ARMO, qeveria shpall zyrtarisht fituesin e tenderit

18 qershor, ora 12:00 - Qeveria ka shpallur zyrtarisht kompaninë fituese të tenderit të ARMO-s, Raffinary Associate of Texas.

Orjeta Zhupa

Logo e ARMO Sh.a.

Qeveria ka shpallur zyrtarisht kompaninë fituese të tenderit të ARMO-s, Raffinary Associate of Texas.
Konsorciumi amerikan "Rafineri Associated Anica Texas", ofroi për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, 125 milionë euro, si dhe 240,5 milionë euro për programin e investimeve në 4 vitet e ardhshme në ARMO.


Kompania Rafineri Associatet Anica Texas ka lajmërur se nuk do të ketë shkurtime nga puna në ARMO.

Të gjithë punonjësit që kanë ikur nga puna do rikthehen në punë madje do të merret edhe staf i ri shtesë. Madje do ketë rritje rroge për të gjithë punonjësit me 30%, që në muajin e parë të punës. Kështu ka njoftuar para një jave Jozeph Desour, presidenti i kompanisë  Raffinary Associate of Texas, e cila fitoi tenderin për blerjen e Kompanisë ARMO.

Ai tha gjithashtu se do të ketë ulje të çmimeve të naftës në vend vetëm i kërkoi qeverisë që të ndalojë eksportimin e naftës bruto. “Naftën do ta përpunojmë dhe shesim në vend dhe në këtë mënyrë do të ulen edhe çmimet” – ka thënë Desour.

Do të ketë edhe negociata për kushtet e kontratës dhe nga kjo varet dhe Plan Biznesi ynë për shtrirjen e investimeve.

Asetet

Në objektet që përfshihen në privatizimin strategjik të "ARMO"-s, janë 2 Uzinat e Përpunimit të Thellë të Naftës në Fier dhe Ballsh, Qendra Shkencore e Kimi-Përpunimit në Kuçovë, filiali i Eksport-Importit në Vlorë, si dhe 11 depozita të naftës dhe karburanteve.
 
Gjatë 2007, nga "ARMO" u hoqën, si asete të saj, objekte të cilat kanë hyrë në privatizimin jostrategjik, si 33 objekte për privatizim, që po privatizohen hap pas hapi me ankand 10 prej tyre. Privatizimi i pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, të dhëna në përdorim, po vazhdon si proces jashtë strukturës strategjike të ARMO-s. Për të 33 pikat, është plotësuar dokumentacioni i plotë për privatizim.
 
Sipas akteve ligjore, përparësi kanë pronarët e truallit për pikat ku ka pronësi private, të vërtetuara nga Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. "ARMO" blen naftë nga kompania publike e nxjerrjes së naftës "Albpetrol", si dhe nga "Bankers Petroleum", me të cilën qeveria shqiptare në vitin 2004 firmosi një kontratë koncesionare për shfrytëzimin e puseve në zonën Patos-Marinëz. Por gjatë vitit 2007, kjo kompani nuk i dha sasinë prej 90 mijë tonë naftë "ARMO"-s, duke e shitur atë në tregjet e huaja.


Fitimet e ARMO-s

Konsulenti për privatizimin e "ARMO"-s, "Pattom Bogs", në raportin e dorëzuar në qeveri në muajin tetor, jep edhe vlerësimet e tij për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës.

Në analizën e bërë nga ana e konsulentit, duke marrë parasysh asetet e kompanisë, bilancet financiare të viteve 2004, 2005 dhe 2006 dhe blerjet e mundshme nga ana e investitorëve të kësaj pasurie, jepen edhe skenarët e mundshëm të këtij privatizimi. Në këtë vlerësim, nuk është marrë parasysh viti 2007, që është edhe më i rëndësishmi përsa i përket fitimeve të nxjerra nga ana e kompanisë shtetërore.
 
Vetëm fitimi i "ARMO"-s gjatë vitit 2007, krahasuar me vitin 2004, është 5 herë më i lartë. Fitimi në vitin 2007 arriti në 1 miliardë e 700 milionë lekë, ndërsa në vitin 2004, ishte vetëm 365 milionë lekë. ARMO, ka një vlerë të kapitalit të nënshkruar që mund të jetë në nivelin e 50-60 milionë euro, ndërsa një vlerë të aseteve, si vlerë në kontabilitet, në rreth 100 milionë euro.

Kjo është një vlerë kontabël, vlerë e aseteve të blera në vite, të investuara në vite, siç janë të regjistruara në kontabilitet. Por dhe çmimet e tregut të brendshëm të karburanteve në rritje të vazhdueshme, ku "ARMO" zë 25% të tregut, ndikuan në të ardhurat e kompanisë. Rritja e çmimeve nga operatorët privatë është shoqëruar me një rritje të moderuar nga kompania, duke ndikuar disi në amortizimin e efektit të rritjes galopante të çmimeve nga grosistët shqiptarë. "ARMO", sipas burimeve nga kompania, ka tregtuar gjatë këtij viti, gazoil me çmimin deri në 95.11 lekë/litër.

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail