Pesëqind mijë lekë një operacion, pranga mjekut

Një operacion veshkash kushtonte 500 mijë lekë. Të paktën kaq ka paguar babai i një pacienteje,vetëm pak minuta pasi mjekut urolog, Kastriot Dautaj t’i shtrëngoheshin prangat në duar.

Klodiana Kotorri

Pedagogu i Mjekësisë mbahej nën përgjim prej 6 muajsh. Policia ndoqi babanë e pacientes për ta kapur në flagrancë

TIRANË- Një operacion veshkash kushtonte 500 mijë lekë. Të paktën kaq ka paguar babai i një pacienteje,vetëm pak minuta pasi mjekut urolog, Kastriot Dautaj t’i shtrëngoheshin prangat në duar.Gjithçka ishte vëzhguar nga policia, e cila hyri në zyrën e mjekut dhe pasi i bllokoi shumën e parave i komunikoi atij masën e arrestit. Mjeku urolog, njëherazi pedagog në fakultetin e Mjekësisë, akuzohet për disa raste korrupsioni, por hetimi kundër tij ka nisur për shkak të llogarive të majme bankare. “Mjeku urolog dyshohet se ka konsumuar veprat penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojë funksione publike”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrimit të produkteve”-pohoi dje Policia e Shtetit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Akuza

Rreth gjashtë muaj më parë, zyra e antikrimit ekonomik-financiar kishte siguruar informacione se një mjek në spitalin “Nënë Tereza”, i ciliushtronte profesionin e mjekut edhe në disa klinika private kishte dy llogari bankare të pajustifikueshme. Këto para, rreth 635 mijë dollarë ishin diktuar edhe nga zyra e Pastrimit të Parave, e cila kishte sinjalizuar organet e hetimit.Burime nga policia thanë se fill pas dyshimeve se mjeku Dautaj kryente korrupsion pasiv u kërkua bashkëpunimi i prokurorisë. Kjo e fundit autorizoi përgjimin e komunikimeve telefonike të dyshuarit Kastriot Dautaj, si dhepërgjimin e komunikimeve ambientale në vende publike si dhe vëzhgimet e filmimet e fshehta policore. Pas hetimeve të policisë, për rreth gjashtë muaj, një grup operacional është zhvendosur mëngjesin e djeshëm në pavionin ku kryente detyrën mjeku Dautaj. Fakti që disa ditë më parë ishin anuluar disa operacione për shkak të mungesës së ujit dhe temperaturave të larta, shumë operacione Dautaj i kishte planifikuar për t’i kryer të hënën, ndaj dhe policia ka nisur vëzhgimet me qëllim kapjen në flagrancë të mjekut. Oficerët e policisë kanë pritur përfundimin e operacionit të parë që ka kryer dje Dautaj dhe pasi janë informuar për pacienten dhe babanë e saj, janë vënë në ndjekje të këtij të fundit.

Arrestimi

Menjëherë pasi Ibrahim Hoxha, babai i pacientes Luljeta Hoxha, ka dalë nga zyra e mjekut urolog, ka ndërhyrë policia. Nuk është dashur ndonjë kontroll i imtësishëm nga ana e policisë për t’i gjetur 500 mijë lekët e vjetra në xhepin e përparëses së bardhë të mjekut urolog. Megjithëse pacientët prisnin në radhë për të hyrë në sallë, kjo nuk e ka penguar policinë të marrë me vete mjekun, i cili nuk ka mundur të heqë as bluzën e bardhë. “Dyshohet se mjeku Kastriot Dautaj merrte shuma të ndryshme parash në varësi të operacionit, ndaj dhe paratë që iu sekuestruan dyshohet se ia kishte marrë babait të pacientes Luljeta Hoxha vetëm pak minuta pas operacionit’- thanë për “Shekullin” burimet policore. Është për t’u theksuar fakti se përveç rastit të kapjes në flagrancë, nga hetimi janë evidentuar dhe provuar edhepesë–gjashtë raste të tjera ku mjeku i dyshuar, Kastriot Dautaj, ka pranuar dhe marrë shuma të ndryshme parash nga të afërm të pacienteve që kuroheshin prej tij.

PASURIA

Mjeku Dautaj, 635 mijë dollarë depozitë

Pas dyshimeve se mjeku urolog dhe njëkohësisht pedagogu i fakultetit të mjekësisë Kastriot Dautaj ushtronte korrupsion pasiv, policia nisi hetimet duke verifikuar edhe pasurinë e tij. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se mjeku ka bërë një depozitë të konsiderueshme në një nga bankat e nivelit të dytë,268.247 USD, duke deklaruar si burim të ardhurash ushtrimin e profesionit të tij si mjek dhe si pedagog pranë Fakultetit të Mjekisë. Policia bëri të ditur gjithashtu se pas verifikimeve të një tjetër llogarie rrjedhëse në të njëjtën bankë, i dyshuariKastriot Dautaj së bashku me bashkëshorten e tij kishin edhe 365.819 USD të depozituara. Ndërsa nga verifikimet e kryera pranë organeve tatimore ka rezultuar se i dyshuari nuk ka qenë i regjistruar për ushtrimin e ndonjë aktiviteti privat ligjor fitimprurës në territorin e Republikës se Shqipërisë. K.K

E RRALLË

Dautaj i hoqi veshkën,  pacientja e zbuloi pas 3 vitesh

TIRANË- Mjeku urolog, Kastriot Dautaj, i shpëtoi ndëshkimit tre vjet të shkuara, ku së bashku me gurët i kishte hequr edhe veshkën një pacienteje. Pacientja Zyra Ago kishte jetuar për disa vite vetëm me një veshkë, pa e ditur se mjeku ia kishte hequr gjatë operacionit. Fajtor për këtë, Zyra Ago bëri doktorin Kastriot Dautaj, por ky i fundit u mbrojt me arsyetimin se veshka ishte e dëmtuar. “Unë e kam zbuluar mungesën e veshkës gjatë një ekoje rastësore”,-ka pohuar tre vjet më parë për “Shekullin” Ago, duke e akuzuar mjekun Dautaj për këtë operacion të panevojshëm. Kjo ngjarje është denoncuar tek Urdhri i Mjekut, i cili e ka cilësuar mjekun fajtor, pasi nuk i kishte dhënë epikrizën pacientes. Nga ana tjetër, kjo e fundit as që ishte njoftuar se gjatë operacionit i kishin hequr një veshkë, duke e zbuluar këtë fakt krejt rastësisht. Familjarët e Zyra Agos pretenduanse doktori nuk kishte marrë ndëshkimin e duhur, por Urdhri i Mjekutka arritur në përfundimin se operacioni i veshkës ishte i suksesshëm. I vetmi problem, ishte mungesa e sqarimit të pacientes për këtë ndërhyrje.

{Shekulli}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail