Tragjedia e Butrintit, dosja mbërrin në gjykatë, 4 nën akuzë

Tragjedia e Butrintit, dosja mbërrin në gjykatë, 4 nën akuzë

LUAN SEJDINI | 04/05/2009

SARANDË - Pas gjashtë muajsh hetime për tragjedinë e 19 tetorit të vitit 2008 në Butrint, ku humbën jetën 5 persona, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Sarandës ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë.

Katër persona janë nën akuzë për veprën penale të "Favorizim dhe kalimin të paligjshëm të kufirit, me pasojë vdekjen", por dy prej tyre janë jashtë prangave dhe do të gjykohen në mungesë. Ndërsa dy të akuzuar të tjerë janë qelitë e para burgimit dhe pritet të ulen në bankën e të akuzarve ditën kur gjykata të vendosë për seancën e parë.


Nga hetimet e nisura menjeherë pas ngjarjes, Prokuroria e Sarandës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuluan autoret e rrjetit të trafikut me shtrirje të gjerë, si nga Fieri, Berati dhe Tirana. Të arrestuar në dhomat e paraburgimit, momentalisht janë dy persona , Hiqmet Sollaku dhe Dashamir Mane. Në mungesë do të gjykohen Gani Madhi dhe Albert Gega, të cilët janë larguar në drejtim të paditur dhe kanë mundur ti shpëtojnë prangave.

Tragjedia e Butrintit shkaktoi pesë viktima, mes tyre edhe foshnja, 3 muajshe Klara. Sipas prokurorëve, viktimat ishin mashtruar nga sekserët e trafikut të qenieve njerëzore, kundrejt përfitimit të një shpërblimi të majmë, që shkonte deri në 1200 euro. Liqeni i Butrintit kalohej me varkat e peshkimit me ngarkesë sa dyfishi i kapacitetit të tyre, duke rrezikuar ekstremisht jetën e njerëzve.

Varka prej druri, që shkaktoi tragjedinë, kishte nisur udhetimin e vdekjes me 17 persona, të cilet sapo kishin përshkuar afro një kilometër sipërfaqe ujore u përmbyt tek prita e peshkimit në Vivar. Trafikantët ishin përpjekur t'i shmangeshin policisë kufitare, duke shkaktuar kështu një tragjedi të rëndë me vdekjen e 5 personave që ishin nisur drejt Greqisë.

{Shekulli}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail