisht nga parashtrimet e palëve.
Kontratat e rrëzueshme janë kontrata të cilat mund të konvalidohen. Kontrata të tilla konsiderohet kontrata e lidhur nga personi me aftësi të kufizuar, kontrata e cila me rastin e lidhjes ka pasur të meta të vullnetit apo kur diçka e tillë është paraparë me dispozitë të veçantë ligjore.

Parashkrimi - Në të drejtën detyrimore me parashkrim nënkuptojme mënyrën e shuarjes së një detyrimi nga shkaku se kreditori një kohë të caktuar nuk kërkon nga debitori përmbushjen e atij detyrimi.

Shkëputja e kontratës për shkak të mospërmbushjes

Në kontratat e dyanshme, kur njëra palë nuk e përmbush detyrimin e vet, ndërsa pala tjetër e përmbush, nëse nuk është paraparë diçka tjetër, pala e cila e përmbush detyrimin ka të drejtë të kërkoj përmbushjen e detyrimit ose t'a shkëput kontratën me deklarim të rëndomte nëse shkëputja nuk është pasojë ligjore, mirëpo gjithsesi ka të drejtë në dëmshpërblim. Kurdo që bëhet fjalë për shkëputjen e kontratës duhet pasur parasysh se për çka dhe si janë dakorduar palët.

Dëmtimi i pamasë

Dëmtimi pa masë është arsye për shkëputje të kontratës, por për këtë duhet plotësuar disa kushte: 1) që dallimi i papërpjestueshëm në vlera të ketë ekzistuar në kohën e lidhjes së kontratës; dhe 2) nëse pala e dëmtuar nuk e ka ditur vlerën e vërtetë e as që ka qenë në gjendje ta dije.

Kontratat me fajde

Kur një kontratë me dobi të veçantë lidhet duke keqpërdorur gjendjen e varshmërisë së palës tjetër ose gjendjen e rëndë materiale, mendjelehtësinë apo pozitën e varësisë, atëherë ligji parasheh nulitetin e asaj kontrate.

Cedimi i kontratës

Cedimi i kontratës është instrument me të cilin shkaktohet ndërrimi i subjekteve të një kontrate të dyanshme. Që një cedim të jetë i ligjshëm kërkohet të plotësohen edhe ca kushte themelore si:

1) të jetë fjala për kontratë të dyanshme
2) të ketë pëlqim të palës tjetër
3) pëlqimi të jetë dhënë në formën e paraparë

Me cedim krijohen raporte të posaçme në mes të:

1) cedentit dhe cezusit
2) cesionarit dhe cezusit
3) cedentit dhe cesionarit.

Shkaktimi i dëmit si burim i detyrimeve

Formulimi ligjor thotë: “kush tjetrit i shkakton dëm, ka për detyrë t’ia kompensoj, nëse nuk provon se demi është shkaktuar pa fajin e tij”. Përgjegjësia për dëmin e shkaktuar pavarsisht nga faji parashihet edhe në disa raste të tjera.
Pergjegjësia në bazë të fajit – për të ekzistuar përgjegjësia e dikujt që një dëm të shkaktuar ta kompensoj nga baza e fajit, duhet që dëmi të jetë shkaktuar me qëllim ose nga pakujdesia.
Pergjegjësia për personin tjetër – për këtë lloj pergjegjësie ligji përfshin rastet kur dëmi shkaktohet nga personat me sëmundje mentale ose me të meta mentale, përgjegjësinë e prindit për dëmin e shkaktuar nga fëmiu i tij, përgjegjësinë solidare, përgjegjësinë e personave tjerë për të mitur.
Kur është fjala për përgjegjësinë e organizatës punuese, atëherë duhet që personi i cili e ka shkaktuar dëmin të këtë cilësinë e punëtorit, që punëtori të shkaktoj dëemin me veprim që i përgjigjet punës së tij, që dëmi të mos jetë i shkaktuar nga sendi apo veprimtaria e rrezikshme.
Përgjegjesia për dëm nga sendi i rrezikshëm ose veprimtaria e rrezikshme
Pavarësisht nga përcaktimi ligjor mbi përgjegjësinë e pronarit të sendit të rrezikshëm apo veprimtarisë së rrezikshme , për dëmin e shkaktuar nga sendi apo veprimtaria e rrezikshme parashihen edhe mundësite e lirimit nga kjo përgjegjësi. Pra, pronari i sendit apo i veprimtarisë së rrezikshme mund të lirohet nga përgjegjësia nëse provon se:

  • dëmi është shkaktuar nga një shkak i cili është jashtë sendit apo veprimtarisë së rrezikshme, kurse ai veprim nuk ka mundur të parashihet, të largohet apo evitohet
  • kur dëmi është shkaktuar nga vetë i dëmtuari
  • kur dëmi është shkaktuar nga i treti.

 

Përgjegjësia në rast të ndeshjes së automjeteve – në këto raste ligji parasheh rregulla të veçanta të përgjegjësisë. Kur ndeshja ndodh me fajin ekskluziv të njërit , atëherë aplikohen rregullat e parapara për përgjegjësi në baza të fajit.
Mirëpo kur faji është reciprok, atëherë secili përgjigjet për dëmin në përpjestim me shkallën e fajit.
Kur ndeshja shkaktohet pa fajin e asnjërit, ata përgjigjen në pjesë të barabarta.
Përgjegjësia për sendet me të meta - Kur kemi të bëjmë me përgjegjësinë për sendet të cilat prodhuesi i ve në qarkullim, ndërsa prodhimi për shkak të ndonjë të mete për të cilën nuk është ditur paraqet rrezik për sende ose njerëz, përgjegjësia për dëmin trajtohet si e shkaktuar nga ai send, respektivisht prodhim.

Dëmshpërblimi

Kur kemi të bëjmë me kërkesën për kompensim të dëmit material, duhet pasur parasysh parimin se ai që mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar, kurdo që është e mundur, në rend të parë ka përgjegjësi që ta kthej në gjendjen e mëparshme.
Kompensimi në të holla gjen shprehje atëhere kur kthimi në gjendje të mëparshme nuk është i mundur. Gjithashtu kompensimi në të holla vjen në shprehje kur gjykata gjen se për shkaqe të arsyeshme kthimi në gjendje të mëparshme nuk është i dobishëm.
Dëmi material – Me dëm material kuptojmë dëmin e zakonshem i cili aty për aty manifestohet dhe mund të konstatohet. Po ashtu me dëm material kuptojmë edhe dëmin i cili shprehet si fitim i humbur dhe si zvogëlim i mundësisë për rritjen e pasurisë.
Vërtetimi i vlerës së dëmit të shkaktuar është çështje e cila varet nga rrethanat veç e veç.
Dëmtimi pasuror në rast të vdekjes, lëndimit trupor ose dëmtimit të shendetit - Kur si pasojë e një veprimi paraqitet vdekja e dikujt, atëherë ai person ka për detyrë që ti kompensoj shpenzimet e varrimit dhe shpenzimet lidhur me varrimin. Vdekja e dikujt është bazë për dëmshperblim për personat të cilët ai i ka mbajtur. Në rastet e këtilla gjykohet renta.
Bazë për kërkesë për dëmshpërblim pasuror është edhe lëndimi trupor dhe shkatërrimi i shëndetit. Për këto raste njihet e drejta për dëmshpërblim pasuror për mjekim dhe lidhur me mjekim, për fitim të humbur për shkak të pamundësisë që të punohet, si dhe të drejtën e rentes kur si pasojë e dëmtimit të shëndetit paraqitet pamundësia që të fitohet sa është fituar më parë.
Dëmshpërblimi jomaterial (moral) – Kur kemi të bëjmë me dëmet jomateriale (morale), parimi i kthimit të gjendjes së mëparshme është i pamundur ose paraqet përbushje jo të plotë. Për këtë arsye e drejta e detyrimeve parasheh dy mundësi:

  1. publikimin e aktgjykimit ne mjete te informimit ose urdherin qe te terhiqet deklarata me te cilen eshte shkaktuar cenimi
  2. detyrimin e shkaktuesit te demit qe te paguaj nje hsume te hollave si satisfaksion per pasoja te demshme te shkaktuara nga dhembjet fizike, cenimi i rpestigjit, cenimi i nderit, te lirive dhe te drejtave te njeriut dhe dhembjeve shpirterore te shkaktuara me vdekjen e personit te aferm. Vdekja e personit te aferm eshte baze per demshperblim vetem per anetaret e ngushte te familjes (bashkshortin, prinderit, femijet).


Përgjegjësia e më shumëe perrsonave për të njëjtin dëm (përgjegjësia solidare) - Kjo përgjegjësi parashihet edhe për ndihmësin edhe për nxitësin e personit i cili ka shkaktuar dëm, si dhe për ata që kanë vepruar pavarësisht nga njëri-tjetri.

Fitimi i pabazë

Fitmi i pabazë ekziston kur pasuria e një subjekti rritet kurse pasuria e tjetrit zvogëlohet duke mos pasur bazë juridike për atë rritje respektivisht zvogëlim. Fitmi pa bazë në jetën e përditshme paraqitet në mënyra të ndryshme si :

1 - pasurimi i shkaktuar nga veprimet e të vobektit;
2 - veprimet e të pasuruarit
3 - veprimet e personit të tretë; dhe
4- nga rasti.

Kryerja e punëve pa autorizim

Ai që kryen punë të huaja pa autorizim apo pa urdhër, ka detyrim që për atë ta inforomoj titullarin pa vonesë për atë çka ka ndërmarrë dhe të vazhdoj se vepruari aq sa ka mundësi derisa vetë titullari nuk ka mundësi të veproj.
Ai që kryen punë të huaja pa autorizim ka detyrim që atë punë ta kryej me kujdes. Kryesi i punëve të huaja ka të drejtë që nga titullari të kërkoj ta liroj nga çdo obligim që ka marr mbi vete lidhur me kryerjen e punëve të huaja, që t'i kompensohet çdo shpenzim dhe të shpërblehet pavarsisht nga ajo se titullari a ka pasur dobi nga puna e kryer.
Nëse puna e huaj është kryer, edhe pse ka pasur ndalim për të cilin kryesi i punëve e ka ditur ose është dashur ta dijë, atëherë ai nuk i gëzon ato të drejta që i takojnë kryesit të punëve të huaja.

Shprehja e njëanshme e vullnetit – premtimi publik i shpërblimit

Premtimi publik se do të jepet shpërblim është dukuri e cila kohëve të fundit manifestohet në mënyra të ndryshme. Premtimi i një shpërblimi të tillë është bazë e detyrimit konkret.
Shprehja e dëshirës së një personi që të jap shpërblim e merr karakterin detyrimor nëse plotësohen disa kushte:

- deklarata duhet të jepet në mënyrë publike
- deklarata duhet t’u drejtohet numrit të pacaktuar të njerezve
- deklarata duhet të përmbaje shënime të nevojshme për veprimin me të cilin fitohet shpërblimi
- deklarata duhet ta përckatoj shpërblimin
- afati mbrenda të cilit duhet të përmbushet veprimi

Letra me vlerë

Letra me vlerë është akt i shkruar me të cilin dhënësi merr detyrim që ta përmbush obligimin e shënuar në atë letër ndaj poseduesit të ligjshëm.
Kërkesa nga letra me vlerë është e lidhur me vetë letrën me vlerë. E drejta nga letra me vlerë mund të bartet.
Që një letër me vlerë të jetë në rregull dhe që si e tillë mund të përdoret domosdo, duhet ti këtë elementet e parapara me LMD. Nëse cilido nga elementet mungon, atëherë kjo e bën letrën me vlerë jovalide. Letrat me vlerë mund të titullohen:
1) në prurësi; 2) në emër; dhe 3) me urdhër.
Si moment i krijimit të detyrimit merret kur dhënësi i letrës me vlerë atë i'a dorëzon shfrytëzuesit. Cesioni është rregull themelor për bartjen e të drejtave nga letra me vlerë. Kur kemi të bëjmë me letrën me vlerë sipas urdhërit, të drejtat nga ajo letër bartën me indosament.

Efektet e detyrimeve

Raporti detyrimor është raport juridik në mes të kreditorit ( i cili fiton të drejtën të kërkoj) dhe debitorit ( i cili merr detyrim ta përmbush një kërkesë).
Kur debitori nuk reagon ndaj kërkesës së kreditorit apo kur në mënyra tjera i ik përmbushjes së detyrimit, kreditori ka mundësi që detyrimin ta përmbush duke përdorur te drejten e ngritjes së padisë, pra duke përdorur mjetet juridike dhe fuqinë e shtetit.
Kreditori ka edhe obligime. Ai është i obliguar ta marrë atë që debitori e ka përmbushur e që është në pajtim me detyrimin dhe ta ndihmoj debitorin që ta përmbush detyrimin e vet.
Obligimi i debitorit është që ta përmbush detyrimin e vet në vëllim dhe në mënyrë të përcaktuar ndaj kreditorit.
Kundërshtimi i veprimit juridik të debitorit – Një ndër instrumentet kryesore për mbrojtje të debitorit është instituti i sulmimit të punëve juridike të debitorit. Veprimi i debitorit mund të sulmohet qoftë me padi qoftë me kundërshtim. Por, për këtë duhet të plotësohen edhe kushtet: 1) të ekzistoj dëmi në anën e kreditorit; 2) qëllimi i keq i debitorit; dhe 3) keqbesimi i personit të tretë.
E drejta e mbajtjes – Mbajtja e sendit të debitorit, kur ai bie në duar të kreditorit, paraqet një mjet sigurimi për kreditorin. Kreditori ka të drejtë ta mbaj atë send deri në përmbushjen e detyrimit nga ana e debitorit.

Shuarja e detyrimit

Përmbushja - Detyrimi shuhet atëhere kur përmbushet dhe në rastet e tjera të parapara me ligj. Në rastet kur detyrimi shuhet me përmbushje atëherë pra nuk paraqet problem. Mirëpo për t'i pasur tiparet e një përmbushjeje të plotë është e domosdoshme të plotësohen edhe të tjera si përmbushja në afat, në vendin e caktuar, në mënyrën e pranueshme, etj.
Përmbushja me subrogacion – kur përmbushet detyrimi i huaj, ai që përmbush këtë detyrim ka mundësi që me kreditorin të kontraktoj kalimin e kërkesës në të me të gjitha të drejtat aksesore.
Kush mund ta përmbush detyrimin – Detyrimin mund ta përmbush debitori dhe personi i tretë. Kreditori duhet të pranoj përmbushjen e detyrimit nga çdo person i tretë i cili ka interes të bëhet kjo përmbushje edhe nëse debitori e kundërshton këtë.
Ndaj kujt bëhet përmbushja e detyrimit – Detyrimi duhet të përmbushet ndaj kreditorit ose ndaj personit të caktuar me ligj, personit të caktuar me aktgjykim, personit të caktuar me kontratë ndaj debitorit dhe kreditorit.
Objekti i përmbushjes së detyrimit – objektin e detyrimit e përbën ajo që është përmbajtja e prestacionit.
Përmbushja kur ka më shumë detyrime – kur në mes të personave të njëjtë ka më shumë kërkesa të njëllojshme dhe kur mungon deklarimi i debitorit, atëherë kërkesat përmbushen sipas radhës së arritjes.
Afati (koha e përmbushjes) – afati është rrethanë me rëndësi të posaçme. LMD ka paraparë rregullat në lidhje me afatin kur paraqiten këto situata:
Kur afati nuk është caktuar; kur bëhet përmbushja para afatit; e drejta e kreditorit të kërkoj përmbushjen para afatit; kur caktimi i afatit është besuar njërës palë dhe kur kemi të bëjmë me përmbushjen e detyrimit me pagesë të të hollave.
Vonesa – LMD njeh vonesën e debitorit dhe vonesën e kreditorit.
Debitori bie në vonesë nëse detyrimin e vet nuk e përmbush në afatin e caktuar e as që ofron përmbushje e cila është detyrim i tij.
Kreditori ndërkaq bie në vonesë nëse pa arsye të bazuar refuzon ta pranoj përmbushjen e ofruar ose kur atë e pengon me sjelljet e veta.
Deponimi dhe shitja e sendit të ngarkuar me borxh – Në rastet kur kreditori për arsye të ndryshme refuzon të përmbushet detyrimi, apo kur nuk dihet kush është kreditor, apo kur është e paqartë se kush është kreditor, apo kur kreditori e ka humbur aftësinë e veprimit ndërsa nuk ka përfaqësues, atëherë parashihet mundësia që sendi i ngarkuar me borxh të deponohet në gjykatë.

Mënyrat e tjera të shuarjes së detyrimeve

LMD si mundësi të tjera të shuarjes së detyrimeve parasheh:
1) barazimin; 2) faljen e borxhit; 3) novacionin; 4) bashkimin; 5) pamundësinë e përmbushjes; 6) kalimin e kohës; 7) vdekjen; dhe 8) parashkrimin.

Llojet e ndryshme të detyrimeve

Detyrimet në të holla – kur detyrimi ka per objekt pagesën e një shume të hollave, atëherë debitori ka për detyrim të paguaj aq të holla sa është caktuar për atë detyrim.
Detyrimet alternative – kur një detyrim ka dy ose me shumë objekte, mirëpo debitori ka detyrim ta jap vetëm një objekt për t'u liruar nga detyrimi, atëherë e drejta e zgjedhjes se cilin do ta jap i përket atij.
Detyrimet fakultative – Debitori, detyrimi i të cilit ka një objekt, mirëpo të cilit i mundësohet të lirohet nga detyrimi nëse jep një objekt tjetër, këtë mundësi mund ta shfrytëzoj deri në momentin kur kreditori në procedurë të përmbushjes nuk merr tërë objektin e përmbushjes.
Kreditori ndërkaq nuk mund të kërkoj nga debitori vetëm objektin e kërkesës e jo edhe objektin tjetër, sepse atij nuk i takon të zgjedh.

Detyrimet me më shumë kreditore ose debitore

Detyrimet e ndashme – sipas ligjit, detyrimi është i ndashëm atëherë kur ajo që është borxh mund të ndahet dhe mund të përmbushet në pjesë të cilat kanë veti të njëjta si edhe i tërë borxhi dhe nësë me atë ndarje nuk humbet asgjë nga vlera e vet.
Atëherë, kur një detyrim ka me shumë debitor, detyrimi në mes tyre ndahet në pjesë të barabarta. E njëjta vlen edhe për kreditoret.
Detyrimet solidare – Përmbajtja e solidaritetit të debitoreve qëndron në atë se secili nga ata përgjigjet për tërë detyrimin, ndërsa kreditori përmbushjen mund ta kërkoj nga secili prej tyre derisa detyrimi të përmbushet.
Detyrimet e pandashme – Kur objekti i detyrimit nuk mund të ndahet dhe të plotësohet në disa pjesë, atëherë bëhet fjalë për detyrime të pandashme. Kur kemi të bëjmë me këto detyrime duhet pasur parasysh se nuk është e mundur ndarja në disa persona.

Ndërrimi i kreditorit ose debitorit

Cedimi i kërkesës me kontratë – cesioni i kontratës – Cedimi i kërkesës në bazë të kontratës është marrëveshje e cila arrihet në mes të kreditorit dhe personit të tretë. Si raste të veçanta të cedimit të kërkesës janë :

1 - cedimin në vend të përmbushjes ose me qëllim të pagesës; dhe
2 - cedimin me qëllim të sigurimit të kërkesës së marrësit.

Ndërrimi i debitorit – Ndërrimi i debitorit të një detyrimi mund të ndodh në dy mënyra:

1 - në baze të marrëveshjes së debitorit dhe të tretit i cili e pranon borxhin me pëlqim të kreditorit dhe
2 - në bazë të marrëveshjes së të tretit i cili merr borxhin dhe kreditorit.

Kontratat

Kontratë quajmë pajtimin e vullnetit në mes të dy apo më shumë personave me qëllim të krijimit të efekteve juridike. Me kontratë konstituohen detyrimet. Me kontratë arrihet efekti i ndryshimit të një raporti detyrimor. Me kontratë arrihet efekti i shuarjes së detyrimit.
Që të ekzisotj një kontratë duhet të përmbajë: pëlqimin e vullnetit; të ekzistoj objekti i kontraktimit; dhe të ekzistoj baza e kontraktimit;

Kontrata mbi shitjen

Kontrata mbi shitjen ekziston kur shitësi merr detyrim që sendin të cilin e shet t’ia dorëzoj blerësit me qëllim që blerësi ta fitoj të drejtën e pronësisë, ndërsa blerësi merr për detyrim që ta paguaj çmimin kontraktues.
Elemente qenësore të kontratës mbi shitjen janë të ekzistoj sendi i cili është në qarkullim dhe të jetë i caktuar çmimi. Shitësi ka për detyrim që sendin e shitur t’ia dorëzoj blerësit në kohën dhe vendin e caktuar me kontratë. Kjo nuk vlen nëse blerësi nuk e paguan çmimin e kontraktuar, sepse detyrim i blerësit është ta paguaj çmimin e kontraktuar në kohën dhe vendin e caktuar.

Kontrata mbi depozitën

Me kontratë mbi depozitim kuptojmë kur pranuesi i depozitimit merr detyrim që nga depozitlënësi të pranoj në depozitim një send qe atë ta ruaj dhe ta kthej kur kjo kërkohet nga ai. Detyrimi i depozitmarrësit është që sendin ta ruaj sikur të ishte i veti. Depozitmarrësi ka të drejtë të kërkoj nga depozitlënësi kompensimin e shpenzimeve për ruajtje të sendit dhe kompenzimin e dëmit nga kjo bazë.

Kontrata mbi këmbimin

Secili kontraktues nga kontrata mbi këmbimin merr detyrim ndaj bashkontraktuesit ta dorëzoj sendin i cili këmbehet, kështu që ai ta fitoj të drejtën e pronësisë mbi atë send.

Kontrata mbi huanë

Me kontratë mbi huanë huadhënësi merr detyrim që huamarrësit t’i jap një shumë të hollave ose një sasi të sendeve të zëvendësueshme, kurse huamarrësi merr detyrim që pas afatit të caktuar ta kthejë atë shumë të hollave apo sasinë e sendeve të zëvendësueshme të cilësisë së njëjtë.

Kontrata mbi qiranë

Qiradhënësi me kontratë mbi qirane merr detyrim që qiramarrësit t’ia dorëzoj sendin e caktuar në përdorim, ndërsa qiramarrësi merr detyrim që për këtë të paguaj një shumë të caktuar të hollave. Qiraja nënkupton edhe të drejtën e mbledhjes së fryteve.
Kur sendi i dhënë me qira shitet derisa është në fuqi raporti i qirramarjes, atëherë pronari i ri e zë vendin e qiradhënësit. Me kalimin e afatit, kontrata mbi qiranë ndërpritet. Mirëpo kur raporti i qiramarrjes vazhdon edhe pas kalimit të afatit, konsiderohet se kontrata mbi qiranë është vazhduar. Vdekja e qiradhënësit ose e qiramarrësit nuk do të thotë ndërprerje të raportit të qiramarrjes. Ky raport vazhdohet me trashigimtarët nëse nuk është kontraktuar ndryshe.

Kontrata mbi pengun

Kontrata mbi pengun është punë juridike me të cilën debitori ose dikush tjetër merr detyrim ndaj kreditorit që ta dorëzoj atë send të lëvizshëm të cilin e ka në pronësi që para kreditoreve tjerë ta përmbush detyrimin nga vlera e realizuar e sendit, kështu që kreditori obligohet që atë send ta ruajë dhe që pas shuarjes së kërkesës së tij ta kthej sendin e padëmtuar.

Kontrata mbi dorëzaninë

Dorëzania ekziston atëherë kur dikush merr detyrim ta përmbush kërkesën e kreditorit nëse atë kërkesë debitori nuk e përmbush me të arritur. Dorëzania mund të jepet për:
1 - çdo detyrim të plotëfuqishëm; 2 - për kërkesë të kushtëzuar; 3 - për detyrimin e dorëzanit tjetër.


Kontrata mbi dërgimin

Dërgimi (asignacioni) ekziston kur atëherë kur dërguesi (asignanti) e autorizon të dërguarin (asignatin) që për llogari të tij të bëj diçka për personin e tretë-pranuesin e dërgimit (asignatarin) , ndërsa këtë e autorizon që atë përmbushje ta pranoj në emër të vet.


Kontrata mbi urdhërin

Me këtë kontratë, urdhërmarrësi merr për detyrim nga urdhërdhënësi që për llogari të tij të ndërmarrë ndonjë veprim.
Detyrimi i urdhërmarrësit qëndron në përmbushjen e urdhërit sipas udhëzimeve të dhëna.
Detyrimet e urdhërdhënësit janë që me kërkesë të urdhërmarrësit atij t'i jap një shumë të hollave për kompenzim të shpenzimeve .
Raporti i urdhërit pushon me tërheqje të urdhërit; me denoncim; me vdekje; shuarje të personit juridik; falimentim dhe me humbje të aftësisë së veprimit.

Kontrata mbi dhuratën

Paraqet një punë juridike sipas të cilës një person bart në tjetrin në pronësi apo shfrytëzim një të drejtë pronësore ose detyrimore pa kompensim.
Kjo kontratë mund të revokohet në këto raste:

- nëse dhuruesi gjendet në situatë të vështirë materiale
- nëse dhurimmarrësi tregon jomirënjohje ndaj dhuruesit e sidomos nëse i shkakton dëm shëndetit të tij, nderit apo dinjitetit të tij.

3 vota. Mesatarja e 5.00 të 5.

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.