STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Xhevit Daci, Qytetari i Nderit, që dha jetën në emër të jetës

Xhevit Daci, Qytetari i Nderit, që dha jetën në emër të jetës



Nga Zef Rrozhani

Xhevit Daci

Para pak ditësh dibranët zhvilluan një aktivitet jo të zakontë. Pas 30 vitesh rënie në krye të detyrës, Xhevit Daci u shpall "Qytetar Nderi " i komunës Reç. Atëherë, më 29 dhjetor 1978, kur po dërgonte një të sëmurë që kërkonte ndihmë të kualifikuar në spitalin e Peshkopisë, doktor Xhaviti aksidentohet nga autoambulanca, që doli nga rruga në Shtyllë të Vlade dhe vdiq në spitalin e Peshkopisë më 31 dhjetor 1978.

Me këtë rast në vendin e ngjarjes, në Shtyllë të Vlade, u vendos një memorial, në ceremoninë e të cilit morën pjesë banorë të Reçit dhe familjarë, para të cilëve për jetën dhe veprën heroike të Xhavitit foli z.Han Marku, kryetar i Këshillit të Komunës Reç.

Më pas, në Pallatin e Kulturës, Qendrën e Edukimit dhe Komunikimit, në Peshkopi, një ceremoni të veçantë, ku morën pjesë qytetarë të Peshkopisë, familjarë dhe drejtues vendorë, familjes së të ndjerit iu dorëzua titulli "Qytetar Nderi", akorduar pas vdekjes, me rastin e ditëlindjes së tij .

Në këtë ceremoni, për jetën dhe veprën sublime e humane të Xhavit Dacit, folën z.Halil Robi -ish drejtues vendor, bashkëkohës i Xhavitit, Halil Begu-Sekretar i Përgjithshëm Prefekturës Dibër, z.Ilir Krosi -kryetar i Bashkisë Peshkopi, z.Pajtim Gjiza-drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik Dibër, z.Ardian Bitri-drejtor i Spitalit Peshkopi, z.Dilaver Çorja mjek, z.Stefan Roçi-intelektual, etj. të cilët thanë se vlerësimi i figurës dhe i aktit të rënies në krye të detyrës së Xhavit Dacit, tek koka e të sëmurit, edhe pse i vonuar, është i merituar dhe se ky akt duhet të frymëzojë të gjithë bluzat e bardha për t'u shërbyer pacientëve me ndërgjegje, përkushtim dhe duar të pastra.

Z.Rufat Shoti -kryetar i komunës Reç i dorëzoi Vjollcës, vajzës së të ndjerit, titullin "Qytetar Nderi" akorduar Xhevitit poas vdekjes, me rastin e ditëlindjes. Ne emër të familjes, duke marrë titullin, të pranishmit i përshëndeti vajza e Xhavitit -Vjollca Daci , financiere.

Pastaj, për të pranishmit u dha një koktej.

Para shumë vitesh mora përsipër të shkruaj për një person që në mënyrë aksidentale kishte rënë në krye të detyrës . Kjo ndodhi pas tre vitesh nga vdekja e tij. Kur shkova në familjen e të ndjerit, në një fshat malor, ku motra e tij rridhte vetëm lotë e mjekra i dridhej , stilolapsi nuk më bindej e shkronjat më dilnin hieroglifë. Kur i mbarova shënimet e motra e merr bllokun tim ta lexoj dhe kur mbaroi së lexuari bllokun e shënimeve ma kthej të bërë qull nga lotët e nxehtë të saj, se jeta është me të vërtetë e shtrenjtë dhe e dhimbsur.

Kështu, keq u ndjeva kur mora stilolapsin të shkruaj edhe për Xhavit Dacin, doktorin e sllovasve, kaladodasve, kalisasve, vilasve, reçjanëve e derjanëve, që ka rënë këtu e tridhjetë më parë në krye të detyrës, tek koka e të sëmurit.

Xhavit Mehdi Daci, u lind më 21 mars 1940, në Zall-Kalis të lokalitetit të Sllovës, në rrethin e Dibrës, një familje të shquar për atdhetari e patriotizëm. Kush nuk ka dëgjuar për kryetrimin e Kalisit, të Lumës e të Shqipërisë Verilindore, Mahmut Dacin me dy varre-njërin pa kokë në Kodër të Sejmene në Kalis dhe kokën në sarajet e Sulltanit në Stamboll. Ai, për luftërat e tij të pandalshme kundër perandorisë më të madhe të kohës, rreth 40 vjeçare, pa kompromis e me vetmohim, është përjetësuar në dhjetëra këngë dhe është kthyer në legjendë. Edhe gjyshi i Xhavitit, Sulejman Daci, në krye të njëqind luftëtarëve të disa fiseve u vu në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u vra në vitin 1914, në krah të forcave të Haxhi Qamilit, në krye të luftëtarëve Ujë e m'Ujës, kundër tradhtarit Esad Pasha. Ai, së bashku me Ali Dacin, është varrosur diku, në Shqipëri të Mesme, ku nuk i dihet as varri. Ndaj ninulla e parë për Xhavitin qenë këngët e trimërisë që këndoheshin në dasma dhe historitë trimërore që përmendeshin odë më odë në zijafete në tërë Lumën e Dibrën. Këto ninulla rritën e kultivuan tek ai virtytet e të parëve të tij. Shembull e edukator i përkryer për Xhavitin qe edhe jeta dhe veprimtaria e babait të tij, Mehdi Daci, ushtarakut akademik të talentuar, që kishte kryer studimet ushtarake në Romë, Itali, pasi kishte përfunduar Internatin e Krumës e gjimnazin e Shkodrës me Fadil Hoxhën, Xhevit Nimanin, Sali Manin, etj. Mehdiu, me mbarimin e studimeve u kthye në atdhe dhe shërbeu si oficer në Rojen Kufitare të Mbretërisë dhe Guardia di Financa të Italisë, deri në fund të vitit 1943. Ai, fill pas çlirimit, më 23 dhjetor 1944, hapi shkollën e parë në Kalis. Pastaj ai punoi si mësues në Sllovë, Zall-Dardhë, Ceren të Kalasë së Dodës, Shumbat e Klobçisht të Dibrës deri në vitin 1954, kur u pushua nga puna për fatin se ai kishte mbaruar shkollën jashtë vendit.

Shkollimi

Xhaviti shkollën 7 vjeçare e kreu në Sllovë me rezultate të shkëlqyera. Pastaj me rezultate të shkëlqyera kreu edhe Politeknikumin Mjekësor Në Tiranë dhe vazhdoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Edhe këtu qe ndër më të mirët studentë, kurdoherë i dashur dhe i sjellshëm me të gjithë. Nga vetë natyra qe i zgjuar dhe inteligjent. Por, edhe studionte shumë. Ëndrra e tij për t'u bërë mjek, që të shëronte njerëzit, mori udhë. Por, dreqi kur nuk ka punë tjetër, hap defterët e vjetër. Dhe, ato i hap defterë së prapthi.

Dashakëqijtë nuk duronin që i biri " i "reaksionarit" dhe i "armikut të klasës" të cenuar nga "Reforma Agrare" e vitit 1946, të bëhej mjek. Dhe u sulën të "prisnin" atë filiz të njomë që po rritej e burrërohej, si ia kishte hije fisi e dera . Dhe, ligësia e bëri punën e vet. Në vend të auditorëve Xhavitit i treguan kazermat e një reparti ushtarak-regjimenti kundërajror, tre vjeçar. ... I ati u përpoq ta rikthejë në fakultet, por qe e pamundur. Ai kreu shërbimin e plotë ushtarak në vend të fakultetit. Të pabesueshmit i besohej "roja e qiellit".... Këtu, në repart, shpejt u bë i njohur për shkollën që kishte dhe për kulturën e zgjuarsinë që e dallonte. Prandaj komanda e ngarkon me kryerjen e detyrës së infermierit të repartit. Gjatë kësaj kohe, falë shoqërisë së tij, u specializua dhe për otorino-laringolog, specialitet që e kreu shumë mirë deri në fund të jetës së vet.
Por, ai, kurrë nuk i hoqi nga dora librat e shëndetësisë, librat e revistat shkencore, fjalorët mjekësorë e fjalorët enciklopedikë. Aftësitë e tij, ai, i rriste dita –ditës, si në universitet e shkuar tij. Kur kishte pak kohë të “lirë” ai vetëm bënte ”shoqëri” me librat, të cilat s’i ndante kurrë nga jeta e puna e vet.
Më janar 1966, sa u kthye nga shërbimi ushtarak, filloi punë në spitalin e ri të Sllovës, të cilin pati fatin ta drejtoi për disa kohë, deri sa këtu erdhi si mjek, Irfan Jashari. Në spitalin e Sllovës Xhaviti punoi plot 10 vite, deri më 31 gusht 1976, kur transferohet për në spitalin e Reçit. Gjatë kohës që shërbeu në Sllovë, ai shkëlqeu në profesion dhe si organizator. Vuri aq rregull e disiplinë sa ajo qendër shëndetësor u kthye në një qendër shëndetësore model. Falë profesionalizmit të lartë dhe përkushtimit maksimal në punë shumë shpejt Xhaviti fitoi admirimin e respektin jo të vetëm të sllovasve, por edhe të kalisasve, kaladodasve, e deri të vilasve. I papërtuari dhe i përkushtuari Xhavit Daci, natë e ditë, deri në sakrifica e me kompetencë profesionale, u shërbeu me devotshmëri popullit të krahinave të Sllovës, Sllatinës, Kalasë së Dodës, Kalisit, Vilës, etj. Në këtë mënyrë ai fitoi respekt dhe besim të jashtëzakonshëm. Ai, me përkushtimin dhe aftësitë e tij, vazhdimisht qe “sfidë” e mjekëve, sa të sëmurët nuk shkonin të vizitoheshin tek mjekët, por shkonin tek “doktor Xhaviti”. Për t’u shërbyer të sëmurëve Xhavit Daci nuk pa kohë të mirë e kohë të keqe, nuk njohu leje e ditë pushimi, nuk njohu largësi, nuk njohu terren e vështirësi. Ku ta lypte nevoja, ai, natë e ditë, në borë e në shi, me kilometra larg shkonte si furtuna dhe shpëtonte jetë njerëzish. Për të gjithë kohën që punoi në shëndetësi, ndonëse e kishte të garantuar me ligj, ai asnjëherë nuk e kreu lejen e zakonshme.
Më 31 gusht 1976 transferohet në Qendrën Shëndetësore të Reçit, ku shërbeu deri më 31 janar 1978, kur edhe dha jetën në shërbim të të sëmurëve, në krye të detyrës që i ishte ngarkuar. Edhe gjatë shërbimit në Reç Xhavit Daci u shqua për ndërgjegje në punë, për cilësi të lartë e të kulturuar të shërbimit dhe për aftësi e kompetencë profesionale për shërbim të kulturuar e të papërtuar ndaj popullit, jo vetëm të asaj zone,. Edhe në Reç, megjithëse ishte në shërbim larg familjes, ai kurrë nuk e kreu lejen e zakonshme që i takonte me ligj.
Më 29 dhjetor 1978 shoqëron me ambulancë të sëmurin Mehmet Meçi (sot Doktor i Shkencave Bujqësore) për në Peshkopi që të merrte ndihmën e specializuar mjekësore. Por, aksidenti fatal i ambulancës në vendin e quajtur Shtylla e Vlade, në Kraj-Reç, e dëmtoi aq rëndë. Meqenëse atëherë dhe komunikacioni ishte i vështirë, për 6-7 orë ndejti pa ndihmë të kualifikuar mjekësore. Pastaj, me gjithë ndihmën e specializuar që iu dha në spitalin e Peshkopisë, nga shokët e kolegët e tij, vdiq më 31 dhjetor 1978. Varrimi i tij u bë me nderimi e respekt të madh nga populli i zonave Reç, Zall-Dardhë, Kalis, Vilë, Sllovë, Kala e Dodës, si shenjë mirënjohje e respekti për punën e shërbimin e kualifikuar e kurdoherë të papërtuar që ai u kishte kryer.
Por Xhavitin lufta e klasave e ndoqi edhe pas vdekjes. Megjithëse ai ra në krye të detyrës, siç është e shënuar edhe librezën e punës dhe u mbajt fjalimi me rastin e varrimit ku theksohej se ai kishte rënë në krye të detyrës dhe premtohej se do të vlerësohej figura dhe akti i tij ( dhe për këso lloj vdekjesh ishte në modën e sistemit komunist për t’i shpallur dëshmor e heronj të punës), në rastin e Xhavitit nuk ndodhi kështu, sepse organizata e Partisë e Zall-Kalisit, sipas zanatit vjetër të intrigantëve të saj, dërgoi menjëherë karakteristikën, ku thuhej se Xhevitit ishte i biri i oficerit të shkolluar në Itali dhe se nuk ishte dakord që të vlerësohej, sipas mënyrës së atij sistemi. Madje as kërkesa e njërit prej vëllezërve, edhe pse i qe drejtuar kupolës së Partisë së Punës , për të shkuar për studime në Fakultetin e Mjekësisë, për të zëvendësuar Xhavitin, gjë që ishte modë e asaj kohe, po për shkaqe politike, nuk u miratua, duke i thënë se bursat e studimit jepeshin nga “baza” dhe duhej t’i drejtohej asaj!

Qytetar Nderi Xhevit Daci
Faksimile e Titullit "Qytetar Nderi"

Por, edhe pse politika nuk e bëri detyrën e saj, në kujtesën e popullit që i shërbeu, ai edhe sot, pas 30 vitesh është i gjallë, si atë ditë. Nuk mund të harrohet kurrë nga askush profesionalizmi i tij në kryerjen e detyrës, nuk mund të harrohet kurrë përkushtimi i tij, si i rrallë kujt në shërbim të të sëmurëve. Nuk mund të harrohet kurrë guximi dhe kuraja profesionale e tij.... Nuk mund të harrohet as humanizmi i pashoq i Xhavit Dacit.
Gjithkush e di se Xhaviti nuk kishte ditë e natë që të mos shkonte në urgjenca, tek sëmurët që lëndonin në fshatrat dhe skajet e zonave ku shërbente, si dhe të zonave fqinje. Ndodhnin dhe dy-tri urgjenca në një natë, edhe pse bora, acari, shiu dhe të ftohti nuk lejonin shoqin të dalë te shoqi. Për të qenë kurdoherë pranë të sëmurëve, ai, kurrë nuk kreu leje të zakonshme e nuk bëri ditë pushimi pranë familjes. Dhe kur e niste një festë a një gëzim në familje, ajo i ndërpritej në mes, sepse njerëzit e rraskapitur nga varfëria, mungesa e ushqimit dhe puna e tejlodhshme sëmureshin për ditë e orë dhe kërkonin ndihmë të kualifikuar mjekësore. Rrogën e tij gjithnjë e bënte ilaçe për të sëmurit dhe nuk ka një rast që të ketë marrë dy qindarka prej ndokujt. Diagnozën e tij s’e diskutonte njeri. Qe dhe tepër i guximshëm. Për shembull, Q.F. dhe S.E. , kur qenë të vegjël, i zuri Difeteria dhe vdekja për ta , në kushtet kur ata ishin 5 orë larg spitalit dhe ndihmës së kualifikuar, ishte e pashmangshme. Por doktor Xhaviti nuk i la në thonjtë e vdekjes. Që të dy ia rrëmbeu vdekjes dhe i mbajti për këtë botë. Ai i operoi në grykë në kushte shërbimi ambulator (edhe sot e kanë shenjën e këtij operacioni) dhe shpëtuan për mrekulli. Ata sot jetojnë të shëndetshëm dhe e kanë mbushur shtëpinë plot fëmijë, nipër e mbesa.... Kush e ka bërë këtë gjë që bëri “ i deklasuari “Xhavit Daci!

z.HAJRI BEGU, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I PREFEKTURËS DUKE FOLUR NE CEREMONINË KUSHTUAR XHAVIT DACIT

Sa qe gjallë Xhavit Daci qe i të gjithëve. Edhe sot, 30 vite pas vdekjes fatale, është i të gjithëve. Atë e lartësoi dhe e bëri të pavdekshëm dashuria për këta njerëz. Ai dha jetën , në emër të jetës. Ai vdiq për jetën e të tjerëve.
Prandaj, për të gjithë këto, Këshilli i Komunës Reç, me vendimin nr.2, datë 12.02.2008, me rastin e ditëlindjes së tij, e shpalli Xhavit Dacin “Qytetar Nderi” të Komunës. Megjithëse vonë, e mira nuk tretet. Edhe pas tridhjetë vitesh, përsëri për familjarët , miqtë, kolegët e shokët, lotë e heshtje. Por këtë herë lotë malli të krenarishëm e falënderime. U nderua i duhet nderuar. Jeta dhe vepra e tij u bë lapidar. Tre vëllezërit e tij Ibrahimi, Fatosi, Naimi dhe motra e tij-Liria kanë të drejtë të jenë krenar për të. Të katër vajzat e tij, që u rritën nën kujdesin e nënë Sabihates-Vjollca (financiere), Anita (mjeke), Irena ( agronome) dhe Ermira (mësuese) janë krenare për babain e tyre, që qe i të gjithëve dhe mbeti i të gjithëve…
Dhe pyes: A nuk do të ishte mirë që emrin e këtij njeriu, këtij humani, ta kishte një qendër shëndetësore apo spital? Sa e merituar do të ishte edhe kjo!


© Albanian Students Info Bëj një Koment... , botuar në Gazetën "Dibra" dhe Gazetën "Ndryshe"

  • 5 vota. Mesatarja e 4.20 të 5.

Komentet

  • Mazllum Daci
    • 1. Mazllum Daci Më 25/03/2014
    Heroi meriton lule dhe jo pikepyetje.

    Versioni 2.
    TI KE QENE SIMBOL PRANVERE
    Sa me shume per ty te meditosh
    Perseri e ndjej se te ngelemi borxh
    Jeten njerzeve ua kushtove
    Ne emer te jetes u sakrifikove


    Ti ke qene symbol pranvere
    Gezim te madh I ke sjelle cdo dere
    Te kane prite me shprese perhere
    Si pas dimrit ne pranvere

    Dora jote si me magji
    Ka sheruar pleq,gra e femije
    Mendja jote mendje femer
    Ka tejkalue mjek me emer.

    Ti si mjek kurre nuk deshtove
    Profesionin e larte nderove
    Cdo te semure qe ne dore ke marre
    S’kish nevoje me shkue ne Tirane

    Doktor Xheviti zgjati shume jete
    Me kujtime te bukura te kujtojne shume vete
    Prekjen e dores se tij fatlume
    E ndjene ne balle shume te semure

    Xhevit Daci la kujtime te embla
    Ne tere malesine ku I shkeli kemba
    Dhe bilbilat ne pranvere
    Doktor Xhevitit do ti kendojne perhere.
  • Mazllum Daci
    • 2. Mazllum Daci Më 23/03/2014
    sqarim
    Lidhur me vargjet e postuara ne kete adrese eshte bere nje gabim ne renditjen e grupeve
    Grupi i shtate vazhdon krahas me grupin e pare
  • Mazllum Daci
    • 3. Mazllum Daci Më 23/03/2014
    E DHA JETEN PER TE RINGRITE JETE
    E dha jeten per te ringrite jete U rrit ne familje me plote histori
    Xhevit Daci me profesion mjek Si nga babai,gjyshi e stergjyshi I tij
    Populli Slloves kurre sdo ta harroje I sherbeu me zell popullit Uje e me ujes
    Si te palodhur dhe me shume pervoje Si Mahmut Daci ne lufte me turkun
    ======================================================================
    Ne fund Dhjetorit te vitit 78 Shkollen e larte ja preu ne mes
    Kur te gjithe shkonin ne shtepi per feste Sistemi I eger dhe I pabese
    Doktor Xheviti shkonte ne pune Me pune Diplomen ai e arriti
    Se ne Reç, ish nje djale shume semure Ja dha populli Doktor Xheviti
    =====================================================================
    Kane marre te semurin ne ambulance Fluturonte ai si nje shqipe mali
    Me e dergue ne Diber per trajtim special Sherbim ndaj semurit,kish Idealin
    Ne Shtylle te Vladit , rane ne humnere Per te java ishte krej pune
    Doktor Xheviti u plagos shume here. Si ne shi ,bore e furtune
    ======================================================================
    Me 31 Dhjetor per Vit te Ri ` E mbajne mend shume te semure
    Doktor Xheviti I ka mbylle syte Neteve te gjata me syte pa gjume
    Ish shume I ri veç 38 vjeç Ne keto vargje ska fantazi
    Enderra te shumta ju prene ne mes Por jane djersa dhe gjaku I tij
    ====================================================================
    Kush e njohu ruan respect Kater vajzat qe ai la ne jete
    Qytetar Nderi u shpall ne Reç Jane krenare per babain e vet
    Per si mjek ,si ai s’kish tjeter Sot jane te gjitha intelektuale
    Ish baba dhe bashkeshort I rregullt Si bashkeshortja Sabihate
    ====================================================================
    Sherbeu kudo ai pa interes Heronj te tille kurre skane vdekje
    Ne Sllove ,Kalis e deri ne Reç Jetojne gjate ne zemrat e njerzeve
    Nuk pertonte ai dite nate Xhevit Dacin ,djalin e Slloves
    Te semurin e ngrinte ne kembe Do ta nderojne brezat e kohes/
  • Melissa
    • 4. Melissa Më 12/01/2012
    Unë mendoj se ky ishte një realizim të vërtetë e madhe për të dhe unë jam i sigurt se kjo do të mbetet një kujtim bog për njerëzit që jetojnë atje.
    Asigurare RCA
  • 1018 steel

    I like this kind mutual communication very much. I can learn much from that. The opinion that everyone gives also can be as useful information.
  • elmedina
    shum bukur e keni pershkruar dhe
    kjo faqe shum e mir
    me mirkuptim nga dina

Shih më shumë komente