STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Bota/Marrëdhënie Ndërkombëtare

Materiale të ndryshme nga Bota apo nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare :
  • Kosovë, dekretohet hapja e 9 ambasadave

    18 qershor, ora 17.41- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar sot hapjen e nëntë ambasadave dhe përfaqësive të para diplomatike të Kosovës në botë.

    Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar sot hapjen e nëntë ambasadave dhe përfaqësive të para diplomatike të Kosovës në botë. Për fazën e parë, ambasadat do të hapen në Uashington, Bruksel, Londër, Berlin, Paris, Romë, Vjenë, Bern dhe Tiranë.

    Njoftimi është bërë nga këshilltarja politike e ministrit të Jashtëm, e cila ka bërë me dije se presidenti Sejdiu, ka dekretuar themelimin e nëntë misioneve të para diplomatike të Kosovës në botë. Me ketë vendim, Ministria e Jashtme ngarkohet për fillimin e zbatimit të këtij vendimi.

    Sipas saj, ambasadat dhe përfaqësitë e para diplomatike do të punojnë fillimisht me personel në numër të limituar. Përzgjedhja e nëntë vendeve të para është bërë në varësi nga ndikimi politik që kanë këto kryeqytete botërore në politikën kosovare dhe në atë globale.

    Ajo ëhstë hsprehur optimiste se funksionalizimi i Ministrisë së Jashtme dhe themelimi i misioneve të para diplomatike jashtë Kosovës, do të ndihmojë edhe njohjen më të shpejtë të Kosovës nga një numër më i madh vendesh.

    Ndërkohë që, sipas saj, ende nuk janë përcaktuar ambasadorët e parë që do të përfaqësojnë Kosovën, përfshirë edhe atë në Tiranë, që do të jetë ndër të parët që do të fillojnë punën.

    “Ende nuk është i përcaktuar asnjë emër i ndonjë ambasadori apo i të ngarkuarit me punë në misionin diplomatik në Tiranë”, tha Beqiri.

    Në anën tjetër, opozita i bën thirrje qeverisë dhe presidentit që emërimi i ambasadorëve të mos jetë ekskluzivisht politik, por të respektohet kriteri profesionist i tyre. Avni Arifi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se emërimi i ngutshëm mbi baza politike do të instalonte një praktikë të keqe të ndërrimit të ambasadorëve, varësisht partive në pushtet.

    Ndërkohë, edhe Aleanca Kosova e Re shprehet e gatshme për t’u përfshirë jo vetëm në çështjen e lobimit për njohjen e pavarësisë, por edhe në atë të përcaktimit të ambasadorëve nëpër vende të ndryshme të botës.

    Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, politika e jashtme kalon në përgjegjësi të palës kosovare. Në këtë aspekt, Kosovës i mundësohet edhe hapja e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike. Ndërkohë që mbetet të definohet përfaqësimi në organizatat botërore, ku Kosova nuk është anëtare. Në të kaluarën, përfaqësimi është bërë nga shefi i UNMIK-ut, sidomos në sesionet e Këshillit të Sigurimit.

    {Shekulli,online}