Koncepti për aktin administrativ

Dr. Sokol Sadushi

1. Përkufizimi i aktit administrativ

            Termi akt i referohet në çdo rast një veprimi njerëzor, të qëllimshëm ose jo. Kur ky akt a veprim është i destinuar për të prodhuar efekte juridike, atëherë ai shndërrohet në një akt juridik. Vetëm brenda spektrit të së drejtës dhe për efektet juridike që prodhon, akti juridik merr vlerën e vet. Akti juridik ka një qëllim të caktuar që lidhet me krijimin, ndryshimin ose shuarjen e një marrëdhënieje juridike të caktuar. Ai realizohet si rrjedhojë e një sjelljeje të vullnetshme dhe të ndërgjegjshme të vet njeriut. Efekti juridik krijues, ndryshues ose shues i marrëdhënies juridike është i lidhur jo vetëm me vullnetin e veprimit njerëzor, por edhe me pasojat që vijnë. Kështu, akti nuk mund të prodhojë efekte juridike në qoftë se subjekti që e ka kryer ose nxjerr atë nuk i ka dëshiruar ato. Prandaj aktet juridike krijohen nga e drejta me qëllim që të mund të sjellin efekte juridike.[1]

            Nëpërmjet aktit juridik krijohen norma juridike që mund të jenë të natyrës së përgjithshme, ose të një natyre konkrete, të posaçme. P.sh., kushtetuta, ligji, marrëveshjet ndërkombëtare, aktet nënligjore etj. janë në vetvete akte juridike dhe me një natyrë të përgjithshme, sepse rregullojnë marrëdhënie të rëndësishme në shoqëri. Krahas akteve më natyrë të përgjithshme janë edhe aktet me natyrë individuale, të cilat nxirren në bazë dhe për zbatim të një akti juridik me natyrë të përgjithshme. Me aktet juridike individuale bëhet konkretizimi i akteve juridike të përgjithshme. [2]  Mund ta konkretizojmë me një shembull. Ligji “Për urbanistikën” dhe ligji “Për policinë ndërtimore” parashikojnë normën e përgjithshme për ndërtimet e paligjshme. Mbi këtë normë të përgjithshme, organi i specializuar (Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe policia ndërtimore si organ ekzekutues) nxjerr aktin individual që lidhet me prishjen e ndërtimit pa leje. Pra, norma juridike e përgjithshme nuk mund të realizohet pa nxjerr normën juridike individuale për subjektin konkret që kryen shkeljen. Pikërisht akti juridik që nxjerr organi kompetent i ngarkuar nga ligji për prishjen e ndërtimit pa leje ( KRRT) është akt administrativ.          

            Akti administrativ rregullon në mënyrë të hollësishme veprimtarinë e subjekteve në marrëdhëniet që ato krijojnë midis tyre. Në mënyrën se si ligjet rregullojnë, përpunojnë, sanksionojnë dhe zbatojnë parimet e kushtetutës së një shteti, janë aktet administrative ato që konkretizojnë rregullat e ligjeve, në zbatim të të cilave ato dalin.

            Ç’është akti administrativ? Akti administrativ është një koncept thelbësor i të drejtës administrative. Origjina e këtij koncepti e ka zanafillën te termi francez i emërtuar si acte administratif, prej nga është huazuar dhe shndërruar në konceptin e së drejtës administrative në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti.

            Fillimisht akti administrativ si koncept mbulonte të gjitha masat dhe veprimet e administrates, duke përfshirë si të drejtën private dhe atë publike. Me kalimin e kohës kuptimi për të u kufizua në masat administrative në fushën e së drejtës publike.[3] Koncepti për aktin, i përcaktuar në këtë mënyrë, u zbatua nga gjykatat administrative dhe me tej u përpunua në shkrimet juridike të mëvonshme. Ai nuk u përmend në ndonjë legjislacion deri pas Luftës së Dytë Botërore, kur shprehja “akt administrativ” u përdor në disa ligje për gjykatat administrative.

            Te ne, kuptimi për aktin administrativ ka gjetur pasqyrimin e tij vetëm në trajtimet teorike të shkencës të së drejtës administrative, sepse nuk ka pasur një ligj të veçantë që të rregullonte saktësisht këtë problem. Në legjislacionin shqiptar, në mënyrë të veçantë në Kodin e Procedurave Administrative, për herë të parë është dhënë kuptimi për aktin administrativ, kriteret e vlefshmërisë dhe të pavlefshmërisë së tij, koncepti i pushimit të fuqisë dhe veçanërisht kuptimi i kontratave administrative dhe akteve reale. [4]               

            Akti administrativ, duke qenë i autorizuar nga ligji ka automatikisht pasoja ligjore. Në këtë kuptim, një akt administrativ është një akt juridik. Akt administrativ quhet çdo urdhër, vendim, apo veprim që merret nga autoritetet administrative për rregullimin e një rasti të veçantë ose rasteve të përgjithëshme në sferën e të drejtës publike.[5]

            Aktet administrative bashkohen e ndërthuren përmes të gjithë hapësirës së marrëdhënieve të së drejtës; ato mund të krijojnë të drejta, privilegje, pushtete, përgjegjësi dhe detyra, ose mund t'i ndryshojnë apo shuajnë ato. Kur akti është i përgjithshëm, pra me efekt normues edhe pasojat e tij ligjore, për nga natyra do të jenë të përgjithshme. Nëse akti është specifik, pra individual, atëhere ai flet me gjuhën e pasojave ligjore konkrete për individët e prekur ose të cenuar. Roli që aktet administrative luajnë për rregullimin e këtyre marrëdhënieve juridike kuptohet që është mjaft i rëndësishëm.

            Si në legjislacion, ashtu dhe në praktikën administrative të organeve të administratës publike termi “akt administrativ” nuk artikulohet në këtë formë. Shkenca e së drejtës administrative e përdor termin “akt administrativ” për të emërtuar në mënyrë të përgjithshme të gjitha llojet e akteve që nxjerrin organet e administratës gjatë veprimtarisë së tyre ekzekutive dhe urdhërdhënëse. Akti administrativ merr emërtime të ndryshme si vendim, urdhër, urdhëresë, rregullore, udhëzim, e deri tek leje, qarkore, protokolle, letër, dëshmi, license, diplomë etj.    

            E rëndësishme për shkencën e së drejtës është që të përcaktohet një përkufizim për aktin administrativ, me qëllim që ta dallojë atë nga aktet e tjera juridike të secilit pushtet. Përcaktimi i nocionit akt administrativ paraqet një detyrë të vështirë për doktrinën juridike edhe për arsye se vet legjislacioni i posaçëm nuk ka dhënë ndonjë përcaktim të qartë.[6]

            Teoria e së drejtës administrative e ka përkufizuar në mënyra të ndryshme aktin, por që në thelb nuk dallojnë dhe aq shumë shumë nga njeri tjetri. Edhe shkenca e së drejtës tonë administrative ka dhënë përkufizimin e saj, por duke e parë administratën shtetërore në evoluim të vazhdueshëm për shkak të faktorëve të ndryshëm, që kanë ndikuar në këtë drejtim, kryesisht ato politike e sociale, i ka reflektuar në vazhdimësi edhe elementet e këtyre ndryshimeve.

            Në këtë drejtim, ka patur një ndikim përcaktues miratimi i Kodit të Procedurave Administrative, që duke e zgjeruar ndjeshëm konceptin për organet administrative, ka përfshirë krahas organeve të pushtetit qendror a vendor edhe organet e enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative.[7] Përfshirja në grupin e organeve administrative edhe të subjekteve juridik jo shtetëror, sigurisht që i jep një tjetër dimension përkufizimit të aktit administrativ, të dhënë deri më tash nga doktrina e të drejtës administrative. Sipas këtij rregullimi të ri ligjor, akti administrativ nuk është një shfaqje e vullnetit vetëm e organeve të pushtetit shtetëror, por edhe e subjekteve të tjerë privat, kur këto të fundit ushtrojnë veprimtari me ineresa publike. Një përkufizim i ri dhe më i plotë për aktin administrativ duhet të ketë në vemendje gjithashtu edhe vullnetin e shfaqur nga organet e pushtetit shtetëror gjatë zbatimit të të drejtës private. [8] 

            Nga kjo pikëpamje, akti administrativ duhet konceptuar si shfaqje e një vullneti pushteti nga organet që ushtrojnë veprimtari administrative, në përputhje të plotë me kushtetutën dhe me ligjet, me qëllim krijimin, ndryshimin ose shuarjen e pasojave të caktuara juridike, i zbatuar nëpërmjet vullnetit të lirë të subjekteve të cilëve u drejtohet ose me anë të fuqisë  shtrënguese të shtetit. [9]

            Akti administrativ është një ndër format kryesore në veprimtarinë ekzekutive dhe vendimmarrëse të organeve të administratës publike. Kjo veprimtari i jep aktit administrativ elementin e autoritetësisë. Veprimtaria e çdo organi të administratës publike konkretizohet me nxjerrjen e aktit. Është akti administrativ që krijon marrëdhënie të reja juridike për subjektet të cilëve u drejtohet, i ndryshon marrëdhëniet e krijuara më parë duke i përsosur më shumë ose i shuan ato. Kjo specifikë përcakton natyrën juridike të aktit administrativ dhe që e dallon atë nga veprimet me karakter material, të cilat nuk janë të pakta në veprimtarinë administrative.

            Elementi i konkretësisë përbën veçorinë tjetër të aktit administrativ. Ai rregullon çështje të veçanta në dallim nga aktet normative që rregullojnë marrëdhënie të një natyre të përgjithshme.

            Ekzistenca e marrëdhënieve të shumëllojshme juridike që krijohen në veprimtarinë e administratës publike, sjell detyrimisht dhe lloje të ndryshme të akteve administrative që ndryshojnë si nga përmbajtja, ashtu dhe nga forma. Nëpërmjet akteve administrative shprehen qëllime, realizohen synime dhe objektiva konkretë, shfaqen format dhe metodat e drejtimit të shtetit, përcaktohet karakteri organizativ e krijues i organit administrativ që harton dhe nxjerr aktin, si dhe krijohet vizioni për ekzistencën e vërtetë të shtetit. Prandaj, larmia e fushave dhe e drejtimeve ku operojnë organet administrative për nxjerrjen e këtyre akteve është e shumllojshme.            

            Në veprimtarinë e përditshme administrative akti mund të shërbejë si bazë për nxjerrjen e akteve të tjera administrative, ashtu si dhe mund të paraqitet në rolin e faktit juridik mbi të cilin lindin, ndryshojnë ose shuhen marrëdhënie të reja juridike. Gjithashtu ai mund të luaj rol në fillimin ose inicimin e çdo lloji procedimi penal, administrativ, si dhe në konflikte të tjera me karakter juridiko-civil, familjar, të punës etj.

            Nga të gjitha këto del qartë rëndësia e madhe që ka akti administrativ, nevoja e pasjes së konceptit të drejtë për të, e njohjes së elementeve përbërëse, si dhe e kuptimit të qartë për kriteret që përcaktojnë vlefshmërinë, pavlefshmërinë, fuqinë ose pushimin e tij.

            Në mënyrë më të hollësishme këto koncepte gjejnë pasqyrimin e tyre në krerët në vazhdim.   

2. Forma dhe përmbajtja e aktit administrativ

             Shfaqja e vullnetit të pushtetit nga organi administrativ kërkon domosdoshmërisht dhe një formë të caktuar të aktit. Forma, në të cilën paraqitet akti administrativ, si rregull është shkresore, por nuk përjashtohen edhe forma të tjera, të cilat i kërkon vetë ligji ose kur një gjë e tillë imponohet nga rrethanat. Ky është dhe kuptimi i formës që duhet të marrë akti administrativ, i cili ka gjetur pasqyrimin e tij në nenin 106, pika 1 të Kodit të Procedurave Administrative. Një akt administrativ verbal duhet të konfirmohet me shkrim, në rast se në një konfirmim të tillë ka një interes të ligjshëm dhe personi i interesuar e kërkon menjëherë një gjë të tillë.

            Akti administrativ kërkon patjetër ekzistencën e disa elementeve të rëndësishme, me të cilët duhet të paraqitet, mungesa e të cilave mund ta bëjnë atë pa efekt juridik. P.sh., aktet e organeve kolegjiale bëhen detyrimisht në formën e tyre shkresore, nëse ligji e kërkon shprehimisht. Në rastet e tjera këto akte duhet të regjistrohen në një procesverbal, pa të cilin ato nuk shkaktojnë asnjë pasojë juridike.[10]     

             Në çdo akt administrativ[11] elementet thelbësore, që nënkuptojnë si përmbajtjen edhe formën e tij, janë autoritetësia e aktit, përshkrimi i lëndës dhe i subjekteve që u drejtohet, arsyetimi dhe dispozitivi. Në këtë aspekt akti ka ngjashmëri me vendimin gjyqësor. Në krerët në vazhdim bëhet dallimi ndërmjet aktit administrativ dhe vendimit gjyqësor. Krahas këtyre elementeve thelbësore akti administrativ mund të ketë edhe elemente të tjera që e plotësojnë atë.

            Sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin tonë, një akt administrativ duhet të përmbajë autoritetin, organin që e nxjerr aktin, si dhe çdo delegim ose nëndelegim të pushteteve, identifikimin e palëve, të cilëve u drejtohet akti, parashtrimin e fakteve që janë bërë shkas për nxjerrjen e tij, kur këto janë të rëndësishme, bazën ligjore të aktit, argumentimin e kuptimit të aktit, datën e hyrjes në fuqi të tij, nënshkrimin e titullarit të organit që nxjerr aktin etj. Disa nga këto kërkesa të anës formale të aktit nuk mund të zbatohen në aktet e shprehura me anë të shenjave ose formave të tjera të mekanizmave automatikë.

            Përmbajtja e aktit administrativ duhet të jetë e qartë dhe e përcaktuar mirë. Në mënyrë të veçantë nuk duhet të ketë dyshime rreth personit të cilit i adresohet akti, rëndësisë së subjektit të përfshirë në akt dhe pasojave ligjore që krijon akti.  Pjesa më e rëndësishme në aktin administrativ është dispozitivi, sepse nëpërmjet tij krijohet, ndryshohet ose shuhet marrëdhënia juridike konkrete për subjektet në akt. Dispozitivi përmban shprehjen e vullnetit të organit të administratës. Dispozitivi është elementi më përmbajtësor dhe pa të nuk ka akt administrativ.[12]

            Përmbajtja e një akti administrativ duhet të përfshijë edhe paraqitjen e mjeteve ligjore që i shërbejnë subjektit për të kundërshtuar ligjërisht aktin. Një akt administrativ i shkruar, meqenëse mund të jetë objekt i mospranimit a moszbatimit nga subjektet e së drejtës për shkak pavlefshmërie, duhet të përmbajë një shpjegim që informon personin e interesuar për mjetin ligjor kundër aktit, autoritetin ku duhet të drejtohet, si dhe afatin e caktuar brenda së cilës duhet të shfrytëzohet ky mjet.

Këto elemente të formës dhe përmbajtjes së një akti administrativ janë tepër të rëndësishme dhe nuk mund të injorohen. Ato konsiderohen pjesë përbërëse e vet aktit dhe mosrespektimi ose moszbatimi i tyre mund të ndikoj drejtpërdrejt në rregullsinë dhe në vlefshmërinë e tij.

3.  Qëllimi i aktit

             Akti administrativ nxirret për një qëllim të caktuar, për të krijuar, ndryshuar ose shuar pasoja juridike konkrete për të gjitha subjektet që janë të detyruar t’u nënshtrohen urdhërimeve të tij dhe kryhet me dëshirën dhe vullnetin e organit administrativ që e ka një të drejtë të tillë. Vullneti i organit administrativ përfshihet në vetë natyrën e aktit që nxirret dhe nuk përmendet shprehimisht nga ligji ose akti juridik konkret. Vullneti i shprehur nga organi administrativ në aktin juridik synon arritjen e një qëllimi të caktuar që është i lidhur me ardhjen e pasojave juridike.          

            Në faktet juridike të ngjarjeve natyrore, pasojat juridike dihet që lindin vetvetiu, pa kërkuar shfaqjen e ndonjë vullneti juridik, ndërsa në aktin administrativ, që përbën një fakt njerëzor, kërkohet detyrimisht shfaqja e këtij vullneti nga organi administrativ. Krijimi, ndryshimi a shuarja e një marrëdhënieje juridike ndodh vetëm si pasojë e një sjelljeje të vullnetshme dhe të ndërgjegjshme të vet njeriut[13] dhe, në rastin e aktit administrative, të organit përkatës. Ky efekt që sjell akti nuk lidhet vetëm me vullnetin e organit, por edhe me vullnetin për efektin që krijohet. Pra, është e domosdoshme që organi të ketë dëshiruar ardhjen e pasojave ligjore konkrete. Pikërisht qëllimi për nxjerrjen e aktit administrativ përbën vullnetin shtetëror të organit administrativ. Gjithashtu, edhe pasojat juridike që krijohen nga akti administrativ janë ato, të cilat subjektet e aktit  administrativ i dëshirojnë të vijnë.

            Megjithatë, nga një akt administrativ mund të lindin dhe pasoja juridike, të cilat nuk dëshirohen nga organi përkatës administrativ. Pra, mund të shfaqen pasoja që dalin tej qellimit për të cilin është nxjerr ky akt. Nëse, p.sh. nga një akt shpronësimi ose një akt për prishje të një ndërtimi pa leje padrejtësisht cenohen dhe subjekte të tjerë që nuk janë pjesë e aktit konkret, atëherë është e kuptueshme se qëllimi i aktit por edhe i vetë organit që ka nxjerrë këtë akt nuk synon pasojat e krijuara. Kjo pasojë juridike, e cila mund të ketë si shkak interpretimin e gabuar të aktit administrativ, përmbajtjen e aktit ose edhe veprimet subjektive të ekzekutuesve të tij, bëhet njëkohësisht shkak për pavlefshmëri të aktit ose të veprimeve që kanë ndikuar në të.

            Akti administrativ dallohet nga veprimet e paligjshme, sepse qëllimi i tij është ardhja e pasojave juridike që parashikon vetë akti dhe prandaj akti prezumohet si një veprim i ligjshëm. Kjo nuk duhet kuptuar sikur akti është i imunizuar nga elementet e paligjshmërisë. Nëse përmbajtja e aktit vjen në kundërshtim me Kushtetutën ose ligjin, si dhe me qëllimin dhe frymën e tyre, atëhere edhe pasojat që ai do të krijojë do të konsiderohen të kundërligjshme. Për rrjedhojë akti do t’i nënshtrohet kontrollit administrativ, fillimisht të vet organit që e ka nxjerr, të organit administrativ më të lartë, nëse parashikohet kjo e drejtë dhe, së fundi, kontrollit gjyqesor.

4.  Arsyetimi i aktit

             Çdo akt administrativ i shprehur ose i konfirmuar me shkrim duhet të përmbajë dhe arsyet e nxjerrjes së tij. Arsyetimi i aktit duhet të përfshijë faktet thelbësore, boshtin logjik dhe bazat ligjore që ka pasur parasysh autoriteti administrativ. Nëpërmjet arsyetimit të aktit qartësohet qëllimi që ka patur organi administrativ në dispozitiv. Arsyetimi përbën një element thelbësor të formës dhe përmbajtjes së aktit dhe ndikon drejtpërdrejt në vlefshmërinë e tij. Sipas nenit 116, shkronja “c” të Kodit të Procedurave Administrative, mosrespektimi i formës dhe procedurës së caktuar nga ligji është shkak për pavlefshmërinë absolute të aktit. Në këtë Kod jepen disa raste kur arsyetimi i aktit përbën domosdoshmëri për vlefshmërinë e tij. Kështu, duhet të arsyetohen të gjitha ato akte, të cilat pjesërisht ose tërësisht mohojnë, shuajnë, kufizojnë ose prekin në ndonjë mënyrë tjetër të drejtat dhe interesat e ligjshëm të subjekteve të cilëve u drejtohen, ose vendosin a rëndojnë detyrime e ndëshkime për ta. P.sh., një operatori televiziv për shkelje të ligjit mund t’i hiqet licenca për ushtrimin e mëtejshëm të veprimtarisë; një subjekt tatimor detyrohet me anë të një akti administrativ të paguajë një detyrim tatimor, ose ndëshkohet me një gjobë për shkelje të legjislacionit fiskal etj. 

            Arsyetimi është i domosdoshëm në aktet që merren mbi bazën e shqyrtimit të kërkesave ose apelimeve të subjekteve, si dhe në vendimet të cilat mbajnë një qëndrim të kundërt me pretendimet e palëve të interesuara ose në kundërshtim me një opinion, informacion a propozim zyrtar. Nëse një akt i organit administrativ, me mënyrën se si do e trajtonte një çështje ose me pasojat që do të krijonte, do të ndryshonte ose do të sillte një praktikë të re, të kundërt a evoluese në krahasim me praktikën e mëparshme të zgjidhjes së çështjeve të ngjashme, arsyetimi i tij është i domosdoshëm. Ky rast lidhet me mënyrën e interpretimit që i bën ligjit organi kompetent ose me ndryshimin e atyre rrethanave a kushteve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ndryshimin e praktikës së konsoliduar. Për një rast të tillë është e nevojshme që subjektet të informohen dhe të orientohen me arsyet e ndryshimit të praktikës nga organi administrativ. Arsyetimi është pjesë e rëndësishme e aktit edhe në ato raste kur me aktin e ri revokohet, shfuqizohet, modifikohet ose pezullohet një akt i mëparshëm. Pra, në të tilla raste arsyetimi i aktit paraqitet si një detyrim ligjor për organin kompetent administrativ.[14]

            Gjithashtu, arsyetimi i akteve administrative përbën detyrim ligjor për të gjitha organet e administratës shtetërore, jo vetëm në rastet e akteve shkresore, por edhe kur paraqitet e nevojshme nxjerrja e një akti verbal. Kuptohet që një praktikë e tillë ndeshet rrallë dhe është veçori kryesisht e organeve monokratike, megjithatë ligji edhe në këto raste parashikon arsyetimin e aktit vetëm kur ai do të apelohet nga palët e interesuara. Sipas nenit 110 të Kodit të Procedurave Administrative :“Kur akti verbal pritet te apelohet, arsyetimi i tij bëhet me shkrim dhe iu komunikohet palëve të interesuara brenda 10 ditëve”.

            Arsyetimi është një element i rëndësishëm i formës dhe përmbajtjes që duhet të ketë akti administrativ, por nuk duhet kuptuar se është i domosdoshëm dhe i detyrueshëm për të gjitha llojet e akteve. Vetë ligji mund të lejojë në raste të veçanta mungesën e arsyetimit të aktit administrativ. Kështu, sipas ligjit nuk kërkohen arsye nëse akti administrativ korrespondon dhe përputhet me kërkesën e personit të interesuar dhe nuk i shkakton ndonjë padrejtësi personave të tretë. Mundet që personi i tretë të jetë në dijeni të bazës ligjore dhe faktike të opinionit të autoritetit administrativ që nxjerr aktin dhe atij i krijohet mundësia të informohet për aktin, pa qenë nevoja e dhënies së arsyeve me shkrim ose me ndonjë mënyrë tjetër.

            Nuk paraqitet i nevojshëm arsyetimi i aktit, kur autoriteti administrativ nxjerr një numër të madh aktesh të të njëjtit tip ose kur akti është një urdhër i shpallur publikisht. Gjithashtu, janë aktet, të cilat ratifikojnë ose miratojnë vendimet e marra, si p.sh. nga bordet, juritë ose komisionet e ngritura nga administrata publike për çështje të ndryshme,  ose dhe urdhrat e eprorëve që kanë të bëjnë me çështje të brendshme të një institucioni, për të cilat nuk kërkohet, por përkundrazi do të quhej i tepërt arsyetimi i tyre.

            Në praktikën administrative ka edhe akte administrative që nuk arsyetohen. Shumica e tyre janë të tilla. Edhe në ato akte, për të cilat ligji e kërkon si kusht të vlefshmërisë së tij, mund të mungojë arsyetimi. Atëherë çfarë bëhet me to?

            Në pamje të parë të krijohet bindja se shkelet ligji. Në të vërtetë një lejim i tillë është ligjor dhe paraqitet i domosdoshëm për vetë fizionominë e administratës dhe për dinamizmin që ajo mbart në vetvete. Kështu, për larmishmërinë e akteve të organeve të administratës publike ndodh shpesh që akti administrativ të nxirret, duke u mbështetur në informacionet ose propozimet e mëparshme, nga hallkat që përgatisin dokumentacionin përkatës. Në këto raste është i mjaftueshëm si arsyetim vetëm pranimi i këtyre propozimeve nga organi që nxjerr aktin që të konsiderohet e zbatuar kjo kërkesë e ligjit, pasi në këto raste opinionet, informacionet dhe propozimet e mëparshme konsiderohen pjesë përbërëse të vet aktit.[15]   

            Arsyetimi i një akti administrativ vërtetë ka karakter subjektiv në mënyrën e të konceptuarit të arsyetimit nga çdo organ konkret, por është e rëndësishme që të kuptohet se ai nuk ka karakter formal. Arsyetimi duhet të jetë i qartë; të përfshijë argumentimin e bazës ligjore dhe faktike të aktit, si dhe të shmang alogjizmin. Të dhënat kontradiktore që mund të pasqyrohen në arsyetimin e një akti administrativ, paqartësia, pasaktësia ose alogjizmi që mund të ndeshen në përpilimin e tij, do të shërbenin si argument i mjaftueshëm për ta quajtur aktin të paarsyetuar dhe, për rrjedhojë, të pavlefshëm. Ndërsa arsyetimi i bërë një akti mbi bazën e zgjidhjes së çështjeve të tjera analoge me të, por gjithmonë pa rënduar pozitën e subjekteve të përfshira në akt, nuk do ta cenonte aktin në drejtim të arsyetimit të tij.

            Të gjitha konceptet e trajtuara më lart dhe që kanë të bëjnë me formën, përmbajtjen, qëllimin dhe arsyetimin e aktit administrativ, deri tani kanë qenë objekt trajtimi nga shkenca e së drejtës administrative, pa arritur të parashikohen në mënyrë të qartë me ndonjë dispozitë ligjore konkrete. Vetëm në Kodin e Procedurave Administrative, në një kre të veçantë dhe konkretisht në pjesën VI “Veprimtaria Administrative” dhe në Kreun e parë “Aktet administrative”, në nenet 106 deri 110 është bërë një rregullim më i hollësishëm ligjor për këto koncepte.


[1] Galgano, Francesco: “ E drejta private”, Shtëpia botuese “Luarasi”, botim i vitit 1999.
[2] Stavileci, Esat: “Hyrje në shkencat administrative”, Prishtinë 2002.
[3] Ishte Profesor Otto Mayer, studiues i shquar në këtë fushë, që në veprën e tij monumentale të vitit 1895 për të drejtën administrative gjermane, e përkufizoi aktin si një “shpallje autoritare e administrates, e cila përcakton të drejtat e një subjekti në një rast të caktuar”.  
[4] Kodi i Procedurave Administrative është miratuar nga Kuvendi i RSH-së me ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999. Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 19 të vitit 1999. Referenca në nenet e këtij Kodi do të jetë në të gjithë krerët në vazhdim.
[5] Në studimet doktrinore, por edhe në jurisprudencën administrative, kryesisht të huaj, kur përmendet termi akt administrativ nënkuptohet vetëm akti me natyrë individuale. Në jurisprudencën tonë ky dallim nuk ka qenë shumë i qartë dhe shpesh herë konfondohen këto koncepte, duke i përfshirë si aktet individuale, ashtu edhe ato me katakter të përgjithshëm. Megjithatë, Kodi i Procedurave Administrative në nenin 1 parashikon rregullin se “Dispozitat e këtij Kodi zbatohen nga të gjitha organet e administratës publike gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre nëpërmjet akteve individuale. Parimet e sanksionuara në këtë Kod zbatohen edhe mbi aktet normative për aq sa një gjë e tillë është e mundur.”
[6] Në nenin 105 të Kodit të Procedurave Administrative  jepet përcaktimi i aktit administrativ individual me këtë formulim: “Për qëllimet e këtij ligji, do të konsiderohen akte administrative të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale.” Një formulim i tillë përveçse përcakton natyrën ndividuale, konkrete të aktit nuk arrin të jap një përkufizim të plotë të kuptimit të tij.    
[7] Në nenin 3 të Kodit të Procedurave Administrative parashikohet: “Në kuptimin e këtij Kodi, organet e administratës publike janë:

-          organet e pushtetit qendror të cilat kryejnë funksione administrative;
-          organet e enteve publikë në masën që ato kryejnë funksione administrative;
-          organet e pushtetit vendor që kryejnë funksione administrative;
-          organet e Forcave të Armatosura, si dhe çdo strukturë tjetër, punonjësit e së cilës gëzojnë statusin e ushtarakut, për aq kohë sa këto kryejnë funksione administrative.” 
[8] Sipas nenit 1, paragrafi i tretë i Kodit të Procedurave Administrative: “Parimet e përgjithshme të veprimtarisë administrative të sanksionuara në këtë Kod janë të detyrueshme për të gjitha aktet administrative, qofshin këto edhe të ndërmarra në kuadrin e së drejtës private.”

[9] Ky formulim e ka bazën në përkufizimin e dhënë nga J.Çomo në botimin e tij “E drejta administrative”, viti 1983.
[10] Shih nenin 106,pika 2 të Kodit të Procedurave Administrative.
[11] Këtu duhen pasur parasysh aktet me natyrë individuale, sepse ky është koncepti për të bërë dallimin me aktet normative me natyrë administrative.
[12] Stavileci, Esat: “Hyrje në shkencat administrative”, Prishtinë 2002; faqe 179.
[13] Galgano, Francesco: “ E drejta private”, Shtëpia botuese “Luarasi” botim i vitit 1999, faqe 43.
[14] Shih neni 108 i Kodit të Procedurave Administrative.
[15]   Neni 109, pika 1 i Kodit të Procedurave Administrative parashikon :“Kur arsyetimi është bërë në informacionet apo propozimet e mëparshme, mund të mjaftojë si arsyetim pranimi i tyre nga ana e organit përgjegjës për marrjen e vendimit përfundimtar. Në këto raste informacionet dhe propozimet janë pjesë përbërëse e aktit.”

3 vota. Mesatarja e 3.67 të 5.

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.