Matura, ja si të llogarisni vetë pikët

Esmeralda Keta

Ethet e vërteta për kandidatët që duan të fillojnë një shkollë të lartë, nisin pasi u janë nënshtruar provimeve të Maturës Shtetërore. Në pritje të rezultatit përfundimtar ata mund të llogarisin vetë pikët, e në këtë mënyrë mund ta vendosin veten e tyre në listën e fituesve ose poshtë vijës së kuqe. Dhe, kjo pa pasur nevojë të presin renditjen përfundimtare që do të publikohen nga AVA. Pikërisht, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që këtë vit janë të përfshirë nga ethet e shkollës së lartë, po botojmë dy shembuj konkretë se si të rinjtë të bëjnë llogaritjen e pikëve. Ky rezultat përfundimtar do të jetë i vlefshëm me degët preferenciale që të rinjtë kanë shënuar në formularin A2, i cili ende nuk ka nisur të plotësohet, por që sipas specialistëve, është shumë i rëndësishëm.
Llogaritja e pikëve
Janë 5 nota, të cilët pasi të mblidhen japin rezultatin përfundimtar me të cilin konkurron çdo kandidat. Është nota mesatare e shkollës së mesme, 2 notat e lëndëve me zgjedhje (Z1, Z2) që në varësi të preferencës së fakultetit do të shumëzohen me koeficientët 1.0 dhe 1.3, janë edhe 2 notat e provimeve të detyruara (D1, D2), të cilat në varësi të llojit të shkollës së mesme do të shumëzohen me koeficientët 1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4. Të pestë këto rezultate do të shumëzohen në fund me 100 dhe më pas mblidhen për të nxjerrë numrin total të pikëve. Shuma e dalë do të jetë rezultati përfundimtar me të cilin çdo kandidat do të konkurrojë për në shkollë të lartë, që do të shkojë paralel me degën preferenciale të shënuar nga vetë kandidati në formularin A2.
Dega fituese
Specialistët e MASH-it i këshillojnë të rinjtë që të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e degëve preferenciale që do të shënojnë në formularin A2, pasi është një ndër faktorët kryesorë që të bëjnë fitues apo humbës. “Kandidati ka të drejtë të shënojë deri në 10 degë, sipas një rendi preferencial, - kanë shpjeguar specialistët. – Pas përfundimit të të gjithë procesit të Maturës, në varësi të pikëve të marra dhe të preferencës së kandidatëve, do të përcaktohet dega dhe universiteti ku ai rezulton fitues. Nëse kandidati nuk paraqitet për t’u regjistruar në këtë degë, atëherë ai digjet dhe për të fituar statusin e studentit i duhet të presë Maturën e vitit pasardhës që të konkurrojë sërish”. E thënë më qartë, studentët që kanë pikët maksimale do të shkojnë në fakultetet e Tiranës, ndërsa të tjerët do të shpërndahen në universitetet e rretheve, pasi për Universitetin e Tiranës zhvillohet edhe gara më e fortë. Pikërisht, për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë të rinjve në zgjedhjet e preferencave që do të shënojnë në formularin A2, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka deklaruar se plotësimi i tij do të nisë gjatë muajit qershor, pasi maturantët të kenë dhënë dy provimet me detyrim dhe të kenë marrë edhe notat e tyre.

{Gazeta Shqiptare}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Shto një koment