Mblidhet këshilli i prokurorisë, pritet emërimi i 3 prokurorëve të rinj

17 qershor, ora 11:00 - Topi: Erë e re për prokurorinë. Uzurpimi i politkës duhet të marrë fund

Prokuroria - Foto:(STUDENTI I SË DREJTËS)
Është mbledhur sot këshilli i Prokurorisë në ambientet e Hotel Tirana, për të propozuar tre emra të rinj për prokurorë. Kryeprokurorja Ina Rama bëri thirrje që të vlerësohen maksimalisht kandidaturat e sotme pasi këshilli i prokurorisë është shumë i rëndësishëm për vendosjen e ligjit. “Tre prokurorët që do të votohen unë i konsideroj edhe si këshilltar të mitë kështu që do të doja të tregohej kujdes dhe të zgjidheshin individë që njohin mirë ligjin dhe të aftë profesionalisht” – tha gjatë fjalës së saj kryeprokurorja Ina Rama.

Më pas Ina Rama foli për reformat në sistemin e drejtësisë. Sipas saj drafti i ri i përgatitur parashikon zgjerimin e kompetencave të prokurorit dhe roli i organit të akuzës në këto reformime bëhet vendimtar.

“Sfida jonë është lufta ndaj korrupsionit dhe këto janë edhe standardet e vendosura nga  BE dhe NATO. Kështu që do të doja që prokurorët të jenë më aktivë në seancat gjyqësore. Të kërkojnë drejtësi në emër të shtetit dhe të mos lejojnë asnjë kriminel të endet rrugëve” – tha Ina Rama.

Sipas saj duhet bërë shumë kujdes në vlerësimin e kallëzimeve në mënyrë që njerëzit të mos rrinë në arrest të zgjatur për shkak të neglizhencës së prokurorit.

“Gjithashtu në rastet kur konstatohet një mase arresti në burg padrejtësisht, kjo është e pafalshme për një prokuror, pasi janë gjëra që nuk mund të rikuperohen” – tha Ina Rama.

“Sa herë që aplikoni për masë sigurimi, rasti duhet të trajtohet seriozisht në mënyrë që këta njerëz të mos dënohen padrejtësisht” – tha ajo.

“Unë kërkoj që prokurorët të bëjnë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Nuk jemi në vitet 1997, Shqipëria plotëson disa standarde dhe këto duhen të pasqyrohen dhe nga organi i akuzës. Duhen prova të plota në një dosje që dërgohet në gjykatë. Nuk mund të pranojmë që një dosje të shkojë në gjykatë pa patur provat e mjaftueshme” – tha ajo.

“Unë nga kontrollet e bëra shoh pasivitet të prokurorëve në sallën e gjyqit. Përgjigje të shkurtra, reagime të dobëta. Prokurori duhet të jetë aktiv në seancë, në përgjigjet që i bën të pandehurit, të japi provat. Në fund është gjykata që jep vendimin”.

Sipas Ramës është gjithashtu shumë e rëndësishme që prokurori të japi shembullin e tij në shoqëri.

“Qëllimi final është që vlerësimi i publikut për prokurorinë të rritet pafundësisht”.

Topi: Prokuroria të ndahet nga politika


Mbledhjen e këshillit të Prokurorisë e ka përshëndetur sot edhe presidenti i vendit, Bamir Topi.  Sipas tij zgjedhja e 3 anëtarëve të këshillit të drejtësisë është shumë e rëndësishme në punën e prokurorisë. “Unë ndodhem këtu sot në emër të atyre përgjegjësive që më cakton kushtetuta për emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve” -  u shpreh presidenti Topi në hapjen e fjalës së tij.

“Të gjithë i kanë sytë te drejtësia. Nga do që shkojmë kërkohet drejtësi. Puna juaj është shumë e rëndësishme dhe në qendër duhet të keni karrierën profesionale dhe të mos keni asnjë ndikim politik” –th Topi.

“Politika ndërrohet çdo katër vjet ndërkohë që puna e prokurorit varet nga profesionalizmi. Një erë e re ka filluar të fryjë për prokurorinë dhe prokurorët duhet të  bëhen koshient që s’mund të ketë më influenca politike” – vazhdoi ai.

“Organi i prokurorisë duhet të rrisë besimin te publiku sepse kjo do t’ju bëjë juve që të ndiheni më të sigurtë në punën tuaj” – përfundoi Topi.

{Shekulli}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • Penny
    • 1. Penny Më 12/01/2012
    Unë mendoj se ajo kishte një fjalim të vërtetë të mirë atje dhe unë shpresoj se situata do të jetë vetëm tamam si tha ajo. Unë pres që të shohim rezultatet.
    Asigurari Locuinte
Abonohu:
Adresa e-mail