Tema Sociale

Probleme dhe çështje socile :

  • folder_openTema Sociale

    Studimi, 10% e femijeve te pa vaksinuar

    Nga Më 13/06/2009

    E Diele, 14 Qershor 2009

    Rreth 10 per qind e femijeve ne vend, jane te pa vaksinuar. Sipas nje studimi te bere nga institucionet shendetesore ka rezultuar se 90 % e femijeve te porsalindur kane kryer vaksinimin, ndersa 10 per qind e tyre jane te pa vaksinuar. Sipas Ministrise se Shendetesise me problematike per kryerjen e vaksinimit jane zonat rurale, popullatat e zonave informale dhe komuniteti rom.

  • folder_openTema Sociale

    Puna e fëmijëve, në tekstet shkollore të Shkencave Sociale

    Nga Më 13/06/2009

    Hapet qendra ditore në ndihmë të fëmijëve dhe adoleshentëve të rrugës në kryeqytet

    Çështja e punës së fëmijëve do të përfshihet në kurrikulat e degës së Punës Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale. Pikërisht për këtë arsye, dje në ambientet e Fakultetit Filologjik, Njësia e Monitorimit të Punës së Fëmijëve në MPCSSH dhe Qendra Kombëtare për Studime Sociale, me mbështetjen e Katedrës së Punës Sociale, organizuan një cikël leksionesh të hapura me temën "Puna e fëmijëve dhe përgjigjja me politika dhe programe efikase për ta eliminuar atë".

  • folder_openTema Sociale

    KUR GUXIMI MPOSHT FRIKËN EDHE KRIMIN

    Nga Më 01/04/2009

    KUR GUXIMI MPOSHT FRIKËN EDHE KRIMIN

    Nga Aranita Qilimi
    Me 14 korrik 2003, në sallën e Akademisë së Shkencave, Komiteti i Pajtimit Mbarëkmbëtar dhe Koalicioni Shqiptar Antikorrupsion organizuan një takim me përfaqësues të komunitetit dhe shoqërisë civile “Per denoncimin e izolimin nga shoqëria tw trafikantwve te femrave tw femijwve dhe tw drogws”. E gjithw vwmendja u pwrqwndrua tek rrwfimi i guximshëm i 13 vjeçares Albana Prenga dhe i babait të saj, Zef Prenga që kishin ardhur nga zonat më e thellë e Mirditës, Gurth Spaçi, për të denoncuar trafikantët dhe gjyqtarët që i liruan ata. Forumi i Gruas së Komitetit të Pajtimit Mbarëkmbëtar, krahas nismës për lirimin pa kushte të grave dhe fëmijëve të ngujuar është angazhuar në mbrojtjen dhe inkurajimin e këtyre viktimave për t’i denoncuar kriminelët. Akti i Albana Prengës, e cila jo vetëm nuk iu nënshtrua dhunës e kërcënimeve me armë, por edhe këmbënguli për t’i çuar ata në bankën e të akuzuarve, tregon se guximi për tu përballur me kriminelët e mposht krimin. Fjala e saj dhe qëndrimi burrëror i të atit u përshëndetën nga gjithë opinioni shoqëror.

    Denoncimi i 13 vjeçares Albana Prenga

    “-Unë quhem Albana Prenga dhe vij nga fshati, Gurth-Spaç i Mirditës. Ne Jemi shtatë fëmijë. 6 motra dhe një vëlla, 10 vjeç. Fatkeqësisht vëllai është i paralizuar. Kushtet e fshatit e të familjes sime janë shumë të vështira. Edhe ne fëmijët, detyrohemi të punojmë. Shkollën dhe dyqanin i kemi më tepër se gjysëm ore larg. Në shkurt të këtij viti, me datën 7, kur unë, sapo kisha mbushur 13 vjeç, u përballa me një ngjarje të hidhur që se kisha menduar kurrë se mund të më ndodhte në jetë.
    Mbasditen e kësaj date, duhej të shkoja tek dyqani për të blerë ushqime.
    Rrugën, kur shkova, e bëra shpejt se ishte dëborë dhe ftohtë. Kur po kthehesha për në shtëpi, pashë një djalë i cili priste në rrugë. Nuk mendova asgjè të keqe. E dija që ishte nga fshati im dhe i martuar. Kalova pranë tij pa folur dhe pak më tej, pashë dikë tjetër me shpinë të cilin nuk e njoha. Personi që priste në rrugë më erdhi nga mbrapa dhe filloi të më kërkontë llogari, se pse nuk i fola.
    Më thoshte se s’kishte rrugë tjetër për mua veçse të shkoja me të.
    I pergjigjesha, prerë, se nuk kisha punë me të, e të më hapte rrugën. Por kjo gjë e acaronte.
    Acarimi arriti deri aty sa të provoja grushtin fytyrës. Megjithëse i thashë disa herë se do ta paguante për atë që bënte, këmbëngulte përsëri t’i nënshtrohesha. Më tregoi një armë që mbante nën xhup dhe më kërcënonte se do mi derdhte plumbat mbi trupin tim. Kur kisha menduar dhe vdekjen time, arrita të shkëputesha dhe vrapova drejt shtëpisë. Pa kaluar 20 a 30 metra qëlloi me armë. Kam vrapuar pa e ditur se çfarë po bëja deri kur arrita tek prindërit.
    Babai, ndonëse i tronditur, kundërshtoi kërkesat e kushërinjve për të marrë hak brenda natës dhe vendosi t’u drejtohej organeve të policisë dhe prokurorisë.
    Arrestimi i personit u bë atë natë dhe policia na u duk shumë në rregull në fillim. Ajo mori provat, bashkë me gëzhojën, dhe prokurori na dha zemër se do gjenim drejtësi.
    Megjithëse familja e tij erdhi për të na kërkuar falje, babai përsëri kërkoi ndëshkimin e fajtorit sipas ligjit.
    Tani ata kanë braktisur fshatin dhe kanë dërguar edhe njerëz për të kërkuar pajtim. Unë dhe babai përsëri kemi kërkuar që ai të dënohet.
    Prokurori kërkoi dënimin e tij vetëm me 6 vjet heqje lirie ndërsa gjykata e liroi fare. Babai kërkon dënimin sipas ligjit dhe unë jam që drejtësia ta dënojë atë. Edhe pse në gjendje të vështirë vendosëm të vijmë e të flasim këtu para këtij takimi.
    Dua t’i kërkoj Presidentit, Kryeministrit dhe Gjykatës së Lartë, të na mbështesin, që të zbatohet ligji. Ne do ta kërkojmë përsëri drejtësinë dhe besojmë se do ta gjejmë atë. Falenderoj bashkëfshatarët e mi që na mbështetën duke e dënuar gjestin dhe ato gra të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtarqë më mbrojtën, e më dhanë kurajo të vij këtu për të denoncuar...”
    “ Zoti në qiell e shteti në tokë....haku vajzës do t’i merret ”

    Fjala e Zef Prengës
    (babai i Albana Prengës)


    -Në Mirditë nuk e kemi zakon të ruajmë gratë e vajzat. Ato kanë punët e tyre, shkojnë në mal për dru e për ujë, në dyqan për ushqime e në shoqëri dhe as mendohet që dikush t’u bjerë në qafë. Në shtegun e malit apo në udhë të madhe ato respektohen prej gjithkujt e s’mundet njeri me i prek. Katundet e Mirditës nuk mund t’i lejojnë askujt kësi punësh, që ia lëshojnë marren gjithë vendit. Unë kam ardhë, sot, me u kërkue sqarim atyre gjyqtarëve, policëve, hetuesve e njerëzve të veshur me petk shtetnor, pse i liruan dhe i quajtën të pafajshëm kriminelët? A mos vallë ishte fajtore vajza ime që ecte rrugës për hesap të vet, për të kryer një punë që familja ia kishte ngarkue. A mos vallë ishte fajtore vajza ime që ky kriminel faqezi i del përpara, edhe pse e dinte se ajo ishte nji fëmije, në moshën trembëdhjetë vjeç. A mos vallë ishte fajtore vajza ime që i tha atij, se unë nuk të njoh e me liro rrugën. A mos vallë asht fajtore vajza ime që kërkoi ndihmën e familjes, të drejtësisë e të shtetit, për të mbrojtur nderin, dinjitetin e jeten e saj. Ai e kërcënoi, e qëlloi me grushta dhe në fund përdori edhe armën duke qëlluar mbi të, kur e pa se ajo nuk iu nënshtrua. Ne i jemi drejtuar prokurorisë, ligjit e shtetit, ashtu siç e kemi zakon, siç ka udhëzue edhe ky komitet, që na ka mbrojtur e na ka sjellë deri këtu. Gjykatësi na ka sorollatur disa herë, edhe pse i kishte faktet. Dihet se pse na sillte nalt e poshtë. As e kam menduar as e mendoj që kjo punë do të mbyllet me padrejtësi. As unë as kërkush nuk do ta pranojë këtë. “ Zoti në qiell e shteti në tokë, por haku vajzës do ti merret” - perfundoi ai
  • folder_openTema Sociale

    “NËSE NJË DITË DO TROKASËSH NË PORTËN TIME…”

    Nga Më 01/04/2009

    “NËSE NJË DITË DO TROKASËSH NË PORTËN TIME…”

    Nga Mirela Milori
    “Nëse një ditë do të trokasësh në portën time”... Askujt prej shqipëtarëve që shikonin, rreth 15 vjet më parë, filmin italian me këtë titull, në televizionin e vetëm shtetëror, nuk i shkonte ndër mend se gjatë 13 viteve të tranzicionit, me qindra familje shqiptare do vuanini fatin e vajzës së trafikuar apo të ikur rrugëve të Europës si prostitutë; askujt nuk i besohej se me qindra prindër do të pëshpërisnin me vehte, tek luteshin për fatin e vajzave të humbura s’dihet se ku: ”Nëse një ditë do të vijë prapë në shtëpi…!!!?”


    Dëshmi…

    ANA
    Isha 16 vjec, po ecja diku pranë parkut Rinia, një makinë frenoi fort pranë meje dhe nuk mbaj mend se si përfundova brenda saj. Më pas, di që jam zgjuar në Vlore e, më tej, mb çuan jashtë. Kalova 2 vitet më të errëta të jetës sime, duke u detyruar të prostituoj për dikë që më shfrytëzonte dhe që më shiti disa herë për të fituar para.

    MIRA
    Jemi shumë të varfër në shtëpi. Nëna ime është e ndarë, dhe e martuar përsëri. Jetoja me njerkun. Isha 15 vjeç, kur u njoha me një djalë të fshatit tim. Ai më premtoi martesë, erdhi në shtëpi dhe më kërkoi për nuse. Nëna dhe njerku e dhanë menjëherë pëlqimin por dhe unë e desha. Doja të largohesha nga varfëria. Më çoi në Itali dhe me nxorri në rrugë. E pranova atë punë se e desha atë dhe se doja të fitoja ndonjë lek, por ai s’më jepte asgjë dhe kur fillova të kërkoja para, ai më rrihte.

    KLARA
    Nëna më ka vdekur që e vogël. Babai pinte dhe me rrihte vazhdimisht, madje kam ende shenja të dhunës se tij ne trup.Ika me të parin që më kërkoi. Mbasi punova si prostitutë në Itali për disa kohë, ai më shiti te një tjetër dhe përfundova në Kosovë. Mbas muajsh pune nëpër lokale, tutori im i ri më mbylli në një shtëpi mbasi tentova të largohem. Kam provuar dhunë të paimagjinueshme( tregon shenjat e te çarave të thikës dhe të cigareve të fikura nëpër trup).

    Historitë janë të ndryshme, fati është i njëjtë. Varfëria, mungesa e shkollimit, krizat familjare, apo thjeshtë etja për fitim, mund të jetë shtysa e parë drejt trafikimit për kontigjentin e vajzave- viktima të trafikut. Nuk është më gjë e re për opinionin tonë, një fenomen i tillë. Shumkush nxiton të jap statistikat dhe shifrat për vajzat apo gratë shqiptare që prostituojnë nëpër rrugët e Europës, duke harruar që, më e rëndësishme për këto vajza viktima, është jeta e tyre mbas kthimit…

    Më pas…

    ANA
    Më pëlqen të lexoj, do të doja shumë të vazhdoja shkollën e lartë dhe të bëhesha dikush që kur të krijoj familje( nëse do të mundem ndonjëherë) të jem si gjithë të tjerët.

    MIRA
    Dua të mësoj zanat, të bëhem rrobaqepëse dhe stiliste. Kështu do ndihmoj dhe familjen time.

    KLARA
    Nga dhuna jam e sëmurë, do të doja të shërohesha, njëherë të marr vehten e më pas… kismet..!

    REALITET …

    Prej disa vjetësh në Tiranë dhe në Vlorë janë ndërtuar disa strehëza të cilat merren me rehabilitimin e vajzave të trafikuara, strehëza të mbështetura nga shoqata joqeveritare. Që nga shkurti i vitit 2002 deri në shtator të vitit 2003, janë ndihmuar dhe sistemuar 116 vajza shqiptare të cilat kanë marrë pjesë në programe shkollimi dhe punësimi. 60 % e tyre janë përfshirë në kurse trajnimi, 50 % janë sistemuar në punë, ndërsa 5% u është dhënë mundësia e shkollimit. Shumica e vajzave shqipëtare i përkasin grup-moshës 14 deri 20 vjeç, nga të cilat 34 % janë të mitura, 14 deri në 18 vjec.
    Një prej vendeve jo vetëm furnizues, por dhe tranzit i trafikut të qënieve njerëzor, Shqipëria, është kthyer shpesh herë në trampolinë për trafikantët të cilët kanë kaluar drejt Europës Perëndimore mijra vajza të huaja, kryesisht nga lindja. Vetëm në Tiranë, gjatë vitit 2000 kanë mundur të shpëtojnë nga rrjeti i trafikimit dhe janë sistemuar nëpër strehëza 125 vajza viktima. Viti 2001 shënon 77 raste, në vitin 2002 janë sistemuar 29, ndërsa në vitin 2003, 86 vajza kanë marrë asistencën e duhur. Mbasi kalojnë periudhën e rehabilitimi në strehëz, të gjitha vajzat e huaja kthehen nëpër vendet e tyre.
    46 % e vajzave të asistuara në strehëza janë rekrutuar nga trafikantët duke iu premtuar martesë, 28 % e rasteve janë grabitur me dhunë, 19 % e vajzave iu është premtuar punësim, ndërsa 6 % iu është premtuar bashkim me familjen. Historia e Mirës është më e shpeshta, martesat me premtimin e jetës dhe ëndrrave pëtej detit, shprishen trotuareve dhe rrugëve të kontinteti plakë.

    SHTETI…

    Që në momentin kur vajza e trafikuar kontakton me policinë, ajo është në mbrojtjen e shtetit. Megjithëse policia i ndihmon me asistencë , shpesh këto vjaza janë përsëri në shënjestër të trafikantëve të cilët, edhe pse denoncohen, jo gjithmonë marrin dënimin që parashikon ligji. Problemi ngec në prokurori dhe gjykatë, ku jo rrallë ndodh që dëshmitë apo provat janë të pamjaftueshme dhe çështaj mbyllet. Ky është momenti më i rrezikshëm për vajzën që guxoi “t’i hapë” probleme tutorit të dikurshëm . Ndaj ruajta e viktimave të trafikut nëpër strehëza, dhe ndryshimi i identitetit është e vetmja rrugë shpëtimi për to. Me 14 Korrik 2003, gjithë opinioni publik u njoh me dëshminë e vajzes trembëdhjetëvjeçare nga Mirdita , Albana Prenga, e cila zbriste nga zonat më të thella, bashkë me të atin, Zef Prengën, për të denoncuar publikisht jo vetëm trafikantët, por edhe gjyqtarët e hetuesit që bashkëpunuan me ta dhe i liruan. Ajo, është larguar nga fshati i saj, bashkë me familjen, në një qytet të vogël në Shqipërinë e mesme, por gjithnjë me ankthin e pasigurisë për të nesërmen e në pritje të premtimeve që iu dhanë nga përfaqësuesit e USAID-it dhe të Shoqërisë Civile. Edhe pse vazhdimisht ka pasur dhe ka mbështetjen e familjes dhe Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, shpresat i ka vetëm tek Drejtori i USAID, Harry Birnholz, i cili me dashamirësi dhe vendosmërinë për t’iu gjendur pranë në çdo çast i ka dhënë edhe një kartëvizitë që ajo e mban në dorë plot besim. Fjala e saj para mediave ishte dëshmia më e qartë e këtij realiteti të dhimbshëm.

    FAMILJA…
    Ndonëse fenomeni është bërë i njohur, përgjatë 13 viteve, përsëri mentaliteti është ende i egër. Familja shqiptare e mbërthyer nga kriza morale, ekonomike e mbi të gjitha nga opinioni, shpesh, mbyll dyert për vajzën që i turpëroi në sy të botës.

    ANA
    Familja ime e pati të vështirë të më pranonte, po prindërit u bindën që nuk ishte dëshira ime të merrja atë rrugë.

    MIRA
    Mami dhe vëllai i vogël vijnë e më takojnë ndonjëherë në strehëz, fshehtas. Njerku nuk e di që jam kthyer. Nuk e di sa do të rrijë në strehëz, por nuk kthehem më në shtëpi sepse po u ktheva atje do të marr prap rrugët…

    KLARA
    Nuk do kthehem më kurrë tek im atë…

    MË SHUMË SE PRANIMI…
    Statistikat tregojnë “fatlumet” të cilat kanë pasur mundësi të kontaktojmë me shoqata joqeveritare, mbasi i kanë shpëtuar kalvarit të trafikut. Por më të shumta janë ato vajza të cilat mbas kthimit në Rinas apo Durrës, janë përpara dilemës, të rikthehen atje ku ishin apo të marrin rrugën drejt shtëpisë, me pikëpyetjen e madhe; “ A do m’a hapin derën?..”
    Janë qindra që kthehen pasi kanë “punuar” diku në Itali, Greqi, Belgjikë apo gjetkë, pranë shtëpisë, ku i pret nëna apo babai i turpëruar, dhe lusin vetëm një gjë; Tani që do trokas përsëri në portën e tyre, do Zoti ma hapin…!!!

  • folder_openTema Sociale

    Reportazh nga Pogradeci

    Nga Më 21/06/2008

    Pogradeci sot kishte veshur petkun e festës. Mijëra qytetarë pogradecarë dhe mysafirë nga Ohri dhe Struga kishin ardhur në Pogradec për festën e liqenit.

     

    Bardhyl Berberi

    21/06 /2008

    Pogradeci, pamje nga helikopteri
    Pogradeci, pamje nga helikopteri

    Pogradeci sot kishte veshur petkun e festës. Mijëra qytetarë pogradecarë dhe mysafirë nga Ohri dhe Struga kishin ardhur në Pogradec për festën e liqenit. Çdo 21 qershor është caktuar nga tre qytetet e Pogradecit –Ohrit – Strugës të festohet dita e liqenit dhe njëherazi edhe të çelet sezoni turistik. Festa bëhet më rotacion një vit në Pogradec një vit në Ohër dhe më pas në Strugë. Tre kryetarët e Bashkive, Artan Shkëmbi i Pogradecit, Ramiz Merko i Strugës dhe Aleksandër Petrevski kanë përshëndetur qytetarët duke kërkuar që ta ruajmë këtë pasuri që na ka falur natyra. Më pas janë shijuar gatimet tradicionale.

    Pogradeci dhe liqeni

    Sapo ngjitesh në Qafën e Thanës, befas para syve të shfaqet një hapësirë e kaltër e liqenit të Ohrit. Vështrimi vetiu ndjek valët dhe brigjet përgjatë rrugës dhe pas pak kilometrash shfaqet qyteti i Pogradecit.

    Qyteti i Pogradecit i përket lashtësisë dy mijë vjeçare para erës sonë. Dikur qyteti është quajtur “Lyhnida “ që do të thotë (dritë). Pogradeci është një qytet magjik, qytet i turistëve të shumtë, i adhuruari i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve. kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël.

    Por Pogradeci njihet edhe si qytet i koranit, peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen, i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. E reja dhe e vjetra, moderrnia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës.

    Një verë ndryshe këtë vit

    Ky  sezon veror i ka dhënë Pogradecit prurje të veçanta të një qyteti turistik. Këtë vit është kthyer në një kantier të madh pune. Projekti gjerman i ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë si asnjë qytet tjetër turistik në Shqipëri.P o punohet me intensitet për të përfunduar kolektorin e ujërave të zeza dhe të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit po shtrohen me një pllakë të veçantë dekorative duke i dhënë qytetit një pamje krejt të veçantë. Pogradecit në verë i dyfishohet popullsia dhe ndryshe njihet si kryeqyteti i verës.

    Plazhet

    Uji i kaltër i liqenit dhe plazhet janë një nga të veçantat e qytetit të Pogradecit. Shumëllojshmëria e tyre i ve pushuesit në dilemë se ku duhet të ndalojnë. Është një vijë liqenorë prej 24 km nga fshati Lin deri në Tushemisht.

    Plazhi i Shkëmbit të Linit

    Fillon atje tek gadishulli i fshatit Lin, ka ujin e pastër si kristal i vendosur në këmbët e një mali që sjell papushim fresk karakteristik në breg dhe nuk e ndjen fare bezdinë e vapës. Ka një guzhinë skare dhe është një nga plazhet e krijuara gjatë viteve të fundit, është një mrekulli e natyrës dhe frekuentohet shumë nga Elbasani .

    Plazhet Piskupat –Hudënisht dhe Mëmëlisht
    Janë tre palzhe të njëpasnjëshëm me lokale të shumta luksoze dhe fshatra turistike ku nuk mungojnë as pishinat. Kanë ujë të pastër dhe frekuentohen shumë nga të ardhurit sidomos nga korçarët. Ashtu si plazhi i Shkëmbit të Linit janë plazhe shkëmbore.

    Plazhi i Fortesave

    Është një nga plazhet në këmbët e kalasë së qytetit i cili frekuentohet kryesisht nga pogradecarët vendas. Është rreth 1 km larg qytetit prandaj është shumë i populluar pasi nuk kërkohet makina për t`ë shkuar në plazh. Edhe këtu uji është i pastër dhe është vazhdimësi e plazhit shkëmbor.

    Plazhi i Vjetër

    Është plazhi tradicional që qyteti e ka në gjirin e tij. Është i gjithi plazh ranor por cilësia e ujit nuk është në standardin e plazheve të tjera. Pas mbarimit të kolektorit të ujërave të zeza që sapo ka filluar dhe mbaron pas 18 muajsh ky plazh popullor që dikur ka qenë shumë i mbipopulluar për shkak të distancës të afërme me qytetin dhe cilësisë së rërës do t`i kthehet mbipopullimit si dikur.

    Plazhi i Vilave

    Plazhi i Vilave deri në Drilon është plazhi më i ri  i ri i krijuar këtë verë  me parametra bashkëkohorë. Të gjithë bregut i është trefishuar sipërfaqja e rërës përgjatë gjithë gjatësisë prej 5 km duke ngritur trotuare dhe ndriçim përgjatë shëtitores deri në Tushemisht.

    Tushemishti

    Është një nga fshatrat turistike model i cili çdo verë mbi popullohet me të huaj. Në të gjithë fshatin është shtrirë turizmi familjar me kushtet nga më komodet. Plazhi i Tushemishtit është nga më të populluarit. Plazhi është ranor me një ujë të pastër dhe ka shumë hotele dhe lokale luksoze në breg të liqenit. Aty ndodhen shumë hotele luksoze me kuzhinë tradicionale  dhe karakteristike pogradecare me një lulishte të sistemuar bashkëkohore mes karafilave dhe trëndafilave.

    Driloni, larg vapës mes mrekullisë së pyllit dhe lumit

    Një relaks i vërtetë nënë mrekullinë e një pylli në bregun e liqenit në një park gjigand prej 20 ha me lumin e Volorekës, në mes me ishujt të ndarë që mund të vozitësh me varkë përgjatë lumit dhe një gjelbërim të harlisur që të duket vetja sikur je në përrallat e Andërsenit.
    Aty ndodhen tre lokale që të servirin nga tavat tradicionale e koranit deri tek mishrat e pjekura në hell. Në këtë park vijnë vizitorë nga të gjitha rrethet dhe kalojnë orë të tëra në formën e një pikniku familjar.

    Jeta e natës

    Pasi ke shijuar ujin e liqenit dhe plazhet e bukura, drekën e shijshme dhe çlodhjen në hotel mbrëmja të afron një fresk karakteristik që në orët e mbrëmjes duhet edhe një triko rezervë. Surpriza të tjera shëtitorja buzë liqenit me parkun e madh prej 340 mijë metra katrorë lulishtet e shumta me muzikë live. Gjithashtu janë edhe tre disko midis tyre dhe një verore e porsa përuruar në breg të  liqenit dhe dy të tjera në qendër të qytetit. Hyrja në këto disko shkon deri në 500 lek për person ndërsa më të larta janë çmimet e pijeve që shkojnë nga 300 deri në 500 lekë .

    Çmimet

    Çmimet e një dhome variojnë. Mund të gjesh në hotel dhomë me 2 mijë lek nata, ka dhoma me 3000 dhe dhoma luksoze qe shkojnë deri në 5000 lekë.

    Por në Pogradec ka edhe turizëm familjar sidomos në fshatin turistik të Tushemishtit. Për 15 ditë çmimet shkojnë nga 25 mijë lek deri në 35 mijë lek për një familje. Këto janë shtëpi me oborre dhe afrojnë kushte nga më komodet për të pushuar. Çmimet e ulëta janë pasojë edhe e konkurrencës së fqinjëve.


    Çfarë mund të vizitoni në Pogradec

    Qyteti i Pogradecit rezulton që në kohën e neolitit 6 mijë vjet përpara erës sonë .Ju që do të pushoni në Pogradec mund të vizitoni :

    1-Kishën palokristiane dhe mozaikun e Linit të ndërtuar në shekullin e V e VI të erës sonë
    2 –Urën e Golikut ,ura e rrugës Egnatia
    3 - Kalaja e Pogradecit që i përket shekullit të V të erës sonë deri në shek XIX
    4 - Kulla e Shpatit të Blacës që ka një shtrirje kohore nga shekulli XII para erës sonë deri në shekullin e III të erës sonë
    5 - Varret monumentale të Selcës që datojnë shekullin IV para Krishtit .

    Gatimet

    Padyshim që tava e koranit me zarzavate është një nga specialitetet që e kanë të gjitha lokalet në Pogradec. Në disa lokale korani mbahet i gjallë në vaska dhe gatuhet i freskët pasi është zgjedhur më përpara nga klienti. Edhe mish i pjekur edhe pulat e fshatit në gatime tradicionale nuk mungojnë në shumë lokale .
    Padyshim pijet karakteristike si vera artizanale dhe rakia perlë dhe muskat gjenden nëpër lokalet pogradecarë .

    Pasaporta e qytetit të Pogradecit

    Popullsia e qytetit 45 mijë banorë në sezonin veror dyfishohet nga pushuesit vendas dhe të huaj. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km2, rrugë të asfaltuar 14 km, sipërfaqe të gjelbëruar 340 mijë m2

    Emri –Liqen i Ohrit

    Mosha- 4 milion vjeçare
    Gajtësia -30 km
    Gjërësia -14,5 km
    Thellësia max -289 m
    Breg liqenor 88 km
    Lartësia mbi nivelin e detit 595 m
    Sipërfaqja e liqenit 358 km2
    Tejdukshmëria e ujit – 18 m,uji i liqenit ndërrohet një herë në 60 vjet
    Ushqimi -70 % liqeni ushqehet nga liqeni i Prespës dhe 40 lumenj dhe përrenj që derdhen në liqen
    Në liqen rriten 40 specie të rralla dhe mbi të gjitha peshku i rrallë i koranit që gjendet vetëm në këtë liqen
    Temperatura mesatare në verë 27 gradë C

  • folder_openTema Sociale

    Mos lejoni që puna t’ju bëhet stres

    Nga Më 18/06/2008

    8 qershor, ora 10:32 - Puna nganjëherë fillon të bëhet shumë stresuese dhe e mërzitshme. Ka raste kur punoni shumë dhe ju duket se puna më shumë ju vret se sa ju ndihmon në zgjidhjen e problemeve të përditshme.

    Orjeta Zhupa

    Puna nganjëherë fillon të bëhet shumë stresuese dhe e mërzitshme. Ka raste kur punoni shumë dhe ju duket se puna më shumë ju vret se sa ju ndihmon në zgjidhjen e problemeve të përditshme. Ndoshta nuk është puna e duhur për ju, ndoshta industria ku punoni nuk ju jep optimizëm për të ardhmen, ose ndoshta pagesa ju kthehet në stres.

    Nëse ndodheni në pozicione të tilla, ju duhet të analizoni punën tuaj. Nëse e shikoni se puna është shumë stresuese, kontrolloni dhe formuloni një plan për të dalë nga kjo situatë. Ju duhet që në asnjë mënyrë të rrini në një situatë që mund të ketë ndikim në shëndetin tuaj, marrdhënien apo në mëndjen tuaj.

    Nëse vendosni të bëni ndryshim, duhet të merrni mirë parasysh të gjitha situatat.

    Si fillim provoni të flisni me shefin tuaj (nëse nuk është ai problemi i stresit) dhe kërkojini atij një ndryshim. Nuk është gjtihmonë e thënë të ndrrohet komapnia nganjëherë edhe ndrrimi i departamentit mund t’ju ndihmojë.

    Lëvizni. 15 minuta yoga ose palestër mund të reduktojë stresin, të rrisë fokusimin dhe qartësinë e mendjes.

    Relaksohuni. Masazhet zakonisht reduktojnë stresin, rregullojnë qarkullimin e gjakut, heqin toksikimin nga trupi dhe ju ndihmojnë të flini. 

    Mos merrni problemet e punës në shtëpi. Sa shkon ora për të ikur, ikni dhe harroni punën, mos kujtoni asgjë nga ajo.

    Merrni një ditë pushim. Mos hezitoni të merrni një ditë pushim për të kthyer balancën e jetës tuaj.

    Ushqehuni mirë. Një nga mbrojtjet më të mira është ushqimi i mirë. Nëse merrni të gjitha vitaminat e duhura ju keni më shumë energji, dhe do të minimizoni efektet e stresit.

    Dilni nëpër pyje. Pemët janë provuar që rrisin gjendjen pozitive te njeriu.

    Merrni frymë. Vendet e mbyllura në vendin e punës janë parë të jenë shumë të dëmshme për shëndetin. Mundohuni të hapni dyert e dritaret që të hyjë brenda ajri i pastër.

    Jepini ngjyra jetës tuaj. Së fundmi mos nënvlerësoni impaktin psikologjik që kanë ngjyrat në jetën tuaj. Mundohuni të jeni në ambiente jeshile ose blu për të krijuar sensing e qetësisë.

    Në fakt nëse përdorni metodat e mësipërme do ta shikoni ndryshe edhe punën tuaj. Është vetëm çështje perceptimi.

    Është e rëndësishme ta quani të përshtatshëm ambientin tuaj të punës më mirë se sa të kërkoni vetëm të mbijetoni.

    {Shekulli}

  • folder_openTema Sociale

    INSTAT nxjerr 185 mijë të papunë

    Nga Më 17/06/2008

    Papunësia mbetet problemi kryesor në vend, ndërsa qeveria jo vetëm që mbetet e pafuqishme për ta zbutur burimin kryesor të varfërisë por nga ana tjetër nuk ka një shifër të saktë që të shprehë se sa realisht është shifra e të papunëve

    Papunësia mbetet problemi kryesor i shqiptarëve,ndërkombëtarët dhe INSTAT me shifra të ndryshme

    Papunësia mbetet problemi kryesor në vend, ndërsa qeveria jo vetëm që mbetet e pafuqishme për ta zbutur burimin kryesor të varfërisë por nga ana tjetër nuk ka një shifër të saktë që të shprehë se sa realisht është shifra e të papunëve. Gjatë ditës së djeshme Instituti i Statiskave lajmëroi se ka realizuar një anketë gjatë vitit të kaluar për të provuar se sa qëndron metodika zyrtare e llogaritjes së normës së papunësisë. Sipas rezultati të kësaj ankete, INSTAT ka bërë të ditur se norma e papunësisë ka rezultuar 13.5% ose rreth 185 mijë të papunë.Shkalla e papunësisë sipas anketës është më e lartë në grupmoshat e reja deri në rreth 30 vjeç. Ky tregues, për meshkujt e grupmoshave të reja deri në 29 vjeç është më i lartë krahasimisht me femrat; ndërsa për grupmoshat 35-49 vjeç treguesi është më i lartë për femrat; nga ana tjetër në grupmoshat pas 50 vjeç vihet re një tendencë më e lartë për të kërkuar punë tek meshkujt.

    Përplasja me ndërkombëtarët

    Për qeverinë e gjithë popullsia që jeton në fshat është e punësuar, pavarësisht se sipas llogarive këto janë edhe zonat nga të cilat ka rrjedhur numri më i madh i emigrantëve. Shifra zyrtare e dhënë nga ana e INSTAT për vitin 2007 në 13.2 përqind, është kundërshtuar nga Agjnsia e Qëndrore e Inteligjensës Amerikane (CIA). Sipas kësaj agjencie dhe institucioneve të tjera nga të cilat ajo ka marrë informacionin, papunësia në shqipëri i kalon 30 përqind. Ndërkombëtarët kanë theksuar për të disatën herë se kjo shifër përdoret vetëm për qëllime politike dhe nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

    {Shekulli}

  • folder_openTema Sociale

    Deshton projekti "Dua te luaj"

    Nga Më 12/06/2008

    E Enjte, 12 Qershor 2008

    Nje vogelush duket i zhgenjyer teksa i afrohet minikendit te lojerave prane Kopshtit nr. 11 ne Tirane. Pasi ka arritur te kaloje me sukses nje grumbull plehrash me hunden e zene me duart e vockla, ai i afrohet kolovajzes, por ajo eshte kthyer ne nje hekur, pa ndenjese. Tenton t'i afrohet lishareses, por nuk ka zinxhire ku te "perkundet". Koshat e zhdukur te basketbollit nuk e zhgenjejne shume, sepse ai eshte ende i vogel per te lozur me to. Djali largohet pa marre nje pergjigje se c'ka ndodhur me kendin e projektuar enkas per te dhe moshataret e tij... Kendi i Lojerave ne fjale, i cili gjendet fare afer me Kopshtin nr. 11 ne kryeqytet nuk e ka mbushur ende vitin. Ai ka vetem, 7 muaj jete, e megjithate, asnje loje e parashikuar qe te luhet aty, nuk eshte e mundur. Ata qe nuk e dine cka ndodhur me ate kend, mund te mendojne se faji eshte pikerisht i femijeve plangprishes qe kane lozur aty, apo edhe i te rriturve, duke tentuar t'u rikthehen lojerave te femijerise. Por ne te vertete nuk eshte keshtu. Prishja e kendit ne kuadrin e projektit "Dua te luaj", ka filluar vetem 3 dite pas inaugurimit, dite kur u prish timoni i kolovajzes. E pra, misioni per te cilin eshte ndertuar ai kend lojerash, jo vetem nuk eshte permbushur, por akoma me keq: Femijeve vetem sa u eshte hapur oreksi me te. Per ta shijuar nuk kane pasur mundesi, sepse sa hap e mbyll syte, ai ka filluar te shperbehet... Ata kane shume me te lehte te lozin "luftash", "mesuesish", apo "shitesish" , sepse te pakten me keto lojera nuk rrezikojne t'u bjere ndonje hekur persiper. Ende pa perfunduar mire zbatimi i projektit "Dua te luaj", ai ka deshtuar. Ndersa parate jane shpenzuar per ndertimin e tij nga taksat e qytetareve, te cilet as qe mund t'i cojne femijet t'i argetojne ne kendet per te cilat kane kontribuuar vete.

    3 Dite Pasi u ndertua minikendi "Dua te Luaj", filloi te prishet. Ndersa sot, pas 7 muajsh gjithcka eshte kthyer ne nje fushe me hekurishte, te shoqeruara nga prania e plehrave

    {KohaJone}

  • folder_openTema Sociale

    ILO- 40 mijë fëmijë pa shkollë

    Nga Më 12/06/2008

    12 qershor, ora 15:00 -

    Në Shqipëri ka më shumë se 40 mijë fëmijë të cilët nisur nga kushtet e vështira ekonomike kanë braktisur shkollën dhe janë punësuar.

    Në Shqipëri ka më shumë se 40 mijë fëmijë të cilët nisur nga kushtet e vështira ekonomike kanë braktisur shkollën dhe janë punësuar.

    Raporti i bërë nga dy shoqata mësuesish, kërkon nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi.

    “Problemi qëndron edhe në firmat e shumta që operojnë në Shqipëri,sidomos ato që merren me industritë e këpucëve dhe të veshmbathjeve.

    Shumë prej këtyre firmave kanë të punësuar në personelin e tyre fëmijë” – thuhet në raport. Por jashtë përgjegjësisë, nuk mbeten as pronarët e këtyre firmave, të cilët zhvillojnë aktivitet në Shqipëri për shkak të kostove të ulëta të pridhimit.

    Raporti i publikuar, ngre edhe një fenomen, i cili jo pak herë është denoncuar edhe nga mediat, trafikimi i fëmijëve.

     Sipas Organizatës Botërore të Punës, ILO, më shumë se 3 mijë fëmijë shqiptarë janë trafikuar në drejtim të Greqisë dhe Italisë, për t’u përdorur kryesisht si lypësa apo në rastin edhe më të keq, si hajdutë. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, në bazë të raportit të fundit, vlerëson se rreth 25 % e personave të trafikuar i përkasin moshës 14-17 vjeç.

    {Shekulli Online}