Reflektime mbi reformën në drejtësi

JORDAN DACI

Prej shumë kohësh është analizuar nevoja për reformë të thellë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Raportet dhe studimet e ndryshme ndërkombëtare, në këto vitet e fundit, kanë identifikuar dhe shtruar për zgjidhje shumë probleme të sistemit tonë të drejtësisë, të cilat kërkojnë, medoemos, kryerjen e disa reformave.

Prof. Assoc. Dr. Jordan DaciNdërkohë, sidomos në vitin 2015, nga Kuvendi u ndërmor zyrtarisht iniciativa për të filluar një reformë të thellë të sistemit aktual, duke përfshirë ndryshime kushtetuese të shumta dhe ndryshime të tjera të disa ligjeve kryesore, si një paketë, e cila do të mund të bëjë të mundur funksionimin e sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet e mira ndërkombëtare. Në këtë kuadër, si një person që kam realizuar disa reforma legjislative dhe ka marrë pjesë si autor, raportues për Shqipërinë, vlerësues dhe bashkëvlerësues në shumë studime kombëtare dhe ndërkombëtare për gjyqësorin në tërësi dhe atë në Shqipëri në veçanti, por edhe si profesor në fushën e së drejtës, avokat dhe ish-funksionar i Gjykatës së Lartë dhe i disa ministrive, dëshiroj të jap për publikun një vlerësim timin mbi disa aspekte të kësaj reforme.

Organizimi dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë

Aktualisht, kemi një mungesë të theksuar gjyqtarësh dhe prokurorësh në Rrethin Gjyqësor të Tiranës dhe gjykata në distanca shumë të largëta për disa zona banimi. Kemi Gjykata Administrative, që u konceptuan të shkurtojnë kohën e gjykimit, por që, në thelb, si pasojë e shumë problemeve që kishte vetë ligji, mbi të cilën u ngritën, janë shndërruar aktualisht në po aq jo funksionale apo edhe me keq se gjykatat, që ata zëvendësuan. Kemi Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, të cilat kanë gjyqtarë që, sipas ligjit, organit të tyre u ka mbaruar mandati dhe vazhdojnë të japin drejtësi prej disa vitesh.

Kemi Gjykatën e Lartë, e cila prej vitesh nuk plotësohen vendet vakante dhe ushtron funksionet e saj në kushte tepër të vështira infrastrukturore. Kemi gjyqtarë të cilët përballojnë një volum deri në 500 apo 600 çështje në vit, kur një vit ka vetëm 365 ditë. Kemi gjyqtarë dhe prokurorë të cilët paguhen me paga qesharake dhe që nuk gëzojnë asnjë privilegj, apo nuk përfitojnë asnjë ndihmë për sa i përket jetesës së tyre. Kemi gjykata që funksionojnë me dy sisteme elektronike të menaxhimit të çështjeve, që as nuk japin dhe as nuk marrin me njëri-tjetrin, dhe nuk kemi një sistem të integruar elektronik për menaxhimin e çështjeve për gjykatat dhe për qytetarët.

Pa dyshim, që gjendja aktuale kërkon, medoemos, mbështetje financiare thelbësore, ndryshime thelbësore në infrastrukturën fizike dhe informatike, shumëfishimin disa herë të rrogave, rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, uljen e numrit të çështjeve, duke futur me detyrim procedurën e pajtimit, ose zgjidhjes me pajtim të mosmarrëveshjeve, si dhe ngritjes së gjykatave të arbitrazhit civil, riorganizimin territorial mbi bazën e studimeve dhe jo dekreteve shabllon dhe të pastudiuara, emërimin e ndihmësve gjyqësorë pranë gjykatave të apelit, plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë etj.

Duhen ndryshuar ligjet organike, sidomos atyre procedurale. Kjo kërkon, së pari, një ndryshim tërësor të Kodit të Procedurës Penale, i cili është i vetmi kod në të gjithë rajonin, i cili ruan me absurditet sistemin inkuizitor të drejtësisë penale, kur, në të gjithë rajonin e më gjerë është zbatuar sistemi akuzator, i cili përputhet në thelb edhe me Kushtetutën e RSH dhe kuadrin e detyrueshëm ndërkombëtar. Kjo kërkon, midis të tjerash, rivlerësimin e pozitës së avokatit si një palë e barabartë me prokurorin dhe pakësimin e pushtetit diskrecionar të gjykatës në raport me procesin, duke parashikuar, gjithashtu, figurën e gjyqtarit hetues dhe garantimin e një kontrolli më të fortë dhe të dobishëm të hetimit nga gjykata. Ndryshime të tjera, duhet të përfshijnë garantimin e disa të drejtave për mbrojtjen dhe të pandehurin në lidhje me aktet, marrjen dhe administrimin e tyre, kryerjen e ekspertimit, hetimin privat, futjen e seancës përgatitore edhe në proceset penale, parashikimin e marrëveshjes së fajësisë etj.

Nga ana tjetër, procedura aktuale penale parashikon absurditete juridike dhe antikushtetuese të shumta, por që nuk janë vlerësuar asnjëherë nga gjykata me seriozitetin e duhur, duke përdorur shumë rrallë kontrollin e kushtetutshmërisë së normës juridike sipas nenit 145/2 të Kushtetutës edhe kur kjo kërkohet me insistim nga mbrojtja. Vlen të sjellim si shembull, në këtë rast, mbetjen e sistemit komunist, ku, prokurori në bisedimet përfundimtare kërkon jo vetëm shpalljen fajtor të të pandehurit, por edhe cakton masën e dënimit, që ai mendon se duhet të jepet. Sigurisht, kjo është tërësisht jokushtetuese, pasi caktimi i dënimit është atribut absolut i gjykatës dhe prokurori nuk mundet, kurrsesi, ta ketë këtë të drejtë, pasi përbën ndërhyrje serioze në pushtetin e gjykatës.

Po ashtu, Kodi Penal duhet të rikonceptohet i gjithë, pasi sistemi i dënimeve, si pasojë e ndryshimeve tërësisht jo profesionale dhe pa asnjë studim të bëra deri disa herë brenda një viti, ka humbur tërësisht pajtueshmërinë e tij me parimin e proporcionalitetit dhe parimet thelbësore të së drejtës penale. Ky fakt u provua edhe nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa paragrafëve të nenit 278 të Kodit Penal.

Nga ana tjetër, Kodi i Procedurës Civile duhet të pësojë ndryshime të tjera në lidhje me ecurinë e procesit civil, gjykimin në mungesë, përdorimin dhe mënyrën e administrimit të provave elektronike, zbatimin e praktikave të komunikimit elektronik, kërkesa të sakta dhe mirëpërcaktuara ligjore në lidhje me afatet e gjykimit të çështjeve, arsyetimin e vendimeve etj.

Një ndryshim, që duhet të bëhet, është edhe rikthimi i nenit 315 të Kodit Penal, që ndëshkon gjyqtarët në rastet kur ato japin vendime haptazi të paligjshme. Gjykoj që kjo ndodh në praktikë dhe s’kishte asnjë vend për shfuqizimin e tij nga Gjykata Kushtetuese dhe në kushtet kur ky vendim është marrë. Atëherë, paketa e re kushtetuese duhet ta parashikojë në përmbajtjen e saj këtë rast si shkak për humbjen e mandatit dhe për marrjen në përgjegjësi penale të gjyqtarit. Nga ana tjetër, një variant i ngjashëm i tillë duhet të ekzistojë edhe për prokurorin për sa kohë, në sistemin aktual, prokurori gëzon diskrecion tepër të madh në vendimmarrje gjatë hetimeve paraprake sidomos.

Ndryshimi i mentalitetit

Kjo është çështja më e vështirë dhe kjo gjë duhet të fillojë së pari me respektimin rigoroz të parimit të prezumimit të pafajësisë. Ky kërkon midis të tjerash ndalimin e transmetimit televiziv për çështjet gjyqësore pa bërë më parë retushimin e transmetimit për të mbrojtur identitetin e personave të përfshirë në procedura, ndalimin në çdo rrethanë pa asnjë përjashtim për personat e mitur dhe ndalimin e publikimit të vendimeve me të dhëna identifikuese të palëve. Kjo sigurisht duhet të prekë edhe ndalimin e shfaqjeve mediatike për aksionet policore etj., pasi të gjitha këto veprime sjellin më shumë dëm sesa dobi. Ato në thelb shndërrohen në instrument presioni për gjykatat dhe pengojnë dhënien e drejtësisë. Nga ana tjetër, duhet të bëhet një ndryshim cilësor i raportit midis gjykatës dhe prokurorisë, ku gjykata s’mund ta shikojë vetëm si palë apo partner më prokurorinë dhe, mbi të gjitha, puna e gjykatave dhe prokurorive tona nuk duhet të matet me numrin e personave të dënuar, por me numrin e personave të deklaruar të pafajshëm.

Drejtësia te ne nuk është drejtësi ndëshkuese, por është drejtësi riparuese dhe rishoqërizuese dhe gjykatat nuk janë vende ku njerëzit duhet të masakrohen, por vende ku duhet të mbizotërojë humanizmi dhe drejtësia sociale dhe duhet të mbrohet interesi i përgjithshëm i shoqërisë. Po ashtu, edhe prokurori s’duhet të udhëhiqet nga parimi i vetëm i shpalljes fajtor të personit nën hetim, por të hetojë për të gjetur të vërtetën dhe kjo duhet të nënkuptojë edhe pushimin e çështjeve, kur vërehet se s’ka përgjegjësi penale. Sigurisht, kjo kërkon edhe një rritje të dukshme të pavarësisë së prokurorit të çështjes, por edhe të llogaridhënies në rastet kur vendimet gjyqësore tregojnë vlerësim të gabuar, apo mungesë vlerësimi serioz të çështjes.

Rritja e cilësisë në gjykim dhe qasjes në gjykatë

Aktualisht, sistemi vuan nga mungesa infrastrukturore dhe burimet njerëzore të nevojshme, të cilat garantojnë një proces të shpejtë dhe cilësor. Reforma duhet të synojë, midis të tjerash, rritjen e shpejtësisë, por edhe cilësisë së gjykimit, sidomos në lidhje me arsyetimin e vendimeve, shmangien dhe dënimin e praktikave të kopjimit fjalë për fjalë të fjalëve të prokurorit apo palëve, rritjen e kontrollit cilësor të gjykatave të larta ndaj atyre më të ulëta.

Reforma duhet të inkurajojë ndëshkimin e abuzimit me të drejtën e vënies në lëvizje të sistemit gjyqësor, por nuk duhet, kurrsesi, të kufizojë qasjen në gjykatë për njerëzit nëpërmjet rritjes së tarifave etj. Kjo për arsye se jo vetëm që bie ndesh me qëllimin e drejtësisë dhe standardet ndërkombëtare të detyrueshme për RSH, por, nga ana tjetër, e shndërron drejtësinë në padrejtësi. Kjo pasi personat e varfër, që përbëjnë shumicën në vendin tonë, do të dënohen njëherë për faktin se janë të varfër dhe për së dyti, pasi varfëria e tyre u mohon të drejtën për të kërkuar drejtësi. Tendenca dhe dëshira e gjyqtarëve dhe aktorëve të tjerë për të kufizuar qasjen në gjykata me rritjen e tarifave gjyqësore më duket e neveritshme, çnjerëzore dhe e shndërron drejtësinë jo në një shërbim që shteti i detyrohet publikut, por në një mall që i jepet atij që paguan.

Ndryshimet kushtetuese të propozuara

Pa dyshim që, ndryshimet e propozuara do të sjellin një risi në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të gjyqësorit, por nga ana tjetër, edhe në këto ndryshime ka nevojë për një reflektim të ri mbi disa çështje me rëndësi. Pa dashur të bëj oponencën ndaj këtyre ndryshimeve pasi pajtohem me shumicën e tyre. Gjykoj që ka ende vend për ndryshime, pasi, p.sh. në disa momente parashikohet që disa anëtarë të disa institucioneve që do të krijohen do të zgjidhen nga shoqëria civile. Pyetja që unë shtroj është: A ka ndonjë që ma përkufizon shoqërinë civile në terma konkrete për qëllime vendimmarrjeje?! Unë besoj nuk mund ta bëjë askush dhe se ky parashikim do të krijojë debate të jashtëzakonshme për konstituimin e rregullt të këtyre organeve, por edhe do të krijojë kushtet për përdorimin, ose më saktë të keqpërdorimit të “shoqërisë” civile nga forcat politike që do të jenë në vijim në pushtet për qëllime, jo domosdoshmërish, që mbrojnë interesin e përgjithshëm. Nga ana tjetër, ndryshimet kushtetuese duket sikur krijojnë më shumë një sistem të ri të arnuar nëpërmjet sistemit aktual. Ndërkohë, që synohet një ndryshim tërësor. Kjo nënkupton që ndryshimet do duhet të jenë më së shumti cilësore sesa strukturore, pasi tekefundit strukturat dhe sistemet janë vetëm zgjedhje, por që dallimi midis tyre, më së shumti, qëndron në vetitë cilësore të tyre dhe sigurisht aseti më i madh cilësor i çdo sistemi të shoqërisë sonë është vetë njeriu. Në këtë pikëpamje, gjykoj që kjo reformë duhet, së pari, të hapë gjyqësorin ndaj prurjeve të reja të bazuar vetëm në sistemin e konkursit publik të monitoruar nga struktura ndërkombëtare profesionale apo nga vendet mike si SHBA, BE etj. Po ashtu, meqë hartuesit kanë prekur edhe pjesë të tjera të Kushtetutës për ekonomi kushtetuese në këtë rast, duhet të studiohet dhe të preken edhe çështje të tjera kushtetuese, sidomos ato që lidhen me financat publike etj.

Një çështje tjetër që duhet të rishikohet ka të bëjë me krijimin e Gjykatës së Lartë Administrative, gjykoj që kjo gjykatë, që bazohet në modelin francez, nuk është nevojshme, pasi do të jetë vetëm dublim i organit më të lartë të sistemit gjyqësor, i cili duhet të jetë unik dhe uniform. Drejtësia Administrative në nivelin e Gjykatës së Lartë mund të vazhdojë të funksionojë si kolegj apo mund të shtohet edhe një kolegj i dytë, pasi asnjë argument logjik, ligjor apo studim nuk provon nevojën e ngritjes së kësaj gjykate, e cila, në thelb vetëm do të rrisë kostot që do të paguajnë qytetarët shqiptarë për mbajtjen e saj. Nga ana tjetër, dublimi i këtij funksioni do të krijojë probleme të karakterit juridiksional, pasi dihet që ndarja me thikë midis çështjeve administrative nga ato civile etj., është shumë e vështirë. Kjo gjë ndodh edhe sot, në kuadër të Gjykatës së Lartë si një trupë e vetme, imagjinoni si do të jetë ky problem kur të kemi dy gjykata të larta. Pa dyshim që mbledhja e përbashkët që parashikon neni 141 i Kushtetutës së ndryshuar nuk e rregullon aspak këtë problem, por vetëm krijon kushtet që praktikisht dhe nga pikëpamja operacionale bashkërendimi midis këtyre dy gjykatave të larta të kthehet një pengesë dhe një arsye për zvarritje të tmerrshme të procesit apo për ngërçe të procesit në ndonjë rast. Ndërkohë, kemi edhe ndryshime tërësisht të panevojshme ne nenin 18, nen që nuk ka parashikuar asnjëherë një listë të mbyllur diskriminuese në dallim madje edhe nga vetë Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe protokolleve shtesë të saj. Ndërkohë, ka ndryshime në lidhje me pozitën e së Drejtës së Bashkimit Europian në sistemin e të drejtës së brendshme, por nuk ka reflektim në lidhje me saktësimin e zbatimit dhe epërsisë së të drejtës zakonore ndërkombëtare dhe traktateve ndërkombëtare, që nuk ratifikohen në përputhje me Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve në lidhje me nenet 5, 116 dhe 112 të Kushtetutës. Po ashtu, ndryshimet kushtetuese parashikojnë që Kushtetuta jonë të bëhet me anekse, duke i ngjarë shumë Pakos së famshme të Ahtisaari-t. Pa dyshim që, zgjedhja e aneksit për Kushtetutën është, në fakt, rast unik në botë, pasi asnjë kushtetutë moderne nuk ka aneks si shtojca të saj, pasi një gjë e tillë nuk është shumë funksionale dhe nuk i përgjigjet teknikës së hartimit të normave kushtetuese dhe vetë Kushtetutës. Nga ana tjetër, kjo do të ngrejë probleme në kuadër të interpretimit sistematik të normave kushtetuese.

Për të përfunduar, reforma në drejtësi duhet të bëhet me urgjencë, por duhet të jetë një reformë e cila duhet të synojë ndërtimin e një sistemi drejtësie, i cili nuk zhbën vlerat pozitive të sistemit aktual, por vetëm zhduk vlerat negative të sistemit aktual, duke bërë të mundur që sistemit të jetë funksional, i drejtë, i hapur, i përgjegjshëm dhe, mbi të gjitha, i aftë të riparojë vetveten. Kjo pasi sikurse thoshte juristi i famshëm Ulpianus, drejtësia ka qenë dhe mbetet “Dëshira e vazhdueshme dhe e përjetshme për t’i dhënë secilit atë që i takon!”. Le të shpresojmë që kjo do të bëhet realitet edhe në vendin tonë.

/gazetashqip

Analizë nga Prof. Assoc. Dr. Jordan Daci

Posted by Studenti Juridikut on Thursday, April 7, 2016

drejtesi Shqipëri gjykatë prokurori Prof. Assoc. Dr. Jordan Daci Jordan Daci reformë reforma ne drejtesi reforma kushtetuese burime njerëzore sitemi i drejtesise opinioni publik avokat

5 vota. Mesatarja e 4.40 të 5.
Abonohu:
Adresa e-mail