Absolute! E para në matematikë, në Tiranë

5 korrik, ora 11.45- Perfekte! E para në Tiranë! Në 90 minuta, arrin të zgjidhë në mënyrë të saktë, testin e provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës.

 Dritan Laci

Perfekte! E para në Tiranë! Në 90 minuta, arrin të zgjidhë në mënyrë të saktë, testin e provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës. Joana Hankollari, maturante në shkollën e mesme “Partizani” ka mundur të marrë 50 pikë. Komisioni i Vlerësimit të Testeve i ka dhënë pikët e mundshme maksimale.

Vetëm 1 orë e 30 minuta. Kaq kohë iu desh në dispozicion maturantes së shkollës së mesme “Partizani”, Joana Hankollari, për të zgjidhur në perfeksion testin e formuluar nga specialistët më të mirë të arsimit, në provimin e dytë me detyrim të Maturës Shtetërore, në lëndën e Matematikës. Drejtoreshë Luli nuk e fsheh dot kënaqësinë. Ajo shpejton të ngjisë shkallët për të ndarë gëzimin me kolegët që ndodhen në korridor në pritje të rezultateve. Është gëzim më se i merituar. Maturantja e saj, ka arritur jo vetëm të marrë notën 10, por ka mundur njëkohësisht të korrë të gjitha pikët e mundshme që përmbante testi. Joana ka mbledhur 50 pikë, duke u rreshtuar në 8 maturantët e shkëlqyer që kanë zgjidhur të plotë testin në lëndën e Matematikës. Por gëzimi bëhet më i ligjshëm për mësuesit e shkollës, kur mësojnë se nxënësja e tyre është e vetmja ndër shkollat e kryeqytetit që ka arritur të fitojë pikët maksimale, në provimin më të vështirë të Maturës Shtetërore. Vetë Joana, paçka se ishte e bindur në plotësimin e saktë të testit, kishte dyshime nëse do të arrinte të merrte pikët e plota. Korrigjimi i testit, nuk është punë vetëm e një individi. Procesi kalon në disa duar, e për të marrë 50 pikë, duhet mendimi i të gjithë specialistëve. Por tashmë hijet e dyshimit janë fashitur. Komisioni vendosi në mënyrë unanime, që maturantja e shkollës “Partizani” të vlerësohet me pikë të plota. Joana, nuk harron të japë një falënderim të madh, për njerëzit që i qëndruan pranë gjatë fazës përgatitore të provimeve. Një pjesë të mirë të suksesit, krahas familjes, 18-vjeçarja, ia dedikon profesorit të Matematikës, Skënder Bulku.

“Në formimin matematikor, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe profesor Skënderi. Ditën që mësova përgjigjen, nuk kisha se si ta harroja punën që ai ka bërë me të gjithë nxënësit. E mora në telefon dhe e falënderova. Koha për të përgatitur provimin e Matematikës ishte shumë e shkurtër. Në 6 ditë, duhet të kalonim në duar 8 libra. Ishte thjesht një përsëritje, por falë mënyrës se si e organizoi profesori periudhën e konsultimit, ne arritëm të dilnim me sukses në provim”. Joana nuk përton të rrëfejë emocionet e provimit. Ajo na tregon se teza përgjithësisht ishte e një niveli mesatar, që nuk shfaqte vështirësi, përjashto ushtrimin e fundit që kërkonte një logjikë të fortë. Gjithsesi, vajza ishte përgatitur fort për çdo të papritur.

“Përgjithësisht, teza ishte e hartuar mirë. Më pëlqeu që ushtrimet nuk kishin zgjatje. Kryesisht ishin ushtrime logjike, të cilat nëse kishe punuar për gjatë 4 viteve, mund të zgjidheshin pa problem. Në fakt nuk m’u desh shumë kohë për ta zgjidhur. Nga 2 orë e 30 minuta që ishte provimi, unë e zgjidha tezën për 90 minuta”. Joana ka marrë pjesë jo pak herë edhe në olimpiadat kombëtare të Matematikës. Por gjithsesi, Matematika nuk është pasioni i vetëm që maturantja ka në jetë. Një pjesë të mirë të kohës 18-vjeçarja ia kushton edhe librave. Ajo lexon shumë, dhe është aktive në debatet publike që zhvillohen midis shkollave, ku me ekipin e saj, ka arritur të fitojë dy herë Kupën e Shqipërisë. Madje, me keqardhje, thotë se e ndjen veten të mërzitur, për vetë faktin se koha përgatitore e Maturës nuk i ka lënë shumë mundësi për të lexuar libra.

“Pasioni im i dytë është debati. Jam pjesë e programit të debatit që organizohet në nivel ndërkombëtar nga IDEA, në Shqipëri. Është diçka shumë interesante, pasi diskutojmë tema politike, të aktualitetit, qoftë për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet e tjera. Unë bëj pjesë në ekip me dy vajza të tjera po të shkollës “Partizani”, me të cilat kemi fituar Kupën e Shqipërisë në debat, njëherë në gjuhën shqipe dhe njëherë në gjuhën angleze”. Sidoqoftë, rruga që Joana kërkon të ndjekë në jetë është krejt tjetër nga ajo e oratorisë. Thotë se që e vogël ka pasur ëndërr të bëhet mjeke dhe duket se momenti ka mbërritur për ta kthyer ëndrrën në realitet. Në Formularin A2, Joana, ka zgjedhur si preferencë të parë, degën e Mjekësisë, ndërsa të dytë Juridikun.

“Mjekësia më është dukur si një eksperiencë shumë e mirë për të bërë diçka ndryshe. Unë them gjithmonë që në këtë jetë, njeriu përveçse mendon për t’u realizuar individualisht, duhet të mendojë të bëjë diçka edhe për të tjerët, ashtu sikurse edhe ne presim që dikush të bëjë diçka për ne. Në këtë kontekst, mjekësia më është dukur një formë shumë e mirë për t’i qëndruar pranë njerëzve në nevojë”. Joana e di se do të ketë përpara një rrugë shumë të vështirë për të bërë. Me pamje të brishtë, ajo përpiqet gjithmonë të jetë një vajzë e fortë, që nuk thyhet kollaj, por që përpiqet me të gjithë fuqinë që ka, të çohet dhe të ecë përpara. Një rol të rëndësishëm në formimin e karakterit, Joana ia kushton prindërve dhe motrës, që i ka qëndruar pranë gjatë gjithë kohës së provimeve.

“Të dy prindërit kanë qenë shumë inkurajues për mua, për çdo aktivitet që kam bërë. Gjithmonë më kanë thënë: “Merr pjesë, mos ki frikë”. Po kështu edhe motra, që më ka qëndruar më pranë gjatë ditëve të provimit. Unë jam tip që i kam me shumë merak gjërat. Ndonjëherë e kritikoj veten që duhet të kem më shumë besim për t’i çuar gjërat deri në fund, dhe ata natyrisht që më kanë inkurajuar”. Për të treguar se udhëhiqet më shumë nga pasioni sesa nga ana materiale, Joana, na rrëfen se nëse do të arrijë të fitojë Mjekësinë, do të donte të punonte në frontin më të vështirë, atë të Onkologjisë. Thjesht, për të qenë sa më pranë njerëzve në nevojë, në momentet më të vështira të jetës. Nuk na ngelet gjë tjetër veçse t’i urojmë Joanës: Suksese në shkollë dhe në jetë!

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • bajram
    • 1. bajram Më 24/02/2010
  • avdiu
    • 2. avdiu Më 17/04/2009
    Suksese nga KUIZET E MATEMATIKES ne www.avdi-tafilaj.tk
Abonohu:
Adresa e-mail