Si ndikon alkooli dhe duhani në dhimbjen e kokës

• Abuzimi me duhanin apo alkoolin ndikon në acarimin dhe shfaqjen e dhimbjes së kokës, veç dëmtimeve të tjera që jep në organet e brendshme. 

AIDA MALAJ

Në një intervistë për “Panorama”, mjeku neurolog, Agron Islamaj, shpjegon se si ndikojnë konkretisht dhe çfarë mund të bëhet nëse shfaqet dhimbja e kokës:  
Doktor, duhani konsiderohet si një nga shkaktarët e shfaqjes së dhimbjes së kokës. Si ndikon konkretisht nikotina?
Duhani mund të ndikojë deri në shfaqjen e një krize të dhimbjes së kokës, sidomos te personat që janë predispozuar të kenë cefale. Duhani, ose më saktë nikotina, vë në qarkullim një sasi të madhe monoksidi karboni, që zëvendëson oksigjenin te rruazat e kuqe të gjakut. Në mungesë të oksigjenit, truri i nënshtrohet fenomeneve vazodilatatore (ngushtimi të enëve të gjakut), pra të ndryshimeve të kalibrit në enët e gjakut, gjë që provokon dhimbjen e kokës. Ndaj thuhet që nëse lini duhanin, ose pakësonin numrin e cigareve që pini në ditë, arrini të qetësoni apo eliminoni dhimbjen e kokës.
Si ndikon alkooli në shfaqjen e dhimbjes së kokës?
Alkooli është një vazodilatator i fortë, që ndikon në shtimin e prodhimit të histaminës, një substancë kjo që ndikon në shfaqjen e dhimbjes së kokës. Dhimbja e kokës që ndjen pas dehjes me alkool, vjen pikërisht si pasojë e nivelit të lartë të alkoolit, që shoqërohet gjithmonë me një gjendje jo të mirë të përgjithshme fizike.
Gjumi i tepërt apo i pakët ndikon në dhimbjen e kokës?
Po, sigurisht. Kjo lidhet me efektin që ka në luhatjet e ritmit natyral të gjumit dhe zgjimit, dhe për pasojë dhe në prodhimin e disa substancave që ndikojnë në mirëqenien e organizmit, si p.sh adrenalina.
Kur duhet të shqetësohemi dhe t’i drejtohemi mjekut për dhimbjen e kokës?
Te mjeku duhet të shkohet për çdo dhimbje koke që zgjat në kohë, (për disa orë) dhe që s’njihet një shkaktar shpërthyes. Por dhe kur shoqërohet me simptoma të tjera si p.sh të përziera, të vjella, probleme me shikimin etj. Në çdo rast duhet të përcaktohet shkaktari në mënyrë që të bëhet mjekimi dhe trajtimi i duhur i këtij problemi.
Si mund të trajtohet dhimbja e kokës?
Trajtimi i dhimbjeve të kokës duhet bërë vetëm nga mjeku specialist. I sëmuri nuk duhet të kënaqet asnjëherë me qetësimin nga një paracetamol apo një qetësues tjetër, të cilët ndikojnë vetëm në uljen e intensitetit e dhimbjes pa u gjetur diagnoza. Nëse episodet e dhimbjes së kokës janë të shpeshta, është e domosdoshme të njihet dhe kuruar burimi, pra nevojitet të bëhet trajtimi i plotë dhe si duhet i problemit. Këtë mund ta bëjë vetëm një mjek specialist.

Shkaqet

Shkaqet “banale” të dhimbjes së kokës
Një pozicion i papërshtatshëm i trupit apo qafës, mund të provokojë një rritje tensioni të muskujve të kokës dhe të qafës. Fenomen ky që përfaqëson një nga shkaqet kryesore të një nga formave më të zakonshme të dhimbjes së kokës.
Por jo vetëm kaq, qëndrimi në timon kur drejton makinën, apo pozicioni që mbahet duke lexuar apo duke punuar në kompjuter, bëhen shpesh arsyeja kryesore e shpërthimit të dhimbjes së kokës. Por dhe qëndrimi që mbahet kur fle apo mbajtja e një jastëku mjaft të fortë, mund të provokojë një dhimbje koke në zgjim.

Si ndikon ushqimi në dhimbjen e kokës

Në disa raste, sidomos në rastin e migrenës, ushqimi luan një rol të rëndësishëm në shfaqjen e krizave. Ekzistojnë disa ushqime që mendohet se ndikojnë në shfaqjen e dhimbjes së kokës. Të tilla janë: alkooli (birra, vera e kuqe dhe pijet e forta alkoolike); qumështi, kosi dhe sidomos djathi i staxhionuar për një kohë të gjatë; ushqimet pikante apo mishi i përpunuar; kafeina (që gjendet në: kafe, çaj, çokollatë); në ushqimet e konservuara (turshi, konservat e peshkut); në agrumet (portokallet, limonët); së fundi në ushqimet e shpejta (sanduiç, hotdog) etj.

{Panorama}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

Abonohu:
Adresa e-mail