Matura, formulari për provimet me zgjedhje deri në 9 korrik

19 qershor, 16.15- Tiranë- Deri në datën 9 korrik, maturantët duhet të plotësojnë formularin A2, për të përcaktuar prioritetet e tyre për shkollë të lartë dhe lëndët me zgjedhje që do të japin provim.

Bruna Prifti

Edhe këtë vit maturantët do të zgjedhin 10 programet e studimit, të renditura sipas preferencave.

Ministria përmes një udhëzimi ka këshilluar të gjithë maturantët të presin shpalljen e rezultateve të provimeve të detyruara Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, para se ta plotësojnë këtë formular, për të zgjedhur 10 programet e preferuara në bazë të pikëve të grumbulluara.

Ashtu si edhe një vit më parë, Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) do të realizojë përcaktimin e fituesve sipas parimit Meritë – Preferencë, sipas të cilit:

1. Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore.

2. Parimi i preferencës i cili përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre.

Si plotësohet A2, 5 hapat

Me anën e Formularit A2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë.

Për të marrë Formularin A2, nxënësi duhet të ketë kryer pagesën prej 2000 lekësh në një bankë ose në Postën Shqiptare dhe të paraqesë faturën e pagesës së kryer.

Së pari, maturantët mund të fotokopjojnë këtë formular për tu praktikuar, por duhet të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të lexojnë me kujdes udhëzimin për plotësimin e A2.

Së dyti, mësuesi kujdestar bashkë me maturantin plotësojnë mesataren e shkollës së mesme me numra dhe me fjalë.

Së treti, pasi është vendosur për programet e studimit të preferuara dhe renditjen e tyre, plotësohet kodi i programit të studimit për secilën preferencë, nga preferenca 1 deri në preferencën e 10.

Së katërti, pas kësaj në kaudratin pranë programit të studimit, do të vendosni numrin e preferencës. Kodi i programit të studimit, i shënuar te tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. P.sh. nëse në preferencën 1 është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratitn pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri 1.

Dhe në fund, maturanti, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës duhet të plotësojnë emrin, mbiemrin dhe të firmosin formularin A2.

Si të rendis preferencat?

Para se të rendisni preferencat duhet të bëni një llogaritje të përafërt të pikëve që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë.

Pas kësaj konsultoni te Guida e Maturës Shtetërore 2008 pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues, kandidatët e një viti më parë.

Në këtë moment ju do keni një ide se cfarë programe studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve.

Pas kësaj formoni një listë ku programet e studimit i rendisni jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që ju keni për të fituar në këto preferenca. Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që preferoni më shumë dhe, e dyta ajo që preferoni, nëse nuk do të fitoni në Preferencën e parë, e kështu me radhë deri te preferenca 10.

Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e Preferencave, ndryshe Formulari quhet i pavlefshëm.

Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund t’i plotësoni me tre 0.

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail