Maturantët; Çfarë do të zgjedhim: tregun apo prirjet? Të dyja.

BLERTA MRISHAJ

Maturantët, dilemat ende nuk kanë mbaruar. Një tjetër zgjedhje i pret. Profesioni i tyre i ardhshëm. Cili do të jetë? Çfarë do të jenë ata pas 10 vjetësh? Të gjithë mjekë, avokat, psikologë, ekonomistë apo inxhinierë? Kur vjen fjala për punën e tyre të ardhshme, çfarë mendojnë maturantët? Çfarë i shtyn ata të bëjnë atë apo këtë zgjedhje?

Mendimi i tyre për punësimin drejtohet nga mundësitë për të fituar shumë dhe në një kohë më të shkurtër apo në një punë të sigurt dhe me të ardhura të qëndrueshme. Zgjedhjet ngushtohen dhe rruga zmbrapset nga mjegulla që ka kapluar ndër vite mendjen e secilit prej tyre. Që me hyrjen në shkollën e mesme duket se fati i tyre është i përcaktuar. Shkollat e profilizuara, natyrore dhe shoqërore. Ose duhet të përzgjedhin lëndët shoqërore, ose ato natyrore. Për psikologët dhe punonjësit socialë, përzgjedhja është themeli dhe drejtimi që do të marrin maturantët në të ardhmen. Ata nuk mund të dalin jashtë vetvetes, në të kundërt, do të rrezikonin shumë, madje edhe një humbje të mundshme, duke përfunduar në profesionin e gabuar. Situata merret disi nën kontroll nga prindërit. Si busull orientuese tentojnë që fëmijët e tyre të mos i lejojnë të gabojnë. Fëmijët e tyre mund të guxojnë, por brenda kornizës. Më pas, vijnë dëshirat.

E çuditshme, por e vërtetë. Kanë dëshira dhe ëndrra. Maturantët dëshirojnë të fitojnë profesionin e ëndrrave të tyre. Realiteti është i ashpër. Me kalimin e viteve ëndrrat materializohen. Konkurrenca dhe tregu i kthen maturantët me këmbë në tokë. Tashmë ata synojnë profesionet më të paguara dhe më fitimprurëse, duke vënë nën shënjestrën e tyre fakultete si Ekonomiku, Juridiku, Shkencat Sociale dhe Inxhinieria. Ndërsa psikologët dhe punonjësit socialë këshillojnë që maturantët të zgjedhin degë ku ndiejnë se kanë prirje dhe i bëjnë ata të ndihen mirë, duke prodhuar efektivitet.

Maturantët: Cilën lëndë të zgjedhim?

Maturantët përzgjedhin degët e tyre nisur edhe nga zgjedhjet e bëra një vit më parë, nga brezi tjetër. Por edhe këtë vit shikohet se tendenca për të rendur drejt disa degëve nuk ka ndryshuar shumë. Kjo ka bërë që nga vit në vit të krijohen degët më të synuara, ndër të cilat do të renditim pesë. Në krye të listës “Top 5” qëndron Fakulteti Ekonomik me të gjitha degët e tij. Më pas vjen Juridiku, Shkencat Sociale, Mjekësia dhe Inxhinieria.

Janë fusha ku maturantët preferojnë t’i thonë më shumë me shijen që u lë fama e këtyre profesioneve. Të imagjinojnë veten në fushat e mësipërme tani për tani është, si duket, ëndrra më e madhe, sigurisht pa prekur sfidën që do t’u vijë në të ardhmen.

Po ashtu, gjëja që entuziazmon si duket maturantët në preferencat e sipërpërmendura, është dhe të bërit para. Nga pararendësit e tyre kështu është mësuar, por edhe injektuar se këto profesione u sigurojnë jetë, famë dhe mbi të gjitha, para. Pra, paraja është ajo që u err sytë, edhe pse ka raste që mund të mos përputhen ndjenjat dhe dëshirat, me talentin dhe dhuntitë e tyre natyrale. Ajo që psikologët na thonë dhe që gjen përputhje me çfarë maturantët mendojnë, është fakti se vërtet ata priren të shohin në përzgjedhjen e lëndëve paraardhësit e tyre. Vazhdon, pothuaj, i njëjti mentalitet, një zanat që u jep paratë. Kjo, si duket, është pika më e dobët që nuk i përjashton këta maturantë, si brezin më të ri të shqiptarëve, të mendojnë direkt për pasuri, madje të shpejtë. Por ajo që na largon nga ky mendim gati “akuzues” për maturantët janë sociologët që kthejnë anën tjetër të medaljes, duke u shprehur se ky brez është vite drite larg nga baballarët e tyre, pasi tani e shohin vënien e pasurisë përmes arsimimit, pra kanë parësore pajisjen me një diplomë për të qenë njëkohësisht individë të fortë nga paraja, por edhe të pasur nga ana intelektuale.

Të paktën tani, në këtë kohëra që po kalon Shqipëria, për punonjësit socialë e rëndësishme është që këta të rinj po priren më shumë drejt jetës moderne dhe botës së zhvilluar, duke përdorur si model Perëndimin. “Pavarësisht, - thonë psikologët, - se të rinjtë duan të pasurohen përmes edukimit në lëndët e preferuara në masë, merr përparësi fakti që maturantët më në fund mund të jenë brezi i parë i shkëputjes përfundimtare të Shqipërisë nga e kaluara, duke kërkuar zhvillimin në modele unike, si brenda dhe jashtë vendit. Inkurajimi duket se tani është faza për t’i bërë këta të rinj më të sigurt në të ardhmen”.

Drejtimi

Me një nga punonjëset sociale të kryeqytetit, Edlira Luzi, tentojmë të eksplorojmë faktorët që ndikojnë tek maturantët për të përzgjedhur profesionin e tyre të ardhshëm. Sipas Luzit, maturantët, përpara se të bëjnë zgjedhjen e tyre, kanë parasysh një sërë elementësh. “Zgjedhja e profesionit të ardhshëm është shumë e vështirë. Këtë fakt maturantët e kanë parasysh dhe mendojnë mirë dhe do të thosha se ata fokusohen në disa fusha para se të bëjnë zgjedhjen”. Në këtë pikë, punonjësja sociale ndalet duke evidentuar secilin nga faktorët ndikues.

Struktura që ka vetë shkolla. Sipas saj, ndarja në dy profile, natyror dhe shoqëror, është kjo nisja e parë që shënon edhe drejtimin që do të marrin maturantët për të bërë zgjedhjen e tyre. Kështu, maturantët e profilit natyror përzgjedhin kryesisht fakultete si Mjekësia, Shkencat e Natyrës, Ekonomikun dhe Inxhinierinë, duke i lidhur edhe me lëndët që ata bëjnë në gjimnaz. Ndërsa maturantët e profilit shoqëror përzgjedhin më së shumti fakultete si Drejtësia, Shkencat Sociale dhe degët e Filologjikut. Duke u bazuar edhe tek koeficientët, maturantët kanë bërë zgjedhjen e tyre, deri diku të detyruar edhe nga profili i shkollës së mesme. Pasi humbasin pikët e koeficientit, d.m.th. nëse një i shoqërorit kërkon degë tek natyrori, do të ketë koeficient më të ulët dhe e anasjelltë. Kjo i bënë maturantët më pak të favorizuar për të fituar degën e preferuar. Më tej punonjësja sociale, Edlira Luzi, shpjegon: “Ndarja në profile nuk është thjesht vetëm strukturë e shkollës, por ka të bëjë edhe me prirjen e tyre. Do ta shpjegoja këtë me teorinë e inteligjencave të shumëfishta. Çdo person është inteligjent në një fushë të caktuar. Edhe ai që ka prirje në lëndët shoqërore, nuk do të thotë që është më pak inteligjent se ai që ka prirje në lëndët natyrore. Në fusha të ndryshme ata mund të japin diçka. Në bazë të talenteve dhe prirjes së tyre kanë bërë edhe zgjedhjet e profileve”. “Por kurrsesi, - pohon Luzi, - nuk mund të mos jetë pjesë e faktorëve, madje më i rëndësishmi, tregu. Nxënësit janë nisur edhe nga tregu. Cilat kanë qenë degët më të mira, degët që kanë treg pune që ti nuk rrezikon të mbesësh pa punë. Maturantët të zgjedhin një profesion ku të ndihesh mirë, të jesh efektiv, të gjesh veten pjesë të atij profesioni, sepse ata thonë që ne po investojmë, qoftë në kohë, qoftë në dijet tona, qoftë edhe në lekë. Në këtë pikë nuk mund të themi që maturantët kryejnë zgjedhje të lirë, por as të kushtëzuar, pasi të lirë janë në momentin që zgjedhin degën në bazë të prirjeve që ata kanë dhe të kushtëzuar nga profili që janë zgjedhur, duke u kushtëzuar edhe nga tregu i punës. Prirja e tyre ka bërë që ata të zgjedhin edhe profilin. Kjo është një ndërthurje”, - thotë punonjësja. Ndërkohë, ajo që po këshillohet më së shumti nga psikologët dhe punonjësit socialë, është që maturantët të zgjedhin një profesion në të cilin ndihen mirë dhe të jenë efektiv, si dhe të gjejnë veten pjesë të atij profesioni.

{Standart}

3 vota. Mesatarja e 3.00 të 5.
Abonohu:
Adresa e-mail