Librat e shkollës do të vijnë me postë

MASH: Në shtator tekstet do të gjenden në zyra postare, librari dhe shkolla

Librat e shkollës, nisur nga 1 shtatori, do të gjenden në çdo pikë postare, në çdo librari dhe nëpër shkolla. Këtë e bëri të ditur dje Ministria e Arsimit, përmes zëdhënëses Brikena Kollçinaku. Një vit më parë, prindërit humbën ditë të tëra nëpër radhë para librarive për të blerë librat e fëmijëve. Madje, disa prej tyre nuk arritën të marrin as subvencionin e shtetit, pasi librashitësit u dhanë fatura false. Për të shmangur radhët dhe vështirësinë e mbërritjes së librit te nxënësi, Ministria e Arsimit provon një skemë të re, atë të dërgimit të librit me postë. Sipas zëdhënëses së shtypit, në vitin e ri akademik, pako me tekste shkollore do të ketë në pikat postare të lagjeve në Tiranë dhe rrethe. Po kështu, si pikë shitjeje do të shërbejnë edhe libraritë dhe magazinat e shkollave.

Shpërndarja e librit në posta vjen si përvojë e re, ndërsa ajo e çeljes së magazinave nëpër shkolla është aplikuar edhe herë të tjera. Kështu, çdo botues do të dërgojë nëpër shkolla librat e porositur dhe do të caktojë një shitës të përbashkët për tregtimin e tyre. Sipas Ministrisë së Arsimit, kthimi i shkollës në pikë shitje bëhet vetëm që të shmangen radhët dhe librat e nxënësve të gjenden kudo pa vështirësi.

Për sa i përket subvencionit, Ministria e Arsimit bën të ditur se do të përdoret e njëjta skemë si një vit më parë. Kështu, prindërit do të blejnë librat, duke i kërkuar me domosdo shitësit një faturë tatimore me vlerën e mallit që kanë blerë. Këtë faturë duhet ta dorëzojnë në shkollë, me nisjen e vitit shkollor. Drejtorët e shkollave do t‘i mbledhin të gjitha faturat, sepse mbi bazë të tyre bëhet subvencioni. Shteti financon për arsimin e detyruar, duke u kthyer prindërve afro 90 për qind të vlerës së librave. Në vitin shkollor që sapo u mbyll, prindërit u gjenden në vështirësi për të marrë paratë, pasi nuk iu ishin dhënë fatura të sakta nga libraritë ku blenë tekstet shkollore. Megjithatë, në fund të vitit shkollor, Ministria e Arsimit raporton se subvencioni i teksteve u shpërnda në masën 93 për qind. Zëdhënësja e shtypit deklaroi dje se ka përfunduar me sukses procesi i shpërndarjes së fondeve të kompensimit të librit shkollor, pasi janë ndarë 2.5 milionë euro nga fondi i parashikuar për kompensim. Paratë iu dhanë prindërve nëpër zyrat postare. Nisur nga bashkëpunimi i deritanishëm, MASH e sheh Postën Shqiptare si partnere jo vetëm për shpërndarjen e lekëve, por edhe të librave në shtatorin e këtij viti shkollor.

Aktualisht, në ditët e fundit të punës, mësuesit po përgatisin listat me tekstet që do të zgjedhin nga shtëpitë botuese për vitin e ri shkollor. Sipas reformës së Altertekstit, për një tekst ka tre-katër variante librash të nxjerra në treg nga botues të ndryshëm. Mësuesit duhet të zgjedhin njërin prej tyre. Janë në garë 24 botues këtë vit, të cilët kanë nxjerrë në treg plot 169 teste alternative. Gjatë muajve të verës, ata shtypin afro 6 milionë libra dhe i shpërndajnë nëpër shkolla, librari dhe në pikat postare, nisur nga data 1 shtator.

{Shqip}

1 votë. Mesatarja e 5.00 të 5.

Komentet

  • Quincy
    An impressive share! I have just forwarded this onto a co-worker who has been doing a little homework on this. And he actually bought me dinner because I stumbled upon it for him... lol. So let me reword this.... Thanks for the meal!! But yeah, thanks for spending the time to discuss this matter here on your web page.
Abonohu:
Adresa e-mail