“Këto ditë do të lëshohen nostrifikimet e 200 diplomave”, ka thënë Agim Rushiti, anëtar i brendshëm i MASH-it, ndërsa ka shtuar se “zvarritja e nostrifikimit është edhe për neglizhencë të Ministrisë së Arsimit të Kosovës”.
“Lista me rastet e paraqitura tek neve, qëndroi një kohë të gjatë në Ministrinë e Kosovës, ku duhej të na konfirmonin nëse ishin valide ato diploma”, tha Rushiti, ndërsa kandidatët, numri i të cilëve ka shkuar në disa qindra, tregojnë diçka tjetër. Ata thonë se në MASH kanë marrë përgjigje se, duhet pritur vendosjen e marrëdhenieve diplomatike mes dy vendeve.
“Na thuhet se nuk mund të bëhet nostrifikimi i diplomave pa u vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve”, ka thënë për këtë të përditshme Fatmir Fejzullahu, absolvent i farmacisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) – i cili që nëntë muaj ka dorëzuar në Shkup kërkesën për nostrifikimin e diplomës së shkollës së mesme.
“Ka studentë që kanë kryer studimet dhe nuk mund të marrin diplomë, sepse u bëhet pengesë në MASH, nuk u nostrifikohen diplomat e shkollës së mesme”, ka thënë ndërkaq, Sihana Ahmeti, kryetare e Unionit të studentëve të Fakultetit të Farmacisë, në USHT.
Pa dokumentin e nostrifikimit, në USHT nuk mund të nisën procedura për paraqitjen e temës së diplomës. Studentët dyshojnë se zvarritja është një padrejtësi e qëllimshme që u bëhet atyre.
Fejzullahu shpjegoi se ndryshe sillet MASH-i i Maqedonisë me diplomat që mbajnë vulën e Serbisë, pra me studentët nga Lugina e Preshevës. “I thërrasin me telefon, që të shkojnë ta marrin vërtetimin e nostrifikimit kur janë në pyetje diploma me vulën e Serbisë, kurse për diplomat e Kosovës nxjerrin lloj-lloj arsyetimesh”, ka thënë ai.
Nostrifikimi i diplomave, nisi të bllokohet në masë të madhe pas pavarësimit të Kosovës, më 17 shkurtit 2008, kurse në sirtarët e MASH-it qëndrojnë kërkesa edhe më të vjetra. (lajm)
|