Pollo: Duhet të marrin fund Doktoraturat e kopjuara

Në universitetet shqiptare, ka ende doktorantë të cilët i fitojnë titujt shkencorë, duke kopjuar materiale të botuara kohë më parë nga kolegë të tjerë. Madje, sipas ministrit të Arsimit, Genc Pollo, kjo metodë aspak e ndershme në fitimin e titullit “Doktor” në institucionet e Arsimit të Lartë Publik, tashmë ka marrë edhe trajtën e anekdotave që thuhen lart e poshtë kafeneve.

 Dritan Laci

Sat, 14 Jun 2008

Ministri i Arsimit bën “për ujë të ftohtë” rektorët. Ende, në universitete shpërndahen tituj me punime të vjedhura

Punimet e kopjuara, janë kthyer në anekdota kafenesh. Tani, doktorantët do paraqesin punimet para Këshillit të Profesorëve

Ministri i Arsimit, Genc Pollo
Në universitetet shqiptare, ka ende doktorantë të cilët i fitojnë titujt shkencorë, duke kopjuar materiale të botuara kohë më parë nga kolegë të tjerë. Madje, sipas ministrit të Arsimit, Genc Pollo, kjo metodë aspak e ndershme në fitimin e titullit “Doktor” në institucionet e Arsimit të Lartë Publik, tashmë ka marrë edhe trajtën e anekdotave që thuhen lart e poshtë kafeneve. Deklarata nga kreu i Arsimit është lëshuar, në fjalimin e mbajtur me rastin e zgjedhjes së Kryetarit të Konferencës së Rektorëve, në prani të këtyre të fundit. Me ton të butë, por të hidhur sa s’ka më, ministri Pollo, u ka tërhequr veshin drejtuesve të institucioneve lidhur mbi cilësinë e dobët të doktoraturave, madje nuk ka nguruar ta cilësojë ndonjërin prej tyre, edhe si populist, që ngre zërin në mënyrë të gënjeshtërt, se gjoja ministria ka bllokuar universitetet.

“Flas ndoshta për datën e aplikimit, por të tërë ju e dini, që ashtu sikur se më keni thënë në takime private, krahas doktoraturave të shkëlqyera që meritojnë vëmendje, ka edhe raste kur kandidatë që kërkojnë të fitojnë titullin shkencor “Doktor”, sjellin në mënyrë jo të ndershme, jo transparente me departamentin dhe me fakultetin ku ata realizohen, materiale të kopjuara, të cilat nuk janë punime shkencore të kryera nga ata vetë”. Për këtë arsye, ka shtuar kreu i Arsimit, përmes një vendimi përkatës të dalë nga Këshilli i Ministrave, është vendosur që doktorantët të mos i paraqesin më punimet përballë një jurie të përbërë shpeshherë jo në mënyrën e duhur, por përpara Këshillit të Profesorëve, që përfaqësohet nga profesorë që e kanë merituar këtë titull. Po kështu, doktorantëve do t’u kërkohet të paraqesin përpara këshillit, një punim shkencor të botuar në një revistë të huaj dhe të vlerësuar nga akademikët në Perëndim.

Një temë tjetër që ka prekur ministri i Arsimit në fjalën e tij, të mbajtur para rektorëve, ka qenë edhe ajo e marrëdhënieve midis institucionit që ai drejton dhe universiteteve. Ai është shprehur se nuk ka asnjë tendencë për bllokim nga MASH të punëve në universitete, duke hedhur poshtë akuzat e drejtuesve të universiteteve, për tendencë të dikasterit të Arsimit, për të nënshtruar institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet udhëzimeve që bien ndesh me ligjin përkatës. Në mënyrë të tërthortë, kreu i Arsimit është i është përgjigjur edhe kundërshtimeve të ardhura nga universitetet lidhur mbi udhëzimin e fundit, ku përcaktohen orët për personelin akademik. “Është përgjegjësi e gjithë drejtuesve në universitete, që personelin akademik ta shfrytëzojnë maksimalisht, brenda normave të miratuara me ligj dhe brenda normave të botës universitare, në dobi të studentëve, në mënyrë që ato orë që janë të normuara, vërtetë të zhvillohen. Të mos kemi raste të lënies bosh të auditorëve, të kryerjes së punëve private, ndërkohë që merret rroga e shtetit”,- ka përfunduar fjalën ministri Pollo.

{Shekulli}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • Lindsie
    • 1. Lindsie Më 12/01/2012
    Unë mendoj se njerëzit nga kjo zonë duhet të kenë më shumë mundësi për të studiuar dhe gjithashtu për të punuar, por për fat të keq gjendja atje është e komplikuar me të vërtetë.
    Asigurari Casco
Abonohu:
Adresa e-mail