Studentët, nesër nis vlerësimi i testeve

12 korrik - Lidhur me afatet e regjistrimit në degët universitare, strukturat e MASH kanë pajisur të gjithë maturantët një fletëpalosje, e cila informon kandidatët për studentë që regjistrimi i tyre do të kryhet si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar.

Shekulli Online 

 Procesi i korrigjimit të provimeve me zgjedhje, të cilit iu nënshtruan dy ditë më parë rreth 32 mijë maturantë, do të fillojë nesër (e dielë) në 4 qendra e vlerësimit. 
  Afro 300 korrigjues të testeve të instaluar në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier, do të nisin vlerësimin e dijeve të maturantëve në lëndët më të preferuara si, Njohuri për shoqërinë, Filozofi, Ekonomi, Anglisht, Histori, Biologji, Gjeografi, Kimi, Fizikë, Frengjisht, etj.
  Këto provime përmbanin për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 të tjera me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 80 pikë ne dy provimet me zgjedhje. 
  Provimet me zgjedhje janë prova e fundit e Maturës Shtetërore dhe bashkë me dy provimet e detyrueshme dhe mesataren e shkollës së mesme, përbëjnë pesë komponentët e rezultatit për pranimin në institucionet publike të arsimit të lartë. 
  Sipas rregullores së MASH, nëse një nxënës, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ai është i detyruar të japë provim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm.

Studentët fitues, ja si duhet të regjistrohen

Regjistrimet e kandidatëve për studentë në universitete do të kryehen në shtator bazuar në parimin Meritë-Preferencë (MeP) , konfirmoi të shtunën Ministria e Arsimit dhe Shkecës, duke rekomanduar që të gjithë maturantët që do të përfundojnë me sukses provimet e Maturës Shtetërore 2008, duhet të bëjnë kujdes me procedurat e regjistrimit në Institucionet publike të Arsimit të Lartë (IAL). 

  Lidhur me afatet e regjistrimit në degët universitare, strukturat e MASH kanë pajisur të gjithë maturantët një fletëpalosje, e cila informon kandidatët për studentë që regjistrimi i tyre do të kryhet si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. 

  Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të IAL-ve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. 

  Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të ç’regjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë.

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail