TAKIM I MINISTRAVE TË ARSIMIT TË 46 VENDEVE PËR TË PËRCAKTUAR PËRPARËSITË E PROCESIT TË BOLONJËS PËR DEKADËN E ARDHSHME

Më 28-29 në Leuven / Louvain-la-neuve, Belgjikë, u mbajt takimi i ministrave të arsimit të 46 vendeve të përfshira në Procesin e Bolonjës për të analizuar arritjet e këtij procesi dhe për të përcaktuar prioritetet e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë (ZEAL) për dekadën e re 2010-2020. Shqipëria u përfaqësua në Konferencë nga një delegacion i kryesuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës z.Fatos Beja.  

Pasi u njohën me arritjet e çdo vendi në realizimin e Procesit të Bolonjës, opinionet e organizatave të ndryshme mbi probleme specifikë si dimensioni social dhe mobiliteti, të mësuarit gjatë gjithë jetës apo roli i studentëve në këtë proces, Ministrat diskutuan dhe firmosën deklaratën   “ Procesi i Bolonjës 2020- Zona Europiane e Arsimit të Lartë (AL) në dekadën e re”.

Në këtë deklaratë theksohen arritjet e deritanishme në AL si rezultat i konsolidimit të procesit të Bolonjës dhe përcaktohen përparësitë e AL për dekadën që vjen, duke kërkuar që Institucionet e Arsimit te Larte (IAL) t'u përgjigjen nevojave në rritje për arsim dhe zhvillim të shoqërisë, që  reforma në AL të vijojë drejt vlerave europiane të autonomisë institucionale, lirisë akademike dhe barazisë sociale me pjesëmarrjen e studentëve dhe të stafit akademik.

Në përparësitë e AL për dekadën 2010-2020 përfshihen dimensioni social i AL për t'u krijuar mundësinë të gjithëve për  të përfituar nga ky arsimim; të mësuarit gjatë gjithë jetës; edukimi dhe formimi për tregun; fokusimi i mësimdhënies në AL tek studenti dhe reforma e kurrikulave duke kërkuar zbatimin e standarteve evropiane të sigurimit të cilësisë; arsimi, kërkimi dhe inovacioni; hapja ndërkombëtare e universiteteve;  mobiliteti i studentëve dhe i stafit akademik; financimi i AL, etj.

Gjithashtu më 29 prill në Louvain-la-Neuve u mbajt për herë të parë edhe Bologna Policy Forum, në të cilën morën pjesë Ministrat e Arsimit të 46 vendeve europiane të përfshira në procesin e Bolonjës dhe ministrat nga Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Egjypti, Etiopia, Izraeli, Japonia, Kazakistani, Kirgistani, Meksika, Maroku, Zelanda e re, Tunizia, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të gjithë morën pjesë në një debat konstruktiv për zgjerimin e bashkëpunimit dhe partnershipit në AL ndërmjet 46 vendeve të Bolonjës dhe vendeve nga e gjithë bota. Ky forum mbështeti rolin strategjik të AL në avancimin e njohurive dhe të shkëmbimit global të tyre nëpërmjet projekteve të kërkimit multi-nacionale si edhe rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik mbi bazën e vlerave akademike duke nxitur “qarkullimin e trurit”    (“ brain circulation”).

Gjatë Konferencës Ministri Beja u takua me z. Jan Figel, Komisionari Evropian  për Arsimin, ministrat çek dhe austriak të arsimit Z. Ondrej Liska e Johannes Hahn,  Z. Siur Bergan, Drejtor i AL në Këshillin e Evropës, Z. George Haddad, Drejtor i Divizionit të AL në UNESCO e homologë të tij të vendeve që zbatojnë procesin e Bolonjës.

{©MASH}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail