Krimet monstruoze të "Çakallëve"

Toplica Miladinoviq, i njohur me nofkën “ Top” , i lindur në Rakosh të Pejës, tani pensionist ushtarak, për rreth tri orë ka treguar për organizimin dhe mobilizimin ushtarako-policor në qytetin e Pejës gjatë vitit 1999. Ai është i akuzuari i parë dhe në bazë të aktakuzës ka dhënë urdhra për vrasje të ndryshme në masakrën e Qyshkut në Pejë. Megjithatë, Miladinoviq ka mohuar të gjitha akuzat lidhur me këtë ngjarje. “ Nuk e kam ditur që ka ndodhur kjo ngjarje derisa jam arrestuar...” , ka thënë ai në Gjykatën Speciale për Krime të Luftës në Beograd. Ka mohuar të ketë lidhje edhe me grupin e njohur si “ Shakalli” . Ai ka treguar se mobilizimi i njerëzve ka zgjatur disa ditë më shumë sesa procedurat e parapara, ndërkaq për vullnetarët ka pasur një procedurë të veçantë. Ka pranuar se ka qenë në Qyshk, por para kësaj ngjarjeje, dhe nuk e di çfarë ka ndodhur.
Në procesin gjyqësor të udhëhequr nga gjyqtarja Snezhana Nikoliq-Garotiq dhe në të cilin prokuror është Dragolub Stankoviq, kanë marrë pjesë edhe mbrojtësi Mustafa Radoniqi, avokat nga Kosova dhe përfaqësuesja e të dëmtuarve Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare. “ Ky është një proces shumë i rëndësishëm jo vetëm për nga vepra, por edhe për faktin që është duke ndodhur” , ka thënë avokati Radoniqi. Në këtë rast janë 26 persona të dyshuar, ndërkohë që 17 prej tyre konsiderohen në arrati dhe ndaj tyre është lëshuar kërkim arrest ndërkombëtar. Ky grup në bazë të aktakuzës është i përbërë edhe nga Sreçko Popoviq, i njohur me nofkën “ Çalle” (baba v.j.), i lindur në Prizren në vitin 1955, nga Slavisha Kastratoviq, i lindur në vitin 1972 në fshatin Gorazhdec, i njohur me nofkat “ Gjura” dhe “ Kastro” , Boban Bogiçeviq, 1974 nga Peja, Zvonimir Cvetkoviq, i njohur si Njonja, i lindur në vitin 1953 në Pejë, Radoslav Branoviq , 1950, i lindur në fshatin Raushiq, Vidoja Koriqanin, 1966, i lindur në Pejë dhe me vendbanim në Klinë, Velko Koriqanin, i njohur si Velo, i lindur në vitin 1960 në fshatin Zahaq dhe Abdullah Sokiq, i njohur me nofkën “ Bosanac” , “ Bashko” apo “ Vampir” , i lindur në Breza, në Bosnjë- Hercegovinë. Aktakuza për të cilën deri tani janë arrestuar këta persona thekson se vrasjet janë bërë me qëllim të përfitimit të pronës dhe pasurisë dhe për të futur frikën në mesin e civilëve shqiptarë në mënyrë që ata të dëbohen për në Republikën e Shqipërisë. E tërë ngjarja ka nisur më 14 maj të vitit 1999, kur është kryer një aksion lidhur me kërkimin e armëve dhe të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por pa ndonjë dyshim të bazuar. Pjesëtarët e kësaj njësie akuzohen së në mënyrë brutale kanë kryer vrasjen e civilëve në afërsi të qytetit të Pejës në Kosovë, duke u vënë thikën në fyt foshnjave dhe duke vrarë e djegur meshkujt me qëllim të pamundësimit të identifikimit të tyre. Në këtë proces do të ketë dëshmitarë të mbrojtur dhe po ashtu ka edhe dëshmitarë shqiptarë nga Kosova që kanë mbijetuar masakrën. Në këtë proces përfshihet edhe vrasja e Hasan Çekut, i ati i ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku. Aktakuza saktëson se Toplica Miladinoviq, komandant i degës territoriale ushtarake me numër 177, së bashku me të ndjerin Nebojsha Miniq, komandant të çetës së parë të grupit 177 të njohur si “ Shakalli” , dhe pjesëtarët e akuzuar dhe të dyshuarit Ranko Momiq, Pregdrag Vukoviq, Zoran Obradoviq, Milojko Nikoliq, Sinisha Mashiq, Sinisha Dunxher, ndaj të cilëve është duke u zhvilluar një proces i ndarë, kanë kryer dëbimin e shqiptarëve nga kjo zonë dhe kanë kryer spastrim etnik. Këta persona nuk janë sjellë në mënyrë njerëzore pavarësisht përkatësisë etnike, por kanë kryer dhe kanë urdhëruar një sulm të armatosur ndaj tërë popullsisë civile, më pas kanë kryer vrasje, kanë djegur shtëpi, makina, kanë marrë para nga viktimat, stoli, vetura, duke mos pasur asnjë arsyetim ushtarak dhe kanë shpërngulur popullatën për në Republikën e Shqipërisë. I akuzuari Toplica Miladinoviq, së bashku me Nebojsha Miniqin, më 13 maj të vitit 1999, në fshatrat Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, kanë filluar të përgatisin këtë ngjarje, ndërkaq më 14 maj kanë filluar bastisjet nëpër shtëpitë e këtyre fshatrave me qëllim të pabazuar, siç thuhet në aktakuzë, gjetjes dhe ekzekutimit të pjesëtarëve të UÇK-së dhe marrjes së armëve, por paraprakisht nuk ka pasur njohuri se atje gjenden pjesëtarë të UÇK-së pasi disa herë më parë kjo njësi ka bërë bastisje të fshatrave dhe është konstatuar se nuk ka pasur pjesëtarë shqiptarë të armatosur. Kjo njësi që nga marsi 1999 ka shkelur urdhrat e së drejtës ndërkombëtare duke kryer aksione ndaj popullatës civile, duke kryer vrasje individuale apo masive. Nebojsha Miniq ndërkaq së bashku me njësitin e tij kanë kryer sulme të armatosura pavarësisht se u është tërhequr vëmendja nga komandanti i policisë në Pejë. Në orët e paradites, sipas aktakuzës, të datës 14 maj, Miniq ka urdhëruar njësitin e tij që të nisen për në Qyshk së bashku me të dyshuarit e Mbrojtjes territoriale, Zoran Jashoviq dhe Vidoje Jashoviq, pjesëtarë të Stacionit policor të fshatit Kliqinë. Këta persona janë ndarë në katër grupe dhe kanë detyruar të gjithë civilët që gjenden në fshat të mblidhen në qendër të fshatit afër varrezave dhe shtëpitë e tyre të digjen. I akuzuari Abdulah Sokiq, kur është nisur në bastisjen e shtëpive ka vrarë dy civilë që kanë qenë në rrugë dhe janë nisur në drejtim të tyre, identiteti i të cilëve nuk dihet. Sreçko Popoviq së bashku me Boban Bogiçeviq së bashku me të dyshuarin Zoran Obradoviq dhe NN Bullatoviq dhe një grup të paidentifikuar të udhëhequr nga Popoviq afër pjesës së fshatit ku jetonte familja Gashi dhe familja e Ibish Kelmendit, kanë urdhëruar që civilët të grumbullohen në oborrin e familjes së Brahim Gashit dhe është urdhëruar që të mbahen në shenjë, ndërkaq më pas u janë marrë dokumentet dhe paratë e stolitë. Popoviq ka urdhëruar që së pari të vritet Rasim Rama, ndërkaq më pas Muhamet Shala dhe në fund Brahim Gashi. “ Mund t’ u bëni çfarë të doni, mund t’ i vrisni, t’ i digjni, të pritni, mund të bëni çfarë të doni me këta njerëz” , ka urdhëruar Popoviq. Më pas është urdhëruar në një grup prej rreth njëqind civilësh që të largohen nga aty duke shtënë mbi kokat e tyre. Ndërkaq dy grupe më pas kanë arritur te zona e fshatit ku kanë jetuar familja Çeku dhe kanë urdhëruar që banorët të mblidhen në oborrin e shtëpisë së Kadri Çekut dhe i kanë plaçkitur. Popoviq ka detyruar Kadri Çekun të futet në shtëpi, ku edhe e ka vrarë me gjashtë plumba. Ndërkaq Miniq dhe i dyshuari Mashiq kanë detyruar Hasan Çekun, babën e ish- kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, të futet në hambar dhe Miniq e ka prerë me thikë gjuetie në fyt, ndërkaq Sinisha Mashiq ka shtënë tri herë në të me pushkë automatike. Më pas në një shtëpi janë vrarë Haki Gashi dhe Selim Gashi në shtëpinë e Halit Gashit. Ngjarja ka vazhduar pasi janë grumbulluar rreth 300 civilë dhe janë detyruar të futeshin në oborrin e shtëpisë së Ajet Gashit ku janë ndarë meshkujt që janë vlerësuar si ushtarakisht të aftë. Aty fillimisht janë vrarë Sylë Gashi, Skënder Gashi dhe Muharrem Gashi. I dyshuari Zoran Obradoviq, së bashku me dy pjesëtarë të paidentifikuar të njësisë nga Qaush Lushi kanë marrë 100 mijë marka gjermane dhe një automobil sportiv, ndërkohë që Ibish Gashi është detyruar të futej në shtëpinë e Sali Rexhës që ka qenë e përfshirë nga flakët dhe e ka vrarë me një pushkë automatike. Ndërkaq më pas, rreth 250 banorë janë detyruar të largoheshin me 12 traktorë. Aty është vrarë edhe Qaush Lushi pasi e kanë detyruar të futej në nevojtore dhe kanë shtënë në të. Ndërkaq nga një distancë prej 30 metrash është vrarë edhe Avdi Berisha. Më pas nga meshkujt janë marrë të gjitha paratë dhe është detyruar Erzen Lushi që t’ i mblidhte rreth 20 mijë marka gjermane dhe të gjitha automjetet e tyre. Më pas është vrarë një grup prej dymbëdhjetë personave që janë detyruar të futeshin në shtëpinë e Azem Gashit. Aty është shtënë në Emin, Jashar, Ramë, Halil Gashin, Iber Kelmendin, Skëndër, Demë Kelmendin, Ukë, Osman Lushi, Ismet Dinaj, Gani Avdijaj dhe Isa Gashin, i cili ka arritur të hidhet nga dritarja. Për të fshehur gjurmë mbetjet mortore janë mbuluar me batanije dhe dyshekë dhe janë djegur. Ndërsa grupi prej dhjetë personash është futur në dhomën tjetër (Ahmet Gashi, Brahim Gashi, Besim Kelmendi, Erdogan Kelmendi, Brahim Kelmendi, Mentor Kelmendi, Sefedin Lushi, Hasan Avdijaj, Ramiz Lushi dhe Rexhë Kelmendi), në të cilët është shtënë. Edhe nga ky grup ka mbijetuar Rexhë Kelmendi, që është arratisur nëpër dritare. Në grupin e tretë kanë qenë Musa Gashi, Xhafer Gashi, Abdullah Lushi, Xhafer Lushi, Arijan Lushi, Zeqir Alijaj, Isuf Shala, Emrush Krasniqi, Skënder Alushi dhe Hazir Berisha. Ata janë dërguar në shtëpinë e Sahit Gashit dhe aty i akuzuari Popoviq ka lexuar “ aktvendimin” , duke thënë se “ në emër të shtetit të Serbisë të gjithë do të vriteni” dhe më pas është shtënë në ta nga pushkë automatike dhe nga pistoleta për t’ u siguruar se kanë vdekur. Edhe në këtë rast Hazir Berisha, i plagosur në të dy këmbët, ka arritur të arratiset nga dritarja. Procedura e veprimit me kufomat ka qenë e njëjtë. Të akuzuarit, sipas aktakuzës, kanë vrarë gjithsej 43 persona dhe janë larguar nga Qyshku me mbi 125 mijë marka dhe stoli në vlerë të panjohur. Kanë djegur mbi 40 shtëpi, 40 objekte të tjera, kanë dëbuar rreth 400 civilë.
Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • sale cv
    so, believe it or not, it can get worse here as well
Abonohu:
Adresa e-mail