Like faqes ☞ Prof Asoc Dr Jordan DACI per Avokat Populli 

Marrëdhëniet Shqipëri – BE në fushën e të drejtave të njeriut

1. Bazat e marrëdhënies Shqipëri-BE

Ma. Haseda Rragami

Respektimi i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja  e minoriteteve mishërohen në Kushtetutë dhe në një sërë dispozitash ligjore. Shqipëria ka ratifikuar pjesën më të madhe të instrumenteve për të drejtat e njeriut; këto janë pjesë e sistemit të brendshëm gjyqësor dhe janë drejtpërsëdrejti të zbatueshme pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shqipëria iu bashkua Këshillit të Europës në vitin 1995 dhe në vitin 1996 ratifikoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Deri më sot, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka dhënë 29 vendime që kanë të bëjnë me Shqipërinë[1]. Kryesisht, Gjykata ka gjetur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme, të së drejtës për dëmshpërblim efektiv si dhe të së drejtës për të gëzuar qetësisht të pronës. Në shtator 2010, GjEDNj kishte në shqyrtim 287 çështje që kishin të bënin me Shqipërinë, lidhur me promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, Sipas raporteve të Bashkimit Europian për Shqipërinë, Avokati i Popullit është institucioni kryesor kombëtar për të drejtat e njeriut. Ky institucion ka luajtur rol aktiv në monitorimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në vend, si dhe ka kontribuar në rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore. Avokati i Popullit zgjidhet nga parlamenti me shumicë të kualifikuar. Për shkak të ngërçit politik në vazhdim, zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit ka mbetur pezull prej muajit shkurt 2010. Fushat kryesore në të cilat ka ndërhyrë Avokati i Popullit, kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet për pronën, abuzimin e policisë, zgjatjen e tepruar të procedurave gjyqësore, moszbatimin e vendimeve në çështjet civile, si dhe largimet e padrejta nga puna. Ai ka shprehur po ashtu, në mënyrë të përsëritur shqetësim të veçantë lidhur me kushtet e papërshtatshme në burgje, qendrat e paraburgimit dhe rajonet e policisë, korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe kushte të vështira të jetesës të minoritetit rom. Rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk janë vënë aq sa duhet në praktikë nga institucionet qeveritare. Raporti i tij vjetor në parlament është kritikuar me forcë nga disa deputetë. Puna e këtij institucioni pengohet nga mungesa e kapaciteteve , dhe shkurtimi i ndjeshëm së fundmi, i buxhetit të tij përbën shqetësim. Këto kufizime kanë bërë që Avokati i Popullit t’i ketë shfrytëzuar shumë pak kompetencat e tij ex officio. Pavarësia e këtij organi është e nevojshme të sigurohet nëpërmjet akordimit të burimeve të duhura. Kuadri institucional për të drejtat e njeriut është përforcuar përmes krijimit të një organi të barazisë. Në bazë të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi të miratuar në shkurt 2010, u emërua në muajin prill 2010 Komisionieri për mbrojtjen ndaj diskriminimit. Komisioneri ka kompetenca për të pranuar ankesa në lidhje jo vetëm me sektorin publik, por edhe me sektorin privat dhe individët, si dhe ka kompetencë për të vënë gjoba për shkelje të ligjit. Megjithatë, kjo zyrë nuk është ende plotësisht funksionale. Është i nevojshëm një financim adekuat i kësaj zyre që të krijojë kapacitetet e duhura  për shqyrtimin e ankesave dhe për ndërmarrjen e aktiviteteve për rritjen e ndërgjegjësimit në zbatim të parimit të trajtimit të barabartë. Janë bërë trajnime për çështjet e të drejtave të njeriut, në veçanti për oficerët e policisë, megjithatë duhet të forcohet ndërgjegjësimi dhe ndjeshmëria në radhët e administratës, gjyqësorit dhe organeve të zbatimit të ligjit. Organi kryesor me anë të të cilit BE ka vendosur marrëdhënie në fushën e të drejtave të njeriut është OSBE-ja. Trazirat e vitit 1997 bënë të mundur që Këshilli Permanent të vendovë që të ngrejë një degë të OSBE- së në Shqipëri, dhe pikërisht me 17 mars 1997[2].Trupa e OSBE e vendosur në Shqipëri do të kishte një mandat për të këshilluar dhe asistuar autoritetet shqiptare mbi çështje të demokratizimit, zhvillimit të medias së lirë, promovimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe përgatijtja e zgjedhjeve> Këshilli Përmanent e zgjati mandatin e prezencës, duke bashkëpunuar me organizata të tjera ndërkmbëtare[3], në kuadrin e stabilizimit të Shqipërisë sidomos në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend. Detyra e OSBE në Shqipëri përfshin dhënien e këshillave në fushat e demokratizimit, media, të drejtat e njeriut, përgatitja e zgjedhjeve dhe monitorimi i tyre, përfshi këtu edhe  monitorimin e mbledhjes së armëve. Edhe në kuadrin e procesit të Stabilizim – Asocimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, çështja e të drejatve të njeriut është një prioritet kryesor. Për sa kohë që procesi i Stabilizim Asocimit është një hap që duhet të kalohet nga Shqipëria për të aderuar në BE, promovimi dhe mbrojtje e si dhe krijimi i mekanizmave përkatës nga isntitucione tkryesore për realizimin e të drejtat e njeriut, mbetet një ndër kushtet kryesore.

2. Të drejtat civile dhe politike

Të drejtat civile dhe politike janë të mbrojtura nga KEDNj dhe nga Kushtetuta Shqiptare. Kështu mbrojtja e të drejtës së jetës është e parashikuar me kushtetutë[4]. Në vitin 2007, Shqipëria ka ratifikuar Protokollin Nr. 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke hequr dënimin me vdekje në të gjitha rrethanat. Numri i vrasjeve nga gjakmarrjet është ulur, kryesisht për shkak të punës më të mirë policore. Në këtë fushë janë bërë hapa të rëndësishëm, si parashikimi si vepër e cilësuar e gjakmarrjes dhe vrasjes për gjakmarrje, krijimi i njësive të specializuara të policisë, si dhe krijimi i Komisionit Koordinues të nivelit të lartë. Megjithatë, shpeshtësia e këtyre vrasjeve vazhdon të rezultojë në ngujimin e familjeve nga frika e gjakmarrjes, duke i privuar kështu fëmijët nga të drejtat bazë, të tilla si arsimi inkluziv.  Sipas raportit analitik te Komisionit Europian nevojiten masa për arsimimin, lehtësimin e jetesës dhe pajtimin e familjeve. Shqipëria ka bërë përpjekje për të siguruar aksesin në drejtësi, me miratimin në dhjetor 2008 të Ligjit për Ndihmën Ligjore, sipas të cilit, kategorive të ndryshme të personave u ofrohen shërbime ligjore falas në procedime civile, penale dhe administrative[5]. Megjithatë, sfidat në këtë fushë vazhdojnë të jenë të pranishme. Anëtarët e Komisionit Shtetëror për ndihmën ligjore janë emëruar dhe kanë nisur punën, dhe pse me shumë vonesë, duke penguar kështu vënien në zbatimin me efektshmëri të ligjit. Sipas raportit sistemi i burgjeve dhe paraburgimi në Shqipëri janë përmirësuar ndjeshëm që nga transferimi i përgjegjësisë nga Ministria e Brendshme tek Ministria e Drejtësisë në vitin 2007. Janë bërë investime për të zhvilluar ambientet e vuajtjes së dënimit, si dhe janë marrë masa të reja administrative në përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe shpeshtësinë e pushimeve në ambiente të hapura, duke përmirësuar kështu kushtet e jetesës. Formimi profesional është në dispozicion për të ndaluarit në 15 nga 21 institucionet e shlyerjes së dënimit, me 570 persona që ndjekin kurse të tilla, në veçanti të miturit. Është ulur mbipopullimi, kryesisht me futjen e dënimeve alternative si dhe sistemit të provës. Megjithatë, qendrat e vuajtjes së dënimit vazhdojnë të funksionojnë vazhdimisht mbi kapacitetet e tyre dhe kushtet e përgjithshme mbeten nën standardin e kërkuar, veçanërisht në disa nga burgjet e vjetra, qendrat e paraburgimit dhe rajonet e policisë..Në këtë kuptim, duhet të përforcohen më tej inspektimet mbi aktivitetin të institucioneve të vuajtjes së dënimit, dhe të zhvillohet më tej sistemi i përgatitjes profesionale të oficerëve të burgjeve. Gjithashtu, shqetësuese është dhe përdorimi dhe kohëzgjatja e tepruar e paraburgimeve, në veçanti në rastet e shkelësve të mitur. Aksesi në shërbimet mjekësore adekuate, veçanërisht të kujdesit psikologjik dhe psikiatrik, nuk është gjithmonë i mundur. Duhen marrë masa për trajtimin e duhur të të ndaluarve me çrregullime të shëndetit mendor, dhe për akomodimin e tyre në një institucion psikiatrik të përshtatshëm. Shqipëria ka ndërmarrë masa për të luftuar torturën dhe keqtrajtimin nga ana e policisë dhe personelit të burgjeve si dhe të ndjekur penalisht shkelësit. Vendi është palë në Konventën e OKB-së kundër torturës si dhe ndëshkimeve apo trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore apo poshtëruese dhe protokollit të tij dhe ka ratifikuar  Konventën Evropiane për parandalimin e torturës dhe ndëshkimit dhe trajtimit çnjerëzor apo poshtërues.[6].Në sistemin e burgjeve kryhen kontrolle të brendshme për parandalimin dhe zbulimin e rasteve të ushtrimit të forcës së tepruar. Në bashkëpunim me OJF-të, personelit të burgjeve u janë ofruar seanca trajnimesh për forcimin e kapaciteteve të tij[7]. Mekanizmi Kombëtar i Parandalimit i krijuar në 2008, brenda zyrës së Avokatit të Popullit, është përgjegjës për monitorimin e mjediseve të paraburgimit dhe për trajtimin e personave të privuar nga liria. Avokati i Popullit ka kompetenca të monitorojë mjediset e burgimit dhe paraburgimit por gjithashtu, edhe bazat ushtarake, spitalet në karantinë, sallat e transitit në aeroporte si dhe institucionet psikiatrike. Çështja e keqtrajtimit vazhdon të jetë shqetësuese, pasi ende raportohen raste të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik, në veçanti në vendet e ndalimit të policisë. Pavarësisht se janë bërë shpesh publike, këto raste shpesh përfundojnë me ndëshkime administrative dhe jo penale. Duhet të merren masa të mëtejshme për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës.. E drejta për jetë private është e garantuar me Kushtetutë dhe Kod Penal; mbrojtja e të dhënave personale sigurohet me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Në zbatim të këtij ligji, është ngritur Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave me qëllim shqyrtimin e ankesave që kanë të bëjnë me të dhënat personale[8]. Zbatimi i këtij ligji ka nevojë për konsolidim. Liria e shprehjes (duke përfshirë median) është e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet përkatëse. Shtypi në Shqipëri është pluralist dhe me operatorë të shumëllojshëm. Pjesa më e madhe e gazetave, stacioneve të radiove dhe TV janë të përqendruar në kryeqytet, me disa përpjekje së fundmi, për zhvillimin e medias lokale. Ndikimet politike mbi median dhe përdorimi i tyre si mjete propagande nga ana e partive politike apo biznesmenë me shumë ndikim, krijojnë kushte për raportim të njëanshëm dhe vetë-censurën e gazetarëve. Klima në të cilën media ushtron veprimtarinë, mbetet çështje shqetësuese pasi pengon zhvillimin e pavarësisë editoriale. Presionet politike dhe ekonomike dhe kërcënimet e rastit, së bashku me informalitetin e kontratave të punës dhe mungesën e arsimit dhe formimit të duhur, ndikojnë për keq në standardet profesionale. Kushtetuta shqiptare dhe Kodi Zgjedhor garantojnë të drejtën e votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur për të gjitha ata persona që kanë mbushur moshën 18-vjeçare[9]. Reformat në Kodin Zgjedhor ndryshuan rregullat e identifikimit të votuesve, duke sanksionuar detyrimin për të paraqitur kartën e identitetit ose pasaportën dhe jo më certifikatën e lindjes. Vonesat në lëshimin e kartave të identitetit penguan një numër qytetarësh në ushtrimin e së drejtës së tyre për të votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Mungesa e regjistrimit civil të shumë personave që i përkasin komunitetit rom, i pengon ata që të marrin pjesë në procesin demokratik. Për sa i përket lirisë së tubimit dhe grumbullimit, Kushtetuta dhe legjislacioni garantojnë të drejtën për organizim kolektiv për çdo qëllim të ligjshëm[10]. Megjithatë, pavarësisht rritjes së vizibilitetit të disa organizatave të shoqërisë civile, ky sektor mbetet relativisht i dobët dhe vuan nga burime të pamjaftueshme teknike dhe financiare si dhe varësia ndaj fondeve  të donatorëve të huaj. Shumë pak OJF kanë kapacitete të forta organizative, dhe shumica nuk kanë struktura drejtuese solide. Me gjithë miratimin e Kartës për Shoqërinë Civile, përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në bërjen e politikave dhe seancat parlamentare e konsultuese është e kufizuar, gjë e cila minon forcën dhe rolin kundërpeshues të tyre në kontrollin demokratik. Përfshirja qytetare e publikut shqiptar mbetet e kufizuar dhe OJF-të ndonjëherë shikohen me mosbesim. Kuadri fiskal rregullator për OJF-të ka nevojë të qartësohet më tej përmes një procesi konsultues me të gjitha palët përkatëse të interesuara..Liria e besimit fetar në Shqipëri është e garantuar me Kushtetutë. Marrëdhëniet ndërfetare janë të bazuara në respektin e ndërsjellët dhe tolerancën. Edhe pse Shqipëria nuk ka një fe zyrtare shtetërore, bashkësitë më të mëdha fetare (myalimanë, bektashi, ortodokse dhe katolike) gëzojnë një shkallë më të madhe njohjeje zyrtare (përparësi në kthimin e pronë përjashtime nga taksat) sesa grupet e tjera fetare. Duhen përpjekje për kthimin e pronës.

3. Të drejtat ekonomike dhe sociale

Në lidhje me të drejtat ekonomike dhe sociale janë ndërmarrë  politika anti-diskriminim, në shkurt 2010, ku Shqipëria miratoi një ligj për mbrojtjen nga diskriminimi. Ky ligj është hartuar në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe shoqërinë civile; ligji rregullon zbatimin dhe sundimin e parimit të trajtimit të barabartë bazuar në një listë joshteruese arsyesh ku përfshihen gjinia, raca, paaftësia fizike dhe mendore dhe orientimi seksual. Ligji po ashtu, parashikon krijimin e Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi[11]. Kodi Penal i Shqipërisë parashikon se urrejtja si motiv i veprës penale përbën një faktor rëndues të veçantë. Personat lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe transeksualë (LGBT) mbrohen me legjislacionin e ri anti-diskriminim. Megjithatë, sipas raportit të Komisionit Europian, pavarësisht nga ndërgjegjësimi i rritur për çështje të LGBT-ve dhe shfaqjes së një komuniteti të mbrojtur nga OJF-të, diskriminimi dhe intoleranca mbeten të përhapura. Ka pasur raste dhune, në veçanti me shënjestër bashkësinë transeksuale. Autoritetet, në veçanti Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, duhet të garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njerëzve .Për sa i përket të drejtave të grave, sipas raportit, Shqipëria ka ndërmarrë masa domethënëse për forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për barazinë gjinore dhe luftën ndaj dhunës në familje[12].  Megjithatë, femrat vazhdojnë të diskriminohen në kuptimin e aksesit në punësim, arsim dhe pronë. Kjo ndodh kryesisht, nga mosakordimi i burimeve njerëzore, teknike dhe financiare të mjaftueshme për të siguruar zbatimin efektiv të ligjeve dhe strategjive. Pabarazia në paga në bazë gjinore duhet të adresohet, kryesisht duke përmirësuar mbikëqyrjen e Inspektoratit të Punës. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për promovimin e sigurisë ekonomike dhe fuqizimit të grave. Integrimi gjinor në të gjitha nivelet e sistemit arsimor është thelbësor për të ndryshuar qëndrimet tradicionale dhe për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e grave. Dhuna në familje është një dukuri e vazhdueshme që prek mjaft familje në Shqipëri dhe është gjithashtu, një shqetësim serioz. Miratimi i ligjit për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare dhe strategjia që ka të bëjë me të, kanë sjellë një rritje të konsiderueshme në numrin e incidenteve të denoncuara në polici si dhe në lëshimin e urdhrave për mbrojtje. Megjithatë,gjithnjë sipas raportit, denoncimet e rasteve vazhdojnë të mbeten nën shifrat reale, dhe këto raste nuk hetohen dhe ndiqen penalisht në mënyrë të mjaftueshme, veçanërisht në zonat rurale. Mbrojtja e grave dhe viktimave të tjera ndaj të gjitha formave të dhunës duhet të forcohet të mënyrë të konsiderueshme. Ka nevojë të garantohet aksesi i viktimave në drejtësi, në veçanti përmes dhënies së ndihmës ligjore falas, siç parashikohet në ndryshimet në ligjin mbi masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare[13]. Akordimi i burimeve të duhura për drejtimin e qendrës së re kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje është kyç për sigurimin e mbrojtjes së viktimave. Ri-integrimi shoqëror i viktimave kërkon vëmendje më të madhe, përfshirë përmes akordimit të burimeve publike për trajnime, punësim dhe mundësi për strehim afatgjatë për gratë e abuzuara. Shqipëria ka ratifikuar konventat ndërkombëtare relevante që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve[14].Megjithatë miratimi i një ligji integral për të drejtat e fëmijëve që krijon një mekanizëm kombëtar referues do të jetë vendimtar për ecurinë e mëtejshme në këtë fushë. Akordimi i burimeve të mjaftueshme në nivel qendror dhe vendor është vendimtar në sigurimin e mbrojtjes së plotë sociale për familjet. Nuk ka asnjë sistem të ngritur për mbështetjen ekonomike të fëmijëve. Strehimi për fëmijët në nevojë, kryesisht ata mbi moshën 15 vjeçare, kryesisht ofrohet nga OJF-të. Fëmijët e rrugëve dhe puna e fëmijëve janë çështje që përbëjnë një shqetësimi të veçantë dhe që kërkojnë vëmendje më sistematike nga autoritetet. Mungesa e regjistrimit civil dhe regjistrimi i ulët në shkolla i bëjnë fëmijët rom veçanërisht të cenueshëm ndaj trafikimit njerëzor dhe punës së fëmijëve. Mbështetja për familjet dhe identifikimi i fëmijëve në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror, janë thelbësore për të frenuar numrin e fëmijëve që humbasin kujdesin prindëror. Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri është çështje shqetësuese. Sistemi shqiptar i drejtësisë për të mitur nuk përmban dispozita për fëmijët nën moshën e përgjegjësisë penale, të caktuar në 14 vjeç. Siaps raportit të Komisionit shpenzimet qeveritare për arsimin në Shqipëri janë të pamjaftueshme dhe shkurtimet e fundit janë shqetësuese. Legjislacioni shqiptar parashikon 9 vjet arsim të detyrueshëm. Infrastruktura në shkolla mbetet nën standard, me një numër të lartë shkollash ende me pa sisteme sanitare dhe ngrohjeje. Me gjithë përpjekjet për ta frenuar, korrupsioni vazhdon të jetë problem në sistemin arsimor. Gjendja e personave pa përkrahje nga ana sociale si dhe e atyre me paaftësi fizike në Shqipëri është ende problematike. Për shkak të burimeve të kufizuara financiare dhe njerëzore, strukturat qeveritare në nivel qendror dhe vendor ende nuk janë plotësisht në gjendje t’i përgjigjen nevojave të grupeve pa përkrahje. Shqipëria e ka nënshkruar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara[15]. Qeveria ka nisur shqyrtimin e legjislacionit kombëtar në këtë fushë, duke synuar ratifikimin e saj. Strategjia kombëtare për personat me aftësi të kufizuara, e miratuar për periudhën 2004-2014 dhe që synon përmirësimin e kushteve të jetesës përmes aksesueshmërisë, shërbimeve mbështetëse, punësimit dhe arsimimit, nuk zbatohet në mënyrë të mjaftueshme. Statusi i veçantë ligjor që i jepet të verbërve, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe invalidëve të punës, në mungesë të një ligji integral që i mbulon të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, sjell shqetësime për rrezikun e diskriminimit dhe trajtimit diferencial. Ekzistojnë masa të kufizuara në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara; instrumentet në dispozicion janë ende të pamjaftueshme. Personat me aftësi të kufizuara vuajnë nga shërbime shëndetësore, arsimore, shoqërore dhe punësimi të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme, që sjellin rrezik të lartë të përjashtimit shoqëror. Fëmijët shpesh arsimohen në institute të veçanta për shkak të mungesës së kapaciteteve të sistemit arsimor për të integruar nxënësit me aftësi të kufizuara, duke u mohuar atyre kështu të drejtën për arsimim inkluziv. Niveli i përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës mbetet shumë i ulët dhe kuotat e prezantuara nga ligji për nxitjen e punësimit, përgjithësisht nuk zbatohen. Autoritetet shqiptare duhet të miratojnë norma të përshtatshme për pranimin në institucione psikiatrike dhe për monitorimin e gjendjes së pacientëve. Duhen përmirësuar më tej kushtet në institucionet e kujdesit shëndetësor, përfshi aksesin në mjediset arsimore. Për shkelësit e ligjit me aftësi të kufizuara mendore është i nevojshëm strehimi i duhur në mjedise të përshtatshme psikiatrike mjekoligjore. Shqipëria ka ratifikuar 8 konventat kyçe të të drejtave të punës të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), si dhe Kartën Sociale Evropiane të rishikuar. E drejta për të krijuar sindikata të pavarura si dhe shoqata punëtorësh është e garantuar. Megjithatë, shkalla e lartë e ekonomisë informale nënkupton që këto organizata janë ende të dobëta. Kodi i Punës njeh të drejtën e negocimit kolektiv në nivel ndërmarrjesh dhe sektori, por ka mjaft vështirësi në aftësitë e negocimit kolektiv dhe në zbatimin e marrëveshjeve. Është i nevojshëm forcimi i mandatit të Këshillit Kombëtar të Punës, si organi kryesor këshillues trepalësh. Ligji për pasuritë e sindikatave që shtetëzoi pronat e trashëguara nga ish-sindikatat komuniste është  miratuar nga parlamenti[16]. Ndalimi i së drejtës për grevë për nëpunësit civilë duhet të ndryshohet që të jetë në pajtim me zotimet ndërkombëtare. Me gjithë ratifikimin e konventave të ILO-s për moshën minimale dhe ndalimin e formave më të këqija të punës së fëmijëve, punësimi i fëmijëve mbetet shqetësim serioz, pasi mjaft fëmijë lënë shkollën për të punuar, ndonjëherë në kushte të rrezikshme. Inspektimet e punës duhet të shtohen në mënyrë që kjo tendencë të luftohet. Që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 90’, Shqipëria ka kaluar në një proces reformash të thella për të drejtat mbi pronën[17]. Këto përfshijnë ri-krijimin e pronës së paluajtshme private, rivendosjen e parimeve të së drejtës dhe transaksioneve civile, si dhe njohjen e të drejtave të pronësisë atyre që u shpronësuan në mënyrë të padrejtë gjatë komunizmit. Në lidhje me këtë të drejtë raporti kritikon se, legjislacioni shpesh është zhvilluar pjesë-pjesë dhe në mënyrë të pakoordinuar, duke sjellë një kuadër ligjor shumë kompleks, legjitimiteti dhe drejtësia e të cilit është kundërshtuar shpesh nga personat e interesuar. Çështja e pronës mbetet e pazgjidhur. Vështirësitë përfshijnë numrin artificialisht të lartë të agjencive që ushtrojnë veprimtarinë në mënyrë të pakoordinuar, shpesh të paefektshme dhe ndonjëherë me mbivendosje kompetencash, një sistem regjistrimi tokash që nuk funksionon siç duhet, si edhe korrupsioni gjerësisht i përhapur. Gjykatat e Shqipërisë janë të mbingarkuara me çështje të mbartura mosmarrëveshjesh mbi pronën që shpesh i përshkojnë të gjitha instancat e gjykimit, ndonjëherë disa herë. Problemi sistematik i moszbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë si dhe i vendimeve administrative që urdhërojnë kthimin e pronave ose kompensimin e ish-pronarëve, përbën një shqetësim serioz. Rastet e shkeljes së parimit të gjykimit të drejtë të çështjeve të pronësisë përbëjnë pjesën më të madhe të ankimeve në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër Shqipërisë. Raporti sqaron se gjendja në Shqipëri ka arritur një nivel kompleksiteti i cili në disa raste, e vë në pikëpyetje parimin e respektit për të drejtat e njeriut. Mosmarrëveshjet e pazgjidhura kronike dhe pasiguria ligjore për titujt e pronësisë, pengojnë zhvillimin ekonomik dhe të tregut të tokës, frenojnë investimet e huaja, vënë në rrezik besimin e qytetarëve tek demokracia dhe mbingarkojnë rëndë gjykatat. Këto probleme kërkojnë përqasje gjithëpërfshirëse dhe mbështetje të fortë politike në mënyrë që të përmirësohet gjendja e tanishme duke përmbushur kërkesat kushtetuese si dhe ato të të drejtës publike ndërkombëtare, si dhe duke baraspeshuar interesat dhe nevojat e grupeve të ndryshme të interesit në shoqëri, duke synuar parandalimin e konflikteve dhe trazirave sociale në planin afatgjatë.

4. Respektimi dhe mbrojtja e minoriteteve, të drejtat kulturore

Kushtetuta garanton mbrojtjen e të drejtave civile, ekonomike, sociale dhe politike të minoriteteve[18]. Shqipëria nuk ka një ligj kuadër specifik për minoritetet. Vendi historikisht i përcakton grupet minoritare në territorin e tij, si minoritete “kombëtare” që janë tre (grek, maqedonas dhe malazez) që kanë një shtet amë, si dhe dy minoritete “etno-gjuhësore” (arumunë dhe romë). Zyrtarisht, nuk ka diferencim ligjor për gëzimin e të drejtave nga personat e minoriteteve kombëtare dhe etno-gjuhësore, por ka diferencim në praktikë, kryesisht në lidhje me aksesin në arsimin publik në gjuhët minoritare. Sqarimi i dallimit mes minoriteteve të ndryshme kombëtare dhe etno-gjuhësore do të ndihmonte në shmangien e trajtimit të diferencuar për personat e komuniteteve etno-gjuhësore. Komuniteti egjiptian kërkon të njihet si minoritet etno-gjuhësor, ndërsa ai boshnjak si minoritet kombëtar. Marrëdhëniet ndëretnike janë përgjithësisht të mira, pavarësisht një incidenti të dhunshëm kohët e fundit që rezultoi në vdekjen e një shtetasi shqiptar greqishtfolës në Himarë, që po hetohet nga autoritetet. Mungojnë të dhënat e sakta për minoritetet në Shqipëri. Kjo situatë pritet të zgjidhet nga regjistrimi i popullsisë në 2011, duke respektuar standardet ndërkombëtare që përfshijnë parimin e vet-deklarimit të lirë. Ky regjistrim do të ketë pyetje fakultative për origjinën etnike, besimin fetar dhe gjuhën amtare. Shqipëria ka ratifikuar Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare[19].Legjislacioni shqiptar parashikon që të drejtat e minoriteteve kombëtare të respektohen në të gjithë territorin. Në disa bashki, janë nënshkruar marrëveshje në nivel vendor për të afishuar emrat lokalë në gjuhën minoritare; megjithatë, zbatimi i këtyre marrëveshjeve nuk ka qenë gjithmonë konsistent. Duhet të rritet mundësia e arsimit në gjuhët minoritare dhe duhet të hiqen rregullat strikte për aksesin në arsimin në gjuhën minoritare. Shqipëria duhet t’u garantojnë minoriteteve gëzimin e plotë të të drejtave të tyre, duke pasur parasysh rekomandimet e Komitetit Këshillimor të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare.

Komiteti Shtetëror i Minoriteteve nën varësinë e Kryeministrit, ka për detyrë t’i rekomandojë qeverisë masa në lidhje me grupet minoritare.. Kapacitetet institucionale të Komitetit mbeten të dobëta dhe performanca e tij si organ këshillimor efektiv mund të vihet në pikëpyetje. Autoritetet shqiptare duhet t’i sigurojnë Komitetit burimet e nevojshme financiare dhe njerëzore që të realizojë me efektivitet detyrat e ngarkuara. Duhet të rritet niveli i përfaqësimit të minoriteteve në administratën publike dhe në politikë. Për sa u përket Romëve, në vitin 2003 u miratua Strategjia për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve, e cila po zbatohet nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta[20]. Megjithatë, komuniteti rom është grupi minoritar më vulnerabël në Shqipëri, pasi përballet me varfëri të përhapur, përjashtim social-ekonomik dhe diskriminim të vazhdueshëm, sidomos në aksesin në arsim, mbrojtje sociale, shëndetësi, punësim dhe strehim të përshtatshëm. Strategjia kombëtare po zbatohet me ngadalësi, për shkak të burimeve të pamjaftueshme njerëzore dhe financiare, koordinimit të mangët të të gjitha institucioneve të përfshira në nivel vendor dhe qendror, si edhe mangësive të mekanizmave monitorues dhe vlerësues. Në 2009 u zhvillua një fushatë regjistrimi për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, përfshi edhe romët. Megjithatë, shumë romë akoma janë të paregjistruar në gjendjen civile, gjë që pengon ushtrimin e të drejtave themelore. Aksesi në shëndetësi është problematik për këtë grup minoritar, dhe mjaft romë vuajnë nga sëmundje që lidhen me varfërinë. Shumë romë jetojnë në kushte të këqija, në banesa pa infrastrukturën sanitare bazë. Me gjithë hapat e ndërmarrë për të nxitur përfshirjen e romëve në sistemin shkollor, sidomos me formimin e klasave parashkollore për të rritur njohuritë e tyre për gjuhën shqipe, regjistrimi shkollor i romëve mbetet i pamjaftueshëm dhe braktisja e shkollës mbetet në nivele të larta. Pjesëmarrja e minoritetit rom në jetën politike dhe publike mbetet e ulët, madje edhe në nivel vendor. Në tërësi, kuadri ligjor për të drejtat e njeriut dhe respektimin e mbrojtjen e minoriteteve është përgjithësisht i plotë dhe korrespondon gjerësisht me standardet evropiane. Megjithatë, zbatimi i tij në mjaft fusha mbetet i pamjaftueshëm. Kuadri institucional është i përshtatshëm, por duhet të sigurohet funksionimi i duhur i tij. Veçanërisht, për sa i përket të drejtave civile dhe politike, duhet të përmirësohet aksesi në drejtësi i grupeve vulnerabël, të parandalohet keqtrajtimi në vendet e ndalimit nga policia dhe të zgjidhet situata e të burgosurve të sëmurë mendorë, dhe  të forcohet pavarësia dhe transparenca në sektorin e medias. Në fushën e të drejtave ekonomike dhe sociale, duhet të akordohen burimet e duhura për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit, duhet të miratohet një ligj kuadër për të drejtat e fëmijëve, duhet të përmirësohet kuadri ligjor për personat me aftësi të kufizuar, dhe duhet të zbatohen me efektivitet strategjitë ekzistuese për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës në familje. Duhet të gjenden zgjidhje urgjente për mbivendosjet e legjislacionit dhe rrjedhimisht mungesën e sigurisë ligjore, vendimet e paekzekutuara të gjykatave dhe rreziqet e korrupsionit në fushën e të drejtave të pronësisë. Respektimi dhe mbrojtja e minoriteteve duhet të forcohet nëpërmjet përmirësimit të vizibilitetit të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, dhe rritjes së aksesit në arsimimin në gjuhën minoritare. Nevojitet zbatimi i duhur i strategjive dhe planeve të veprimit që i përkasin minoritetit rom, me qëllim që të përmirësohen kushtet e tyre të jetesës dhe t’u lehtësohet integrimi në shoqëri.

5. Zbatimi në praktikë i rekomandimeve të Institucioneve Europiane

Qeveria Shqiptare riafirmon zotimin e saj për të zhvilluar një kuadër ligjor dhe institucional që krijon mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, që mbështet diversitetin kulturor, etnik dhe gjuhësor, që përkrah zhvillimin politik dhe ekonomik gjithëpërfshirës si edhe që mbron të drejtat e njeriut në kontekstin e imigracionit të paligjshëm dhe azilit. Autoritetet shqiptare vlerësojnë theksin e vënë nga ECRI (Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës) mbi progresin e arritur në fushën e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar, përfshirë këtu ratifikimin e Protokollit Nr.12 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Protokollit Shtesë të Konventës mbi Krimin Kibernetik, Konventën Europiane për Pjesëmarrjen e të Huajve në Jetën Publike në Nivel Lokal, si edhe Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Gjithë Punëtorëve Emigrantë dhe Pjesëtarëve të Familjeve të Tyre. Në lidhje me rekomandimin e ECRI-t mbi Nenin 14 të Konventës Ndërkombëtare për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, Qeveria Shqiptare konfirmon angazhimin e saj për të nisur proçesin e pranimit të Deklaratës për njohjen e kompetencave të Komitetit për Eleminimin e Diskriminimit Racial (CERD). Qeveria Shqiptare rikonfirmon qëndrimin e vet mbi Kartën Europiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare. Garancitë kushtetuese për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të minoriteteve, si edhe instrumentat ligjore ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë dhe që dusigurojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe e  minoritare në vend[21]. Qeveria Shqiptare ripërsërit angazhimin e vet të plotë për të mbështetur mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave përmes zbatimit të  gjerë të legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë bazohet në parimin themelor të barazisë së qytetarëve, i cili siguron mbrojtjen e të drejtave sociale, kulturore, ekonomike dhe politike të pakicave, si edhe mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të gjinisë, racës, gjuhës, përkatësisë etnike apo besimit fetar[22]. Qeveria shqiptare ka miratuar strategji që përfshijnë masa konkrete lidhur me parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, mbrojtjen dhe ndihmën ndaj viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve.  Zyra e Koordinatorit Kombëtar të Antitrafikimit zbaton strategjinë dhe punon për rritjen e ndërgjegjësimit publik në parandalimin e trafikimit të njerëzve. Fokusi është vënë në identifikimin e viktimave dhe funksionimin e mekanizmit referues të viktimave në shkallë kombëtare. Qeveria bashkëpunon me OJF-të për dhënin e ndihmës për viktimat e trafikimit dhe dhënien e fondeve për strehët e administruara nga OJF-të. Në lidhje më të drejatae fëmijëve.  Strategjia kombëtare për fëmijët 2006-2010 ka për synim të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës. Strategjia kombëtare për luftën kundër trafikimit të fëmijëve e miratuar në korrik 2008, plotëson strategjinë kombëtare kundër trafikimit të njerëzve. Njësitë e të Drejtave të Fëmijëve janë duke u krijuar gradualisht në të gjithë 12 Këshillat e Qarkut dhe Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijës ekzistojnë në 15 njësi të qeverisjes vendore, për të promovuar dhe mbikëqyrur të drejtat e fëmijëve.  Në 2008, Shqipëria ka miratuar një strategji të kujdesit për jetimët me synim deinstitucionalizimin e fëmijëve pa kujdes prindëror. Sistemi i drejtësisë për të miturit është reformuar, me zbatimin e dënimeve alternativave ndaj burgosjes së shkelësve të mitur, duke krijuar seksione të reja gjyqësore si dhe me ndërtimin e një qendre të re paraburgimi për të miturit në Kavajë. Kritikave në lidhje me lirine për tu organizuar është themeluar një agjenci për mbështetjen e shoqërisë civile, e cila ka për detyrë shpërndarjen e financimit shtetëror tek organizatat jofitimprurëse, si dhe është bërë thirrja e parë për propozime. Në lidhjë me personat pa përkrahje dhe personat me aftësi të kufizuara, kushtet e jetesës janë përmirësuar, nivelet e varfërisë janë ulur në mënyrë të qëndrueshme dhe masa të konsiderueshme janë ndërmarrë drejt zbatimit të strategjisë ndërsektoriale të përfshirjes sociale 2007-2013. Në zbatim të ligjit për ndihmën ekonomike u krijua një sistem i ndihmës ekonomike me qëllim mbështetjen e shtresave më të varfra të popullsisë[23]. Për sa i përket shëndetit mendor, Shqipëria ka nisur një proces deinstitucionalizimi të personave me aftësi të kufizuara mendore dhe ka nisur të ngrejë shtëpi të kujdesit në komunitet. Kritikave të Komisioni Europian për të drejtën e pronës qeveria sqaron se masat legjislative dhe institucionale janë ndërmarrë në tre fusha të ndërlidhura kryesore: në regjistrimin e pronës, rikthimin dhe kompensimin, dhe legalizimin. Janë miratuar disa ligje si Ligji për regjistrimin e pronave të paluajtshme në 1994 (i ndryshuar së fundmi në 2007), Ligji për verifikimin e vlefshmërisë ligjore të çertifikatave të pronësisë për tokën e punueshme në 2008, Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës në 2004 (ligji fillestar në 1993) dhe Ligji për legalizimin, planifikimin urban dhe integrimin e ndërtimeve informale në vitin 2006 (ligji fillestar i vitit 2004). Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është krijuar që të kryejë regjistrimin fillestar të pronës në të gjithë vendin. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është krijuar për të përgatitur kthimin e tokës dhe pronës së shpronësuar, si dhe të ofrojë kompensim në rast se kthimi është i pamundur[24].  Në lidhje me rekomandimin e ECRI-t mbi miratimin e një ligji të përgjithshëm kundra diskriminimit, Qeveria Shqiptare nënvizon se Parlamenti Shqiptar së fundmi ka miratuar ligjin anti-diskriminim, bazuar në nismën ligjore të aktorëve nga shoqëria civile. Për 2007-2010 është miratuar një strategji kombëtare për barazinë gjinore dhe zhdukjen e dhunës në familje. Është krijuar Këshilli Kombëtar për Barazinë Gjinore si dhe një rrjet i punonjësve të barazisë gjinore në ministritë e linjës dhe bashki. Një mekanizëm i ri për monitorimin dhe vlerësimin e barazisë gjinore dhe dhunën ndaj grave, i përcaktuar në udhëzimet e miratuara të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, do të sigurojë grumbullimin e të dhënave të pjesshme dhe zbatimin efektiv të Ligjit për barazinë gjinore në shoqëri. Me këtë ligj si dhe me Kodin Zgjedhor[25], është sanksionuar një kuotë gjinore prej 30%, në mënyrë që të nxitet pjesëmarrja e grave në politikë. Në lidhje me dhunën në familje në policitë e qarqeve janë krijuar njësi speciale për t’u marrë me të tilla raste dhe shumë oficerë policie, funksionarë gjykatash dhe të tjerë janë trajnuar rreth dhunës në familje. Qeveria Shqiptare mirëpret vlerësimet e ECRI-t në drejtim të reformës elektorale, përfshirë këtu modernizimin e infrastrukturës zgjedhore perms krijimit të bazës dixhitale të të dhënave të Rregjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe futjen e dokumentave biometrike të identitetit.  Për sa i përket komenteve të raportit të ECRI-t mbi dipozitat ligjore të cilat përcaktojnë të drejtat e pakicave për t’u organizuar dhe përfaqësuar politikisht, Qeveria Shqiptare dëshiron të theksojë se legjislacioni shqiptar lejon krijimin e subjekteve politike të cilat fokusohen në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut dhe të interesave të pakicave. Gjithashtu, vlen për t’u vënë në pah fakti se parti politike të grupeve minoritare kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike pas vitit 1990, dhe kanë qenë pjesë e strukturave qeverisëse në nivele të larta dhe ministrore. Në lidhje me sugjerimet për caktimin në Parlamentin Shqiptar të një kuote të cilësuar për përfaqësues të pakicave, Qeveria Shqiptare vë në dukje faktin se nuk ekziston asnjë standard ndërkombëtar që kërkon përmbushjen e parimit të përfaqësimit të minoriteteve përmes vendosjes së kuotave parlamentare përkatëse. Qëndrimi i Qeverisë Shqiptare mbështetet në një përqasje të orientuar kah proçesi që sjell forcimin e përfshirjes së pakicave në jetën politike të vendit.  Në këtë kontekst, Qeveria Shqiptare rikonfirmon angazhimin e saj për të mbështetur përfshirjen efektive të grupeve minoritare në nivel lokal dhe kombëtar.  Për sa i përket pakicave të cilat nuk gëzojnë statusin e minoriteteve kombëtare apo etno-linguistike, Qeveria Shqiptare dëshiron të nënvizojë se çështja e njohjes së statusit të minoritetit kombëtar për komunitetin Boshnjak është nën shqyrtim. Ndërkaq, Qeveria Shqiptare ripërsërit pozicionin e saj mbi çështjen e komunitetit Egjyptian, duke theksuar se mungesa e gjuhës apo e shtetit amë e pamundëson njohjen e statusit të minoritetit kombëtar apo etno-linguistik për këtë pakicë. Në këtë kuadër, vlen për t’u theksuar se Komiteti Shtetëror për Minoritetet është i mandatuar për mbrojtjen e interesave dhe trajtimin e shqetësimeve të komuniteteve të lartpërmendura.  Qeveria Shqiptare dëshiron të theksojë se institucionet e linjës kanë ndërmarrë të gjitha masat prioritizuese në përputhje me kornizën e Strategjisë Kombëtare për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës së Komunitetit Rom.. Përballë sfidës për rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve Romë në të gjitha nivelet e sistemit të edukimit, angazhimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është fokusuar në drejtimet vijuese: rregjistrimin në shkollë të fëmijëve Romë të cilët nuk janë të pajisur me çertifikatë lindjeje dhe sigurimin e shërbimeve shëndetësore të vaksinimit falas, rindërtimin e shkollave me frekuentim të lartë nga fëmijë Romë dhe në zonat ku komuniteti Rom përbën shumicën e banorëve, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare për uljen e varfërisë së komunitetit Rom, si edhe zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese mbi përfitimet që kanë familjet Rome fëmijët e të cilave ndjekin shkollën dhe kanë një nivel më të lartë arsimimi[26].  Në lidhje me rekomandimin e ECRI-t mbi “veprimin pro-aktiv” në luftën kundër diskriminimit, Qeveria Shqiptare nënvizon faktin se parimet ligjore të barazisë së qytetarëve dhe të mundësive plotësohen nga udhëzime dhe iniciativa institucionale të cilat marrin në konsideratë veçantitë e grupeve të ndryshme vulnerabël. Angazhimi i Qeverisë Shqiptare për përmirësimin e kushteve dhe standarteve të jetesës për komunitetin Rom u riafirmua përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave  për t’iu bashkuar nismës Dekada e Përfshirjes së Romëve 2005–2015[27]. Në këtë kuadër, Plani Kombëtar i Veprimit përcakton zgjerimin e resurseve në dispozicion të promovimit të mirëqënies së komunitetit Rom, si edhe konsolidimin e praktikave të konsultimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe organizatave të shoqërisë civile të cilat përfaqësojnë interesat e kësaj pakice.  Qeveria Shqiptare vë në dukje se policia e shtetit mbledh dhe administron të dhëna statistikore mbi kriminalitetin në vend. Përkatësisht, numri i vogël i proçedimeve penale për raste të dhunës së motivuar nga shkaqe racore përbën një tregues pozitiv përsa i përket qëndrimeve, opinioneve dhe sjelljeve mbizotëruese në shoqërinë shqiptare. Ministria e Brendshme konfirmon se, pamvarësisht mungesës së sjelljes së dhunshme të motivuar nga shkaqe raciale nga punonjës të policisë në detyrë, autoritetet shqiptare janë zotuar për një luftë të pandërprerë ndaj abuzimit verbal apo dhunimit të të drejtave të qytetarëve të dyshuar për veprime kriminale përgjatë proçesit të ndalimit dhe hetimit. Qeveria Shqiptare nënvizon faktin se legjislacioni kombëtar mbi shërbimin civil bazohet në parimin thelbësor të barazisë së mundësive dhe ndërkaq siguron pjesëmarrjen e pakicave në administratën publike, sistemin gjyqësor, forcat e armatosura, si edhe policinë e shtetit. Autoritetet qeverisëse në nivel lokal dhe qëndror mbeten të angazhuara për rritjen e përfaqësimit të pakicave në sektorin publik, përmes zhvillimit të fushatave ndërgjegjësuese, si edhe zbatimit të masave të reja lehtësuese për rekrutimin e personave të cilët kanë përkatësi të ndryshme etnike. Qeveria Shqiptare rikonfirmon vullnetin e saj për një bashkëpunim transparent dhe të qëndrueshëm me ECRI-n në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit, si edhe në mbrotjen e të drejtave dhe zhvillimin e mundësive për minoritetet, komunitetet e disavantazhuara dhe grupet vulnerabël në vend. Në këtë kuadër, Qeveria Shqiptare shpreh dëshirën për të promovuar tolerancën, mirëkuptimin dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes shqiptarëve dhe pakicave në vend, si një trashëgimi e çmuar në tërë rajonin e Ballkanit dhe në kontekstin më të gjerë Europian. Qeveria shqiptare në përgjigje të raporteve të institucioneve europiane dhe sidomos të Komisionit Europian, parashtron nisma dhe arritje positive në fushën e të drejtave të njeriut. Por duhet pranuar se nevojitet akoma për të bërë në këtë fushë, duke sensibilizuar mbarë popullsinë shqiptare në  respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Referencat


[1] Shih çështjet Agim Hysi kundër Shqipërisë, Qemal Gurgaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë, Ali Telahaj kundër Shqipërisë, Ali dhe Shkëlqim Sufja kundër Shqipërisë, Cështja Bushati dhe të tjrë kundër Shqipërisë, Mullai kundër Shqipërisë, Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë, Caka Kundër Shqipërisë, Groti Kundër Shqipërisë, Gjyli kundër Shqipërisë, Dauti kundër Shqipërisë, Nuri kundër Shqipërisë, Xheraj kundër Shqipërisë, Hamzaraj kundër Shqipërisë etj.
[2] OSBE- ja në Shqipëri filloi punë në prill të 2007.
[3] Një ndër organizatat që bashkëpunon OSBE në fushen e të drejtave të njeriut është Këshilli I Europës.
[4] Shih nenin 21 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
[5] Shih ligjin nr 10039 dt 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, kreu 2, 3, 4.
[6] Shqipëria ka aderuar në këtë Konventë në vitin 1996.
[7] Në qershor 2010, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve rinovoi memorandumin e nënshkruar me disa OJF, duke u dhënë atyre akses në institucionet e shlyerjes së dënimit.
[8] Shih ligjin nr 9889 dt 10.03.2008 “Për mbrojtjen etë dhënave personale”, kreu 8.
[9] Shih nenin 45 të Kushtetutës.
[10] Shih nenin 46 të Kushtetutës.
[11] Shih ligjin nr 10221 04.02.2010 “ Për mbrojtjen nga diskriminimi”
[12] Shqipëria është palë në Konventën e OKB së për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave
[13] Shih ligjin nr 9669 dt 18.12.2006 “ Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
[14] Ligji për statusin civil e heq afatin prej 45-ditësh për regjistrimin e lindjeve që ka sjellë një rënie të përkohshme në numrin e fëmijëve të paregjistruar, në veçanti të romëve
[15] Shqipëria e ka ratifikuar këtë Konventë në dhjetor të 2009
[16] Por u shfuqizua së fundmi nga Gjykata Kushtetuese në prill 2010.
[17] Shih nenin 41 të Kushtetutës së republikës së Shqipërisë.
[18] Shih kreun 4 të Kushtetutë së Republikës së Shqipërisë.
[19] Por nuk ka miratuar Kartën Evropiane për gjuhët rajonale ose minoritare
[20] Në 2008, Shqipëria u bë pjesë e Dekadës së Përfshirjes Rome 2005-2015, një plan që do ë bënte të mundur perkrahje n e kumunitetit rom në fushat sociale, ekonomike, politike e kulturore.
[21] Duke përfshirë këtu edhe Konventën Kuadër për Mbrojtje e Pakicave Kombëtare.
[22] Shih nenin 20 të kushtetutës.
[23] Shuh ligjin nr 9355 dt 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”
[24] ALUIZNI është krijuar si organ koordinues për lëshimin e lejeve të legalizimit.
[25] Shih nenin 15 të ligjit nr 9970 dt 24.07.2008 “ Për Barazinë Gjinore ne shoqëri “ dhe Kodin Zgjedhor.
[26] Në këtë kontekst vlen për t’u theksuar edhe nisma e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për alokimin e bursave të studimit dhe caktimin e kuotave për pranimin e studentëve Romë në programe të aftësimit profesional dhe të sistemit të lartë të edukimit
[27] Shih VKM 437, 8 Prill 2008

1 votë. Mesatarja e 5.00 të 5.