Make a free website Close

Neser : "Provimi i Matematikës, vetëm 60% e pyetjeve nga programet orientuese"

AVA: Çdo profil shkolle, me teza të veçanta

Maturantët, që më 11 qershor do t‘i nënshtrohen provimit të dytë të detyruar, atij të Matematikës, duhet të bëjnë kujdes me përgatitjet e tyre. Ata që kanë neglizhuar përgatitjen më të gjerë se sa programi orientues i MASH-it do të hasin në vështirësi më të mëdha në gjetjen e zgjidhjeve të sakta të këtij provimi. Kjo për faktin se, në tezat e provimit, që janë duke u hartuar nga specialistët e arsimit në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), vetëm 60 për qind e pyetjeve do të jenë me përmbajtje nga këto programe orientuese. Ndërsa 40 për qind e tyre do të jenë pyetje që të rinjtë i kanë kaluar si tema mësimore gjatë të katër viteve.

Një lajm i tillë konfirmohet nga specialistë të AVA-s, të cilët paralajmërojnë të gjithë maturantët që të mos zhgënjehen më pas sikundër ndodhi me provimin e parë të Letërsisë. Njëra nga pyetjet e tezës së letërsisë për profilin shoqëror të gjimnazeve nuk i përkiste temave të ofruara nga Ministria e Arsimit në programin orientues të lëndës, ndaj dhe kjo u konsiderua si një penalizim prej vetë të rinjve. Aktualisht, për provimin e Matematikës ata duhet të bëhen gati që në rast se nuk e kanë kaluar të gjithë lëndën përgjatë katër viteve, të mos pretendojnë për rezultate maksimale pas 11 qershorit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e AVA-s bëjnë të ditur se edhe teza nuk do të jetë një dhe e vetme, por ajo do të variojë në përputhje me profilin e shkollës së mesme që ka ndjekur çdo maturant. Në përputhje me profilin e shkollës është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Kështu për shkollat e mesme si ajo e Arteve, vështirësia e testit të Matematikës nuk do të jetë e njëjtë me atë që do të përgatitet për profilin natyror të gjimnazeve. Sipas specialistëve të AVA-s, bazuar në skemën hartuese për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1 duke filluar prej nivelit minimal. Ndërkohë që është bërë e ditur se pyetjet e testit do të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë dhe me shtjellim të argumentuar.

Një tjetër sqarim që jepet nga përfaqësuesit e AVA-s lidhur me konkurrentët e Maturës Shtetërore ka të bëjë me atë grup të rinjsh që kanë hyrë në provimet e këtij viti, me rezultate të mbartura nga vitet e shkuara. Ata duhet të dinë se në procesin e llogaritjes së pikëve të tyre do të merren parasysh koeficientet e vjetër. Kështu, nëse nxënësi kërkon t‘i ruhet rezultati i mëparshëm në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë, për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t‘i njihet rezultati i saj, do t‘i njihet përfundimi i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.

Menjëherë pas daljes së rezultateve të të dyja provimeve të detyruara për Maturën Shtetërore pritet që Ministria e Arsimit dhe konkretisht APRIAL-i të bëjnë publike edhe formularin A2, i domosdoshëm për përzgjedhjen e dhjetë alternativave të studimit në fakultetet e ndryshme të universiteteve publike shqiptare.

Në provimin e Matematikës ashtu sikundër edhe në atë të Gjuhës e Letërsisë, pritet të marrin pjesë mbi 35 mijë maturantë në të gjithë vendin. Numri i tyre do të rritet ndjeshëm për të kapur shifrën e rreth 48 mijë të rinjve për dy provimet e fundit të lëndëve me zgjedhje që do të mbahen më 10 korrik.

{Shqip}

Si te kopjoni ? Kopy

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet (3)

nuli
  • 1. nuli | 08/03/2012

gjitha te mirat

lira
  • 2. lira | 08/03/2012

shpresoj ta kaloni testin

  • 3. | 31/05/2010

Shto një koment