Historia e babait student

Ia mohuan shkollën në diktaturë. Ulet në auditor pas 28 vitesh, në një kurs me "fëmijët" e tij

03 prill 2008 - Dritan Laci

 Afrim Nela, 51 vjeç, baba i dy fëmijëve, vazhdon studimet ditën për Inxhinieri Nafte dhe ndjek rregullisht leksionet

Studenti 51-vjecar Afrim Nelaj me shoket e kursit

Tamam-tamam ai duhej t'i fillonte studimet, plot 32 vite më parë, në të njëjtën periudhë kur babai im fitonte të drejtën për të ndjekur Pedagogjiken e lartë. Por ja që kjo dëshirë nuk qe e thënë të realizohej as atëherë dhe as më vonë, me rënien e sistemit komunist. Historia e tij, është pak a shumë ajo që ka ndjekur përgjatë sistemit të kaluar shumë individë të deklasuar, të cilët, paçka se kishin rezultate të mira në shkollë, për hir të linjës politike të kohës u përjashtuan nga e drejta për të vazhduar studimet e larta. Po nëse shumë prej tyre iu bindën verbërisht fatit të keq, Afrim Nelaj, nuk hoqi dorë kurrë nga ëndrra për të ndjekur studimet. Ai mundi t'i japë jetë dëshirës së kahershme për të ndjekur studimet e larta vetëm 4 vite më parë, kur ishte në fundin e të dyzetave. Sigurisht që nuk e kishte të lehtë. Gjithçka e kishte bluar në kokë me qetësi. Familja ishte dakord, por problemi qëndronte diku tjetër. Aktualisht në moshën 51- vjeçare, studenti më i moshuar në auditorët e sistemit të ditës, kujton me shaka se ditët e para të fakultetit, ishin disi të bezdisshme. Të gjithë e shikonin me çudi. Shokët e kursit në Inxhinierinë e Naftës në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, ishin pothuajse në një moshë me fëmijët e tij. Nuk kishte si të qe ndryshe. Ai ishte një student që dallonte nga të tjerët. Për nga vetë thinjat që mbante në kokë, ai binte që të ishte babai i shokëve të kursit.


Duhet të gjente gjuhën me të gjithë. Jetonin në të njëjtën kohë, por me mentalitete të ndryshme për jetën, që dëshironin apo jo diku përplaseshin. "Arsyeja për të cilën kam vazhduar shkollën me vonesë ka pasur të bëjë me njollat në biografi që kishte familja ime gjatë sistemit komunist. Gjyshi im është pushkatuar gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, nga partizanët, pa gjyq. Që nga ajo periudhë familja ime, e cila jetonte në Kurdar të Matit, shikohej me sy jo të mirë". Ky sy jo fort i mirë ndoqi edhe Afrimin në jetë. Ai përfundoi me rezultate të mira shkollën e mesme, por nuk iu dha mundësia të ndiqte arsimin e lartë. I bindur se nuk mund të bënte më shumë, kundër sistemit në fuqi, Afrimi vendosi të futej në punë. Fati e desh që në fshatin e tij të vinte për ekspeditë Gjeologjia e Tiranës. "Realisht duhet ta filloja shkollën e lartë në vitin 1976. Nuk kam qenë i shkëlqyer në mësime, por kam qenë nxënës i mirë. Problemi ishte sporti politik. Në këtë vit, në fshat erdhi për ekspeditë Gjeologjia e Tiranës. Duke qenë se kërkoja punë, të parët e fshatit më lidhën me gjeologjinë. Këtu filloi edhe puna ime për shumë vite me çpimet". Për afro 14 vite, deri në rënien e sistemit totalitar, Afrimi, i ra Shqipërisë anembanë duke kërkuar e studiuar tokën me sondë. Me gjithë eksperiencën e gjatë në punë, ai nuk e humbi dëshirën për të vazhduar studimet. Moskryerja e arsimit të lartë, i kishte ngelur peng në zemër, edhe pse gjeti mundësinë për të rinisur punën në gjeologji.

 


Ardhja e demokracisë ishte një mundësi për ta realizuar më në fund dëshirën që e mundonte. Por ja që sërish nuk qe e thënë. Familja e tij e vogël në numër ishte e re. Fëmijët ishin ende të parritur mirë. Një baba student, do ishte preokupim i tepërt në një kohë të tillë. Kështu që Afrimit i duhej të priste ende, paçka se vitet kalonin me shpejtësi. "Unë kam një vajzë dhe një djalë. Vajza ndjek studimet për Stomatologji në vitin e parë, ndërsa djali është në vit të dytë në gjimnaz. Fëmijët janë bërë shkas që të shtyj edhe vendimin për të filluar shkollën e lartë në vitet e para të ndërrimit të sistemit". Vetëm kur kuptoi se kishte vënë diçka në vijë Afrimi vendos përfundimisht të konkurrojë në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Zgjodhi degën e Inxhinierisë së Naftës, për të qenë sa më pranë profesionit që kishte ushtruar për kaq e kaq vite. "Pasi arrita të sistemoja fëmijët, që për mua ishte gjëja parësore në jetë, gjeta mundësinë për të vazhduar shkollën. Arsyeja për të cilën zgjodha këtë profil është se unë kam një aktivitet privat i cili merret më shpime dhe studime inxhinierike. Duke parë problemet teknike që ndeshja në punë mendova të provoja veten edhe në shkollë". Kështu, në vitin akademik 2004-2005, Afrimi vendos përfundimisht të konkurrojë për një vend në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Kishte mëse 28 vite që nuk prekte libra me dorë. Edhe kur e kishte bërë një gjë të tillë, rastiste të ndodhte vetëm kur mësonte fëmijët. Por edhe në këtë rast vetëm përciptas, pa i hyrë shumë në thellësi. "Thashë të provoja veten. Të gjithë u çuditën, por dola mirë. U rendita i treti në listën e fituesve. Aty vendosa ta nis seriozisht shkollën. Nusja dhe fëmijët e pritën mirë.



Problemi ishte te vetja". Afrimin e mundonte shumë pritja që do t'i bënin shokët e kursit, të cilët ishin shumë më të rinj se ai. Një pyetje i rrihte si çekan në kokë: A do të arrinte t'i përshtatej modelit të ri në të cilin ishte futur arsimi i lartë? "Faktikisht, momentet e para ishin të vështira në kuptimin që mosha jonë gjykon pak ndryshe, ka tjetër preokupim, tjetër perceptim për jetën. Vështirësia qëndronte në përshtatjen me studentët, sepse afërisht ata i binin që të ishin fëmijët e mi. Pastaj filloi shkolla. Provimi i parë ishte i vështirë. Ishte në Matematikë. Aty fillova të flas me të gjithë shokët e kursit". Komunikimi me shokët e kursit në tremujorin e parë të studimeve, ishte i vështirë. Afrimi u detyrua të përdorte dy standarde komunikimi: të fliste, herë si shok dhe herë si prind. Dalëngadalë ai arriti të gjejë gjuhën e komunikimit me shokët dhe shoqet e kursit. Mosha e Afrimit bëri të vetën. Ai edhe sot që është në vitin e katërt të studimeve i ndjek rregullisht leksionet. Kjo rregullsi bie pak ndesh me modelin e studentit të sotëm shqiptar, i cili më të shumtën e kohës preferon më mirë ta kalojë në kafe sesa duke ndjekur seminaret. Me gjithë insistimin tonë për ta nxjerrë Afrimin për pak çaste nga ora e leksionit, ai nuk tutet nga karrigia ku është ulur, duke respektuar deri në fund pedagogun e lëndës. "Në kohën tonë shkolla ka pasur rregull. Dallimi me realitetin e sotëm është i ndjeshëm. Atëherë mendimi i studentëve ishte thjesht fasadë. Tani gjërat kanë ndryshuar. Ka më shumë liri. Shpeshherë i këshilloj çunat e kursit si prind.

Këtë gjë e kam bërë që në fillim kur i kam njohur". Afrimi thotë se gjeologjia në Shqipëri nuk do të vdesë kurrë. Këtë gjë ua kujton edhe shokëve më të rinj të kursit. "Unë mendoja se meqenëse kisha bërë praktikën para shkollës, i kisha fituar të gjitha njohuritë. Por ja që tani që ndodhem në përfundim të studimeve, them se kam gabuar. Sado të mësosh në jetë, shkolla është shumë e rëndësishme, ajo ka vendin e saj të pazëvendësueshëm". Këtë gjë Afrimi mundohet t'ua ngulisë në kokë edhe më të rinjve. Sigurisht atyre që dëshirojnë, pasi të tjerët, ata që veprojnë ndryshe e kuptojnë neglizhimin ndaj shkollës, vetëm kur përballen me problemet që hasin gjatë jetës.


Vështirësia qëndronte në përshtatjen me studentët, sepse afërisht ata i binin që të ishin fëmijët e mi.

Meqenëse kisha bërë praktikën para shkollës, i kisha fituar të gjitha njohuritë. Por ja që tani them se kam gabuar

 

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • Anda
    • 1. Anda Më 12/01/2012
    Unë mendoj se kjo mund të jetë e vështirë për të që të jetë një student në këtë kohë, por shpresoj se ajo do të ketë sukses për t'u marrë me këtë situatë.
    Reparatii Masini
Abonohu:
Adresa e-mail