G20, kush jane keto shtete dhe detajet e tyre

31.03.2009
Pas takimit që organizuan nëntorin e kaluar në Uashington, liderët e G20, grupimit të themeluar në vitin 1999 do të takohen në Londër më 2 prill. Ja te gjitha detajet per shtetet pjesemarrese ...
Pritshmëria është e madhe, edhe pse disa analistë thonë se edhe në këtë takim nuk do të merret ndonjë masë konkrete dhe e përbashkët në lidhje me mënyrat e rrugët për daljen nga kriza financiare. Më poshtë janë skedat e vendeve pjesëmarrëse dhe objektivave të tyre kryesorë që do të synojnë të arrijnë në takim


Kanadaja

Popullsia: 33 milionë banorë
GDP: 1.564 trilionë dollarë
Kryeministër Stefen Harper

Ky vend nuk ka qenë kurrë shumë bashkëpunues për sa i përket kontributit personal në zgjidhjen e krizës globale, duke ia lënë gjithë barrën e problemeve fqinjit të saj jugor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpreson shumë në vendimet e Amerikës, duke pritur që zgjidhja të vijë prej andej.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Popullsia: 304 milionë banorë
GDP: 14.33 trilionë dollarë
President Barak Obama

Presidenti i vendit, Barak Obama, shpresoi që të ndante edhe me vende të tjera peshën e stimulit ekonomik botëror, që ka rënë mbi supet e taksapaguesve amerikanë dhe të binte dakord për reformat e institucioneve financiare për rikthimin e besimit. Por këto shpresa janë pakësuar ndjeshëm javët e fundit, duke qenë se kryesisht evropianët janë kundër shpenzimeve të mëtejshme financiare. Ata janë për rikonfigurimin e një regjimi rregullator që duhet të jetë shumë më i rreptë nga sa do të donin Shtetet e Bashkuara.

Meksika

Popullsia: 110 milionë banorë
GDP: 1,143 trilionë dollarë
President Felipe Calderon

Lideri meksikan vjen me kërkesën për një rikompozicionim të organeve financiare botërore në kushtet e krizës ekonomike. Sikundër edhe Brazili, Calderon i Meksikës u takua me Presidentin francez, Sarkozi, dhe ra dakord për një ridimensionim të rendit ekonomik botëror dhe goditje ndaj spekulimeve të papërgjegjshme dhe të parregullta. Ai kërkon gjithashtu edhe zgjerimin e G20 në mënyrë që në të të përfshihen edhe tregjet në zhvillim si ai i Meksikës.

Brazili

Popullsia: 196 milionë banorë
GDP: 1665 trilionë dollarë
President Iniacio Lula de Silva

Presidenti Lula kërkon që Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore të shtojnë kreditë ndaj ekonomive më problematike dhe ka kërkuar që organizatat botërore të financave të jenë më demokratike. Brazili së bashku me Rusinë, Indinë e Kinën kanë kërcënuar se do të heqin fondet e tyre nga FMN nëse ajo nuk do të ketë më shumë zë në vendimmarrje.

Argjentina

Popullsia: 40 milionë banorë
GDP: 338.7 trilionë dollarë
Presidente Kristina Kirshner

Liderja argjentinase kërkon reforma të sistemit financiar, ndërkohë që kriza e ka goditur rëndë vendin amerikanojugor me një inflacion gjithnjë e në rritje dhe gjithashtu me një rritje të ndjeshme të çmimeve. Ajo do të kërkojë edhe barazi më të madhe në përfaqësimin e vendeve të ndryshme në organizatat ndërkombëtare si ato financiare, ashtu edhe ato të Kombeve të Bashkuara.

Britania e Madhe

Popullsia: 61 milionë banorë
GDP: 2.787 trilionë dollarë
Kryeministër Gordon Braun


Nëntorin e kaluar, kur liderët botërorë u takuan në Uashington, Braun përfitoi nga rasti për të ftuar të gjithë pjesëmarrësit në një takim të organizuar nga Britania. Në atë periudhë Braun mori shumë lavdërime për mënyrën se si e përballoi turbullirën e krizës, deri në atë moment. Ndërkohë, ambiciet më të mëdha për G20 nuk janë më ato që u parashtruan në nëntor, megjithatë, Braun vazhdon me këmbëngulje ta quajë organizimin e takimit në Londër një sukses të tij personal e ta përdorë si një aset politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


Bashkimi Evropian

Popullsia: 491 milionë banorë
GDP: 1885 trilionë dollarë
Presidenti i radhës, Kryeministri çek, Mirek Topolanek (tashmë ishkarkuar me votëbesim nga parlamenti çek- SD)

Topolanek përfaqëson qëndrimin e përbashkët të vendeve të Bashkimit Evropian që bie në kundërshtim me planifikimin e stimujve të tjerë fiskalë. Evropianët janë të mendimit se paratë e derdhura deri më tani janë mjaftueshëm dhe se krizës i duhet një rishikim i sistemit rregullator. Megjithatë, personalisht Topolanek është më shumë pro qëndrimit amerikan dhe britanik për çështjen


Rusia

Popullsia: 141 milionë banorë
GDP: 1757 trilionë dollarë
President Dimitri Medvedev

Presidenti do të bëjë vizitën e tij në Londër për takimin e G20. Qëllimi i tij i parë politik në këtë rast do të jetë vendosja e një marrëdhënieje me Presidentin amerikan, Obama. Në Londër do të zhvillohen edhe takimet e para mes të dy presidentëve. Ekonomikisht Rusia do të kërkojë që të minojë dollarin si monedha dominante sot për sot në glob. Një javë më parë, Rusia zhvilloi bisedime me Kinën, Brazilin, Indinë mbi një propozim për një monedhë të re ndërkombëtare.


Kina

Popullsia: 1.3 miliardë banorë
GDP: 4.222 trilionë dollarë
President Hu Jintao

Kina preferon që të mbajë një profil të ulët në takime të tilla, duke shmangur çdolloj roli udhëheqës. Megjithatë, Presidenti Hu do të vihet nën presion për të rritur rolin e vendit të tij në kontributin ndaj FMN-së. Ka shumë mundësi që ai të theksojë se kontributi më i madh që mund të japë Kina për krizën botërore është të vazhdojë të mbajë në gjendje të mirë ekonominë e saj



Arabia Saudite

Popullsia: 28 milionë banorë
GDP: 4677 miliardë dollarë
Mbreti Abdul Azis Al Saud


Arabia Saudite është i vetmi vend i OPEC që është njëherazi edhe anëtar i G20 dhe do të përfaqësojë në takim si interesat e kartelit të naftës, ashtu edhe ato të botës arabe. Me krizën ekonomike botërore që ka ulur ndjeshëm kërkesën për naftë, çmimet e karburanteve kanë rënë edhe pse OPEC ka tentuar të ulë prodhimin. Mbreti kërkon të shohë shpresë për përmirësim të situatës që do të pasqyrohej menjëherë në tregjet e naftës.



Afrika e Jugut

Popullsia: 49 milionë banorë
GDP: 3004 miliardë dollarë
Presidenti Kgalema Motlanthe


Afrika e Jugut vjen me shpresën se Perëndimi nuk do ta harrojë Afrikën dhe veçanërisht angazhimet e marra në takimin e 2005 në Gleaneagles të Skocisë gjatë takimit të G20. Ajo do të nxisë për ndërmarrjen e veprimeve konkrete nga ana e botës së zhvilluar. Afrika e Jugut ka një kontroll shumë të fortë mbi sektorin e saj financiar dhe u ka bërë ballë të gjitha kërkesave të ndërkombëtarëve për të zbatuar një politikë më të lirë. Të njëjtën gjë do të vazhdojë t‘ua kërkojë edhe vendeve të tjera për të dalë nga kriza.


India

Popullsia: 1.1 miliardë banorë
GDP: 1.237 trilionë dollarë
President Manmohan Singh


Për Kryeministrin 76-vjeçar të Indisë, G20 është para së gjithash një mundësi për t‘u përfaqësuar dhe për t‘i dhënë një nxitje profilit të vendit, si dhe një vend për të demonstruar arritjet ekonomike të Indisë, dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend. Partia e Kongresit që drejton koalicionin qeverisës ka thënë se Singh do të vazhdojë të jetë Kryeministër në rast se do të fitojë zgjedhjet, edhe pse ai sapo e ka marrë veten nga një operacion i fundit në zemër


Indonezia

Popullsia: 238 milionë banorë
GDP: 4968 miliardë dollarë
President Susilo Bambang Yudhoyono


Presidenti do të këmbëngulë për krijimin e një "fondi mbështetës për shpenzimet" që do të ndihmojë vendet në zhvillim për të mbështetur programet e rimëkëmbjes ekonomike.


Australia

Popullsia: 21 milionë banorë
GDP: 1069 trilionë dollarë
Kryeministër Kevin Rudd

Kryeministri australian do të kërkojë për rritjen e një koordinimi më të madh ndërkombëtar. Ekonomia e kontinentit ende nuk ndodhet në recesion, por të gjitha shenjat janë për një përkeqësim të situatës. Kryeministri do të kërkojë edhe reformim të FM-së dhe vendosjen e Kinës në qendër të qeverisjes globale, si dhe dhënien e një roli më të madh në qeverisjen globale G20


Turqia

Popullsia: 72 milionë banorë
GDP: 798.9 miliardë dollarë
Kryeministër Rexhep Taip Erdogan


Turqia pritet të diskutojë çështjen e një sistemi paralajmërues të FMN-së, që duhet riparë në kushtet e reja të krijuara nga kriza. Për shkak të numrit të madh të investimeve të huaja me të cilat Turqia është mësuar këto vitet e fundit, ka mundësi që të kërkojë edhe marrjen e masave dhe sigurive kundër politikave të mundshme proteksioniste të shteteve të ndryshme. Për Turqinë, kjo do të thoshte një reduktim të menjëhershëm të sasisë së parave që hyjnë në vend.


Japonia

Popullsia: 127 milionë banorë
GDP: 4844 trilionë dollarë
Kryeministër Taro Aso

Japonezët përkrahin politikën e Shteteve të Bashkuara për sa i përket sasisë së madhe në shpenzimet publike. Qeveria e Aso ka premtuar shpenzimin e 3 trilionë jenëve të tjerë për të stimuluar ekonominë e vendit që është në recesion.


Koreja e Jugut

Popullsia: 48 milionë banorë
GDP: 8575 miliardë dollarë
President Lee Myung Bak

Presidenti do të përqendrohet në shuarjen e dyshimeve nga ana e vendeve të tjera se Koreja ndodhet në një situatë të rëndë financiare. Ai do të përfitojë nga rasti për një takim dypalësh me Presidentin amerikan.


Gjermania

Popullsia: 82 milionë banorë
GDP: 3818 trilionë dollarë
Kancelare Angela Merkel

Gjermania ndodhet në krye të opozitës që disa vende evropiane u bëjnë kërkesave të amerikanëve për shtimin e paketave stimuluese fiskale. Merkel është plotësisht kundër futjes së parave të tjera në ekonominë kombëtare, të paktën për momentin. Gjermania ka zgjedhjet e përgjithshme përpara, në shtator dhe Merkel e politikanë të tjerë do të përfitojnë nga rasti për t‘i treguar elektoratit të tyre se masa që kanë marrë është në të mirë të vendit.

Franca

Popullsia: 64 milionë banorë
GDP: 2978 trilionë dollarë
President Nikolas Sarkozi

Presidenti Sarkozi do të kërkojë veprime të menjëhershme për të rregulluar tregjet financiare. Ai kërkon kontroll të rreptë ndaj fondeve private të investimeve, "parajsave fiskale" dhe forcim të mëtejshëm të rolit të FMN-së. Por ndoshta mund të bëjë lëshime për sa u përket paketave stimuluese, duke qenë se borxhi shtetëror i kalon të 1.2 trilionë eurot.


Italia

Popullsia: 58 milionë banorë
GDP-ja: 2399 trilionë dollarë
Kryeministër Silvio Berluskoni

Italia aktualisht kryeson presidencën e G20 dhe Berluskoni do të organizojë takimin e radhës në korrik. Ai shpreson se G20 do të jetë produktive për sa u përket vendimmarrjeve të ndryshme në lidhje me rregullat e reja të financave dhe ekonomisë.

1 votë. Mesatarja e 5.00 të 5.

Komentet

    • 1. Më 21/08/2010
    228asb

    Exclusive shop of GHD Straightener, fashional hairdressing tools [url=http://www.ghd-
Abonohu:
Adresa e-mail