Matura, të martën del nota e parë

Drejtori i AVA-s, Edmond Lulja: Po kryejmë lidhjen e të dhënave nxënës-rezultat

ota e parë e provimit të letërsisë pritet të bëhet publike ditën e martë, më 24 qershor. Kjo notë që ndryshe quhet e meritës, pritet t‘i japë fund vetëm fazës së parë të etheve për 33 mijë e 400 maturantë. Rezultatet e provimit të parë të maturës, atij të letërsisë, mendohet që të dalin dy ditë përpara parashikimit të bërë nga Ministria e Arsimit dhe drejtuesit e AVA-s. Edmond Lulja, drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve (AVA), është shprehur dje se po punohet në mënyrë intensive, në mënyrë që maturantët e këtij viti, të njihen me rezultatet e provimit të letërsisë ditën e martë ose të mërkurë. Ndërkohë që zyrtarisht ishte përllogaritur që vlerësimi i testimeve të maturantëve të zgjaste dy javë.

"Ka përfunduar vlerësimi i testeve të letërsisë nga mësuesit në të katër qendrat e korrigjimit, si në Tiranë ashtu edhe në rrethe, përkatësisht në Fier, Elbasan dhe Shkodër", theksoi drejtori i AVA-s, Lulja. Ai saktësoi më tej se tashmë në qendrën e Tiranës, pranë shkollës "Sabaudin Gabrani", kanë mbërritur të gjitha testet që janë vlerësuar në rrethe. Ky proces, sipas drejtorit Lulja, kërkon edhe disa ditë kohë, për shkak të kompjuterizimit të fletëve të provimit të të gjithë maturantëve, 33 mijë e 400 në total. Kjo ndryshe quhet edhe koha informatike e cila "do të realizohet në dy qendra të ndryshme, prandaj dhe kërkon disa ditë", tregon drejtuesi kryesor i AVA-s. Faza e parë, sipas "menaxherit të maturës", është ndryshimi i bar kodit që ndodhet në çdo fletë provimi, në rezultatin e pikëve të arritura nga nxënësi. Faza e dytë, lidhet me tjetërsimin e bar kodit të personalizuar, në emrin e maturantit. "Dhe së fundi bëhet lidhja e të dhënave, pra emri i nxënësit dhe rezultati që ai ka arritur në provimin e parë të maturës", sqaroi Lulja. Hapin final e hedh vetë ministri i Arsimit, Genc Pollo, përpara se notat e letërsisë të dërgohen në drejtoritë arsimore dhe nga këto të fundit në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Në përputhje me rregulloren e Maturës Shtetërore, programi i veçantë kompjuterik, (i hartuar posaçërisht për këtë proces dhe ruajtjen e saj nga "ndërhyrjet dhe tarafet"), do të mund të japë listën e plotë të emrave të maturantëve dhe notave të tyre, në pikë, vetëm në prezencë të një komisioni të posaçëm. Në krye të këtij grupi qëndron ministri Pollo dhe disa specialistë të AVA-s.

Një numër prej 155 mësuesish të letërsisë, të shkollave të mesme u morën gjatë gjithë këtyre ditëve me vlerësimin e provimeve të maturantëve. Pra, nga data 12 qershor, kur filloi korrigjimi i testeve dhe deri më 19 qershor pasdite, koha kur u mbyll ky proces. Kontrolli i fletëve të provimit ka kaluar në dy duar mësuesish, për të shmangur çdo pasaktësi apo padrejtësi në korrigjim. Secili nga këta arsimtarë, gjatë procesit të vlerësimit të testeve ka dhënë pikët për të paktën 20 apo 30 teste në ditë. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve, Edmond Lulja, thotë që secili grup i dyfishtë i profesorëve ka vlerësuar provimet në mënyrë normale dhe korrekte pa pasur mbilodhje që mund të influenconte në vlerësim. Kjo, sqaron ai, edhe për faktin se pikët e njërit vlerësues për një test verifikoheshin edhe nga vlerësuesi tjetër, për të njëjtën fletë provimi.

Ndërsa provimi i matematikës, i zhvilluar më 17 qershor, pritet të përfundojë nga korrigjimi në ditët e para të korrikut, edhe ky përpara afatit të përcaktuar nga MASH.

Më tej, maturantët e këtij viti, së bashku me të rinjtë që kanë dëshirë të ndjekin studimet e larta, do të duhet që t‘u nënshtrohen edhe dy provimeve të lëndëve me zgjedhje, më datën 10 korrik. Të dy testimet për lëndët që i çojnë në degët e preferuara do të kryhen në të njëjtën ditë. Ndërkohë që publikimi i pikëve të fituara në të gjitha provimet, ato të letërsisë, matematikës dhe të lëndëve me zgjedhje, të shumëzuara këto edhe me koeficientët përkatës të fakulteteve mund t‘i ndihmojë të rinjtë që të bëjnë përzgjedhjen apo renditjen e duhur në formularin A2, tashmë i shpallur nga Ministria e Arsimit.


Matematika


Filloi dje korrigjimi i testeve


Dje ka nisur puna për korrigjimin e plot 33 mijë e 400 fletëve të provimit të matematikës, për maturantët e këtij viti. Drejtori i AVA-s, Edmond Lulja, e ka pohuar një lajm të tillë, duke theksuar se ky proces do të ecë me të njëjtat ritme dhe pa probleme njëlloj sikundër edhe ai i lëndës së letërsisë. "Ka filluar puna në të katër qendrat e vlerësimit të testeve, në Tiranë dhe në rrethe", u shpreh drejtori i AVA-s. Sipas tij, në ditët e para të korrikut pritet edhe rezultati i provimit të dytë të Maturës Shtetërore, që do të mbyllë përfundimisht ciklin e shkollës së mesme për këtë brez të rinjsh në vend. Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), bëri të ditur se fondi i pyetjeve për matematikën ishte pothuaj trefish më i madh se vitin e kaluar. Ndërsa u caktua fondi i plotë i kërkesave, i sistemuar sipas përmbajtjes e niveleve të vështirësisë. Në përputhje me përcaktimin e MASH-it, lloji i testit me të cilin u përballën nxënësit, lidhej me llojin e programit lëndor që ata kishin studiuar në shkollën e mesme dhe mbi bazë të këtyre kritereve, këtë vit u hartuan 7 lloje testesh, në varësi të profilit të arsimit. Ky provim përmbante 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me zhvillim (37 pikë). Pra në total pikët maksimale që mund të marrë çdo maturant pas vlerësimit të testit të matematikës do të jenë 50.

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail