10 ndeshjet më të bukura të 12 Kampionateve Evropianë

Shkruar nga Leonard Karaj   

e premte , 20 qershor 2008

Francë-Portugali e EURO 1984-ës është ndeshja më e bukur e luajtur gjatë 12 kampionateve evropianë të mëparshëm. Sipas një liste të publikuar nga e përditshmja angleze "Times" kjo përballje rezulton si më elektrizuesja ndër qindra takime të zhvilluara deri tani në kompeticionin evropian që prej 1960-ës, kampionatit të parë.

1. Francë-Portugali 3-2 (shtesë)
EURO 1984; Gjysmëfinale
Francezët shënonin të parët me anë të Domergue në minutën e 24-t por në të 74-ën barazonte Rui Jordao. Takimi kërkon kohë shtesë dhe vetëm tetë minuta nga shtesa e parë shënon sërish Rui Jordao. Por nuk mbaron këtu në minutën e 24 të shtesës së dytë si për koincidencë Domergue shënon golin e barazimit dhe vetëm një minutë para fundit, minutën e 29-të Mishel Platini i dhuronte Francës finalen e parë historike.

2. Jugosllavi-Spanjë 3-4
EURO 2000; Ndeshje në grup
I pari ishte Savo Miloseviç që shënonte për jugosllavët, por më pas barazonte shumë shpejt Alfonso Perez. Jugosllavia reduktohej në 10 lojtarë në minutën e 64, teksa Slavisa Jokanoviç largohej me karton të kuq. Por kur pritej goli spanjoll shënon sërish Jugosllavia me Slobodan Komljenoviç dhe me Savo Miloseviç. U desh penalltia e Gaizka Mendietës dhe dy gola të Alfonso për t'i dhuruar fitoren spanjollëve.

3. Çekosllovaki-RFGJ 2-2
(5-3 me pen)
EURO 1976; Finalja
Në fillim Jan Svehlik dhe më pas Karol Dobias mundnin Sepp Maier duke kaluar në avantazh Çekosllovakinë. Më pas gjermanët me anë të Dieter Mueller dhe Bernd Hoelzenbein barazonin gjithçka, duke çuar ndeshjen në shtesë. Me penallti fitonin gjermanët e kapitenit Franc Bekenbauer.

4. Francë-Itali 2-1
(shtesë, golden gol)
EURO 2000; Finalja
Ka qenë natyrisht finalja që s'do të dëshironte askush ta luante. Në fillim Marco Delvecchio kalonte në avantazh Italinë dhe vetëm disa minuta para fundit të ndeshjes, Sylvain Wiltord barazonte. Në kohën shtesë nën rregullin e "golden gol" David Trezeguet kryqëzonte italianët.

5. Jugosllavi-RFGJ 2-4
(me shtesë)
EURO 1976; Gjysmëfinale
Jugosllavët do të kryesonin ndeshjen me dy gola të Danilo Popivoda dhe Dragan Dzajic. Por pas minutës së 64 rikthehet Gjermania. Në fillim Heinz Flohe dhe më pas Dieter Mueller siglonin barazimin. Në kohën shtesë sërish Dieter Mueller do të shënonte edhe dy herë të tjera.

6. Holandë-Çeki 2-3
EURO 2004; Ndeshje në grup
Golat nga Vilfred Bouma dhe Ruud van Nistelrooy i jepnin Holandës avantazhin e përkohshëm deri në rikthimin e furishëm çek. Jan Koller, Milan Baros dhe në fund një penallti e fituar nga Karel Poborsky dhe kthyer në gol nga Vladimir Smicer i jepte fitoren çekëve.

7. RFGJ-Holandë 3-2
EURO 1980; Ndeshje në grup
Pas dy golash të mrekullueshëm të legjendarit Bernd Schuster vinte edhe goli i Klaus Allofs në minutën e 65-të, i cili në pamje të parë kryqëzoi holandezët. Por një penallti e shkaktuar nga Lothar Matthaeus dhe e kthye në gol nga Johnny Rep hapi gjithçka. Pse minutë më vonë Rene Van de Kerkhof shënonte edhe golin e dytë për Holandën dhe për më shumë se 15 minuta porta gjermane deri në fërshëllimën e fundit u shënjestrua pa shumë sukses.

8. Portugali-Angli 2-2

(6-5 me pen)
EURO 2004; Çerekfinale
Michael Owen shënonte për Anglinë vetëm pas tri minutash lojë, por pas 80 minutash vendasit barazonin me anë të Helder Postigës. Në kohën shtesë (110') ishte një gol spektakolar i Manuel Rudi Costa që ngriti peshë "Do Dragao", por vetëm disa minuta më pas barazonte sërish Anglia me Lampard. Nga pika e bardhë e penalltive gabonte David Beckham dhe Darius Vassell për anglezët të cilët i jepnin kështu gjysmëfinalen Portugalisë.

9. Angli-Holandë 4-1
EURO 1996; Ndeshje në grup
Anglezëve u mjaftonin 45 minuta në "Wembley" për të shkatërruar Holandën. Alan Shearer me penallti, dy gola të Teddy Sheringham dhe një nga Darren Anderton kryqëzuan Edvin van der Sar. Ndërsa Holanda siglonte golin e nderit me anë të Patrick Kluivert.
 
10. Rusi-Çeki 3-3
EURO 1996; Ndeshje në grup
Çekët shënonin të parët, dy gola me anë të Jan Suchoparek dhe Pavel Kuka. Por ndeshja mori rrjedhë tjetër në pjesën e dytë dhe rusët jo vetëm arrinin të barazonin me Aleksander Mostovoi dhe Omar Tetradze por kalonin edhe në avantazh pesë minuta para fundit të takimit me anë të Vladimir Beschastnykh. Por gëzimi i tyre zgjati vetëm 3 minuta pasi në 88-ën Vladimir Smicer barazonte gjithçka, gol i cili kalonte Çekinë në çerekfinale dhe eliminonte Rusinë dhe Italianë, e cila priste nga ana tjetër një humbje të çekëve për të kaluar grupin.

{TiranaObserver}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail