Ngrihet flamuri i Kosovës në BE

18.06.2008
Eurodeputetja Doris Pack, tha se Parlamenti europian e ka votuar planin e Marti Ahtisarit, prandaj është e kuptueshme që flamuri i Kosovës të ngritet në Bruksel.

Flamuri i Kosovës mundonte në shtrëngimin e duarve të kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi me Presidentin e Parlamentit Evropian Hans Gert Poettering, por jo në sallën e delegacionit ndërparlamentar për Evropën Juglindore gjë që shkaktoi irritimin e eurodeputetes socialiste greke Anni Podimata, e cila nuk pranoi as që në dokumentin e këtij takimi të shkruhej se është takimi i parë.

"Është e vërtetë që jemi takuar pesë herë, por kjo është hera e parë që prej pavarësisë së Kosovës. Ky parlament ka votuar me dy të tretat planin e Marti Ahtisarit prandaj dhe flamuri i Kosovës qëndron pas nesh", mbylli diskutimin për këtë çështje Doris Pack, kryetarja e delegacionit.

Më pas, të pranishmit vazhduan me kalendarin e ditës dhe me çështjen më serioze, c'do të ndodhë pas 15 qershorit kur të miratohet Kushtetuta e Kosovës dhe EULEX të mos ketë zëvendësuar Unmikun.

"Dikush duhet ti thotë z. Rycker se sipas planeve origjinale ai nuk do të ketë më përgjëgjësi më 16 qershor. A do t'ia thotë këtë gjë z. Ban Ki Mun, apo z. Solana, pra kush do t'ia thotë sepse nëse nuk e bën askush këtë gjë, atëherë do të jetë ai që do të vazhdojë të drejtojë Kosovën dhe nuk do të jeni ju edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës", deklaroi Joost Lagendijk, raportues i PE për Kosovën.

Këtij konstatimi dhe kësaj pyetje iu përgjigj kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Përfaqësuesi i Presidencës sllovene të BE-së Matjaz Sinkovec pranoi se EULEX mund të ketë vonesa dhe se negociatat BE-OKB po vazhdojnë. Në takim Sinkovec rreshtoi ato që ai i quajti linjat e kuqe ku BE nuk lëshon pe në bisedimet për atë që tashmë quhet rikonfigurimi i UMMIK.

"Së pari, vendimet operacionale do të merren ekskluzivisht nga zinxhiri komandues i BEsë dhe kjo pa asnjë ekuivok. Së dyti Unmiku nuk do të ketë fuqi për punësim apo për të pushuar nga puna, asnjë influencë në buxhet dhe as në zhvillimin e koncepteve vepruese të Eulex. Dhe së fundmi, duhet garantuar karakteri evropian i operacioneve dhe se nuk duhet vënë në rrezik pranimi i misionit nga autoritetet e Kosovës.", tha Matjaz Sinkovec.

Ndër temat e ndryshme që u diskutuan, Komisioni evropian i pranishëm me përfaqësuesen e tij në takimin e parë ndërparlamentar me Kosovën e pavaruar veçoi gjëndjen e rëndë ekonomike në vend, duke premtuar se do të vazhdojë të ndihmojë financiarisht si vitet e fundit Kosovën, edhe nëpërmjet Konferencës së Donatorëve të parashikuar për 11 korrik.

Një tjetër irritim u krijua edhe në momentin kur një eurodeputet italian kërkoi sqarime për akuzat e Karla Del Pontes mbi trafikun e organeve, por edhe në këtë rast kryetarja Doris Pack ia preu shkurt duke deklaruar se nuk ishin mbledhur aty për të komentuar një libër privat të një personi privat që këto akuza duhet ti kishte ngritur sa ishte prokurore.(lajm)

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail