Gjyqësori në SHBA: Ç'ndryshime priten në Gjykatën e Lartë?

Gjyqësori në SHBA: Ç'ndryshime priten në Gjykatën e Lartë?



02-05-2009

Anëtari i Gjykatës së Lartë amerikane, Dejvid Suter (David Souter) informoi të premten Presidentin Barak Obama se do të dalë në pension pas disa muajsh. Largimi i gjykatësit Suter i jep Presidentit rastin e parë për të bërë një emërim të ri në gjykatën më të lartë të vendit.

[insert caption here]
     Gjykatësi Dejvid Suter
Presidenti Obama ndërmori të premten një hap të pazakontë: ai hyri pa njoftuar në sallën ku po zhvillohej konferenca e përditshme për shtyp e Shtëpisë së Bardhë dhe tha se sapo kishte folur në telefon me Gjykatësin Suter duke konfirmuar njoftimet tashmë të përhapura se gjykatësi ka në plan të largohet nga posti në muajin qershor, kur Gjykata e Lartë t’u japë fund punimeve për këtë vit.

Presidenti tha se i kishte shprehur falenderime Gjykatësit Suter për shërbimin e tij të përkushtuar ndaj vendit.  

Tani, Presidentit Obama i duhet të emërojë një person tjetër që do t’i zinte vendin Gjykatësit Suter dhe ky person do të duhet të marrë konfirmimin e Senatit.  

Zoti Obama u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Gjykatësi Suter kishte treguar se ç’do të thotë të jesh një gjykatës i paanshëm dhe i pavarur. Ai tha gjithashtu se do të emërojë në këtë post një person që është i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit.

"Do të kërkoj një person me mendje të mprehtë dhe të pavarur, me një të kaluar të shkëlqyer ndershmërie. Do të kërkoj dikë që e kupton se kur flasim për drejtësi nuk kemi të bëjmë thjesht me një teori abstrakte apo me ca shënime në librin e gjyqtarit. Kjo ka të bëjë me faktin se si ligjet tona prekin realitetin e përditshëm të jetës së njerëzve."

Vendimi i Gjykatësit Suter për të dalë në pension nuk ishte ndonjë e papritur e madhe. Dihej që për vite me radhë ai i ishte ankuar miqve për jetën në Uashington dhe kishte shprehur shpesh dëshirën e papërmbajtur për t’u kthyer në fermën e tij në shtetin Nju Hempshër.

Suter është 69 vjeç dhe gëzon shëndet të mirë.

Ai u konfirmua në Gjykatën e Lartë në vitin 1990 dhe u emërua nga Presidenti George H. W. Bush.

Konservatorët shpresonin se Suter do të mbështeste pikëpamjet e tyre në Gjykatën e Lartë por ai zhgënjeu dhe zemëroi shumë prej tyre duke treguar se ishte një gjykatës me ide që anonin nga liberalët.  

Ja ç’thotë Douglas Kmiec, ekspert i çështjeve kushtetuese në Universitetin Pepperdine të Kalifornisë.

"Gjykatësi Suter ndonëse në fillim u tregua i moderuar, më pas e gjeti veten më afër me logjikën dhe opinionet e anës progresive."

Suter u bë një përkrahës i të drejtës së abortit, një prej çështjeve që i ndan më shumë se çdo gjë konservatorët nga liberalët. Në vitin 2000, kur çështja e numërimit të votave në garën presidenciale Bush-Gore u paraqit në Gjykatën e Lartë, Gjykatësi Sutër votoi në një grup me liberalët, të cilët humbën, gjë që i dha fitoren zotit Bush.

[insert caption here]
  Anëtarët e Gjykatës së lartë
Në Gjykatën e Lartë me 9 anëtarë, Suter ka qenë vazhdimisht pjesë e bllokut prej katër gjyqtarësh që anojnë nga pikëpamjet liberale. Katër gjykatës të tjerë përbëjnë bllokun konservator të drejtuar nga Kryetari i Gjykatës, Xhon Roberts. Gjykatësi Anthoni Kenedi, anon mes të moderuarve dhe konservatorëve kur është fjala për çështjet më të rëndësishme, pra vota e tij nuk dihet kurrë me siguri.  

Pritet që Presidenti Obama të emërojë një gjykatës me prirje liberale në vend të Gjykatësit Suter, gjë që do të thotë se në balancën ideologjike të Gjykatës së Lartë do të ketë pak ndryshim.

Ja ç’thotë studiuesi i çështjeve ligjore në Universitetin Harvard, Lorenc Trajb.

"Balanca e gjykatës, ku katër janë liberalë, katër konservatorë dhe një në mes – Gjyqtari Kenedi, nuk do të ndryshojë si rrjedhojë e vendimit të Gjykatësit Suter për t’u larguar.”

Shumë ekspertë ligjorë dhe politikë parashikojnë se kandidateve gra dhe hispanikëve do t’u kushtohet shumë vemendje gjatë kërkimit të personit që do të zëvendësojë Gjykatësin Suter. 76-vjeçarja Ruth Bejdër Ginsburg është e vetmja grua në Gjykatë dhe asnjë hispanik nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i kësaj gjykate.

Ekspertët venë në dukje se emërimi i gjykatësit Suter tregon se në këto raste prirjet e njërit apo tjetrit kandidat është vështirë të parashikohen me saktësi.  

Susan Low Bloch, profesore e së drejtës në Universitetin Georgetown në Washington, shprehet kështu:

"Megjithëse presidentët mund të emërojnë cilin të duan në Gjykatën e Lartë, ata nuk mund të kontrollojnë veprimet e anëtarit të gjykatës kur ai ka ardhur në këtë post. Kjo na kujton edhe një herë faktin se gjykatësit janë njerëz të pavarur."

[insert caption here]
Ndërtesa e Gjykatës së Lartë
Pasi presidenti të ketë bërë emërimin e personit që do të zëvendësojë Gjykatësin Suter, ai person do të duhet të dalë para Komisionit Juridik të Senatit për seancat e dëgjimit dhe pastaj të marrë konfirmimin nga i gjithë Senati.

Puna e Gjykatës së Lartë për këtë vit përfundon në fund të muajit qershor dhe Presidenti Obama kërkon që konfirmimi i anëtarit të ri të bëhet në kohë, pra para se të fillojë mandati i ri i Gjykatës së Lartë në fillim të tetorit. //ii

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail