Udhëzimi i MASH për konkursin për Artet, Sportet, Arkitekturën

Maturantët që do të pranohen në këto Institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore do tu duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse

Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi dje udhëzimin për organizimin e konkurseve të pranimit që do të realizohen në disa Institucione publike të Arsimit të Lartë. Sipas udhëzimit, pranimet e studentëve në Akademinë së Arteve, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, në programin e studimit të Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit të Shkodrës, ashtu si edhe këto dy vjet do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit i organizuar nga këto Institucione Publike të Arsimit të Lartë. Maturantët që do të pranohen në këto Institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore do tu duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve, në bazën e të cilave qëndron talenti dhe përgatitja fizike. Këtë vit, MASH vendosi ti organizojë këto konkurse në korrik, në mënyrë që raundet e pranimeve në universitete, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP), të përfundojnë më herët dhe brenda javës së parë të vitit akademik 2008-2009. Sipas udhëzimit, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80%. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25% të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj Akademie për vitin akademik 2008-2009. Ndërkohë, në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30% (Matura) me 70% (konkursi). Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës ky raport i rezultateve do të jetë në masën 35% me 65%, ku përsëri peshën kryesore do ta ketë konkursi i IAL. Afati i regjistrimeve për të gjithë maturantët, që do të kërkojnë në Formularin A2 këto programe studimi, do të jetë periudha nga data 1 deri në 18 korrik 2008, nga ora 09.00, deri në orën 17.00 pranë sekretarive të Fakulteteve përkatëse. Udhëzimi parashikon gjithashtu që rektoratet dhe dekanatet e Institucioneve publike të Arsimit të Lartë të shpallin në Këndin e Njoftimeve dhe në mjediset e dukshme të institucioneve të tyre: datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme, për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.


Data e zhvillimit të konkurseve dhe tarifat

1. Akademia e Arteve

Për të gjitha programet e studimit në
a. Fakultetin e Muzikës : 22 - 30 korrik 2008.
b. Fakultetin e Artit Skenik : 22 - 26 korrik 2008
c. Fakultetin e Arteve Figurative : 22 - 25 korrik 2008
2. Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”

Për të gjitha specialitetet: 22 - 27 korrik 2008

3. Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës

Për programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte”: 28- 31 korrik 2008

4. Universiteti Politeknik i Tiranës

Për programin e studimit “Arkitekturë”: 26 - 28 korrik 2008

III- Tarifat e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit në Institucionet e mësipërme publike të Arsimit të Lartë, do të jenë:

1. Në të gjitha programet e studimit në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”: 4 000 lekë (te reja)

2. Në të gjitha programet e studimit në
Akademinë e Arteve: 4 500 lekë (te reja)

3. Në programin e studimit “ Edukim fizik dhe sporte” në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” : 4 000 lekë (te reja)

4. Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës: 4 500 lekë. (te reja)


Hartimi i testeve të Maturës Shtetërore
në kushte të rrepta sigurie

Mjediset e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) janë të izoluara me të gjitha mënyrat e kontrollit nga mjedisi i jashtëm dhe personeli futet në këto mjedise pasi Policia e Shtetit ka inspektuar këto mjedise me metal-detector. Personeli i nënshtrohet kontrollit trupor të policisë në momentin e hyrjes në Agjenci dhe pas fillimit te KOEPS-it (Koha e Ekspozimit Potencial të Sekretit - periudha e izolimit, ku askush nuk mund të dalë nga këto mjedise, pa lejen e MASH dhe Policisë së Shtetit) për të evituar praninë në këto mjedise të telefonave dhe çdo pajisjeje tjetër telekomunikuese. Por që nga viti 2006 titullari i AVA-s me autorizim të MASH-it dhe leje të Policisë së Shtetit mban një celular të kontrolluar (pa akses interneti) për të komunikuar me eprorët në rast emergjence teknike e shëndetësore. Tërësia e masave, kushteve të sigurisë dhe përzgjedhja cilësore e profesionale e personelit, përbëjnë një garanci për të gjithë, se procedura e përgatitjes së testeve do të zhvillohet në kushtet e korrektesës dhe sekretimit të plotë në përputhje me rregullat në fuqi.

Drejtoria Rajonale e Arsimit, merr
masat për provimet e Maturës Shtetërore

Një ndër prioritetet e reformës arsimore është edhe matura shtetërore, e cila zhvillohet për të tretin vit në vendin tonë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Kujtim Mema, tha dje se “pas marrjes së urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, edhe ne si drejtori hartuam një plan pune për ndjekjen e problemeve për zhvillimin e provimeve. Të gjithë sektorët e drejtorisë morën detyrat përkatëse për ti realizuar brenda afatit të përcaktuar duke bashkëpunuar edhe me drejtoritë e shkollave të mesme”. Gjithashtu sipas Memës u ngrit edhe komisioni i Maturës Shtetërore pranë drejtorisë, komision i cili menjëherë hyri në veprim për përmbushjen e detyrave që rrjedhin nga udhëzimet e MASH. Tashmë në të gjitha shkollat e mesme të rrethit janë dërguar materialet si dhe programet orientuese për lëndët që do të japin provim nxënësit. Sipas Memës” ndryshe nga vitet e tjera në maturën shtetërore të vitit 2008 u zbatua Këshillimi i Karrierës për nxënësit maturantë, me anë të të cilit çdo nxënës ka marrë informacionet e duhura nga drejtoria e shkollës së mesme për takimet e zhvilluara në universitete në kuadrin e “Ditëve të Gjimnazistëve në Universitete”.

{Gazeta55}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail