Reformimi i sitemit të arsimit juridik

Reforma në sistemin e drejtësisë në vendin tonë është padyshim një nga nevojat më të mëdha dhe më urgjente të kohës. Tashmë është e qartë që përmbushja e shumë objektivave kryesorë të vendit tonë, si ajo e integrimit europian etj., varet tërësisht nga suksesi i zbatimit të kësaj reforme. Megjithatë, në thelb, qëllimi në vetvete i kësaj reforme është bërja e mundur e ndërtimit të një sistemi drejtësie, i cili udhëhiqet nga parimet universale të gjithëpranuara në botën e qytetëruar si profesionalizmi, integriteti, pavarësia dhe mbi të gjitha përgjegjshmëria.

Prof. Assoc. Dr. Jordan DaciUrgjenca dhe nevoja e kësaj reforme ka bërë të mundur që kjo reformë tashmë të futet në fazën e saj të rëndësishme të ndryshimeve të mëdha ligjore, duke përfshirë edhe ndryshime kushtetuese. Megjithatë, deri më tani, pak veta apo askush nuk është kujtuar të thotë dy fjalë rreth nevojës së reformimit të sistemit të arsimimit universitar juridik në vendin tonë, si një parakusht për jetësimin e një reforme të vërtetë dhe mirëfunksionale në sistemin tonë të drejtësisë. Në fakt, për specialistët dhe njohësit e sistemit të drejtësisë dhe të sistemit të arsimit universitar juridik, është tepër e qartë se reforma në drejtësi nuk mund të jetë një reformë vetëm formale e ndryshimit të legjislacionit, por duhet të jetë, mbi të gjitha, një reformë e sistemit të arsimit të lartë. Është pikërisht ky sistem që përgatit specialistët e sistemit të drejtësisë, si dhe të mundësojë një ndryshim tërësor të mentalitetit mbi atë çfarë kuptojmë me drejtësi, kush duhet ta japë drejtësinë dhe si duhet të jetë ajo. Aktualisht, sistemi i arsimit të lartë në fushën e drejtësisë në Shqipëri vuan nga disa probleme kronike, që lidhen me programe mësimore tërësisht jashtë kohe dhe që mundësojnë mbivendosje masive të dijeve që transmetohen nga një lëndë në tjetrën dhe nga një program mësimor në tjetrin. Vlen të theksohet, që në të shumtën e rasteve, programet master janë një përsëritje bajate e njohurive të nivelit bachelor dhe nuk mundësojnë një ngritje profesionale, e cila do të ishte e krahasueshme me ato të vendeve të OECD. Nga ana tjetër, këtyre problemeve konceptuale u shtohen edhe problemet e rekrutimit të personelit akademik dhe atij administrativ mbi baza të dyshimta, shpeshherë nepotike dhe pa ndonjë element të dukshëm meritokracie, si dhe me inflacion të frikshëm në lidhje me marrjen e gradave shkencore dhe titujve akademikë, të cilat, së fundmi, u lejuan të jepen edhe nga institucionet private të arsimit të lartë.

Kësaj liste i duhet shtuar mungesa e financimit të arsimit të lartë dhe sidomos mungesa e mbështetjes për kërkimin shkencor, si dhe vetë modeli i studentit, i cili është krijuar në këto 25 vite, ku mungesa e meritokracisë në sistemin e vlerësimit dhe të karrierës profesionale ka bërë që si model mbizotërues të shfaqet një student pa interes, që nuk dëshiron të lexojë shumë, që urren faktin kur një profesor i jep shumë literaturë për të lexuar dhe, larg qoftë, nëse dikush i kërkon të shfrytëzojë literaturë shtesë në gjuhë të huaj … Pas përfundimit të studimeve në universitet, mënyra e vetme për të qenë pjesë e gjyqësorit është Shkolla e Magjistraturës, e cila ka meritën për ngritjen e cilësisë në gjyqësor, pas ndryshimeve të mëdha të ndodhura në vitet ’90, por që në gjykimin tim kjo shkollë e ka përmbushur misionin e saj dhe duhet të ketë vetëm rolin e institucionit që siguron studimin gjatë gjithë jetës për të gjithë anëtarët e sistemit të drejtësisë, siguron kualifikime të posaçme etj., por, kurrsesi, nuk mund të shërbejë më si mënyra e vetme që dikush të bëhet gjyqtar apo prokuror. Kjo, për shumë arsye.

Së pari, njohuritë që merren në atë shkollë kufizohen vetëm në një vit akademik dhe më pas janë njohuri të karakterit praktik. Së dyti, programi mësimor dhe programet e lëndëve nuk ndryshojnë aspak me ato të programeve bachelor apo master në universitete. Është e qartë që ka nevojë për një rishikim të plotë dhe të gjithanshëm të kurrikulave dhe programeve të lëndëve, të cilat sot në shumicën e rasteve nuk janë asgjë më shumë sesa kurrikulat e vjetra të përbëra prej afërsisht 38-40 lëndë, të cilat janë grupuar sot në disa module apo lëndë, duke mos pasur si rezultat uljen e vërtetë të formave të kontrollit në kuptimin e lëmive që mbulohen, por vetëm ngjeshjen e programeve të vjetra të studimit katërvjeçar në vetëm tre vjet. Së treti, nuk bën dallim me të mësuarin tradicional në auditorin shqiptar dhe nuk sjell asnjë përvojë të nivelit dhe llojit europian. Së katërti, në këto 25 vite nuk është shquar për ndonjë mënyrë transparente rekrutimi të stafit akademik, por më së shumti është dominuar nga funksione akademike të zëna “ex officio”, për shkak të detyrës etj. Së pesti, kufizimi i të qenët gjyqtar ose prokuror vetëm me përfundimin e kësaj shkolle është absurde kur sistemi në RSH dhe në të gjithë botën pranon burime të tjera si nga praktika avokatia, sidomos dhe bota akademike apo administrata shtetërore. Ndërkohë, ky është një absurditet kur dikush mund të bëhet anëtar i Gjykatës së Lartë dhe i asaj Kushtetuese, por s’mund të bëhet gjyqtar në Shkallë të Parë apo kur një profesor i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të bëhet vetë gjyqtar, pasi ligji i kërkohet të bëhet student i vetvetes … Së gjashti, sistemi i drejtësisë, i cili funksionon i izoluar nga prurjet e jashtme, jo vetëm që mbetet një sistem dritëshkurtër në thelb dhe që nuk pranon ndryshimin apo mendimin ndryshe, por nuk mundëson as konkurrencën si element zhvillimi në këtë sistem dhe për më tepër krijon kushtet për aleanca brenda sistemit ndaj të gjithë atyre që janë jashtë sistemit, duke e lënë monopol të pastër vetëm për një pakicë pozicionin e gjyqtarit dhe të prokurorit. Së shtati, ky sistem prodhon gjyqtarë që gjykojnë, p.sh. çështje familjare dhe që vetë janë 25 vjeç dhe s’kanë aspak pjekurinë për të gjykuar çështje me ndjeshmëri dhe ndikim të lartë. Së teti, shembujt që ofron bota, madje edhe Kosova, si shteti më i ri në rajon, janë që kualifikimi për gjyqtar, prokuror ose avokat është i njëjtë dhe i nënshtrohet një sistemi të konkurrimit publik me konkurs, pasi personi ka kaluar me sukses provimin përkatës. Së nënti, Shqipëria ka nevojë më shumë se kushdo që të afrojë në gjyqësor njerëz me përgatitje të lartë profesionale, me moral të lartë dhe mënyra më e mirë për këtë është konkursi, por jo konkursi si model shqiptar, por konkursi i hapur, transparent dhe me siguri të plota që meritokracia do të jetë i vetmi element kualifikues.

Reformimi i sitemit te arsimit juridikSigurisht që ka shumë veta që nuk do të pajtohen me çfarë po shkruaj, por me të drejtë atyre ju bëj disa pyetje: Po përse nuk pranoni të ketë konkurs për vendet në gjyqësor të hapur për këdo që e fiton dhe ka minimalisht gradën master? Po përse duhet të shqetësoheni se do ua fitojnë konkursin ata që vijnë nga jashtë Magjistraturës, kur ju mendoni që kjo shkollë nxjerr më të mirët? Përse kjo frikë nga konkursi apo është kjo një mënyrë për të ruajtur privilegjet që legjislacioni ynë u siguron në mënyrë jo të drejtë disa grupeve sociale? Në fakt, legjislacioni ynë i 25 viteve të fundit është i mbytur nga elementë, të cilët e shndërrojnë atë, në fakt, në një mjet të kontrollit social dhe jo në një mjet për të dhënë drejtësi. Kjo bëhet edhe më e drejtë kur kam parasysh iniciativën për ndryshimin e ligjit për Shkollën e Magjistraturës, nëpërmjet të cilit do të sigurohet pranimi pa konkurs kush ka përfunduar jashtë dhe ata që kanë përfunduar me medalje ari në RSH në publik. Sigurisht, ky ligj, së pari, është krejtësisht diskriminues dhe si i tillë antikushtetues, por është edhe krejtësisht i padrejtë. Kjo pasi, së pari, ka një keqfunksionim të sistemit të vlerësimit dhe kjo do t’i hapë rrugë luftës për notën 10 dhe ku medaljet e arit, të cilat, në thelb për mua, në kushte normale janë të pamundura, pasi në rastin e RSH medalja 10 nënkupton të gjitha notat 10 dhe jo sikurse në vendet e tjera të botës ku, zakonisht, nënkupton personat që kanë marrë nga 95-100% të pikëve apo e përkthyer me sistemin tonë me mesatare 9,5-10. Pra, në vend që të shkojmë drejt liberalizimit të hyrjes në gjyqësor nëpërmjet konkursit publik, po shkojmë drejt ngushtimit të mëtejshëm edhe të hyrjes aktuale. Po me indinjatë më vjen natyrshëm të ngre zërin dhe të pyes, po çfarë dreqin keni që i trembeni konkursit, kur ai nxjerr në pah më të mirët, qofshin ata që kanë përfunduar jashtë, brenda, me magjistraturë apo pa magjistraturë me mesatare 9 apo 10?
Për të përfunduar, reformimi i gjyqësorit shqiptar kërkon një reformim të gjithanshëm të gjithë sistemit të arsimit universitar juridik, me qëllim rritjen dhe garantimin e profesionalizmit, pavarësisë dhe përgjegjshmërisë në funksionin të dhënies së drejtësisë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Reformimi i vërtetë dhe mirëfunksional i sistemit të drejtësisë, kërkon medoemos formimin e një brezi të ri gjyqtarësh, prokurorësh dhe avokatësh, të cilët janë pjesë të një sistemi që në bazë ka meritokracinë, etikën, barazinë para ligjit dhe luftën pa mëshirë ndaj korrupsionit. Kjo gjë, sigurisht, kërkon mendje të hapura dhe të brumosura me dije sipas standardeve europiane dhe me dëshirën e vetme të të dhënit të drejtësisë dhe larg ndikimeve negative mbizotëruese të 25 viteve të fundit. /boturar te GazetaShqip dt.14/04.2016

drejtesi shkolla Dakan reforma Master fakultet pedagog Jordan Daci reforma ne drejtesi reforma kushtetuese universitet reforma ne arsim rektor lektor ligjore sistemi i drejtesise arsimi i larte bachelor tituj akademik magjistratura shkolla e magjistratures konkurs tranzicion

  • 2 vota. Mesatarja e 5.00 të 5.

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.