Vrasja e deputetit, Ina Rama: Po punohet, 'no coment' për pistat

TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka deklaruar sot se po punohet maksimalisht nga gjithë grupi i angazhuar për zbardhjen e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Pa dashur të japë asnjë detaj rreth hetimeve, kryeprokurorja Rama ka thënë se strukturat përkatëse të vëna në dispozicion po punojnë me përkushtim. "Po punohet fort, me përkushtim maksimal për të zbardhur ngjarjen"- ka thënë ajo, duke u treguar e rezervuar për të dhënë të tjera elementë. 
E pyetur për pistat e hetimit, ajo nuk ka pranuar të thotë gjë, duke deklaruar prerë se 'nuk mund t'ju them asnjë pistë'. Të njëjtën përgjigje që në fakt ka dhënë edhe drejtori i policisë, Prençi gjatë një interviste televizive dhënë mbrëmë.
Ai bëri me dije rrethanat në të cilat është kryer vrasja, një ekzekutim pas shpine me breshëri, nga një distancë e afërt. Deklaroi se për hetimin po punon një grup prej 100 vetësh dhe se deri tani janë mbledhur shumë dëshmi të nevojshme për hetimin. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhindi u vra të shtunën, në banesën e tij në Roskovec, pak para se të hynte në shtëpi. Edhe sot, ende nuk ka asnjë pistë të deklaruar nga policia dhe asnjë autor zyrtarisht të dyshuar. 

{Shekulli}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail