Autonomia e zbatimit të ligjit komunitar - Iva Zajmi

Iva Zajmi

Ky punim flet për doktrinën e Gjykatës Europiane të Drejtësisë mbi autonominë e rendit ligjor komunitar në raport me rendin ligjor të brendshëm të vendeve anëtare por edhe me të drejtën ndërkombëtare publike në përgjithësi. Ligji europian i njohur ndryshe si acquis communautaire përfshin traktatet e BE dhe KE, legjislacionin dytësor të miratuar nga institucionet europiane, parimet e përgjithshme të ligjit europian të përpunuara nga Gjykata Europiane e Drejtësisë si edhe marrëveshjet ndërkombëtare ku Komuniteti ose BE janë palë. Legjislacioni europian përpunohet nga institucionet europiane të cilat ruajnë një status të pavarur apo autonom në punën e tyre nga qeveritë e vendeve anëtare. Pra legjislacioni europian i miratuar kryesisht prej institucioneve të BE është relativisht i pandikuar prej qeverive kombëtare, por del me qëllim për t’u zbatuar prej tyre, duke u inkorporuar në ligjin e brendshëm. Ligji europian zbatohet nga organet kombëtare të pushtetit, por interpretohet në mënyrë përfundimtare nga Gjykata Europiane e Drejtësisë. Gjykata Europiane e Drejtësisë e ka interpretuar ligjin komunitar si bartës të dy cilësive kryesore: efektit të drejtpërdrejtë dhe superioritetit ndaj legjislacionit të brendshëm të zakonshëm. Këto cilësi i gëzojnë edhe marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga BE apo KE me vende jo anëtare. Në këtë kuadër kjo paraqitje synon të shtrihet edhe në nivelin e zbatimit dhe efektet që sjell Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE si në rendin ligjor komunitar por edhe në atë kombëtar të Shqipërisë.

I.Autonomia  e  Rendit  Juridik  Komunitar:  Përparësia  dhe  Efekti  I Drejtpërdrejtë

Ekzistenca e një rendi juridik komunitar autonom nga rendet ligjore të brendshme të Shteteve dhe i karakterizuar nga atributet tipike të sistemeve juridike më të përkryera – ndër  të  cilat  pavarësia  e  tre  funksioneve  klasike  shtetërore:  normative,  ekzekutive, gjyqësore1  – tashmë njihet nga të gjithë. Por fillimisht perceptimi mbi sistemin komunitar nuk ishte kështu: mungesa e një sfere zotërimi ekskluziv të Komuniteteve – si pasojë emungesës së  pushtetit  territorial  -  i  shtyu  disa  autorë  të  shpjegojnë  në  mënyrë  të ndryshme  pozicionin dhe atributet e komuniteteve, duke dalluar efektet që ato krijojnë brenda Shteteve anëtare – në të drejtën e brendshme në të cilën Traktatet krijojnë në një fare  mase  një  lloj  uniformiteti  –  si  edhe  efektet  që  krijojnë  në  marrëdhëniet  midis Shteteve, të cilat, edhe pse me një karakter shumë origjinal, i përkasin ekskluzivisht të drejtës ndërkombëtare.

Teza e ekzistencës së rendit ligjor komunitar ka ardhur duke u konsoliduar dora-dorës në mënyrë që të  garantohej zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të tij në rendin ligjor të brendshëm – jo vetëm të traktateve, por edhe të gjithë normave të tjera të legjislacionit dytësor2  – pa asnjë nevojë transformimi  të mëtejshëm nga organet kombëtare. Për këtë duhej  të  kapërcehej  paragjykimi  i  përhapur  në  shumë  vende,  sipas  të  cilit  traktatet ndërkombëtare krijojnë ekskluzivisht të drejta dhe detyrime mes Shteteve palë,3  të cilat edhe  në  rastin  kur  kanë  zbatimin  e  nevojshëm  në  sistemin  e  brendshëm,  ato  do  të mbeteshin gjithsesi detyrime që i drejtohen organeve të Shtetit dhe jo subjekteve private.

Rasti i parë kur Gjykata e Drejtësisë diskutoi mundësinë për të konsideruar direkt të zbatueshme një normë të traktateve ishte në çështjen Van Gend en Loos.4  Ky është rasti kur një tregtar holandez sfidoi në gjykatë autoritetet doganore të vendit të tij për shkak të aplikimit  të  një  takse  doganore  mbi  produktet  kimike  që  ai  kishte  importuar  nga Gjermania, edhe pse Holanda kishte nënshkruar traktatin së bashku me Gjermaninë për

krijimin progresiv të tregut të brendshëm. Në bazë të Traktatit mbi KE të gjitha vendet kanë detyrimin  e standstill ndaj njëri-tjetrit d.m.th të ngrirjes së detyrimeve doganore aktuale me njëri-tjetrin dhe të mosfutjes së taksave të reja në këtë aspekt. GJED e thirrur për një mendim paraprak në atë rast u shpreh  se detyrimi që buron nga TKE Neni 12 lidhur me mos-ndryshimin e detyrimeve doganore është  absolut  dhe i qartë dhe nuk kërkon akte të tjera për t’u bërë i zbatueshëm. Si i tillë ai ka efekt direkt dhe duhet të zbatohet si mbi shtetet anëtare ashtu edhe mbi personat fizikë apo juridikë që janë të përfshirë  në marrëdhënie          tregtare       ndërkufitare         me     njëri-tjetrin.         Në     këtë

rast zbatueshmëria  e  drejtpërdrejtë  dhe  e  menjëhershme  e  normave  të  Traktatit  KEE identifikohej  me  efektin  e  drejtpërdrejtë  të  saj,  pra  nga  qëndrimi  i  saj  krijoheshin pozicione juridike subjektive të individëve (qofshin persona fizikë apo juridikë). Ndërsa në raste të tjera zbatimi i drejtpërdrejtë i një  norme të së drejtës komunitare nuk sjell domosdoshmërisht  efektin  e  drejtpërdrejtë  të  saj.  Kjo  nuk  ia  heq  efektin  detyrues normave të traktatit.

Arsyetimi i gjykatës mbi zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të normave të TKE lidhet me formulimin e qartë të detyrimit që përmbajnë normat e traktatit, i cili nuk kërkon detajime të mëtejshme dhe është i aftë të krijojë efekte të drejtpërdrejta. Këtë opinion GJED e ka shprehur qartë në rastin Demirel, ku theksoi se:

Një dispozitë në një marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar nga Komuniteti me vende  jo   anëtare,  duhet  të  konsiderohet  si  e  zbatueshme  në  mënyrë  të drejtpërdrejtë kur, duke  pasur parasysh formulimin, qëllimin dhe natyrën e vetë marrëveshjes, dispozita përmban një detyrim të qartë dhe të saktësuar, i cili nuk i nënshtrohet, për sa i përket zbatimit ose efekteve të tij, miratimit të ndonjë mase pasuese.5

Për normat e Traktatit që nuk e kanë këtë shkallë qartësie në formulim, krijimi i efekteve detyruese është  subjekt i normave të mëtejshme zbatuese komunitare apo shtetërore. Megjithatë asgjë nuk e ndryshon natyrën e tyre detyruese dhe absolute edhe kur ato nuk janë të vetëzbatueshme. Thjesht zbatimi është  subjekt i nxjerrjes së akteve vijuese të zbatimit.

I  njëjti  qëndrim  shprehet  drejtpërdrejt  në  Traktat  apo  në  opinionet  e  Gjykatës  së Drejtësisë  edhe  mbi  normat  e  legjislacionit  dytësor.  Kështu  sipas  Nenit  249  TKE rregulloret janë drejtpërdrejtë të  zbatueshme në çdo Shtet anëtar: sidoqoftë kjo nuk domethënë që ato krijojnë të drejta dhe detyrime ndaj privatëve që gjyqtarët e brendshëm duhet të respektojnë. Siç thotë Gjykata Kushtetuese Italiane në një vendim të vonë,[rr]egulloret, nëse kanë përmbajtje dispozitive të plotë, zbatohen menjëherë në sistemin italian,  meqë është e paligjshme ndërvendosja6   e burimeve normative kombëtare  që  në  çfarëdo   mënyre  kushtëzojnë  efektin  e  detyrueshëm.  Kjo megjithatë nuk e përjashton nevojën që në  disa raste zbatimi i këtyre akteve komunitare kërkon jo thjesht një aktivitet ekzekutiv, por edhe ndërhyrjen e akteve normative  të  brendshme,  edhe  të  rangut  të  parë.7    Kjo ndodh  kur  e  kërkon shprehimisht vetë rregullorja, ose duhen mbuluar shpenzime të reja më të mëdha që rrjedhin nga kjo, ose kur është e domosdoshme të krijosh poste ose shërbime administrative,  ose  kur  duhet  të  krijohen  mënyra  zbatimi  konkrete.  Nevoja e drejtimit tek instrumenti legjislativ është shumë e madhe kur, siç ndodh shpesh,rregullorja komunitare nuk është plotësisht “e vetëmjaftueshme”, por paraqet një përmbajtje   të   paplotë  në  disa  aspekte,  dhe  është  kështu  e  pazbatueshme menjëherë.

Një opinion i ngjashëm në favor të zbatueshmërisë së drejtpërdrejtë është dhënë nga GJED edhe për  direktivat, të cilat nga përcaktimi që u është bërë në Traktat kanë të detyrueshme qëllimin apo objektivin, por jo mënyrën e tyre të zbatimit. Rrjedhimisht, për t’u bërë plotësisht efektive u kërkohet  shteteve që ajo u drejtohet të nxjerrin normat e përshtatshme të zbatimit. Pyetjes nëse direktiva mund  të  konsiderohet drejtpërdrejt e zbatueshme edhe pse shtetet duhet të ndërhyjnë pozitivisht për  zbatimin  e tyre duke nxjerre akte normative zbatimi, i është përgjigjur GJED në një opinion të dhënë prej saj në të ashtuquajturin rastin Francovich dhe të tjerë kundër Republikës së Italisë.9  Sipas

Direktivës 80/98710 të KEE për mbrojtjen e të punësuarve nga shtetet në rast falimentimi të biznesit lidhur me pagesën e rrogës dhe të sigurimeve të plota shoqërore, pavarësisht nga dividentët likuidues të  kompanisë u takon shteteve të krijojnë garanci ligjore të brendshme për këtë situatë. Në këtë rast, Andrea Francovich, Daniella Bonifaci dhe disa prej kolegëve të tyre nuk u dëmshpërblyen sa duhet kur firma për të cilën ata punonin, falimentoi. Meqenëse Italia kishte dështuar në zbatimin e Direktivës 80/987 të KEE në afat, nuk kishte asnjë garanci ligjore kombëtare se pagat e tyre do të paguheshin ose që ato do të kompensoheshin në ndonjë formë tjetër. Të punësuarit e prekur vendosën të padisnin drejtpërsëdrejti shtetin Italian në gjykatë. Gjykata kombëtare, së cilës iu drejtua çështja, ia kaloi atë  GJED për një vendim paraprak, meqenëse ligji italian nuk kishte përgatitur ndonjë dispozitë për një  kompensim të tillë.

Në gjykimin e vet të 19 nëntorit 1991, Gjykata Europiane vendosi për të dëmtuarit se ata mund të kërkonin që pagat e tyre të plota të paguheshin nga shteti italian. Duke vepruar kështu, Gjykata Evropiane vendosi një precedent të ri në çështjen ligjore evropiane. Për pasojë, shtetet anëtare që dështojnë në zbatimin e një direktive brenda afatit mundet që, në rrethana të caktuara, të paditen prej qytetarëve të tyre për t’u kompensuar, edhe pse në ligjin kombëtar nuk ka dispozita për këtë. Pra, Gjykata në këtë rast mbrojti qëndrimin se Direktiva është e aftë të krijojë efekte ligjore të menjëhershme me hyrjen e saj në fuqi, pavarësisht nëse shteti i ka nxjerrë normat e brendshme të zbatimit apo jo. Mund të themi se cilësia e zbatimit të drejtpërdrejtë e fitoi të drejtën e qytetarisë për të gjitha normat e ligjit komunitar parësor apo dytësor të afta për të krijuar efekte direkte.

Në vitin pasues, Gjykata e Drejtësisë në çështjen Costa v. Enel,11  vendoste përkrah parimit të zbatueshmërisë së drejtëpërdrejtë atë të superioritetit të normës komunitare mbi normën kombëtare, qofshin ato ligje ose norma të rangut kushtetues. Pra, përsëri kemi jo një normë traktati, por një vendim të GJED për interpretimin dhe zbatimin e së drejtës komunitare nga shtete anëtare. Në çështjen Costa kundër E.N.E.L., GJDE vendosi se ligji i  Komunitetit  merr  përparësi  ndaj  legjislacionit  të  brendshëm.  Një   avokat  italian, Flaminio Costa, nuk kishte pranuar t’i paguante kompanisë kombëtare elektrike italiane (ENEL) faturën e tij të energjisë elektrike, pra një shumë relativisht të vogël prej 1925 liretash. Costa  debatoi që ligji Italian i 6 dhjetorit 1962 për shtetëzimin e kompanisë elektrike ishte në kundërshtim  me  ish-Nenet 102, 92, 53 dhe 37 të TKEE pasi për të kishte shkelje të konkurrencës në tregun e  brendshëm nga ENEL, për kompensim të padrejtë, etj.. Kjo për shkak të shtetëzimit disa kohë më parë të ENEL, që e vinte atë në një pozitë më të favorshme krahasuar me konkurrentë të tjerë në treg. Gjykata e faktit e Milanos i dërgoi një peticion GJED për të përgatitur një vendim paraprak lidhur me kontradiktën midis ligjit kombëtar Italian për shtetëzimin e ENEL dhe Neneve të TKEE, të renditura më lart.

Gjykatës Europiane nuk iu kërkua të vendoste nëse dhe si duhet ta paguante Costa faturën e tij për energjinë elektrike. Synimi i peticionit ishte të kërkonte sqarim për lidhjen midis ligjit europian dhe ligjit  kombëtar. Kur vendosi t’i japë përparësi ligjit të Komunitetit ndaj ligjit kombëtar, GJED tha se Komuniteti ka një rend ligjor autonom, i cili u njoh nga shtetet anëtare kur ata hoqën dorë nga disa të drejta sovrane dhe nënshkruan traktatet e Komuniteteve. Rendi ligjor i Komunitetit merr përparësi ndaj  legjislacionit kombëtar, meqë ligji kombëtar do të shkatërronte realizimin e objektivave të traktatit nëse ligjit të Komunitetit do t’i atribuoheshin shkallë të ndryshme vlefshmërie nga njëri shtet anëtar tek tjetri. Rrjedhimisht, ligji kombëtar që bie në kundërshtim me ligjin e Komunitetit nuk mund të zbatohet në asnjë rast.

Vendimi i Gjykatës Europiane mbi përparësinë e ligjit të Komunitetit në çështjen Costa kundër ENEL u zhvillua paskëtaj në një vendim të mëvonshëm, atë Simmenthal kundër Komisionit të Komuniteteve Europiane.12 Simmenthal kundër Komisionit të Komuniteteve Evropiane ishte bazuar në këto fakte: në  korrik 1973 një firmë italiane, Simmenthal, importoi mish viçi  nga Franca në Itali dhe asaj iu desh të paguante një taksë sipas ligjeve italiane për kontrollet e shëndetit. Firma Simmenthal debatoi se këto taksa shkelnin ligjin e Komunitetit lidhur me lëvizjen e lirë të mallrave dhe ndalimin e taksave doganore në kufi apo të detyrimeve të tjera me efekt të njëllojtë me to, dhe për këtë bëri një kërkesë që ta zhdëmtonin. Kontrollet shëndetësore ishin futur ne Itali si rezultat i një rregulloreje të Komunitetit Europian që bënte thirrje për marrjen e masave për kontrollin e sigurisë së ushqimeve të importuara nga pikëpamja e mbrojtjes së shëndetit.GJED shpalli vendimin e saj të ngjashëm me atë të dhënë në çështjen Costa kundër ENEL. Ajo riafirmoi pamundësinë e zbatimit të ligjit kombëtar ekzistues që u gjend në kundërshtim me ligjin e  Komunitetit, pasi përbënte një tarifë me efekt ekuivalent me detyrimin doganor të ndaluar prej TKE,13  dhe më tej mori vendim që shtetet anëtare janë të detyruara të mos miratojnë asnjë legjislacion të  brendshëm, që bie ndesh me ligjin ekzistues të Komunitetit. Ajo në të cilën shteti italian kishte gabuar  ishte shoqërimi I kontrollit të  detyrueshëm  shëndetësor  të  ushqimit  me  një  tarifë  në  kufi  që  ndalohej shprehimisht nga TKE neni 23 i hyrë në fuqi në Itali që në 1957, kur TKE ishte ratifikuar nga Italia. GJED është e detyruar të mbrojë autoritetin dhe efektshmërinë e zbatimit të ligjit komunitar në shtetet anëtare, meqë  funksionimi i komunitetit dhe zbatimi i ligjit komunitar është në dorë të shteteve anëtare. Shkalla e zbatimit të ligjit europian varet nga bashkëpunimi i organeve të pushtetit dhe gjykatave kombëtare. Prandaj, në një komunitet ku mungojnë mjetet shtrënguese, mënyra e veprimit të organeve të pushtetit në vendet zbatuese duhet të jetë në linjë me frymën e ligjit komunitar të interpretuar ngushtësisht nga Gjykata e Drejtësisë.Sipas Gjykatës së Drejtësisë, rendi komunitar është një rend i llojit të ri në fushën e së drejtës  ndërkombëtare që ka si subjekte jo vetëm Shtetet anëtare, por edhe qytetarët e tyre;  një  rend  juridik  autonom,  që  integrohet  në  rendet  e  Shteteve  anëtare  dhe  iu imponohet  organeve  gjyqësore  të  këtyre  të  fundit.  E  drejta  komunitare  ka  karakter imperativ dhe absolut: organet kombëtare  kompetente  nuk mund të zbatojnë norma të brendshme që rezultojnë të papajtueshme me Traktatin dhe, nëse ndodh kështu, duhet të merren të gjitha masat e nevojshme për të mundësuar ushtrimin e efektit të plotë të së drejtës komunitare. Normat komunitare duhet të zbatohen automatikisht, njëkohësisht dhe  me  të njëjtën efektshmëri në të gjithë kuadrin e Komunitetit dhe duhet të kenë superioritet absolut ndaj së drejtës së brendshme të Shteteve anëtare, edhe kur bëhet fjalë për masa ligjore të mëparshme. Komuniteti bazohet tek vullneti i shteteve pjesëmarrëse për të marrë pjesë në të dhe për t’iu bindur detyrimeve që rrjedhin prej anëtarësisë në të. Marrëdhëniet ndërmjet së drejtës komunitare dhe të  drejtave  të brendshme të shteteve anëtare janë marrëdhënie koordinimi, d.m.th. ato zbatohen  njëkohësisht pavarësisht se vijnë nga burime të ndryshme dhe në të njëjtën hapësirë ligjore. Në rast  mospërputhje hierarkia e normave komunitare duhet të mbizotërojë.Kuptohet  që  dy  karakteristikat  e  zbatueshmërisë  së  drejtpërdrejtë  dhe  e  parësisë (superioritetit) mbi rendet e Shteteve anëtare janë të domosdoshme për një komunitet që duke mos pasur superioritetin që vjen nga fuqia shtrënguese ndaj Shteteve anëtare, duhet të mbështetet fort mbi rendin e vet juridik. Këto që thuhen nuk vlejnë vetëm për normat vetë-ekzekutuese  (self-executing) të Traktateve,14  por edhe për instrumentet juridike të caktuara për të zbatuar objektivat e paracaktuara (e ashtuquajtura e drejtë komunitare e prejardhur).  Pra, këto cilësi i gëzojnë si normat e vetë-zbatueshme të Traktatit15  ashtu edhe vendimet e legjislacionit dytësor si rregullore, direktiva dhe vendime të miratuara nga Institucionet Komunitare në zbatim të objektivave të Traktatit. Për  legjislacionin dytësor, përveç rregulloreve, parimi i efektit te drejtpërdrejtë sipas Gjykatës vlen edhe për  direktivat,  në  masën  që  ato  shprehin  detyrime  të  qarta  dhe  të  sakta  për  Shtetet anëtare.Por, autonomia  e  së  drejtës  komunitare  lidhet  edhe  me  gjerësinë  e  fushës  së  saj  të parashikimit si edhe me fuqinë e efekteve që krijon ajo brenda Shteteve anëtare. Nuk janë të pakta traktatet ndërkombëtare që krijojnë forma të gjera bashkëpunimi mes palëve; por atyre u mungon si mundësia për të hyrë në kontakt të drejtpërdrejtë me jetën e privatëve (persona fizikë apo juridikë si edhe qytetarë të thjeshtë, punëtorë apo studentë, si subjekte

të të drejtave të tregut të brendshëm),17  ashtu edhe prania e një aparati organesh tëveçanta për  krijimin  dhe  zbatimin  e  së  drejtës  autonome  të  organizatës.  Edhe  kur ekzistojnë  këto   institute  mund  të  shpjegohen  me  figurën  e  organit  të  përbashkët ndërqeveritar  dhe  jo  të  organeve  komunitare  autonome  prej  shteteve  sikurse  janë institucionet komunitare.Kjo vlen edhe për zbatimin e një të drejte të krijuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. As në këtë rast normat e zbatuara dhe vendimet e nxjerra nuk bëjnë pjesë në një rend juridik të veçantë. Nuk ka me fjalë  të tjera, një “kategori“ marrëdhëniesh juridike objekt të normativës së traktatit të paqes (të Versailles)  që të përcaktohen në bazë të cilësive të brendshme dhe jo nëpërmjet një zgjedhje “tipologjike“ mes marrëdhënieve që i përkasin rendeve të Shteteve anëtare. Me Komunitetet europiane kemi një hap cilësor: konfigurimi i një rendi të tyre autonom si pasojë e shtrirjes së gjerë të punës që ata kryejnë.Nga ana tjetër e drejta komunitare dallohet thellësisht nga e drejta ndërkombëtare sepse kjo e fundit  zakonisht nuk parashikon situata juridike subjektive për individët. Në të drejtën komunitare, në prani të normave drejtpërdrejt të zbatueshme verifikohet fenomeni i krijimit të menjëhershëm të të drejtave edhe  për “qytetarët e thjeshtë të tregut”  të Shteteve anëtare,  pavarësisht  nga  masat  e  brendshme  të  zbatimit.  Kush  e  shqyrton çështjen nga pikëpamja e së drejtës së brendshme gjen para vetes të drejtën e personit të krijuar në një sistem të ndryshëm nga i veti por të integruar në të: detyra që shtrohet është të zbatohet konkretisht norma komunitare, dhe jo të rikrijohet dhe të zbatohet norma që duhet ta lindë të drejtën e parashikuar në të. Ndërkaq, nuk kemi një problem si ai që lind nga nevoja e zbatimit të normës ndërkombëtare në kuadrin  e  së drejtës së brendshme, pasi e drejta komunitare është e vetë-zbatueshme dhe superiore ndaj ligjit të brendshëm.Edhe duke pranuar që e drejta komunitare është një rend i veçantë i rrjedhur nga e drejta ndërkombëtare   e   përgjithshme19    -  siç  janë  rendet  e  brendshme  të  organizatave ndërkombëtare – duhet sidoqoftë që të njihen karakteristikat që e bëjnë atë një unicum, një ent unikal, të vetëm në rendin ligjor ndërkombëtar. Kemi thënë gjithashtu që ai ka një bazë absolutisht origjinale në marrëdhënien mes  vullnetit  për bashkëpunim të Shteteve anëtare dhe objektivave të këtij bashkëpunimi. Objektivat e Komunitetit – vëren Louis – afrimi i popujve, atribuimi i pushteteve ushtrimi i të cilëve ka medoemos një ndikim mbi privatët, pjesëmarrja e  qytetarëve në organet e Komunitetit (Parlamenti Europian dhe Komiteti Ekonomik dhe Shoqëror),  organizimi i proceseve gjyqësore dhe, sidomos, i çështjeve paragjykimore20 – janë shembuj që konfirmojnë që individët janë drejtpërdrejtë

të interesuar dhe të ndikuar nga e drejta komunitare. Gjykata mundet, pra, të konkludojë që  komuniteti   përbën  një  rend  juridik  të  një  lloji  të  ri  në  fushën  e  së  drejtës ndërkombëtare,  në  favor  të  të  cilit  shtetet  kanë  hequr  dorë,  edhe  pse  në  sektorë  të përcaktuar, nga pushtetet e tyre sovrane; rend që njeh si subjekte jo vetëm Shtetet anëtare por edhe qytetarët e tyre. Duke e parë nga një optikë më e lartë, marrëdhënia mes rendit ndërkombëtar dhe rendit të brendshëm të Shteteve, është një raport koordinimi meqë janë dy rende autonome, çdonjëri prej të cilëve nuk varet prej tjetrit. Raporti mes rendit komunitar dhe rendeve të Shteteve anëtare, sipas Louis, është një raport integrimi, meqë i pari është i destinuar të integrohet në të dytët, në respekt të plotë të superioritetit të rendit ligjor komunitar ndaj atij të brendshëm kombëtar.Një çështje e fundit është kjo: rendi komunitar a është fillestar – a buron nga vetvetja? Qëndrim pohues mban Morelli që nuk mund të mbështetet më tek teza e prejardhjes nga e drejta        ndërkombëtare, përderisa   traktati   themelues,  akt     që      varet  nga    e        drejta ndërkombëtare  “e  ka  ezauruar  funksionin  e  vet  me  krijimin  efektiv  të  rendit  të Komuniteteve“.  Qëndrim negativ mban Carbone për shkak të “varësisë konstante dhetotale të sistemit komunitar nga disa akte të rendit ndërkombëtar” dhe Sorrentino sepse “duke mos ndryshuar, veçse në fazën fillestare, procedurën për rishikimin e traktateve themeluese, nga ajo që ndiqet zakonisht për përfundimin e marrëveshjeve ndërkombëtare… është pasur si qëllim krijimi i rendeve autonome; por që nuk kanë karakter fillestar, duke theksuar  madje varësinë nga e drejta ndërkombëtare e përgjithshme.” Natyra e instrumenteve  ndërkombëtare   që   kanë  traktatet  themeluese,  nuk  është  një  “mëkat fillestar“ që do të shënojë më pas gjithë jetën e rendit komunitar: “kufizimi” i traktatit lind nga fakti i vullnetit të bashkëpunimit mes Shteteve për të  zhvilluar dhe vënë në veprim Komunitetin që është baza e vërtetë e ekzistencës së tij.

2.       Mekanizmat e zbatimit të së drejtës komunitare

Në rendet shtetërore normat juridike të jashtme veprojnë lidhur me një seri dispozitash të tjera, nga të  cilat  nga një anë kemi ato që përcaktojnë objektivin e normës me termat juridike të sistemit, nga ana tjetër ato që garantojnë zbatimin apo procedurën e veprimit, eventualisht edhe kundër vullnetit të  subjektit  ndaj të cilit vendoset një detyrim. Siç e kemi parë në rendin komunitar normat e tipit të parë në pjesën më të madhe të rasteve “nxirren” nga Shtetet, duke qenë se qëllimet e deklaruara të Komunitetit dhe të së drejtës së tij si edhe mjetet e përzgjedhura të realizimit të qëllimit,23 janë të gjitha të vendosura brenda Shteteve. Komuniteti, me fjalë të tjera, nuk ka një sferë të vetën të sundimit në të cilën të  realizojë, në mënyrë të pavarur nga Shtetet, rendin ekonomik dhe social që ai synon, dhe të mirat  juridike me të cilat ai merret i përkasin një sfere të njohur për interesat  e  Shtetit,  që  ky  i fundit  i  rregullon  me  ligj:  siç  e  kemi  vënë  re  më  parë, Komuniteti përgjithësisht merret me marrëdhënie dhe situata që Shteti rregullon  pa asnjë përjashtim.Edhe normat e “garancisë” – ato të tipit të dytë24  – janë të varura nga norma të tjera të rendit të brendshëm. Po të ndalojmë në fushën e së drejtës civile, një kontratë që krijon detyrime – për shembull një marrëveshje mos-konkurrence – ka një kuptim kur shërbimi që përbën objektin e saj ka garancinë e zbatimit nga rendi ligjor që ajo i përket, pra rendi ligjor i brendshëm. Pra, në rast mospërmbushje, kjo arrihet përmes një mase zhdëmtimi në favor të kreditorit të dëmit që ai ka pësuar, zhdëmtim që  konsiston  në marrjen e të mirave nga pasuria e tij, gëzimi i të cilave garantohet normalisht.Në çështjen Salgoil  Gjykata e Drejtësisë e Komuniteteve Europiane pohon lidhur me masat me efekt ekuivalent me kufizimet sasiore26  se “i takon rendit juridik kombëtar të përcaktojë se cili është gjyqtari kompetent për garantimin e kësaj mbrojtjeje (mbrojtja e të drejtave subjektive që rrjedhin nga Traktati) dhe, për këtë qëllim, të vendosë si duhet të cilësohet pozicioni individual i mbrojtur në këtë mënyrë”. E njëjta pikëpamje theksohet në disa vendime të  mëpasshme dhe sidomos në dy vendimet në Rewe dhe Comet.27  E pyetur  mbi  çështjen  nëse  një  kërkesë  nga  i  interesuari  për  rikthimine  taksave  të brendshme kombëtare që janë në kundërshtim me të drejtën komunitare sepse janë të barazvlefshme  me  taksat  doganore,  një  administratë  kombëtare  mund  t’i  kundërvejë afatet e rënies ose të parashkrimit të përcaktuara nga e drejta e saj, Gjykata iu përgjigj se, në zbatim të parimit të bashkëpunimit të përcaktuar nga neni 5 i Traktatit të Komunitetit Europian,  i  takon  gjykatave  të  brendshme  të  garantojnë  mbrojtjen  gjyqësore  ndaj qytetarëve sipas normave të së drejtës komunitare, meqë ato kanë efekt të drejtpërdrejtë. GJED  shtoi  se  në  mungesë  të  një  disipline  të  veçantë  komunitare  i  takon  rendit  të brendshëm të çdo Shteti të caktojë gjyqtarët e brendshëm  kompetentë dhe procedurat gjyqësore që duhen ndjekur për të garantuar zbatimin e së drejtës komunitare.Në rastin më të fundit, Factortame,28  Gjykata e Drejtësisë ka vendosur që në raste të caktuara, vetë e drejta komunitare mund t’ju atribuojë drejtpërdrejt autoriteteve gjyqësore kombëtare pushtetet e nevojshme për të garantuar mbrojtjen efektive gjyqësore të këtyre të drejtave, kur nuk ekzistojnë pushtete analoge në rendin e brendshëm. Nga ky vendim del se e drejta komunitare u imponon gjyqtarëve të brendshëm të pezullojnë zbatimin e një norme kombëtare që vlerësohet kundër të drejtës komunitare edhe kur, në bazë të së drejtës së brendshme, nuk kanë pushtetin të marrin masa provizore për  pezullimin e normave të brendshme.

Nga jurisprudenca e sjellë del se baza e detyrimit të Shteteve për të zbatuar konkretisht të drejtën komunitare është përcaktuar në nenin 5 TKE, sipas të cilit Shtetet anëtare marrin të gjitha masat me karakter të përgjithshëm ose të veçantë për të siguruar ekzekutimin e detyrimeve që burojnë nga ky Traktat ose që përcaktohen nga vendimet e institucioneve të Komunitetit. Ato lehtësojnë këtë të fundit në përmbushjen e detyrave të veta. Sidoqoftë zbatimi  i  së  drejtës  komunitare  nuk  është  prerogativë  ekskluzive  e  gjyqtarëve,  por përfshin aktivitetin administrativ si dhe legjislativ të Shteteve anëtare. Siç thotë Kovar, aparati administrativ i Shtetit vihet në dispozicion të Komuniteteve për ekzekutimin e vendimeve  të  tyre:  forca  publike,  si  edhe  organizimi  gjyqësor  i  Shtetit  sigurojnë respektimin e tyre.Natyra e instrumentit të së drejtës komunitare që marrin organet e Shtetit në këtë aktivitet nuk është e shkëputur nga fakti që për ta parapërgatitur nxirren akte administrative me fuqi të përgjithshme  (dekrete  të Presidentit të Republikës, vendime ministrore) meqë qëllimi i këtyre akteve zakonisht është të krijojnë mënyra uniforme për zbatimin e së drejtës  komunitare nga ana e të gjithë organeve të administratës, ose të modifikojnë aparatin administrativ ekzistues për t’i krijuar mundësinë të veprojë si organ i së drejtës komunitare ose edhe për të krijuar,  për llogari të së drejtës komunitare, akte jashtë atributeve të saj.Sipas Gjykatës  së  Drejtësisë,  autoritetet  administrative  të  Shteteve  anëtare  edhe  kur veprojnë si  instrument i së drejtës komunitare nuk bëhen organe të Komunitetit, por veprojnë në emër të vet e me përgjegjësinë e vet. Ky pohim futet në kontekstin e teorisë së integrimit vertikal e mbështetur nga Gjykata për të shpjeguar raportin rend komunitar- rend kombëtar. E njëjta gjë mund të thuhet për pohimin e  Gjykatës se kontrolli mbi aktivitetin  administrativ  të  zhvilluar  nga  Shtetet  anëtare  për  zbatimin  e  së  drejtës komunitare i përket para së gjithash gjyqtarëve kombëtarë, duke ruajtur mundësinë e këtyre  të  fundit  për  t’i  drejtuar  pyetje  paragjykimore  Gjykatës  së  Drejtësisë.  Kjo  i përgjigjet  konceptit,  të  dashur  për  Gjykatën,  të  ndarjes  së  kompetencave  ndërmjet organeve zbatuese shtetërore dhe atyre komunitare për zbatimin e ligjit komunitar.

3.       Traktatet ndërkombëtare në sistemin  komunitar

Gjykata e Drejtësisë e quan veten kompetente të shprehet në rrugë paragjykimore mbi interpretimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara midis Komunitetit Europian dhe shteteve jo anëtare.29  Ky  opinion është marrë dhe zgjeruar më vonë në vendimin Kupferberg.30   Në këtë  vendim  Gjykata,  pasi  ka  pohuar  kompetencën  e  vet  për  të interpretuar norma të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe në profilin e zbatueshmërisë së tyre  të  brendshme  në  sistemin  komunitar,  pranon  se  ato  mund  të  sjellin  efekte  të menjëhershme  në  Komunitet.  Por,  arsyeja  kryesore  e  interesit  ndaj  vendimit  në Kupferberg  është  pohimi  i  së  drejtës  së  individëve  për  të  përdorur  normën  e  një marrëveshjeje  ku  është  palë  Komuniteti  përpara  gjykatave  kompetente  si  Gjykata  eDrejtësisë ashtu edhe juridiksionet kombëtare. Sidoqoftë duhet të bëhet fjalë për një marrëveshje që  “mund“ të krijojë efekte direkte”.31  Më parë Gjykata i kishte mohuar efektin direkt Traktatit të  GATT-it për “dobësinë” e normave të veta që nuk duket se kanë një efekt të menjëhershëm.Sa për rangun e marrëveshjeve ndërkombëtare në të drejtën komunitare, nënshtrimi i tyre ndaj traktateve themeluese të Komuniteteve del, përveçse nga karakteri “i kushtetutës” i këtyre të fundit, edhe nga neni  300/1 i TKEE që imponon procedurën e ndryshimit të marrëveshjeve  për  ato  marrëveshje  që  Gjykata  i  ka  deklaruar  të  papajtueshme  me traktatin. Nga ana tjetër, Gjykata e Drejtësisë duket se njeh mbizotërimin e tyre ndaj të drejtës komunitare të prejardhur, si në çështjet International Fruit dhe Haegeman.

3.1     Zbatimi i Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit në rendin ligjor Komunitar

Nga  sa  thamë  këtu  duke  u  mbështetur  në  efektin  e  drejtpërdrejtë  të  neneve  të Marrëveshjeve të Asociimit me BE-në, çdo vend jo-anëtar mund të kërkojë të drejtat e tij përpara gjykatave të vendeve  anëtare të BE-së në bazë të neneve të marrëveshjeve të vendit të tyre me BE-në. Kushtet bazë për  efekt të drejtpërdrejtë të Marrëveshjeve të Asociimit me BE-në në rendin ligjor Komunitar janë formuluar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në rastin Demirel. Kështu, GJED vuri në dukje se:Një dispozitë në një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar nga Komuniteti me vende jo anëtare, duhet të konsiderohet si e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë kur,  duke  pasur  parasysh  formulimin,  qëllimin  dhe  natyrën  e  vetë  marrëveshjes, dispozita përmban një detyrim të qartë dhe të saktësuar, i cili nuk i nënshtrohet, për sa i përket zbatimit ose efekteve të tij, miratimit të ndonjë mase pasuese.33

3.2              Zbatimi në rendin ligjor kombëtar të vendit jo-anëtar që asociohet në BE

Efektet ligjore të Marrëveshjeve të Asociimit me BE-në në rendin ligjor kombëtar të

vendeve që nuk janë shtete anëtare të BE-së janë të drejtpërdrejta, megjithatë në radhë të parë varen nga interpretimi që gjyqtarët kombëtarë u bëjnë kushtetutave përkatëse, duke i dhënë  prioritet  zbatimit  të   neneve  të  Marrëveshjeve  të  Asociimit  në  raport  me legjislacionin vendas. Së dyti, efektet ligjore janë në varësi të interpretimit që gjykatat i bëjnë objektivave të dispozitave të Marrëveshjeve të Asociimit me BE-në. Përsa i përket Shqipërisë, kuadri ynë kushtetues  u  njeh  efekt  ligjor  të  drejtpërdrejtë  marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria shqiptare dhe të ratifikuara nga parlamenti kombëtar si edhe një rang superior normave të marrëveshjeve ndërkombëtare krahasuar me ligjin e brendshëm të zakonshëm.34  Në fazën aktuale MSA për Shqipërinë është një marrëveshje e zakonshme ndërkombëtare.Një vend aplikant përpiqet të sigurojë që legjislacioni aktual dhe ai i ardhshëm kombëtar do të harmonizohet gradualisht me acquis communautaire. Gjykatat kombëtare duhet të interpretojnë  legjislacionin  aktual  sa  më  shumë  të  jetë  e  mundur  në  përputhje  me legjislacionin Komunitar, pra duhet të veprojnë në frymën e ligjit komunitar edhe para anëtarësimit të plote të vendit në BE. Në fazën tranzitore drejt anëtarësimit përgjigja më e mirë për mënyrën e zbatimit të ligjit komunitar në vend në radhë të parë duhet të jepet nga ligji kushtetues kombëtar dhe jo nga ligji Komunitar.

4. Konkluzione

Rendi Ligjor Komunitar i përbërë nga Traktatet themeluese të Komuniteteve dhe BE, nga legjislacioni dytësor i nxjerrë nga institucionet europiane, nga vendime të GJED si edhe nga  marrëveshjet  ndërkombëtare  ku  KE  apo  BE  janë  palë,  ka  në  tërësi  dy  cilësi themelore: ai ka efekt ligjor të  drejtpërdrejtë mbi vendet anëtare dhe organet e tyre të pushtetit dhe është njëkohësisht superior ndaj çdo ligji kombëtar që bie ose jo në konflikt me të. Këto dy cilësi themelore të nxjerra në dritë nga interpretimi rigoroz që GJED i ka bërë ligjit komunitar kanë pasur një ndikim të madh në efektshmërinë e zbatimit të ligjit komunitar në të gjithë hapësirën e përbashkët europiane. Ligji komunitar hartohet nga institucionet  europiane  të  pushtetit,  por  u  drejtohet  për  zbatim  shteteve  anëtare  dhe organeve të tyre të pushtetit. Mënyra e drejtë dhe uniforme e zbatimit është me rëndësi vendimtare për sigurimin e efekteve të plota të ligjit komunitar.Në fund të  fundit procesi i integrimit europian nuk është gjë tjetër veçse zbatimi i njëkohshëm dhe me efekt të plotë i të njëjtave rregulla në fushat e veprimit të përbashkët. Ndërtesa europiane mbahet  mbi këtë shtyllë që është ligji europian dhe zbatimi i mirë i tij. Ndaj kuptimi me të gjitha efektet dhe detyrimet që ky mbart në vetvete është detyrë për vendet anëtare apo edhe për vendet e reja që  kërkojnë të asociohen në BE. Ligji europian  duhet  të  jetë  mënyra  jonë  e  sjelljes  në  fushat  e  përbashkëta  që  në  fazën paraprake të anëtarësimit. Njohja dhe kuptimi i mirë i ligjit europian por edhe i veprimit të institucioneve europiane janë pjesë e rëndësishme e përgatitjes për anëtarësim që na përket  ta  ndjekim  me  përkushtim  dhe  besnikëri.  Shqipëria  i  ka  të  gjitha  mundësitë intelektuale dhe ligjore për të qenë e suksesshme në zbatimin e detyrave të saj ndaj BE dhe ndaj qytetarëve të saj.

BIBLIOGRAFIA

“European Union Law” Craig and de Burca, Fourth Edition, Oxford University Press

“Lineamenti di diritto communitario” Titto Balarino, 1993 Cedam, Padova

“Droit communautaire gjeneral”, Guy Isaac Armand Colin, Dalloz Paris

“Lezioni  di  diritto  communitario”,  Luigi  Ferrari  Bravo,  Enzo  Moavero  Milanesi, Editoriaæle scientifica, 2000, Napoli

Çështja 26/62 Van Gend & Loos (1963) Çështja 6/64 Costa v. ENEL (1964) ECR 585

Vendimi  i  30.IV.1974,  çështja  181/73  Haegman  k.  Shtetit  belg,  në  Përmbledhjen  e vendimeve të GJED 1974

Vendim i GJED datës 26.X.1982, çështja 104-81, Përmbledhja 1982

Çështja Demirel 12/86 Përmbledhja e Vendimeve të GJED 1987

Vendimi   12.XII.1972,   çështja   21-24/72,   International   Fruit,   në   Përmbledhjen   e vendimeve të GJED të 1972

Vendimi i GJED 19.XII.1968, Çështja 13/68

Çështja 213/89, 19.VI.1990, Përmbledhja e vendimeve të Gjykatës së Drejtësisë 1990

Traktati mbi Bashkimin Europian, variant i konsoliduar Traktati mbi Komunitetin Europian, variant i konsoliduar Marrëveshja e Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE Kushtetuta Shqiptare

Faqja e BE: www.europa.eu

Faqja e Ministrisë Shqiptare të Integrimit: www.mie.gov.al

-Marre nga drejtesia shqiptare.com

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • Ada
    • 1. Ada Më 17/07/2016
    And the best part of this variety is that it will keep producing new shoots and fruits throughout the growing season. Growing tomatoes from seeds is quite challenging and time consuming compared to tomato seedlings and it also needs deliberate planning. Monitor the plant and if needed spray with a home made solution of garlic and soap.
  • Emely
    • 2. Emely Më 04/06/2016
    The degree wheel gives you almost instantaneous access on the sound level. But you'll find alternatives to finding the best pc for gaming that fits the needs you have. Cruising could be the video memory. https://issuu.com/bestcheaplaptopsforgaming
Abonohu:
Adresa e-mail